Josia i përulur pati favorin e Jehovait
JOSIA, princi pesëvjeçar i Judës, duhet të jetë i frikësuar. Nëna e vet, Jedida, po qan. Ajo ka arsye për të qarë, sepse gjyshi i Josias, mbreti Manase, ka vdekur.—2 Mbretërve 21:18.
Tani, mbreti i Judës do të jetë babai i Josias, Amoni. (2 Kronikave 33:20) Dy vjet më vonë (659 p.e.s.), Amonin e vrasin shërbëtorët e tij. Populli i eliminon konspiratorët dhe e bën Josian e vogël mbret. (2 Mbretërve 21:24; 2 Kronikave 33:25) Gjatë mbretërimit të Amonit, Josia ishte mësuar me tymin e temjanit që mbushte ajrin e Jerusalemit, për shkak të altarëve të shumtë në tarracat e shtëpive, para të cilëve njerëzit u përuleshin perëndive të rremë. Rreth e përqark mund të shihje priftërinj paganë që shëtitnin, dhe të devotshmit—madje, edhe disa që pohonin se adhuronin Jehovain—betoheshin në emër të perëndisë Malkam.—Sofonia 1:1, 5.
Josia e di se Amoni ka vepruar me ligësi duke adhuruar hyjni të rremë. Gjithashtu, mbreti me moshë të re i Judës i mëson më mirë thëniet e Sofonisë, profetit të Perëndisë. Në kohën kur mbush 15 vjeç (652 p.e.s.), Josia është në vitin e tetë të mbretërimit të tij dhe ka vendosur t’u vërë veshin fjalëve të Sofonisë. Ndonëse është ende një djalosh, Josia fillon të kërkojë Jehovain.—2 Kronikave 33:21, 22; 34:3.
Josia hidhet në veprim!
Kalojnë katër vjet dhe Josia fillon ta pastrojë Judën dhe Jerusalemin nga feja e rreme (648 p.e.s.). Ai shkatërron idhujt, shtyllat e shenjta dhe altarët e temjanit të përdorur në adhurimin e Baalit. Shëmbëlltyrat e perëndive të rremë bëhen pluhur e hi, i cili pastaj, shpërndahet në varret e atyre që u bënin flijime këtyre perëndive. Altarët e përdorur për adhurimin e papastër përdhosen e pastaj shkatërrohen.—2 Mbretërve 23:8-14.
Pastrimi që po bën Josia është në kulmin e vet, kur Jeremia, biri i një prifti levit, vjen në Jerusalem (647 p.e.s.). Perëndia Jehova e ka caktuar Jereminë e ri si profetin e tij dhe me sa forcë e deklaron ai mesazhin e Jehovait kundër fesë së rreme! Josia ishte gati në të njëjtën moshë me Jereminë. Por, me gjithë pastrimin e guximshëm që bëri Josia dhe shpalljet e patrembura të Jeremisë, populli menjëherë bie përsëri në adhurimin e rremë.—Jeremia 1:1-10.
Një zbulim me shumë vlerë!
Kalojnë rreth pesë vjet. Josia njëzetepesëvjeçar ka rreth 18 vjet që sundon. Ai thërret Shafanin, sekretarin, Maasejahun, kreun e qytetit dhe Joahun, regjistruesin. Mbreti e urdhëron Shafanin: ‘I thuaj kryepriftit Hilkiah që të mbledhë paratë që derëtarët e tempullit kanë mbledhur nga populli dhe t’ua japin punëtorëve që të meremetojnë shtëpinë e Zotit.’—2 Mbretërve 22:3-6; 2 Kronikave 34:8.
Që në mëngjes herët, meremetuesit e tempullit punojnë pa përtuar. Patjetër, Josia i është mirënjohës Jehovait që punëtorët po e rregullojnë dëmin që disa nga paraardhësit e ligj të Josias i kishin bërë shtëpisë së Perëndisë. Ndërsa punimet përparojnë, Shafani vjen për të raportuar. Po kjo ç’është? E pra, ai ka me vete një rrotull! I shpjegon se kryeprifti Hilkiah ka gjetur «librin e Ligjit të Zotit, që ishte dhënë nëpërmjet Moisiut». (2 Kronikave 34:12-18) Çfarë zbulimi: patjetër ishte kopja origjinale e Ligjit!
Josia është i paduruar për të dëgjuar çdo fjalë të librit. Ndërsa Shafani lexon, mbreti përpiqet të kuptojë si zbatohet për të dhe për popullin e tij çdo urdhër. Atij i lë mbresa, në veçanti, mënyra si e thekson libri adhurimin e vërtetë dhe si i parathotë plagët dhe mërgimin që do të vinte nëse populli do të angazhohej në adhurimin e rremë. Tani, duke kuptuar se jo të gjitha urdhrat e Perëndisë janë plotësuar, Josia gris rrobat e tij dhe i jep Hilkiahut, Shafanit dhe të tjerëve urdhrin: ‘Pyeteni Zotin për fjalët e këtij libri, sepse i madh është zemërimi i Zotit kundër nesh, sepse etërit tanë nuk iu bindën fjalëve të këtij libri.’—2 Mbretërve 22:11-13; 2 Kronikave 34:19-21.
Përcillen fjalët e Jehovait
Lajmëtarët e Josias shkojnë te profetesha Hulda në Jerusalem dhe kthehen me një raport. Hulda ka përcjellë fjalët e Jehovait, të cilat tregojnë se katastrofat e dokumentuara në librin e sapogjetur do të bien mbi kombin apostat. Megjithatë, duke qenë se u përul para Perëndisë Jehova, Josia nuk do ta shohë të keqen. Ai do të bashkohet me etërit e tij dhe do të varroset në paqe.—2 Mbretërve 22:14-20; 2 Kronikave 34:22-28.
A qe e saktë profecia e Huldës, duke qenë se Josia vdiq në luftë? (2 Mbretërve 23:28-30) Po, sepse ‘paqja’ me të cilën u varros ai është në kontrast me «të keqen» që do të vijë mbi Judën. (2 Mbretërve 22:20; 2 Kronikave 34:28) Josia vdiq para katastrofës së vitit 609-607 p.e.s., kur babilonasit rrethuan dhe shkatërruan Jerusalemin. Gjithashtu, fakti që ‘do të bashkohet me etërit e tij’ nuk e përjashton medoemos një vdekje të dhunshme. Një shprehje e ngjashme përdoret, duke iu referuar si vdekjeve të dhunshme, ashtu edhe atyre të qeta.—Ligji i përtërirë 31:16; 1 Mbretërve 2:10; 22:34, 40.
Adhurimi i vërtetë përparon
Josia e mbledh popullin e Jerusalemit në tempull dhe u lexon «tërë fjalët e librit të besëlidhjes», i cili ishte gjetur në shtëpinë e Jehovait. Pastaj, bën një besëlidhje që ‘të ndjekë Zotin, të respektojë porositë dhe statutet e tij me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të zbatuar në praktikë fjalët e kësaj besëlidhjeje, të shkruara në atë libër’. I gjithë populli e pranon besëlidhjen.—2 Mbretërve 23:1-3.
Tani, mbreti Josia fillon një fushatë tjetër dhe me sa duket më intensive kundër idhujtarisë. Priftërinjtë e perëndive të huaj të Judës nxirren nga puna. Priftërinjtë levitë të përfshirë në adhurimin e papastër e humbin privilegjin për të shërbyer në altarin e Jehovait dhe vendet e larta të ndërtuara gjatë mbretërimit të mbretit Solomon bëhen të papërshtatshme për adhurim. Pastrimi përfshin edhe territorin e mbretërisë së mëparshme dhjetëfisëshe të Izraelit, të mposhtur më parë nga asirianët (740 p.e.s.).
Në përmbushje të fjalëve të thëna 300 vjet më parë nga një «njeri i Perëndisë» pa emër, Josia i djeg kockat e priftërinjve të Baalit në altarin që mbreti Jeroboam I kishte ngritur në Bethel. Vendet e larta hiqen që andej dhe nga qytetet e tjera dhe priftërinjtë idhujtarë flijohen në po ata altarë ku kishin shërbyer.—1 Mbretërve 13:1-4; 2 Mbretërve 23:4-20.
Mbahet një Pashkë e madhe
Veprimet e Josias për të çuar përpara adhurimin e pastër kanë mbështetjen hyjnore. Për sa kohë që të jetojë, mbreti do të falënderojë Perëndinë që njerëzit ‘nuk heqin dorë së ndjekuri Zotin, Perëndinë e etërve të tyre’. (2 Kronikave 34:33) Gjithashtu, si mund ta harrojë Josia një ngjarje të mrekullueshme që ndodhi në vitin e 18-të të mbretërimit të tij?
Mbreti e urdhëron popullin: «Kremtoni Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë tuaj, ashtu siç është shkruar në këtë libër [të sapogjetur] të besëlidhjes.» (2 Mbretërve 23:21) Josia gëzohet kur sheh reagimin e shkëlqyer. Për këtë kremtim, ai vetë kontribuon 30 000 kafshë për Pashkën dhe 3000 kokë gjedhë. Çfarë Pashke! Për nga blatimet, rregullimet e planifikuara mirë dhe për nga numri i adhuruesve, kjo ia kalon çdo Pashke që është mbajtur që nga ditët e profetit Samuel.—2 Mbretërve 23:22, 23; 2 Kronikave 35:1-19.
E qajnë shumë kur vdes
Për pjesën tjetër të të gjithë mbretërimit të tij 31-vjeçar (659-629 p.e.s.), Josia mbretëron si mbret i mirë. Nga fundi i mbretërimit të tij, merr vesh se faraoni Neko planifikon të kalojë mespërmes Judës, rrugës për të penguar ushtritë e Babilonisë dhe për të ndihmuar, kështu, mbretin e Asirisë në Karkemish, përgjatë lumit Eufrat. Për ndonjë arsye që nuk shpjegohet, Josia del të luftojë kundër egjiptasit. Nekoja i dërgon lajmëtarë, duke i thënë: «Mos e kundërshto, pra, Perëndinë që është me mua, që ai të mos të të shkatërrojë.» Por Josia ndërron rrobat e tij dhe përpiqet t’i kthejë egjiptasit në Megido.—2 Kronikave 35:20-22.
Sa keq për mbretin e Judës! Harkëtarët armiq godasin në shenjë dhe ai u thotë shërbëtorëve të tij: «Më largoni që këtej, sepse jam plagosur rëndë.» Ata e heqin Josian nga qerrja e tij e luftës, e vendosin në një tjetër dhe drejtohen për në Jerusalem. Atje ose rrugës për në qytet, Josia jep frymën e fundit. «Kështu ai vdiq dhe u varros në varrezat e etërve të tij,—thotë tregimi i frymëzuar,—dhe tërë Juda dhe Jerusalemi mbajtën zi për Josian.» Jeremia kompozoi një vajtim për të dhe mbreti u bë objekt këngësh të përmortshme në raste të veçanta, pas kësaj.—2 Kronikave 35:23-25.
Po, është për të ardhur keq që mbreti Josia bëri gabimin që doli në luftë kundër egjiptasve. (Psalmi 130:3) Megjithatë, përulësia dhe vendosmëria e tij për adhurimin e vërtetë i sollën miratimin e Perëndisë. Sa mirë e ilustron jeta e Josias se Jehovai u tregon favor shërbëtorëve të tij të devotshëm me zemër të përulur!—Fjalët e urta 3:34; Jakovit 4:6.
[Figura në faqen 29]
Mbreti i ri Josia e kërkoi me zell Jehovain
[Figura në faqen 31]
Josia shkatërroi vendet e larta dhe e çoi përpara adhurimin e vërtetë