KAPITULLI 7
A e vlerëson jetën ashtu si Perëndia?
«Ti je burimi i jetës.»—PSALMI 36:9.
1, 2. Cila dhuratë e Perëndisë është veçanërisht me vlerë sot e përse?
ATI ynë qiellor na ka dhënë një dhuratë të pashoqe: jetën si njerëz me aftësinë për të arsyetuar e për të pasqyruar cilësitë e tij. (Zanafilla 1:27) Falë kësaj dhurate të çmuar arrijmë të kuptojmë si na sjellin dobi parimet biblike. Duke i zbatuar ato parime, mund të bëhemi njerëz të pjekur frymësisht, që e duan Jehovain dhe që i kanë «aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën».—Hebrenjve 5:14.
2 Sot aftësia për të arsyetuar rreth parimeve biblike është shumë e rëndësishme, pasi bota është bërë kaq e ndërlikuar, saqë s’do të mjaftonin kurrë ligjet për çdo situatë që mund të lindë në jetë. Këtë e ilustron më së miri mjekësia, sidomos kur bëhet fjalë për produktet dhe procedurat që lidhen me gjakun, një çështje me interes për të gjithë ata që duan t’i binden Jehovait. Gjithsesi, nëse i kuptojmë parimet biblike që kanë të bëjnë me këtë çështje, normalisht do të arrijmë të marrim vendime të mençura që na lënë me ndërgjegje të pastër dhe na ruajnë në dashurinë e Perëndisë. (Proverbat 2:6-11) Le të shohim disa nga këto parime.
JETA DHE GJAKU JANË TË SHENJTË
3, 4. Kur u fol për herë të parë në Shkrime për shenjtërinë e gjakut, dhe në cilat parime bazohet?
3 Për herë të parë Jehovai e tregoi lidhjen e ngushtë mes jetës dhe gjakut, si dhe shenjtërinë e tyre, pak pasi Kaini vrau Abelin. «Dëgjo! Gjaku i vëllait tënd po më thërret nga toka»,—i tha Perëndia Kainit. (Zanafilla 4:10) Për Jehovain, gjaku i Abelit përfaqësonte jetën e tij, e cila ishte prerë në mes mizorisht. Prandaj mund të thuhet se gjaku i Abelit i thërriste Perëndisë për hakmarrje.—Hebrenjve 12:24.
4 Pas Përmbytjes së kohës së Noesë, Perëndia u dha leje njerëzve që të hanin mishin e kafshëve, por jo bashkë me gjakun. Ai u tha: «Vetëm mos e hani mishin me shpirtin e tij, domethënë me gjakun e tij. Veç kësaj, do të kërkoj llogari për gjakun e shpirtrave tuaj.» (Zanafilla 9:4, 5) Ky urdhër vlen për të gjithë pasardhësit e Noesë deri në ditët tona. Ai rithekson atë çka nënkuptohet në fjalët që i tha Perëndia Kainit, pra se shpirti ose jeta e të gjitha krijesave përfaqësohet nga gjaku. Gjithashtu, ky dekret nuk lë vend për dyshim se Jehovai, Burimi i jetës, do t’u kërkojë llogari të gjithë njerëzve që nuk tregojnë respekt për jetën dhe gjakun.—Psalmi 36:9.
5, 6. Si e tregon Ligji i Moisiut se gjaku është i shenjtë dhe i çmuar? (Shih edhe «Respekt për jetën e kafshëve».)
5 Këto dy të vërteta themelore dalloheshin qartë edhe në Ligjin e Moisiut. Te Levitiku 17:10, 11 lexojmë: «Nëse dikush... ha çfarëdolloj gjaku, unë do të kthehem kundër atij që ha gjak dhe do ta shfaros patjetër nga populli. Sepse shpirti i gjallesës është në gjak, dhe unë e kam caktuar të vihet mbi altar për të bërë shlyerjen për shpirtrat tuaj, sepse gjaku bën shlyerjen, meqë shpirti është në të.»a—Shih kutinë «Fuqia shlyese e gjakut».
6 Po të mos përdorej në altar, gjaku i një kafshe të therur duhej derdhur përtokë. Kështu, në kuptimin simbolik, jeta i kthehej Pronarit të saj fillestar. (Ligji i përtërirë 12:16; Ezekieli 18:4) Megjithatë, po të shikosh, izraelitët nuk duhej të shkonin në ekstrem e të përpiqeshin të hiqnin çdo gjurmë gjaku nga mishi i kafshës. Po qe se kafsha ishte therur siç duhej dhe i ishte derdhur gjaku, izraelitët mund ta hanin me ndërgjegje të pastër, pasi Jetëdhënësit do t’i ishte treguar respekti i duhur për jetën.
7. Si tregoi respekt Davidi për shenjtërinë e gjakut?
7 Davidi, «një njeri siç [ia donte] zemra» Perëndisë, i kuptoi parimet ku bazohej ligji i Tij për gjakun. (Veprat 13:22) Në një rast, kur Davidi kishte shumë etje, tre nga burrat e tij çanë përmes kampit armik, morën ujë nga një sternë dhe ia sollën. Si reagoi ai? «Të pi unë gjakun e njerëzve që vunë në rrezik shpirtin e tyre?!»—pyeti. Për Davidin, të pinte atë ujë do të ishte sikur të pinte gjakun e njerëzve që kishin rrezikuar jetën për ta marrë. Prandaj, ndonëse kishte etje, «e derdhi para Jehovait».—2 Samuelit 23:15-17.
8, 9. A ndryshoi pikëpamja e Perëndisë për gjakun pas themelimit të kongregacionit të krishterë? Shpjego.
8 Rreth 2.400 vjet pas dekretit që iu dha Noesë dhe rreth 1.500 vjet pasi u bë besëlidhja e Ligjit, Jehovai e frymëzoi trupin udhëheqës të kongregacionit të hershëm të krishterë që të shkruante: «Frymës së shenjtë dhe neve na u duk mirë të mos ju shtonim asnjë barrë tjetër, përveç këtyre gjërave të nevojshme: të vazhdoni të rrini larg nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga kafshët e mbytura dhe nga kurvëria.»—Veprat 15:28, 29.
9 Duket qartë se trupi udhëheqës i shekullit të parë e kuptonte se gjaku është i shenjtë dhe keqpërdorimi i tij është po aq i gabuar nga ana morale, sa edhe të marrësh pjesë në idhujtari ose të kryesh imoralitet seksual. Edhe të krishterët e vërtetë sot kanë këtë pikëpamje. Për më tepër, ata udhëhiqen nga parimet biblike, prandaj e kënaqin Jehovain kur marrin vendime për përdorimin e gjakut.
PËRDORIMI I GJAKUT NË MJEKËSI
10, 11. (a) Ç’pikëpamje kanë Dëshmitarët e Jehovait për transfuzionin e gjakut komplet dhe të përbërësve të tij kryesorë? (b) Në cilat aspekte mund të kenë pikëpamje të ndryshme të krishterët për sa i përket gjakut?
10 Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se ‘të rrinë larg nga gjaku’ do të thotë të mos pranojnë transfuzione gjaku e të mos e dhurojnë ose ta depozitojnë gjakun e tyre për transfuzion. Nga respekti për ligjin e Perëndisë, nuk pranojnë as katër përbërësit kryesorë të gjakut: rruazat e kuqe, rruazat e bardha, pllakëzat dhe plazmën.
11 Sot, me anë të ndërhyrjeve të mëtejshme, shpesh këta përbërës ndahen në fraksione më të vogla që përdoren në një larmi mënyrash. A mund t’i pranojë një i krishterë këto fraksione? A i konsideron si «gjak»? Secili duhet të vendosë vetë për këtë çështje. I njëjti parim vlen për procedurat mjekësore që përfshijnë gjakun e vetë pacientit si hemodializa, hollimi i gjakut dhe riaftësimi i gjakut, me kusht që ai të mos jetë depozituar që më përpara.—Shih Shtojcën «Fraksionet e gjakut dhe procedurat kirurgjike».
12. Si duhet t’i shohim e t’i zgjidhim çështjet e ndërgjegjes?
12 A kanë ndonjë rëndësi për Jehovain çështjet për të cilat jemi të lirë të vendosim vetë? Po, kanë, sepse ai interesohet shumë për mendimet dhe motivet tona. (Lexo Proverbat 17:3; 24:12.) Prandaj, pasi të kërkojmë udhëheqjen e Jehovait dhe të bëjmë kërkime për një mjekim ose procedurë mjekësore, duhet të dëgjojmë zërin e ndërgjegjes sonë të stërvitur nga Bibla. (Romakëve 14:2, 22, 23) Natyrisht, askush nuk duhet të na detyrojë të veprojmë siç do të bënte ai vetë, dhe as ne s’duhet të pyesim: «Po të ishe ti në vendin tim, ç’do të bëje?» Në çështje të tilla, çdo i krishterë duhet «të mbajë ngarkesën e vet».b—Galatasve 6:5; Romakëve 14:12; shih kutinë «A është i shenjtë gjaku për mua?».
LIGJET E JEHOVAIT PASQYROJNË DASHURINË E TIJ SI ATË
13. Si e paraqesin Jehovain ligjet dhe parimet që na ka dhënë? Ilustroje.
13 Ligjet dhe parimet që gjejmë në Bibël, e paraqesin Jehovain si Ligjvënës të mençur dhe Atë të dashur që interesohet thellësisht për mirëqenien e fëmijëve të tij. (Psalmi 19:7-11) Edhe pse urdhri ‘rrini larg nga gjaku’ nuk u dha për arsye shëndetësore, prapëseprapë na mbron nga ndërlikimet që sjellin transfuzionet e gjakut. (Veprat 15:20) Shumë veta në fushën e shëndetësisë, e konsiderojnë kirurgjinë pa gjak si «standardin e artë» të mjekësisë moderne. Kurse të krishterëve të vërtetë, këto zhvillime thjesht u vërtetojnë edhe një herë mençurinë e pakrahasueshme të Jehovait dhe dashurinë e tij atërore.—Lexo Isainë 55:9; Gjoni 14:21, 23.
14, 15. (a) Cilat ligje pasqyronin dashurinë e Perëndisë për popullin e tij? (b) Si mund t’i zbatosh parimet ku bazohen këto rregulla sigurie?
14 Interesimi i Perëndisë për mirëqenien e popullit të tij të lashtë të Izraelit, u pasqyrua në shumë nga ligjet që u dha. Për shembull, ai u kërkonte izraelitëve që të bënin një parmak rreth e qark tarracës së shtëpisë për të parandaluar aksidentet, sepse në tarracë bëheshin mjaft aktivitete. (Ligji i përtërirë 22:8; 1 Samuelit 9:25, 26; Nehemia 8:16; Veprat 10:9) Gjithashtu, Perëndia dha urdhër që demat e rrezikshëm të mbaheshin nën mbikëqyrje. (Dalja 21:28, 29) Shpërfillja e këtyre kërkesave tregonte haptas mungesë respekti për mirëqenien e të tjerëve dhe mund të sillte faj gjaku.
15 Si t’i zbatosh parimet ku bazohen këto ligje? Për shembull, mund të mendosh për gjendjen e makinës sate, për mënyrën si e nget, për kafshët që mban në shtëpi, për shtëpinë, për vendin e punës ose për zbavitjen që zgjedh. Në disa vende, aksidentet janë shkaku kryesor i vdekjeve te të rinjtë, shpesh ngaqë rrezikojnë kot. Kurse të rinjtë që duan të qëndrojnë në dashurinë e Perëndisë, e vlerësojnë jetën dhe nuk rendin pas emocioneve të forta që provohen në aktivitete të rrezikshme. Nuk mashtrohen nga mendimi se kur je i ri, s’të gjen gjë. Përkundrazi, e gëzojnë rininë duke ndenjur larg gjërave të dëmshme.—Eklisiastiu 11:9, 10.
16. Cili parim biblik zbatohet për abortin? (Shih edhe shënimin.)
16 Perëndia e konsideron të çmuar edhe jetën e fëmijëve të palindur. Në Izraelin e lashtë, nëse dikush dëmtonte një grua shtatzënë dhe ajo ose foshnja e saj vdiste, Perëndia e konsideronte vrasës keqbërësin, i cili duhej të paguante «shpirt për shpirt», ose jetë për jetë.c (Lexo Daljen 21:22, 23.) Atëherë, mendo si duhet të ndihet Jehovai kur sheh se çdo vit abortohen me dashje miliona foshnja, shumë prej tyre të flijuara për hir të interesave egoiste të çastit dhe shthurjes seksuale!
17. Si do ta ngushëlloje një grua që ka bërë abort para se të mësonte normat e Perëndisë?
17 Po nëse një grua ka bërë abort para se të njihte të vërtetën biblike? A do të thotë kjo se Perëndia nuk do t’i tregojë mëshirë? Aspak! Një mëkatar që është vërtet i penduar, mund të jetë i sigurt se Jehovai do ta falë në bazë të gjakut të derdhur të Jezuit. (Psalmi 103:8-14; Efesianëve 1:7) Po, vetë Krishti tha: «Nuk erdha për të drejtët, por që të thërras mëkatarët të pendohen.»—Luka 5:32.
MOS MBAJ MLLEF!
18. Si e identifikon Bibla shkakun kryesor të shumë gjakderdhjeve?
18 Por s’është puna thjesht të mos u bëjmë keq të tjerëve. Jehovai do që të çrrënjosim nga zemra vetë shkakun e gjakderdhjeve: urrejtjen. «Kush urren vëllanë e tij është vrasës»,—shkroi apostulli Gjon. (1 Gjonit 3:15) Një njeri i tillë, jo thjesht s’e pëlqen vëllanë e vet, por i dëshiron vdekjen. Kjo armiqësi mund të shfaqet në formën e shpifjeve dashakeqe ose të akuzave të rreme që, po të ishin të vërteta, do të meritonin gjykimin nga Jehovai. (Levitiku 19:16; Ligji i përtërirë 19:18-21; Mateu 5:22) Pra, sa e rëndësishme është që të shkulim nga zemra çfarëdo mllefi që mund të ketë zënë vend atje!—Jakovi 1:14, 15; 4:1-3.
19. Si i konsideron shkrime të tilla si Psalmi 11:5 dhe Filipianëve 4:8, 9 një njeri që udhëhiqet nga parimet biblike?
19 Ata që e vlerësojnë jetën ashtu si Jehovai dhe që duan të ruajnë veten në dashurinë e tij, po ashtu shmangin dhunën në çdo lloj forme. Te Psalmi 11:5 thuhet: «Atë që do dhunën, shpirti i [Jehovait] e urren.» Ky shkrim nuk është vetëm një pohim për personalitetin e Perëndisë, por një parim që na udhëheq në jetë. Ky parim i shtyn ata që e duan Perëndinë, të shmangin çdo formë zbavitjeje që mund t’u hapë oreksin për dhunën. Po kështu, pohimi se Jehovai është «Perëndia i paqes», i nxit shërbëtorët e tij që ta mbushin mendjen e zemrën me gjëra të dashura, të virtytshme dhe të denja për t’u lëvduar, të cilat nxitin paqen.—Lexo Filipianëve 4:8, 9.
QËNDRO LARG ORGANIZATAVE QË MBAJNË FAJ GJAKU
20-22. Ç’qëndrim kanë të krishterët ndaj botës dhe përse?
20 Në sytë e Perëndisë, e gjithë bota e Satanait mban faj gjaku. Sistemet e saj politike, që në Shkrime përshkruhen si bisha të egra, kanë masakruar miliona e miliona njerëz, ndër ta edhe shumë shërbëtorë të Jehovait. (Danieli 8:3, 4, 20-22; Zbulesa 13:1, 2, 7, 8) Në një hap me këto fuqi politike si bisha, tregtia dhe shkenca kanë bashkëpunuar për të krijuar disa nga armët më të përbindshme që mund të imagjinohen, duke nxjerrë përfitime kolosale. Sa e vërtetë është që «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut»!—1 Gjonit 5:19.
21 Ngaqë ‘nuk janë pjesë e botës’, por qëndrojnë krejt asnjanës në politikë e në luftëra, dishepujt e Jezuit nuk janë fajtorë gjaku personalisht dhe si grup.d (Gjoni 15:19; 17:16) Veç kësaj, ashtu si Krishti, ata nuk kundërpërgjigjen me dhunë kur të tjerët i përndjekin. Përkundrazi, tregojnë dashuri për armiqtë e madje luten për ta.—Mateu 5:44; Romakëve 12:17-21.
22 Mbi të gjitha, të krishterët e vërtetë nuk përzihen me ‘Babiloninë e Madhe’, perandorinë botërore të fesë së rreme, e cila mban faj gjaku më tepër se gjithë të tjerat. Fjala e Perëndisë thotë se në të «u gjend gjaku i profetëve, i të shenjtëve dhe i tërë atyre që u vranë pa mëshirë mbi tokë». Prandaj, paralajmërohemi: «Dilni prej saj, o populli im.»—Zbulesa 17:6; 18:2, 4, 24.
23. Ç’do të thotë të dalësh nga Babilonia e Madhe?
23 Të ikësh nga Babilonia e Madhe nuk do të thotë vetëm të heqësh emrin nga regjistri i anëtarësisë në një fe. Përfshin edhe të urresh praktikat e këqija që feja e rreme i toleron ose i përkrah haptas, si: imoraliteti, përzierja në politikë dhe rendja me lakmi pas pasurisë. (Lexo Psalmin 97:10; Zbulesa 18:7, 9, 11-17) Sa shpesh kanë çuar në gjakderdhje këto praktika!
24, 25. (a) Mbi ç’bazë mund t’i tregojë mëshirë Perëndia dikujt që është fajtor gjaku, por që është penduar? (b) Cilën masë në kohët biblike na sjell ndër mend kjo?
24 Secili prej nesh, para se të pranonte adhurimin e vërtetë, ka mbështetur në ndonjë aspekt sistemin e Satanait, duke u bërë deri diku fajtor gjaku. Por, pastaj ndryshuam sjellje, zhvilluam besim te flijimi shpërblyes i Krishtit dhe ia kushtuam jetën Perëndisë, kështu që fituam miratimin e Tij dhe mbrojtjen nga gjërat që mund të na dëmtojnë marrëdhënien me Të. (Veprat 3:19) Kjo mbrojtje na sjell ndër mend qytetet e strehimit në kohët biblike.—Numrat 35:11-15; Ligji i përtërirë 21:1-9.
25 Si funksiononte ky rregull? Në qoftë se një izraelit vriste aksidentalisht një tjetër, duhej të vraponte te një nga qytetet e strehimit. Pasi disa gjykatës të kualifikuar të vendosnin për çështjen, vrasësi i paqëllimshëm duhej të banonte në qytetin e strehimit derisa të vdiste kryeprifti. Pas kësaj, do të ishte i lirë të jetonte ku të donte. Sa shembull i bukur i mëshirës së Perëndisë dhe i vlerësimit të madh që ka ai për jetën njerëzore! Në mënyrë të ngjashme këto qytete strehimi përkojnë me masën e Perëndisë, të bazuar në flijimin e Krishtit, për të na mbrojtur nga vdekja ngaqë kemi shkelur pa dashje urdhrin e Perëndisë për shenjtërinë e jetës dhe të gjakut. A e vlerëson këtë masë? Si mund ta tregosh se e vlerëson? Një mënyrë është duke ftuar të tjerët që të pranojnë masën mbrojtëse të Perëndisë, sidomos tani që ‘shtrëngimi i madh’ po afrohet me të shpejtë.—Mateu 24:21; 2 Korintasve 6:1, 2.
TREGO VLERËSIM PËR JETËN DUKE PREDIKUAR LAJMIN E MIRË PËR MBRETËRINË
26-28. Si ngjan situata jonë sot me atë të profetit Ezekiel, e si mund të ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë?
26 Situata e sotme e popullit të Perëndisë na sjell ndër mend situatën e Ezekielit. Këtë profet të lashtë, Jehovai e urdhëroi të shërbente si rojë për t’i shpallur shtëpisë së Izraelit paralajmërimet e Tij. «Dëgjoji fjalët e mia dhe paralajmëroji ata nga ana ime»,—i tha Perëndia. Po ta linte pas dore këtë detyrë, Ezekieli do të konsiderohej përgjegjës për gjakun e atyre që u ekzekutuan kur Jerusalemit iu kërkua llogari. (Ezekieli 33:7-9) Por ai u bind e kështu shpëtoi nga faji i gjakut.
27 Sot përballemi me fundin e gjithë botës së Satanait. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait e konsiderojnë si detyrim dhe nder të shpallin «ditën e hakmarrjes» së Perëndisë, bashkë me lajmin e mirë për Mbretërinë. (Isaia 61:2; Mateu 24:14) A po merr pjesë plotësisht në këtë vepër jetësore? Apostulli Pavël e mori shumë seriozisht detyrën e tij për të predikuar. Kështu, mund të thoshte: «Jam i pastër nga gjaku i të gjithë njerëzve, sepse nuk ndenja pa jua treguar gjithë qëllimin e Perëndisë.» (Veprat 20:26, 27) Sa shembull i shkëlqyer për t’u imituar!
28 Natyrisht, që të ruajmë veten në dashurinë e Atit tonë, Jehovait, nuk mjafton vetëm t’i konsiderojmë jetën dhe gjakun njësoj si ai. Gjithashtu, duhet të mbetemi të pastër ose të shenjtë në sytë e tij, siç do ta trajtojmë në kapitullin vijues.
a Për deklaratën e Perëndisë se «shpirti i gjallesës është në gjak», një revistë komenton: «Ndonëse gjaku mund të ketë edhe kuptim metaforik, kjo shprehje ka kuptim të mirëfilltë: për jetën është e domosdoshme çdo lloj qelize e gjakut.»—Scientific American.
b Shih Zgjohuni!, gusht 2006, faqet 3-12, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
c Leksikografët biblikë thonë se rendi i fjalëve në tekstin hebraik «e bën qartësisht të pamundur që ato t’i referohen vetëm dëmit që i shkaktohet gruas». Gjithashtu, vërejmë se Bibla nuk flet fare për moshën e embrionit ose të fetusit, sikur të ishte faktor në gjykimin që do të jepte Jehovai.
d Shih kapitullin 5, «Si të qëndrosh i ndarë nga bota».
e Për informacione më të hollësishme, shih Shtojcën «Fraksionet e gjakut dhe procedurat kirurgjike».