Besimi i patundur sjell miratimin e Perëndisë
‘Jini imitues të atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet.’—HEBR. 6:12.
1, 2. Çfarë sprove hasën Jefteu dhe e bija?
ANKTHI i pritjes merr fund. Sa lehtësohet vajza kur sheh të atin të kthehet shëndoshë e mirë nga beteja! Ajo rend ta përshëndetë dhe gëzon për fitoren e tij të bujshme. Por, në vend që të këndojë e të kërcejë bashkë me të, ai shqyen rrobat e njollosura nga lufta dhe thërret: «Medet, bija ime! Ç’m’i këpute gjunjët.» Pastaj thotë fjalët që ia ndryshojnë përgjithmonë jetën së bijës, që ia fikin ëndrrat e shpresat për një jetë normale. Prapëseprapë, pa ngurruar, ajo i jep të atit një përgjigje mjaft të bukur dhe e inkurajon ta mbajë fjalën që i ka dhënë Jehovait. Çfarë besimi i fortë! Ajo s’ka pikë dyshimi se çfarëdo që i kërkon Jehovai, është më e mira për të. (Gjyk. 11:34-37) Të atit i mbushet zemra me krenari, se e di që gatishmëria e së bijës për të mbështetur vendimin e tij ka një buzëqeshje miratimi nga Jehovai.
2 Jefteu dhe vajza e tij besnike treguan besim dhe siguri të plotë te mënyra si vepron Jehovai, edhe kur s’e patën të lehtë. Ishin të bindur se ia vlen çdo sakrificë për të fituar miratimin e Perëndisë.
3. Pse mund të na vlejë sot shembulli i Jefteut dhe i së bijës?
3 Dihet se nuk është gjithnjë e lehtë të ruajmë besimin te Jehovai. Realiteti është se duhet ‘të luftojmë me të gjitha forcat për besimin’. (Jud. 3) Një gjë që do të na ndihmojë është të shqyrtojmë sprovat që përballuan me sukses Jefteu dhe e bija. Si arritën të ruanin besimin te Jehovai?
TË RUAJMË BESIMIN ME GJITHË NDIKIMET E BOTËS
4, 5. (a) Cilin urdhër u dha Jehovai izraelitëve para se të hynin në Tokën e Premtuar? (b) Sipas Psalmit 106, çfarë u ndodhi izraelitëve si pasojë e mosbindjes?
4 Jefteut dhe së bijës do t’u jenë kujtuar çdo ditë pasojat shkatërrimtare që sjell mungesa e besimit te Jehovai. Gati 300 vite të shkuara, paraardhësit e tyre ishin urdhëruar të shfarosnin gjithë banorët paganë të Tokës së Premtuar. (Ligj. 7:1-4) Ngaqë nuk u bindën, shumë izraelitë përvetësuan udhët mëkatare të kananitëve. Si pasojë, perënditë e rreme dhe praktikat e degjeneruara imorale u bënë lak për ta.—Lexo Psalmin 106:34-39.
5 Rebelimi i izraelitëve solli mosmiratimin e Jehovait, dhe ai nuk i mbronte më. (Gjyk. 2:1-3, 11-15; Psal. 106:40-43) Të mendojmë për familjet që e donin Jehovain. Sa të vështirë duhet ta kenë pasur t’i qëndronin besnike atij në ato vite të rënda! Sidoqoftë, Bibla flet për njerëz plot besim—si Jefteu dhe e bija, si edhe Elkanahu, Hana e Samueli—që ishin të vendosur të fitonin miratimin e Perëndisë.—1 Sam. 1:20-28; 2:26.
6. Me cilat ndikime të botës ndeshemi sot, dhe ç’duhet të bëjmë?
6 Sot jetojmë në një botë ku njerëzit mendojnë e veprojnë pak a shumë si në Kanaanin e lashtë—ngrenë në qiell seksin e dhunën dhe nxitin materializmin. Që të na mbrojë nga ndikime të tilla, Jehovai na ka dhënë paralajmërime të qarta, tamam siç bëri me izraelitët. A do të mësojmë nga gabimet e tyre? (1 Kor. 10:6-11) Duhet të bëjmë çmos të fshijmë te vetja çdo gjurmë të mënyrës si mendon kjo botë. (Rom. 12:2) A përpiqemi plot besim ta bëjmë këtë?
TË MOS E HUMBIM BESIMIN ME GJITHË ZHGËNJIMET
7. (a) Si e trajtoi Jefteun populli i vet? (b) Si reagoi Jefteu?
7 Në ditët e Jefteut, izraelitët përfunduan skllevër të filistinëve dhe të amonitëve si pasojë e mosbindjes. (Gjyk. 10:7, 8) Gjithsesi, sprovat e Jefteut nuk vinin vetëm nga kombet armike, por edhe nga vetë vëllezërit e tij dhe krerët e Izraelit. Nga xhelozia dhe urrejtja, gjysmëvëllezërit e dëbuan, e kështu i zhvatën trashëgiminë që i takonte ligjërisht si i parëlinduri. (Gjyk. 11:1-3) Ama Jefteu nuk lejoi që sjellja e tyre keqdashëse të diktonte qëndrimin që do të kishte. Prandaj nuk e shpërfilli nga inati përgjërimin për ndihmë të pleqve të kombit, por u vajti në ndihmë. (Gjyk. 11:4-11) Çfarë mund ta ketë motivuar Jefteun t’i shihte gjërat si Jehovai?
8, 9. (a) Cilat parime të Ligjit të Moisiut mund ta kenë ndihmuar Jefteun? (b) Çfarë kishte rëndësi mbi të gjitha për Jefteun?
8 Jefteu nuk ishte thjesht luftëtar i fuqishëm, por edhe studiues i mirë i mënyrës si vepronte Perëndia me popullin e Tij. Ngaqë e njihte gjer në hollësi historinë e Izraelit, Jefteu shihte një tablo të qartë të asaj që ishte e drejtë dhe e gabuar në sytë e Jehovait. (Gjyk. 11:12-27) Parimet hyjnore që ishin në rrënjë të Ligjit të Moisiut i modeluan zemrën dhe mënyrën si mendonte. Ai e dinte se Jehovait nuk i pëlqente që adhuruesit e tij të mbanin mëri, por kërkonte ta donin njëri-tjetrin. Ligji mësonte edhe se nuk duhej t’i shpërfillje nevojat e tjetrit, madje as të dikujt që ‘të urrente’.—Lexo Daljen 23:5; Levitikun 19:17, 18.
9 Te mënyra si reagoi Jefteu mund të kenë ndikuar edhe shembujt e besnikëve si Jozefi, i cili u tregoi mëshirë vëllezërve të tij, edhe pse ata «nisën ta urrenin». (Zan. 37:4; 45:4, 5) Meditimi për shembuj të tillë do ta ketë ndihmuar Jefteun kur i duhej të zgjidhte si do të reagonte. Ai zgjodhi të vepronte në atë mënyrë që e kënaqte Jehovain. S’diskutohet që sjellja e vëllezërve e lëndoi thellë, por kjo nuk do ta frenonte t’i shërbente Jehovait dhe popullit të Tij. (Gjyk. 11:9) Për Jefteun, lufta që të mbronte emrin e Jehovait ishte më e rëndësishme se çdo konflikt personal. Ai ishte i vendosur të tregonte besim te Jehovai, dhe rezultati ishte shumë i mirë për atë vetë e për të tjerët.—Hebr. 11:32, 33.
10. Si mund të lejojmë sot që parimet e Perëndisë të na ndihmojnë të veprojmë si të krishterë?
10 A do të lejojmë që shembulli i Jefteut të na prekë në zemër? Mbase na ka zhgënjyer ose na ka trajtuar padrejtësisht ndonjë bashkëbesimtar. Por, të mos lejojmë që sprova të tilla të na pengojnë të ndjekim mbledhjet ose t’i shërbejmë Jehovait dhe të shijojmë shoqërinë e të tjerëve në kongregacion. Ashtu si Jefteu, edhe ne mund të lejojmë që normat e Perëndisë të na ndihmojnë në raste të tilla. Kështu mund të fitojmë mbi situatat negative dhe të vazhdojmë të ndikojmë për mirë te të tjerët.—Rom. 12:20, 21; Kolos. 3:13.
SAKRIFICAT ME GATISHMËRI FLASIN PËR BESIMIN TONË
11, 12. Cilin zotim mori Jefteu, dhe çfarë përfshinte ai?
11 Jefteu e kishte të qartë se do t’i duhej ndihma e Perëndisë për ta çliruar Izraelin nga amonitët. Ai i premtoi Jehovait se po t’i jepte fitoren, do t’i paraqiste si «blatim të djegur» të parin që do të dilte nga shtëpia e tij kur të kthehej nga beteja. (Gjyk. 11:30, 31) Çfarë përfshinte ai blatim?
12 Flijimi i njerëzve është gjë e pështirë për Jehovain. Kështu, pa dyshim që Jefteu nuk donte të thoshte se do të flijonte vërtet ndonjë njeri. (Ligj. 18:9, 10) Nën Ligjin e Moisiut, një blatim i djegur i jepej krejtësisht Jehovait. Pra, Jefteu kishte ndër mend t’ia kushtonte plotësisht atë njeri shërbimit të Perëndisë. Ky premtim nënkuptonte se do të shërbente përgjithmonë në tabernakull. Jehovai i pranoi kushtet e Jefteut dhe e bekoi me fitore të thellë. Ai e goditi armikun dhe e bëri zap. (Gjyk. 11:32, 33) Por, kush do të ishte njeriu që do t’i jepej Perëndisë si ‘blatim i djegur’?
13, 14. Çfarë tregojnë për besimin e Jefteut fjalët e tij te Gjykatësit 11:35?
13 Kujto pak skenën e përshkruar në fillim të artikullit. Kur Jefteu kthehet nga beteja, i del para që ta presë tamam bija e tij e shtrenjtë, fëmija i vetëm. Ja sprova! A do ta mbajë fjalën dhe ta japë të bijën që të shërbejë gjithë jetën në tabernakull?
14 Edhe një herë, Jefteu duhet të jetë drejtuar nga parimet e Perëndisë për të bërë zgjedhjen e duhur. Mbase i erdhën në mend fjalët e Daljes 23:19, që e udhëzonte popullin e Jehovait të ishte i gatshëm t’i jepte më të mirën Atij. Ligji tregonte edhe se, kur dikush merrte një zotim, duhej ta mbante se s’bën. Në të thuhej: «Në rast se një burrë zotohet për ndonjë gjë para Jehovait . . . , nuk duhet ta shkelë fjalën, por të plotësojë të gjitha ato për të cilat është zotuar.» (Num. 30:2) Ashtu si Hana besnike, që ka të ngjarë të ishte bashkëkohëse e tij, nga Jefteu pritej ta mbante zotimin, edhe pse e dinte se ç’do të thoshte kjo për të ardhmen e tij dhe të së bijës. Ai s’kishte fëmijë tjetër; e bija ishte shpresa e tij e vetme për të lënë një pasardhës, dikë që do të ruante emrin dhe trashëgiminë e tij në Izrael. (Gjyk. 11:34) Megjithatë, Gjykatësit 11:35 përfundon me këto fjalë të Jefteut: «Tani që fola me gojën time para Jehovait, nuk mund ta kthej pas.» Ngaqë tregoi besim të patundur edhe atëherë kur i kushtoi shtrenjtë, ai pati miratimin dhe bekimin e Perëndisë. Po ti, a do të kishe bërë të njëjtën zgjedhje?
15. Cilin zotim kanë marrë shumë prej nesh, dhe si mund të tregojmë se kemi besim të patundur?
15 Kur ia kushtuam jetën Jehovait, u zotuam se do të bënim vullnetin e tij pa rezerva. E dinim se do të duhej vetëmohim për ta mbajtur premtimin. Ama gatishmëria jonë vihet në provë sidomos kur na kërkohet të bëjmë ndonjë gjë që në fillim s’na pëlqen. Kur bëjmë sakrifica të tilla dhe i shërbejmë Perëndisë duke dalë nga rrethanat ku ndihemi rehat, tregojmë se kemi besim të patundur. Bekimet që sjell kjo janë ku e ku më të mëdha se sakrificat që mund të bëjmë, sado të dhimbshme qofshin. (Mal. 3:10) Po ç’të themi për bijën e Jefteut?
16. Si reagoi bija e Jefteut ndaj premtimit që kishte bërë i ati? (Shih figurën hapëse.)
16 Vajza e Jefteut nuk do ta ketë pasur të lehtë të pranonte pasojat e zotimit të të atit. Ky ishte ndryshe nga zotimi i Hanës, e cila e kushtoi të birin, Samuelin, për të shërbyer në tabernakull si nazire. (1 Sam. 1:11) Një nazire kishte mundësi të martohej e të krijonte familje. Kurse bija e Jefteut duhej të hiqte dorë nga gëzime të tilla; ajo do të ishte një ‘blatim i djegur’ i plotë. (Gjyk. 11:37-40) Si bija e prijësit fitimtar të Izraelit, ajo mund të ishte martuar me burrin më të mirë të vendit. Mirëpo tani do të bëhej një shërbëtore e thjeshtë në tabernakull. Si reagoi ajo? Tregoi se e vinte shërbimin e Jehovait në vend të parë kur tha: «Nëse fole me gojën tënde para Jehovait, o ati im, bëj me mua si the.» (Gjyk. 11:36) Ajo sakrifikoi dëshirat e natyrshme për t’u martuar e për të pasur fëmijë, me qëllim që të çonte para adhurimin e vërtetë. Si mund ta imitojmë qëndrimin e saj vetëmohues?
17. (a) Si mund ta imitojmë besimin e Jefteut dhe të vajzës së tij? (b) Si të nxitin fjalët e Hebrenjve 6:10-12 që të jesh vetëmohues?
17 Mijëra të rinj të krishterë, burra e gra, po sakrifikojnë me gatishmëri martesën ose po zgjedhin të mos bëjnë fëmijë—të paktën tani për tani—që t’i shërbejnë në maksimum Jehovait. Edhe disa që kanë njëfarë moshe, sakrifikojnë kohën që mund ta kalonin me fëmijët, nipërit a mbesat, që të punojnë në projekte ndërtimi teokratike ose të ndjekin Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë dhe të shërbejnë në zona ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Të tjerë lënë mënjanë punët personale për të marrë pjesë në fushata predikimi gjatë periudhës së Përkujtimit. Ky shërbim me gjithë shpirt ia mbush zemrën me gëzim Jehovait, dhe ai nuk do t’i harrojë kurrë veprën e tyre dhe dashurinë që tregojnë për të. (Lexo Hebrenjve 6:10-12.) Po ti, a ke mundësi të bësh sakrifica të tjera që t’i shërbesh Jehovait më plotësisht?
MËSIME PËR NE
18, 19. Çfarë mësimesh kemi nxjerrë nga tregimi biblik për Jefteun e vajzën e tij, dhe si mund t’i imitojmë?
18 Ndonëse jeta e Jefteut ishte plot me sprova, ai lejoi ta drejtonte pikëpamja e Jehovait në zgjedhjet që bënte. I hodhi poshtë ndikimet e botës përreth tij. Zhgënjimet e hidhura që i shkaktuan të tjerët nuk ia dobësuan vendosmërinë për të treguar besim. Sakrificat që bënë me gatishmëri ai dhe e bija sollën bekime, pasi Jehovai i përdori që të dy për të çuar para adhurimin e pastër. Në një kohë kur të tjerët u kthenin shpinën normave të Perëndisë, Jefteu dhe vajza e tij i ndoqën me besnikëri.
19 Bibla na nxit të jemi «imitues të atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet». (Hebr. 6:12) Qofshim si Jefteu dhe e bija, duke jetuar sipas kësaj së vërtete thelbësore që nxjerr në pah jeta e tyre: besimi i patundur sjell miratimin e Perëndisë!