Shunemi: I dalluar për dashurinë dhe dhunën
NË GALILENË jugore, në skajin lindor të ultësirës së Jezreelit, shtrihej qyteti i Shunemit. Ky qytet i vogël qe dëshmitar i dy prej betejave më domethënëse të historisë biblike, por ai ishte, gjithashtu, i njohur si vendlindja e dy grave që qenë shembuj të dashurisë besnike.
Prapa Shunemit ngrihej kodra që mendohet se është Morehu, ndërsa përmes rrafshinës, rreth tetë kilometra larg, ngrihej Mali Gilboa. Ndërmjet këtyre dy kodrave, ndodhej një tokë që kishte shumë ujë dhe që ishte e frytshme, njëra prej rajoneve më prodhimtare të të gjithë Izraelit.
Ky fshat i bleruar rreth Shunemit, na jep një kuadër për një prej historive më magjepsëse të dashurisë, të treguara ndonjëherë: Kantiku i kantikëve. Kjo këngë bën fjalë për një vajzë fshatare të bukur, e cila preferoi të martohej me shokun e saj bari, në vend se të pranonte ofertën e mbretit Solomon, për t’u bërë një prej grave të tij. Solomoni vuri në përdorim të gjithë mençurinë dhe pasurinë e tij, për t’i fituar zemrën. Herë pas here, ai e lavdëronte: «Kush është ajo që shfaqet si agimi, e bukur si hëna, e pastër si dielli?» Ai i premtoi që ta mbulonte me të gjitha bizhuteritë që mund të imagjinonte ajo.—Kantiku i kantikëve 1:11; 6:10.
Për t’i krijuar një ide të jetës mbretërore, Solomoni bëri që ajo ta shoqëronte për në Jerusalem si pjesë e suitës së tij, e shoqëruar nga 60 prej ushtarëve të tij më të mirë. (Kantiku i kantikëve 3:6-11) Ai e mori në oborrin e tij mbretëror, një oborr kaq mbreslënës, saqë kur e pa mbretëresha e Shebës, «mbeti pa fjalë».—1. Mbretërve 10:4, 5.
Por vajza nga Shunemi ishte besnike ndaj djalit bari. «Si një mollë midis pemëve të pyllit,—tha ajo,—kështu është i dashuri im.» (Kantiku i kantikëve 2:3) Le të gëzonte Solomoni me mijëra vreshtat e tij. Një vresht, bashkë me të dashurin e saj, ishte i mjaftueshëm për të. Dashuria e saj nuk mund të lëkundej.—Kantiku i kantikëve 8:11, 12.
Në Shunem jetoi edhe një grua tjetër e bukur. Nuk dimë asgjë për bukurinë e saj fizike, por sigurisht që ishte e bukur në zemër. Bibla thotë se ajo «u ngushtua», apo u mundua shumë, që t’i siguronte profetit Elise ushqim dhe strehim të rregullt.—2. Mbretërve 4:8-13.
Mund ta imagjinojmë Eliseun tek kthehet me mirënjohje pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, në dhomën e vogël në çati, që ajo dhe burri i saj kishin përgatitur për të. Ka mundësi që ai ta ketë vizituar shpesh shtëpinë e tyre, meqenëse shërbimi i tij zgjati 60 vjet. Përse kjo grua shunamite nguli këmbë që Eliseu të qëndronte në shtëpinë e tyre, sa herë që kalonte asaj rruge? Sepse ajo vlerësonte punën e Eliseut. Ky profet i përulur dhe vetëmohues veproi si ndërgjegjja e kombit, duke u kujtuar mbretërve, priftërinjve dhe njerëzve të thjeshtë, detyrën e tyre për t’i shërbyer Jehovait.
Pa dyshim që gruaja shunamite ishte një prej atyre që kishte ndër mend Jezui, kur tha: «Ai që pret një profet, sepse ai është një profet, do të marrë një shpërblim profeti.» (Mateu 10:41, BR) Jehovai i dha një shpërblim të veçantë kësaj gruaje me frikë Perëndie. Megjithëse ajo kishte qenë shterpë për shumë vjet, solli në jetë një djalë. Vite më vonë, asaj iu dha, gjithashtu, ndihmë hyjnore, kur një zi buke prej shtatë vjetësh shkretoi vendin. Ky tregim prekës na kujton se dashamirësia që tregojmë ndaj shërbëtorëve të Perëndisë, nuk kalon kurrë pa u vënë re nga Ati ynë qiellor.—2. Mbretërve 4:13-37; 8:1-6; Hebrenjve 6:10.
Dy beteja vendimtare
Ndonëse Shunemi kujtohet si shtëpia e këtyre dy grave besnike, ai qe, gjithashtu, dëshmitar i dy betejave që ndryshuan rrjedhën e historisë izraelite. Atje pranë ndodhej një vend ideal betejash: rrafshina ndërmjet kodrave të Morehut dhe të Gilboas. Komandantët ushtarakë në kohët biblike, fushonin gjithmonë atje, ku kishte një sasi të bollshme uji, vende të larta për t’u mbrojtur dhe nëse ishte e mundur, një pozicion dominues që binte mbi rrafshinën e një lugine të thatë, me hapësirë të mjaftueshme për të manovruar me hordhitë e njerëzve, kuajve dhe qerreve. Shunemi dhe Gilboa ofruan përparësi të tilla.
Gjatë kohës së gjykatësve, një ushtri prej 135.000 madianitësh, amalekitësh dhe të tjerë, kishin fushuar në rrafshinën përballë Morehut. Devetë e tyre ishin «të panumërta, si rëra që ndodhet mbi bregun e detit’. (Gjyqtarët 7:12) Përballë tyre, nga ana tjetër e ultësirës, pranë pusit të Harodit në këmbët e malit Gilboa, ishin izraelitët nën gjykatësin Gideon, i cili kishte vetëm 32.000 ushtarë.
Gjatë ditëve përpara një beteje, secila palë përpiqej për të demoralizuar tjetrën. Hordhitë e trupave që talleshin, devetë e luftës, qerret dhe kuajt, mundën t’u kallnin frikën ushtarëve këmbësorë. Pa dyshim, madianitët që tashmë kishin zënë pozicionet, ndërkohë që izraelitët mblidheshin, provuan se qenë një shfaqje e frikshme. Kur Gideoni pyeti: ‘Kush ka frikë dhe po dridhet?’, dy të tretat e ushtrisë së tij u përgjigjën, duke e braktisur sheshin e betejës.—Gjyqtarët 7:1-3.
Vetëm 10.000 trupa izraelite, përmes rrafshinës, i ngulën sytë drejt 135.000 ushtarëve armiq dhe shpejt Jehovai e reduktoi numrin e ushtarëve izraelitë në një pakicë prej 300 vetash. Sipas zakonit izraelit, ky grup i vogël, u nda në tre divizione. Nën mbulesën e errësirës, ata u shpërndanë dhe zunë pozicionet e tyre në tri anë të kampit armik. Pastaj, me urdhrin e Gideonit, të 300-t thyen qypat ku kishin fshehur pishtarët e tyre, ngritën lart ata pishtarë dhe bërtitën: «Shpata e Jehovait dhe e Gideonit!» Ata u ranë borive të tyre dhe vazhduan t’u binin. Në errësirë, turma e tronditur e përzier e ushtarëve, mendoi se po e sulmonin 300 banda. Jehovai i ktheu njëri kundër tjetrit dhe «i gjithë kampi ia dha vrapit, shpërtheu në britma dhe ia mbathi».—Gjyqtarët 7:15-22, BR; Gjy 8:10.
Në kohën e mbretit Saul, pranë Shunemit ndodhi një betejë tjetër. Bibla tregon se «filistejtë u mblodhën dhe erdhën të fushojnë në Shunem, ndërsa Sauli mblodhi tërë Izraelin dhe fushoi në Gilboa», pikërisht ashtu siç kishte bërë ushtria e Gideonit vite më parë. Por Sauli, ndryshe nga Gideoni, pati pak besim në Jehovain, duke preferuar të konsultohej me një medium frymor në En-dor. Kur pa kampin e filistenjve, «pati frikë dhe zemra e tij u drodh fort». Në betejën që pasoi, izraelitët ua mbathën këmbëve dhe u mundën keqas. Si Sauli, ashtu edhe Xhonatani, humbën jetën.—1. Samuelit 28:4-7; 31:1-6.
Kështu ndodhi që historia e Shunemit u dallua si për dashurinë, ashtu dhe për dhunën, si për besimin në Jehovain, ashtu dhe për mbështetjen tek demonët. Në këtë ultësirë, dy gra treguan qëndrueshmëri në dashuri dhe në mikpritje, ndërsa dy udhëheqës izraelitë zhvilluan beteja vendimtare. Të katër shembujt ilustrojnë rëndësinë e mbështetjes tek Jehovai, i cili nuk i lë kurrë pa shpërblyer ata që i shërbejnë.
[Figura në faqen 31]
Fshati modern i Sulamit, në vendndodhjen e Shunemit të lashtë, me Morehun në sfond
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.