Imitoni besimin e tyre
Qëndroi vigjilent dhe priti
ELIJA donte me shpirt të ishte vetëm për vetëm me Atin e tij qiellor. Por turmat përreth nxitonin t’i serviloseshin, ngaqë sapo e kishin parë profetin e vërtetë të kërkonte të binte zjarr nga qielli. Para se Elija të ngjitej në kreshtat e malit Karmel që rriheshin nga era dhe t’i lutej Jehovait privatisht, iu desh të bënte diçka jo fort të këndshme—të fliste me mbretin Akab.
Zor se gjeje dy njerëz kaq të ndryshëm. Akabi mbante veshur rrobën mbretërore dhe ishte një apostat lakmitar e shpirtlig. Kurse Elija, veshur me rrobën zyrtare të profetit—një veshje e thjeshtë dhe e ashpër, ndoshta prej lëkure kafshësh ose e endur me lesh dhie dhe deveje—ishte një njeri me guxim, integritet dhe besim të madh. Ngjarjet e asaj dite që po mbaronte, kishin zbuluar shumë për karakterin e këtyre dy burrave.a
Kjo kishte qenë një ditë e keqe për Akabin dhe adhuruesit e tjerë të Baalit. Feja pagane që praktikohej në mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit me në krye Akabin dhe Jezebelën, gruan e tij, kishte marrë një grusht të fortë. Baali kishte dalë mashtrues. Ai perëndi i pajetë nuk kishte arritur dot të ndizte as edhe një zjarr pas gjithë atyre të çjerrave, kërcimeve dhe gjakosjeve, siç e kishin zakon profetët e tij. Baali nuk i kishte mbrojtur dot nga ekzekutimi i merituar 450 burrat. Megjithatë, ai kishte dështuar edhe në diçka tjetër, dhe ky dështim së shpejti do të ishte i plotë. Për më se tre vjet, profetët e Baalit i ishin përgjëruar perëndisë së tyre t’i jepte fund thatësirës që kishte përfshirë vendin, por ai doli dështak. Shumë shpejt, Jehovai do të tregonte se ishte Perëndia i vërtetë.—1 Mbretërve 16:30–17:1; 18:1-40.
Por, kur do të vepronte Jehovai? Ç’qëndrim do të mbante Elija deri atëherë? Çfarë mund të mësojmë nga ky njeri plot besim? Le të shqyrtojmë tregimin te 1 Mbretërve 18:41-46.
Lutej vazhdimisht
Elija iu afrua Akabit dhe i tha: «Ngjitu lart, ha dhe pi, sepse dëgjohet zhurma e një rrebeshi.» (Vargu 41) A kishte nxjerrë ndonjë mësim ky mbret i lig nga ngjarjet e asaj dite? Tregimi nuk jep hollësi, por nuk gjejmë asnjë fjalë që të tregojë se ai u pendua. Po ashtu, shohim se nuk i kërkoi ndihmë profetit që t’i afrohej Jehovait dhe t’i kërkonte falje. Jo, Akabi thjesht «u ngjit për të ngrënë e për të pirë». (Vargu 42) Po Elija?
«Kurse Elija shkoi në majë të Karmelit dhe u mblodh kruspull përtokë me fytyrën mes gjunjëve.» Akabi shkoi të mbushte barkun, ndërsa Elija shfrytëzoi rastin për t’iu lutur Atit të tij. Vëre pozicionin e përulur të Elijas: i përkulur me kokën kaq poshtë sa fytyra i arrinte deri afër gjunjëve. Për çfarë po lutej ai? Nuk ka pse të hamendemi. Te Jakovi 5:18 Bibla thotë se Elija u lut që të merrte fund thatësira. Kuptohet, këtë lutje po e bënte kur ishte në majën e malit Karmel.
Më parë, Jehovai kishte thënë: «Kam vendosur të dërgoj shi në tokë.» (1 Mbretërve 18:1) Kështu, Elija u lut që të plotësohej ajo që kishte thënë Ati i tij, njësoj si Jezui i mësoi dishepujt e tij të luteshin rreth një mijë vjet më vonë.—Mateu 6:9, 10.
Nga shembulli i Elijas mësojmë shumë për lutjen. Gjëja kryesore që kishte në mendje Elija ishte plotësimi i vullnetit të Atit. Kur lutemi, është mirë të kujtojmë se «çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit [të Perëndisë], ai na dëgjon». (1 Gjonit 5:14) Pra, nëse duam që Perëndia të na i dëgjojë lutjet, duhet të njohim vullnetin e tij, një arsye e fortë kjo për ta bërë studimin e Biblës pjesë të jetës sonë të përditshme. Kuptohet, edhe Elija donte që të merrte fund thatësira, pasi gjithë populli i tij po vuante. Pas mrekullisë që kishte bërë Jehovai atë ditë, zemra e tij ishte plot mirënjohje. Edhe ne duhet të lutemi për mirëqenien e të tjerëve dhe të tregojmë mirënjohje nga zemra.—2 Korintasve 1:11; Filipianëve 4:6.
I sigurt dhe vigjilent
Elija ishte i sigurt se Jehovai do t’i jepte fund thatësirës, por nuk ishte i sigurt se kur. Atëherë, çfarë bëri profeti ndërkohë? Të shohim çfarë thotë vargu 43: «Pastaj i tha shërbëtorit të tij: ‘Ngjitu më lart, të lutem dhe shiko në drejtim të detit.’ Ai u ngjit, pa, dhe pastaj tha: ‘S’ka asgjë.’ Por Elija i tha shtatë herë me radhë: ‘Kthehu!’» Nga shembulli i Elijas nxjerrim të paktën dy mësime. Fillimisht, të shikojmë sa i sigurt ishte profeti Elija se Jehovai do të vepronte. Pastaj, të ndalemi te vigjilenca e tij.
Elija kërkonte me ngulm ndonjë shenjë që të tregonte se së shpejti Jehovai do të vepronte. Prandaj, dërgoi shërbëtorin e tij në një pikë të lartë që të shihte në horizont nëse kishte ndonjë shenjë për shi. Kur u kthye, shërbëtori tha pa entuziazëm: «S’ka asgjë.» Në horizont s’dukej asgjë dhe qielli ishte pa re. A vure re diçka të pazakontë? Faktikisht Elija sapo i kishte thënë mbretit Akab: «Dëgjohet zhurma e një rrebeshi.» Si mund ta thoshte këtë profeti kur në qiell nuk dukej asnjë re?
Elija e dinte premtimin e Jehovait. Si profet dhe përfaqësues i Jehovait, ishte i sigurt se Perëndia i tij do ta mbante fjalën. Elija ishte aq i sigurt, sa i dukej sikur po e dëgjonte zhurmën e rrebeshit. Kjo mund të na sjellë ndër mend atë që thotë Bibla për Moisiun: «Qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm.» A është po kaq real për ty Perëndia? Ai na jep mjaft arsye që të kemi këtë lloj besimi tek ai dhe te premtimet e tij.—Hebrenjve 11:1, 27.
Veç kësaj, shiko sa vigjilent ishte Elija. Ai nuk e ktheu shërbëtorin një a dy herë, por shtatë herë! Mund ta imagjinojmë sa është lodhur shërbëtori duke shkuar e duke ardhur shumë herë, por Elija mezi priste të shihte një shenjë dhe nuk hoqi dorë. Më në fund, të shtatën herë, shërbëtori tha: «Ja, është një re e vogël si pëllëmbë njeriu që ngjitet nga deti.» (Vargu 44) A e përfytyron dot shërbëtorin me krahun të shtrirë, duke treguar me pëllëmbë madhësinë e një reje të vogël që po ngrihej në horizont nga Deti i Madh?b Shërbëtorit mund t’i jetë dukur hiçgjë ajo re e vogël. Por Elija këtë priste. Kështu, i tha shërbëtorit me një ton urgjent: «Shko e thuaji Akabit: ‘Mbreh kuajt dhe zbrit para se të të zërë shiu!’»
Edhe një herë, Elija la një shembull të shkëlqyer për ne, pasi jetojmë në kohën kur së shpejti Perëndia do të plotësojë atë që ka thënë. Elija priti fundin e thatësirës; shërbëtorët e Perëndisë sot presin fundin e një sistemi mbarëbotëror të kalbur. (1 Gjonit 2:17) Derisa Perëndia Jehova ta bëjë këtë, duhet të qëndrojmë vigjilentë si Elija. Jezui, Biri i Perëndisë, i këshilloi dishepujt e tij: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.» (Mateu 24:42) A donte të thoshte se dishepujt e tij nuk do ta kishin fare idenë se kur do të vinte fundi? Jo, sepse ai tregoi gjerë e gjatë si do të ishte bota pikërisht para se të vinte fundi. Secili prej nesh mund të mësojë më shumë për këtë shenjë të hollësishme të «përfundimit të sistemit».—Mateu 24:3-7.c
Çdo aspekt i kësaj shenje na jep prova të fuqishme e bindëse. A nuk na mjaftojnë ato për të na shtyrë të veprojmë me urgjencë? Një re e vogël në horizont mjaftoi për ta bindur Elijan se Jehovai së shpejti do të vepronte, dhe kjo s’e zhgënjeu profetin besnik.
Jehovai sjell lehtësim dhe bekime
Tregimi vazhdon: «Ndërkaq qielli u errësua nga retë dhe nga era e filloi një rrebesh i madh. Akabi ngiste kuajt dhe mori rrugën për në Jezreel.» (Vargu 45) Ngjarjet vijuan me shpejtësi marramendëse. Ndërkohë që shërbëtori i Elijas po i çonte Akabit mesazhin e profetit, ajo re e vogël u bë aq e madhe sa e mbuloi qiellin dhe e nxiu. Filloi një erë e fortë. Më në fund, pas tre vjetësh e gjysmë, ra shi në tokën e Izraelit.d Shiu ia shoi etjen tokës së zhuritur. Ndërsa shiu u kthye në rrebesh, lumi Kishon doli nga shtrati e lau gjakun e profetëve të ekzekutuar të Baalit. Edhe izraelitëve rebelë po u jepej një mundësi të lanin njollën e neveritshme që kishte lënë adhurimi i Baalit në vend.
Pa dyshim, Elija këtë shpresonte. A do të pendohej Akabi e të linte adhurimin e ndotur të Baalit? Ngjarjet e asaj dite kishin dhënë arsye të forta për këto ndryshime. Natyrisht, s’mund ta dimë çfarë po i kalonte nëpër mend Akabit në atë çast. Tregimi na thotë thjesht se mbreti «ngiste kuajt dhe mori rrugën për në Jezreel». A kishte nxjerrë ndonjë mësim? A kishte vendosur të ndryshonte qëndrim? Ajo që ndodhi më pas tregon se jo. Megjithatë, dita s’kish mbaruar ende as për Akabin, as për Elijan.
Profeti i Jehovait filloi të ecte në të njëjtën rrugë me Akabin. Rruga ishte e gjatë dhe e mbytur me ujë. Por gjatë rrugës ndodhi diçka e pazakontë.
«Dora e Jehovait ishte mbi Elijan, kështu që ai ngjeshi rrobën në mes dhe vrapoi përpara Akabit deri në Jezreel.» (Vargu 46) Duket qartë që «dora e Jehovait» po vepronte mbi Elijan në mënyrë të mbinatyrshme. Jezreeli ishte rreth 30 kilometra larg, dhe Elija nuk ishte djalë i ri.e Vetëm përfytyro profetin tek ngjesh rrobat e gjata në mes, i lidh në ijë që të lëvizë lirisht, e pastaj vrapon aq shpejt nëpër rrugën e mbytur me ujë, sa e zë karrocën e mbretit, e kalon dhe e lë shumë prapa.
Sa i bekuar duhet të jetë ndier Elija! Forca, gjallëria dhe dinamizmi, mbase edhe më të mëdha se në rini, duhet ta kenë entuziazmuar pa masë. Kjo mund të na kujtojë profecitë që u garantojnë besnikëve të Perëndisë shëndet të përsosur dhe gjallëri në Parajsën tokësore që do të vijë. (Isaia 35:6; Luka 23:43) Ndërsa vraponte si era nëpër atë rrugë tërë ujë, patjetër Elija e dinte se kishte miratimin e Atit të tij, Jehovait, të vetmit Perëndi të vërtetë.
Jehovai mezi pret të derdhë bekimet e tij mbi ne. Që t’i kemi, ia vlen të bëjmë çdo përpjekje. Ashtu si Elija, duhet të jemi vigjilentë, duke peshuar me kujdes dëshmitë e fuqishme që tregojnë se Jehovai është gati të veprojë në këto kohë të rrezikshme dhe urgjente. Njësoj si Elija, kemi çdo arsye për të pasur besim të plotë te premtimet e Jehovait, ‘Perëndisë të së vërtetës’.—Psalmi 31:5.
[Shënimet]
a Për më tepër hollësi, shih artikullin «Ai mbrojti adhurimin e pastër», te Kulla e Rojës, 1 janar 2008.
b Sot, Deti i Madh njihet si deti Mesdhe.
c Për më shumë prova se fjalët e Jezuit po përmbushen sot, shih kapitullin 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
d Disa mendojnë se Bibla është kontradiktore në lidhje me kohëzgjatjen e thatësirës. Shih kutinë në faqen 19.
e Menjëherë pas kësaj, Jehovai do ta caktonte Elijan të stërviste Eliseun, i cili do të njihej si ai «që hidhte ujë mbi duart e Elijas». (2 Mbretërve 3:11) Me sa duket, Eliseu i bënte shërbim Elijas së moshuar.
[Kutia dhe figura në faqen 19]
Sa zgjati thatësira në kohën e Elijas?
Elija, profeti i Jehovait, i tha mbretit Akab se thatësira e gjatë do të mbaronte së shpejti. Kjo ndodhi «në vitin e tretë», dhe numërimi, me sa duket, fillon nga dita kur Elija shpalli për herë të parë se do të vinte një thatësirë. (1 Mbretërve 18:1) Pak pasi Elija tha këtë, Jehovai solli shiun. Kështu, disa mund të dalin në përfundimin se thatësira mori fund gjatë vitit të tretë dhe se zgjati më pak se tre vjet. Mirëpo Jezui dhe Jakovi thanë se thatësira zgjati «tre vjet e gjashtë muaj». (Luka 4:25; Jakovi 5:17) A është kontradiktore Bibla në këtë pikë?
Aspak. Në Izraelin e lashtë, stina e thatë ishte mjaft e gjatë dhe arrinte deri në gjashtë muaj. Kuptohet që kur Elija vajti tek Akabi për t’i thënë se do të kishte thatësirë, tashmë dukej se stina e thatë ishte jashtëzakonisht e gjatë dhe përzhitëse. Kjo do të thotë se thatësira kishte filluar afërsisht gjysmë viti më parë. Kështu, kur Elija shpalli «në vitin e tretë» se thatësira do të mbaronte, ajo kishte zgjatur tashmë pothuaj tre vjet e gjysmë, nisur nga shpallja e tij e parë. Kur njerëzit u mblodhën për të parë me sytë e tyre provën e madhe në malin e Karmelit, kishin kaluar plot «tre vjet e gjashtë muaj».
Të mendojmë edhe për periudhën kur shkoi për herë të parë Elija tek Akabi. Njerëzit besonin se Baali ishte «kalorësi i reve», perëndia që do të sillte shira për t’i dhënë fund stinës së thatë. Nëse stina e thatë kishte zgjatur tepër, ka të ngjarë që njerëzit të kenë pyetur: ku është Baali? Kur do të na i sjellë shirat? Shpallja e Elijas se s’do të kishte as shi, as vesë, derisa të jepte urdhër ai, duhet të ketë qenë shkatërrimtare për adhuruesit e Baalit.—1 Mbretërve 17:1.
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figura në faqen 18]
Lutjet e Elijas tregonin dëshirën e tij të zjarrtë për të parë plotësimin e vullnetit të Perëndisë