Shpëtimi i përket Jehovait
«Perëndia i vërtetë është për ne një Perëndi veprash shpëtuese.»—PSALMI 68:20, BR.
1, 2. (a) Pse mund të themi se Jehovai është Burimi i shpëtimit? (b) Si do ta shpjegoje shkrimin në Proverbat 21:31?
JEHOVAI është Shpëtimtari i njerëzve që e duan. (Isaia 43:11) Mbreti i famshëm David e dinte këtë nga përvoja personale dhe me gjithë zemër këndoi: «Shpëtimi i përket Jehovait.» (Psalmi 3:8, BR) Kur ndodhej në barkun e peshkut të madh, profeti Jona përdori të njëjtat fjalë në një lutje të zjarrtë.—Jonai 2:9.
2 Edhe biri i Davidit, Solomoni, e dinte se Jehovai është Burimi i shpëtimit, sepse tha: «Kali është diçka e përgatitur për ditën e betejës, por shpëtimi i përket Jehovait.» (Proverbat [Fjalët e urta] 21:31, BR) Në Lindjen e Mesme të lashtësisë, qetë tërhiqnin plugun, gomerët bartnin barrët, njerëzit ngitnin mushkat, ndërsa kuajt përdoreshin në luftë. Megjithatë, përpara se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, Perëndia i urdhëroi që mbreti i tyre i ardhshëm ‘të mos e rriste numrin e kuajve për vete’. (Ligji i përtërirë 17:16, BR) Kuajt e luftës nuk do të nevojiteshin, sepse ishte Jehovai ai që do ta shpëtonte popullin e vet.
3. Cilat pyetje meritojnë shqyrtimin tonë?
3 Zotëria Sovran Jehova është «një Perëndi veprash shpëtuese». (Psalmi 68:20, BR) Ç’mendim inkurajues! Por cilat janë ‘veprat shpëtuese’ që ka kryer Jehovai? Kë ka shpëtuar ai?
Jehovai shpëton të drejtët
4. Si e dimë se Jehovai i shpëton njerëzit e perëndishëm?
4 Të gjithë ata që ndjekin një rrugë të drejtë si shërbëtorë të dedikuar të Perëndisë mund të gjejnë ngushëllim te fjalët e apostullit Pjetër: «Jehovai di si t’i çlirojë njerëzit me devocion hyjnor nga sprova, por edhe t’i rezervojë njerëzit e padrejtë për ditën e gjykimit, që të shfarosen.» Duke dhënë prova për këtë, Pjetri tha se Perëndia «nuk u përmbajt të ndëshkonte një botë të lashtë, por ruajti Noen, një predikues të drejtësisë, bashkë me shtatë të tjerë, kur solli një përmbytje mbi një botë njerëzish të paperëndishëm».—2. Pjetrit 2:5, 9, BR.
5. Në cilat kushte shërbeu Noeja si «predikues i drejtësisë»?
5 Imagjinoje veten mes kushteve të ditëve të Noes. Në tokë ka demonë të materializuar. Pasardhësit e këtyre engjëjve të pabindur i trajtojnë mizorisht njerëzit dhe ‘toka është e mbushur me dhunë’. (Zanafilla 6:1-12, BR) Megjithatë, Noen nuk mund ta detyrojnë me forcë të braktisë shërbimin e Jehovait. Përkundrazi, ai është «një predikues i drejtësisë». Ai dhe familja e tij ndërtojnë një arkë, pa e vënë kurrë në dyshim se ligësia do të eliminohet gjatë jetës së tyre. Besimi i Noes e dënon atë botë. (Hebrenjve 11:7) Duke qenë se kushtet e ditëve të sotme janë paralele me ato të ditëve të Noes, këto ditë dallohen si ditët e fundit të këtij sistemi të lig gjërash. (Mateu 24:37-39; 2. Timoteut 3:1-5) A do të provosh, pra, ashtu si Noeja, se je besimplotë si predikues i drejtësisë, duke shërbyer përkrah popullit të Perëndisë, ndërsa pret shpëtimin e Jehovait?
6. Si e provon 2. Pjetrit 2:7, 8 se Jehovai i shpëton të drejtët?
6 Pjetri na jep prova të tjera që Jehovai shpëton të drejtët. Apostulli thotë: «[Perëndia] e çliroi Lotin e drejtë, i cili ishte tepër i hidhëruar nga dhënia pas sjelljes së shthurur e njerëzve që shpërfillin ligjin, sepse ai njeri i drejtë, nga ajo që shikonte dhe dëgjonte, ndërsa banonte mes tyre ditë pas dite, e mundonte shpirtin e tij të drejtë për shkak të veprave të tyre të paligjshme». (2. Pjetrit 2:7, 8, BR; Zanafilla 19:1-29) Në këto ditë të fundit, për miliona veta imoraliteti seksual është bërë mënyrë jetese. A je edhe ti, ashtu si Loti, ‘tepër i hidhëruar nga dhënia pas sjelljes së shthurur’ e kaq shumë njerëzve sot? Nëse po dhe nëse po praktikon drejtësinë, mund të jesh mes atyre që Jehovai do t’i shpëtojë, kur të marrë fund ky sistem i lig.
Jehovai shpëton popullin e tij nga shtypësit
7. Në ç’mënyrë e provojnë mënyrat se si ka vepruar Jehovai me izraelitët në Egjipt që ai e çliron popullin e tij nga shtypja?
7 Për sa kohë të zgjasë ky sistem i vjetër, shërbëtorët e Jehovait do të përjetojnë persekutime dhe shtypje nga armiqtë. Por mund të jenë të sigurt që Jehovai do t’i çlirojë, sepse ai e ka shpëtuar popullin e tij të shtypur në të kaluarën. Zëre se ishe një izraelit që vuaje nën shtypjen nga duart e egjiptasve të kohës së Moisiut. (Dalja [Eksodi] 1:1-14; 6:8) Perëndia e godet Egjiptin me njërën plagë pas tjetrës. (Dalja 8:5–10:29) Kur plaga e dhjetë vdekjeprurëse merr jetët e të parëlindurve egjiptianë, faraoni e lejon Izraelin të niset, por më vonë mobilizon forcat e tij ushtarake dhe lëshohet pas tyre. Por shpejt, ai dhe njerëzit e tij shkatërrohen në Detin e Kuq. (Dalja 14:23-28) Ti bashkohesh me Moisiun dhe gjithë Izraelin në këtë këngë: «Jehovai është një person burrëror lufte. Jehova është emri i tij. Karrocat e faraonit dhe forcat e tij ushtarake i hodhi në det dhe ajka e luftëtarëve të tij u fundos në Detin e Kuq. Ujërat e dallgëzuara nisën t’i mbulonin; ata ranë brenda thellësive si një gur.» (Dalja 15:3-5, BR) Në këto ditë të fundit, një katastrofë e tillë i pret të gjithë shtypësit e popullit të Perëndisë.
8, 9. Jep një shembull nga libri i Gjykatësve, që provon se Jehovai e shpëton popullin e tij nga shtypësit.
8 Vite pasi izraelitët kishin hyrë në Tokën e Premtuar, ata që administronin drejtësinë mes tyre ishin gjykatësit. Hera-herës njerëzit vuanin nën shtypjen e të huajve, por megjithatë Perëndia përdori gjykatës besimplotë për t’i çliruar. Megjithëse ngjashëm tyre mund të ‘rënkojmë për shkak të shtypësve dhe atyre që na trajtojnë pa kujdes’, Jehovai do të na shpëtojë edhe ne si shërbëtorë besnikë të tij. (Gjykatësit [Gjyqtarët] 2:16-18; 3:9, 15) Në fakt, libri biblik i Gjykatësve na siguron për këtë dhe për shpëtimin më të madh që do të sjellë Perëndia me anë të Gjykatësit të tij të emëruar, Jezu Krishtit.
9 Le të kthehemi në ditët e gjykatësit Barak. Për shkak të adhurimit të rremë dhe të mosmiratimit hyjnor, izraelitët kishin përjetuar 20 vjet sundimi të ashpër nga mbreti kananit Jabini. Sisera është kreu i një morie të madhe ushtarake kananite. Por ‘nuk mund të shihet mburojë, as shigjetë, mes dyzetë mijë vetave në Izrael’, megjithëse kombi mund të numërojë rreth katër milionë. (Gjykatësit 5:6-8, BR) Të penduar, izraelitët i thirrën me të madhe Jehovait. Si i drejtuar nga Perëndia me anë të profeteshës Debora, Baraku mbledh 10.000 burra në malin Tabor, ndërsa Jehovai i tërheq armiqtë në luginën poshtë Taborit shumë të lartë. Përmes rrafshinës dhe shtratit të tharë të lumit Kishon, vijnë me uturimë legjionet e Siserës dhe 900 karroca lufte. Por një rrebesh i furishëm bën që Kishoni të fryhet nga ujërat e rrëmbyera të një përmbytjeje. Ndërsa Baraku dhe njerëzit e tij, të fshehur nga stuhia zbresin malin Tabor, janë dëshmitarë të kërdisë së shkaktuar nga shfryrja e tërbimit të Jehovait. Njerëzit e Barakut i qëllojnë njëri pas-tjetrit kananitët e tmerruar që po ia mbathin dhe asnjëri prej tyre nuk shpëton. Ç’paralajmërim për shtypësit tanë, që pretendojnë të luftojnë kundër Perëndisë!—Gjykatësit 4:3-16; 5:19-22.
10. Pse mund të jemi të sigurt se Perëndia do t’i shpëtojë shërbëtorët e tij të sotëm nga të gjithë shtypësit e tyre?
10 Jehovai do t’i shpëtojë shërbëtorët e tij të sotëm nga të gjithë hasmët e tyre shtypës, ashtu siç shpëtoi në kohë rreziku Izraelin që druante Perëndinë. (Isaia 43:3; Jeremia 14:8) Perëndia e çliroi Davidin «nga pëllëmba e të gjithë armiqve të tij». (2. Samuelit 22:1-3) Pra, edhe nëse na shtypin ose na persekutojnë si popull i Jehovait, le të jemi të guximshëm, sepse Mbreti i tij Mesianik do të na çlirojë nga shtypja. Po, «shpirtrat e të varfërve ai do t’i shpëtojë. Nga shtypja dhe dhuna ai do ta shpengojë shpirtin e tyre». (Psalmi 72:13, 14, BR) Ky shpengim është vërtet afër.
Perëndia shpëton ata që besojnë tek ai
11. Cilin shembull të mbështetjes te Jehovai la i riu David?
11 Për ta parë shpëtimin e Jehovait, duhet që me kurajë të besojmë tek ai. Davidi u mbështet me kurajë te Jehovai, kur doli për t’u ndeshur me gjigantin Goliad. Imagjino atë filiste vigan duke qëndruar përpara Davidit të ri, i cili thërret: «Ti po vjen drejt meje me një shpatë, një heshtë dhe një shtizë, por unë po vij drejt teje me emrin e Jehovait të ushtrive, Perëndisë së rradhëve të betejës së Izraelit, të cilin e ke vënë në lojë. Këtë ditë Jehovai do të të dorëzojë në duart e mia dhe me siguri unë do të të shemb përdhe e do të ta heq kokën dhe me siguri këtë ditë do t’ia jap kufomat e kampit të filistejve zogjve të qiejve dhe bishave të egra të tokës, dhe njerëzit e gjithë tokës do ta dinë se ekziston një Perëndi që i përket Izraelit. Dhe i gjithë ky kongregacion do ta dijë se Jehovai nuk shpëton as me shpatë, as me heshtë, sepse beteja i përket Jehovait.» Pas pak Goliadi vdes dhe filistejtë shpartallohen. Qartë, Jehovai shpëtoi popullin e tij.—1. Samuelit 17:45-54, BR.
12. Pse mund të jetë e dobishme të sjellësh ndër mend burrin e fuqishëm Eleazar?
12 Kur ndodhemi përballë persekutuesve, ndoshta na duhet të «marrim kurajë» dhe të besojmë më plotësisht te Jehovai. (Isaia 46:8-13; Proverbat 3:5, 6) Vëre incidentin që ndodhi në një vend të quajtur Pas-Damim. Izraeli ishte tërhequr përpara forcave filisteje. Por frika nuk e bllokoi Eleazarin, njërin prej tre njerëzve të famshëm e të fuqishëm të Davidit. Ai zuri pozicionin e vet në një fushë elbi dhe pa kurrfarë ndihme vrau me shpatë filistejtë. Në këtë mënyrë, ‘Jehovai e shpëton Izraelin me një shpëtim të madh’. (1. Kronikave 11:12-14; 2. Samuelit 23:9, 10) Askush nuk pret nga ne që të mundim pa kurrfarë ndihme ndonjë forcë ushtarake. Por megjithatë, ndonjëherë mund të jemi vetëm dhe nën presionin e armiqve. A do të mbështetemi me anë të lutjes te Jehovai, Perëndia i veprave shpëtuese? A do të kërkojmë ndihmën e tij, që të mos i dorëzojmë bashkëbesimtarët tanë në duart e persekutuesve?
Jehovai shpëton ata që mbajnë integritetin
13. Pse ishte e vështirë ta mbaje integritetin ndaj Perëndisë në mbretërinë prej dhjetë fisesh të Izraelit?
13 Që të përjetojmë shpëtimin e Jehovait, ne duhet të mbajmë me çdo kusht integritetin ndaj tij. Në kohët e lashta, populli i Perëndisë përjetoi sprova të ndryshme. Mendo se ç’mund të kishe hasur nëse do të kishe jetuar në mbretërinë prej dhjetë fisesh të Izraelit. Vrazhdësia e Rehoboamit i kishte shtyrë dhjetë fise që të hiqnin dorë nga mbështetja tek ai dhe të formonin mbretërinë veriore të Izraelit. (2. Kronikave 10:16, 17; 11:13, 14) Ndër mbretërit e shumtë të kësaj mbretërie, Jehu ishte më i miri, por edhe ai ‘nuk eci me gjithë zemrën e tij në ligjin e Jehovait’. (2. Mbretërve 10:30, 31, BR) Megjithatë, në këtë mbretëri prej dhjetë fisesh pati nga ata që mbajtën integritetin. (1. Mbretërve 19:18) Ata ushtruan besim te Perëndia dhe ai tregoi se qe me ta. Pavarësisht nga sprovat e besimit tënd, a po e mban integritetin ndaj Jehovait?
14. Cilin shpëtim kreu Jehovai në ditët e mbretit Hezekia dhe ç’gjë çoi në pushtimin e Judës nga Babilonia?
14 Shpërfillja shumë e përhapur ndaj Ligjit të Perëndisë çoi në një katastrofë për mbretërinë e Izraelit. Në vitin 740 p.e.s., kur u pushtua nga asirianët, pa dyshim që disa individë nga dhjetë fiset e tij ikën për në mbretërinë dyfisëshe të Judës, ku mund ta adhuronin Jehovain në tempullin e tij. Katër prej 19 mbretërve të Judës, të cilët vinin nga linja e Davidit: Asa, Jozafati, Hezekia dhe Josiu, u dalluan për devocionin e tyre ndaj Perëndisë. Në ditët e mbajtësit të integritetit Hezekia, asirianët erdhën kundër Judës me një ushtri të fuqishme. Në përgjigje të lutjeve të Hezekias, Perëndia përdori vetëm një engjëll për të vrarë 185.000 asirianë brenda një nate të vetme, duke u dhënë kështu shpëtimin adhuruesve të Tij! (Isaia 37:36-38) Më vonë, dështimi i popullit për të respektuar Ligjin dhe për t’ua vënë veshin paralajmërimeve të profetëve të Perëndisë, çoi në vitin 607 p.e.s. në pushtimin e Judës nga Babilonia, si dhe në shkatërrimin e kryeqytetit të saj, Jerusalemit, dhe të tempullit.
15. Pse të mërguarve hebrenj në Babiloni u duhej qëndrueshmëri dhe si e realizoi më në fund çlirimin Jehovai?
15 Që të mbanin integritetin ndaj Perëndisë gjatë 70 vjetëve të hidhur të robërisë babilonase, të mërguarve hebrenj u nevojitej qëndrueshmëri. (Psalmi 137:1-6) Një mbajtës integriteti që vlen të përmendet ishte profeti Daniel. (Danieli 1:1-7; 9:1-3) Imagjino gëzimin e tij, kur në vitin 537 p.e.s. hyri në fuqi dekreti i mbretit pers Kir, i cili i lejonte hebrenjtë të ktheheshin në Judë për të rindërtuar tempullin! (Ezdra 1:1-4) Danieli dhe të tjerë kishin duruar për vite të tëra, por më në fund panë rënien e Babilonisë dhe çlirimin e popullit të Jehovait. Kjo duhet të na ndihmojë për të shfaqur qëndrueshmëri, ndërsa presim shkatërrimin e «Babilonisë së Madhe», perandorisë botërore të fesë së rreme.—Zbulesa 18:1-5.
Jehovai e shpëton gjithmonë popullin e tij
16. Cilin shpëtim solli Perëndia në ditët e mbretëreshës Ester?
16 Jehovai i shpëton gjithmonë të vetët, kur këta i janë besnikë emrit të tij. (1. Samuelit 12:22; Isaia 43:10-12) Të kthehemi në kohën e mbretëreshës Ester, në shekullin e pestë p.e.s. Mbreti Asuero (Kserksi I) e ka emëruar Hamanin kryeministër. I tërbuar nga refuzimi i hebreut Mardoke për t’iu përkulur atij, Hamani komploton shkatërrimin e tij dhe të të gjithë hebrenjve në Perandorinë Perse. Ai i paraqet ata si shkelës të ligjit, i shton kësaj një stimul në para dhe i lejohet ta përdorë unazën me vulë të mbretit, për të vulosur dokumentin që dekretonte shfarosjen e tyre. Me kurajë, Esteri i zbulon mbretit prejardhjen e saj hebraike dhe demaskon komplotin vrastar të Hamanit. S’kalon veçse pak kohë dhe Hamani gjendet i varur në po atë shtyllë që përgatiti për ekzekutimin e Mardokeut. Mardokeu bëhet kryeministër dhe ka autorizimin për t’i lejuar hebrenjtë të mbrohen. Ata arrijnë një fitore të madhe mbi armiqtë e tyre. (Estera 3:1–9:19) Kjo ngjarje duhet ta forcojë besimin tonë se Jehovai do të kryejë vepra shpëtuese në dobi të shërbëtorëve të tij të sotëm, të cilët janë të bindur.
17. Si luajti rol bindja në çlirimin e të krishterëve hebrenj të shekullit të parë që jetonin në Jude?
17 Një arsye tjetër se përse Perëndia e shpëton popullin e vet, është se ata i binden atij dhe Birit të tij. Vëre veten në vendin e dishepujve hebrenj të Jezuit në shekullin e parë. Ai u thotë atyre: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i saj është afruar. Atëherë, ata që janë në Jude le të fillojnë të ikin në male.» (Luka 21:20-22, BR) Vitet kalojnë dhe ti pyet veten se kur do të përmbushen këto fjalë. Pastaj, në vitin 66 të e.s., shpërthen një revoltë e hebrenjve. Forcat romake nën Cest Galin rrethojnë Jerusalemin dhe arrijnë deri te muret e Jerusalemit. Papritur e pakujtuar, romakët tërhiqen pa asnjë arsye të dukshme. Çfarë do të bëjnë të krishterët hebrenj? Në një libër të tij (Ecclesiastical History libri III, kapitulli V, 3), Eusebio thotë se ata ikën nga Jerusalemi dhe nga Juda. Ata shpëtuan sepse iu bindën paralajmërimit profetik të Jezuit. A je po kaq i gatshëm për të ndjekur udhëzimet biblike që sigurohen nëpërmjet «ekonomit të besueshëm» të emëruar mbi të gjitha «pronat» e Jezuit?—Luka 12:42-44, BR.
Shpëtim drejt jetës së përhershme
18, 19. (a) Cilin shpëtim bëri të mundur vdekja e Jezuit dhe për kë? (b) Çfarë ishte i vendosur të bënte apostulli Pavël?
18 Jeta e të krishterëve hebrenj në Jude shpëtoi sepse i vunë veshin paralajmërimit të Jezuit. Por vdekja e Jezuit bën të mundur shpëtimin drejt jetës së përhershme për «çdo lloj njeriu». (1. Timoteut 4:10, BR) Nevoja e njerëzimit për një shpërblesë lindi kur Adami mëkatoi, duke humbur kështu jetën e vet dhe duke ia shitur racën njerëzore skllavërisë ndaj mëkatit dhe vdekjes. (Romakëve 5:12-19) Flijimet në kafshë që ofroheshin nën Ligjin e Moisiut ishin vetëm një mbulim simbolik për mëkatin. (Hebrenjve 10:1-4) Jezui nuk pati një atë njerëzor. Me sa duket, që kur u ngjiz e deri në lindjen e tij fryma e shenjtë e Perëndisë ‘e mbuloi me hijen e tij’ Marinë. Pra, Jezui lindi pa asnjë trashëgim mëkati ose papërsosmërie. (Luka 1:35; Gjoni 1:29; 1. Pjetrit 1:18, 19) Kur Jezui vdiq si mbajtës i përsosur i integritetit, e ofroi jetën e tij të përsosur për të riblerë dhe çliruar njerëzimin. (Hebrenjve 2:14, 15) Kështu, Krishti e «dha veten si shpërblesë përkatëse për të gjithë». (1. Timoteut 2:5, 6, BR) Jo të gjithë do ta pranojnë këtë masë të marrë për shpëtim, por Perëndia miraton zbatimin e dobive të saj te të gjithë ata që e pranojnë atë me besim.
19 Duke ia paraqitur vlerën e flijimit të tij shpërblyes Perëndisë në qiell, Krishti ribleu pasardhjen e Adamit. (Hebrenjve 9:24) Në këtë mënyrë, Jezui fiton një Nuse të përbërë nga 144.000 ithtarët e tij të mirosur të ringjallur në jetën qiellore. (Efesianëve 5:25-27; Zbulesa 14:3, 4; 21:9) Ai bëhet edhe një «Atë i Përjetshëm» për të gjithë ata që e pranojnë flijimin e tij dhe që marrin jetën e përhershme tokësore. (Isaia 9:6, 7; 1. Gjonit 2:1, 2) Ç’masë e dashur! Çmueshmëria e Pavlit për të është e dukshme në letrën e tij të dytë të frymëzuar drejtuar të krishterëve në Korint, siç do ta tregojë artikulli vijues. Në fakt, Pavli ishte i vendosur që të mos lejonte asgjë ta pengonte për t’i ndihmuar njerëzit që të përfitonin nga masa e mrekullueshme e Jehovait për shpëtimin drejt jetës së përhershme.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cila është prova biblike se Perëndia e shpëton popullin e tij të drejtë?
◻ Si e dimë se Jehovai i shpëton ata që besojnë tek ai dhe që mbajnë integritetin e tyre?
◻ Cila është masa që ka marrë Jehovai për shpëtimin drejt jetës së përhershme?
[Figura në faqen 12]
Davidi besoi te Jehovai, «Perëndia i veprave shpëtuese». Po ti?
[Figura në faqen 14]
Jehovai e shpëton gjithmonë popullin e tij, ashtu siç e tregoi në ditët e mbretëreshës Ester