Kapitulli 4
Sa e besueshme është «Besëlidhja e Vjetër»?
Në këtë kapitull dhe në të tjerë që vijojnë, do të shqyrtojmë disa nga akuzat që ngrenë kritikët e sotëm kundër Biblës. Ndër të tjera, disa e akuzojnë se është kontradiktore dhe «nuk pajtohet me shkencën», por këto akuza do të diskutohen më vonë. Në fillim, le të ndalemi tek akuza e bërë shpesh se Bibla s’është gjë tjetër, veçse një përmbledhje mitesh e legjendash. A kanë baza të forta për këto kritika kundërshtarët e Biblës? Së pari, le të shohim Shkrimet Hebraike, ose si quhen ndryshe «Besëlidhja e Vjetër».
1, 2. Si u bë rrethimi i Jerikosë, dhe cilat pyetje ngrihen në lidhje me të?
NJË qytet i lashtë gjendet i rrethuar. Sulmuesit vërshuan nga përtej lumit Jordan, e tani fushojnë para mureve të larta të qytetit. Dhe sa e çuditshme është taktika e tyre e luftës! Ka gjashtë ditë që trupat pushtuese marshojnë pa zhurmë rreth qytetit. I shoqëron një grup priftërinjsh, dhe vetëm tingulli i bririt të tyre thyen heshtjen. Por sot, ditën e shtatë, ushtria marshon qetësisht shtatë herë rreth qytetit. Befas, priftërinjtë u bien brirëve me sa fuqi kanë. Ushtria thyen heshtjen me një britmë të fuqishme beteje. Sakaq, muret hijerënda të qytetit rrafshohen, duke ngritur një re pluhuri e duke e lënë qytetin të pambrojtur.—Josiu 6:1-21.
2 Kështu e përshkruan libri i Josiut, libri i gjashtë i Shkrimeve Hebraike, rënien e Jerikosë afërsisht 3.500 vjet më parë. Por, a ndodhi vërtet kështu? Shumë përkrahës të kritikës së lartë do të përgjigjeshin pa ngurruar «jo».a Sipas tyre, libri i Josiut, si edhe pesë librat që i paraprijnë, përmbajnë legjenda të hedhura me shkrim shekuj pas ngjarjeve të supozuara. Shumë arkeologë do të përgjigjeshin po njësoj. Ata janë të mendimit se Jerikoja ndoshta as që ekzistonte kur izraelitët hynë në Kanaan.
3. Pse është e rëndësishme të dimë nëse Bibla është e vërtetë nga ana historike?
3 Këto akuza nuk janë të lehta. Nëse e lexon Biblën nga fillimi në fund, vëren se mësimet e saj lidhen pandashmërisht me historinë. Në të tregohet se Perëndia komunikonte me burra, gra, familje dhe kombe që kanë ekzistuar vërtet. Urdhërimet e tij i drejtoheshin një populli që historia dëshmon se ka ekzistuar. Studiuesit e sotëm që vënë në dyshim vlerën historike të Biblës, vënë në dyshim edhe rëndësinë dhe besueshmërinë e mesazhit të saj. Nëse Bibla është vërtet Fjala e Perëndisë, historitë e saj duhet të jenë të besueshme dhe jo legjenda e mite. Atëherë, a kanë baza këta kritikë të dyshojnë për vërtetësinë e saj historike?
Sa e besueshme është kritika e lartë?
4-6. Cilat janë disa nga teoritë historiko-kritike të Velhauzenit?
4 Kritika e lartë e Biblës mori vrull gjatë shekujve 18-të dhe 19-të. Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, gjermani Jul Velhauzen, një kritik i Biblës, përhapi teorinë se gjashtë librat e parë të saj, duke përfshirë edhe atë të Josiut, ishin shkruar në shekullin e 5-të p.e.s., rreth një mijë vjet pas ngjarjeve të përshkruara. Megjithatë, ai pohoi se këta libra përmbanin edhe material më të hershëm.1 Kjo teori u paraqit në botimin e 11-të të Enciklopedisë Britanike (anglisht) në 1911-n. Aty thuhej: «Zanafilla është një vepër që daton pas periudhës së mërgimit. Është përpiluar nga një burim priftëror (P) pas mërgimit dhe nga burime jopriftërore më të hershme. Këto të fundit ndryshojnë dukshëm nga burimi priftëror nga ana gjuhësore, stilistike dhe fetare.»
5 Sipas Velhauzenit dhe pasuesve të tij, të gjitha tregimet historike të pjesës së parë të Shkrimeve Hebraike «nuk janë histori të mirëfillta, por tradita të lashta të popullit».2 Pra, e thënë ndryshe, këto tregime të hershme shiheshin thjesht si pasqyrim i historisë së mëvonshme të Izraelit. Kështu, sipas tyre, armiqësia mes Jakobit dhe Esaut nuk kishte ekzistuar në të vërtetë, por thjesht pasqyronte armiqësinë që lindi më vonë mes Izraelit dhe Edomit.
6 Këta kritikë arritën deri aty sa të mendonin që nuk ishte aspak e vërtetë që Moisiu mori urdhër të bënte arkën e besëlidhjes, dhe se tabernakulli, qendra e adhurimit të izraelitëve në shkretëtirë, nuk kishte ekzistuar kurrë. Gjithashtu, besonin se priftëria aaronike ishte vendosur plotësisht vetëm pak vjet para shkatërrimit të Jerusalemit nga babilonasit që, sipas tyre, ndodhi në fillim të shekullit të 6-të p.e.s.3
7, 8. Mbi cilat «prova» i mbështeste Velhauzeni teoritë e tij, dhe a kishin baza?
7 Por, çfarë «provash» paraqitin kritikët në mbështetje të ideve të tyre? Ata thonë se mund ta ndajnë tekstin e librave të parë të Biblës në disa dokumente të veçanta. Parimi bazë për këtë ndarje, mbështetet në supozimin se, në përgjithësi, të gjitha vargjet biblike që përdorin vetëm fjalën hebraike Elohím për Perëndi, janë shkruar nga një shkrimtar, kurse të gjitha vargjet që e përmendin Perëndinë me emrin e tij Jehova, duhet të jenë shkruar nga një penë tjetër, a thua se një shkrimtar s’mund t’i përdorë të dy termat!4
8 Po ashtu, nëse një ngjarje përmendet më shumë se një herë në një libër, merret si provë e ndërhyrjes së një shkrimtari tjetër, ndërkohë që edhe shkrimet e lashta semitike paraqitin raste të ngjashme përsëritjeje. Gjithashtu, supozohet se çdo ndryshim stili nënkupton një shkrimtar tjetër. Megjithatë, edhe shkrimtarët e sotëm shpesh përdorin stile të ndryshme në faza të ndryshme të karrierës së tyre ose kur trajtojnë tema të larmishme.b
9-11. Cilat janë disa dobësi të dukshme të kritikës së lartë moderne?
9 A ka baza për këto teori? Jo, aspak! Një komentues vëren: «Kritika, madje edhe ajo më serioze, ushqehet me spekulime dhe hamendje. Ajo gjithmonë mund të rishikohet, të përgënjeshtrohet ose të zëvendësohet me një gjë tjetër. Është një ushtrim mendor, pre e të gjitha dyshimeve dhe hamendjeve që lidhen pandashmërisht me këtë lloj ushtrimi.»5 Ajo që ushqehet më shumë me «spekulime dhe hamendje», është kritika e lartë e Biblës.
10 Glison Arçër i Riu vë në dukje një të metë tjetër në argumentimin e përkrahësve të kritikës së lartë. Sipas tij, problemi është se «shkolla e Velhauzenit zuri fill me supozimin e mirëfilltë (që as kanë marrë mundimin ta provojnë) se feja e Izraelit, si çdo fe tjetër, kishte origjinë krejtësisht njerëzore dhe se duhej shpjeguar thjesht si fryt i evolucionit».6 Me fjalë të tjera, Velhauzeni dhe përkrahësit e teorisë së tij filluan me supozimin se Bibla ishte thjesht fjala e njerëzve dhe, mbi këtë hamendje ndërtuan gjithë arsyetimin e tyre.
11 Në vitin 1909, Enciklopedia judaike (anglisht) nxori në pah dy dobësi të tjera të teorisë së Velhauzenit: «Argumentet me të cilat Velhauzeni bëri për vete pothuajse të gjithë përkrahësit e kritikës së lartë të Biblës në kohën e tij, bazohen në dy hipoteza: së pari, sa më shumë zhvillohet një fe, aq më shumë ndërlikohen ritet e saj; së dyti, burimet më të lashta merren domosdoshmërisht me stadet më të hershme të zhvillimit të këtyre riteve. Hipoteza e parë bie ndesh me dëshminë e kulturave të hershme, kurse e dyta nuk gjen mbështetje në dëshminë e kodeve rituale, si ato të Indisë.»
12. Çfarë ka treguar arkeologjia për kritikën e lartë moderne?
12 A ka ndonjë mënyrë për të vërtetuar saktësinë e teorive të nxjerra nga kritika e lartë? Enciklopedia e përmendur më lart, thotë: «Pikëpamjet e Velhauzenit bazohen pothuajse krejtësisht në analizën e tekstit, ndaj lypset që ato të vërtetohen edhe nën dritën e arkeologjisë.» Por, a i vërtetoi arkeologjia teoritë e Velhauzenit me kalimin e viteve? Një enciklopedi tjetër përgjigjet: «Kritika arkeologjike priret të vërtetojë saktësinë e hollësive karakteristike [të historisë biblike], madje, edhe të periudhave më të hershme të saj. Po ashtu, të përgënjeshtrojë teorinë se tregimet e Pentateukut [tregimet historike në librat e parë të Biblës] thjesht pasqyrojnë ngjarje të ndodhura në një periudhë shumë të mëvonshme.»—The New Encyclopædia Britannica.
13, 14. Pse kritika e lartë e Velhauzenit pranohet ende gjerësisht, ndonëse s’ka baza të qëndrueshme?
13 Pse kritika e lartë është kaq e përhapur mes intelektualëve të sotëm, pavarësisht nga të metat e saj? Sepse u thotë atë që duan të dëgjojnë. Ja si u shpreh një studiues i shekullit të 19-të: «Personalisht, jam i mendimit se libri i Velhauzenit është nga më të mirët. Problemi i historisë së Besëlidhjes së Vjetër, që kërkon zgjidhje të ngutshme, m’u duk më në fund i zgjidhur në përputhje me parimin e evolucionit të njeriut, të cilin jam i detyruar t’ia zbatoj historisë së të gjitha feve.»7 Në rastin e këtij studiuesi, duket fare qartë se kritika e lartë pajtohej me paragjykimet e tij si evolucionist. Faktikisht, të dyja teoritë i shërbejnë një qëllimi të përbashkët, pasi, ashtu si evolucioni eliminon nevojën për të besuar te një Krijues, kritika e lartë e Velhauzenit të lë të mendosh që nuk kemi pse të besojmë se Bibla është frymëzuar nga Perëndia.
14 Në shekullin tonë, që përcaktohet si epoka e racionalizmit, intelektualëve u duket bindëse hipoteza se Bibla nuk është Fjala e Perëndisë, por e njerëzve.c Është shumë më kollaj për ta të besojnë se profecitë u shkruan pasi u përmbushën, në vend që t’i pranojnë ato si të mirëqena. Ata parapëlqejnë më shumë t’i renditin mrekullitë e treguara në Bibël si mite, legjenda ose përralla, sesa të marrin në konsideratë mundësinë që ndodhën vërtet. Por pikëpamja e tyre mbart paragjykime dhe nuk jep asnjë arsye të fortë që Bibla të mos pranohet si e vërtetë. Kritika e lartë ka të meta serioze dhe sulmet e saj nuk kanë mundur të provojnë që Bibla nuk është Fjala e Perëndisë.
A e mbështet arkeologjia Biblën?
15, 16. Ekzistencën e cilit qeveritar të lashtë të përmendur në Bibël vërtetoi arkeologjia?
15 Arkeologjia është një fushë studimi me baza shumë më të forta sesa kritika e lartë. Falë gërmimeve në rrënojat e qytetërimeve të së kaluarës, arkeologët e kanë pasuruar në shumë drejtime njohurinë tonë për botën e lashtë. Ndaj, s’është çudi që të dhënat arkeologjike vërtetojnë vazhdimisht atë që lexojmë në Bibël. Madje, herë pas here, arkeologjia e ka shfajësuar Biblën para kritikëve të saj.
16 Le të marrim një shembull. Sipas librit të Danielit, qeveritari i fundit në Babiloni, para se kjo të binte në duart e persëve, quhej Belshazar. (Danieli 5:1-30) Përderisa emri i këtij monarku nuk përmendej asgjëkundi përveçse në Bibël, u ngrit akuza se Bibla gabonte dhe se Belshazari nuk kishte ekzistuar kurrë. Mirëpo, gjatë shekullit të 19-të, në disa rrënoja në jug të Irakut, u zbuluan disa cilindra të vegjël me shkrim kuneiform. Nga deshifrimi doli se në ta përfshihej një lutje për shëndetin e djalit më të madh të Nabonidit, mbretit të Babilonisë. Dhe cili ishte emri i tij? Belshazar.
17. Si mund të shpjegohet pse Bibla e quan Belshazarin mbret, ndërkohë që shumica e mbishkrimeve e quan princ?
17 Pra, ja ku doli se Belshazari kishte ekzistuar. Por, a ishte mbret kur ra Babilonia? Pjesa më e madhe e dokumenteve të gjetura më pas, e përmendnin atë si birin e mbretit, princin trashëgimtar. Megjithatë, një dokument me shkrim kuneiform, i quajtur «Tregimi në vargje i Nabonidit», ndihmoi të përcaktohej më mirë pozita e vërtetë e Belshazarit. Në të thuhet: «Ai [Nabonidi] ia besoi trupat ushtarake djalit të tij të madh, të parëlindurit, dhe vuri nën komandën e tij gjithë ushtrinë e vet që vepronte në tërë vendin. Ai hoqi dorë nga gjithçka dhe ia besoi mbretërinë atij.»8 Pra, Belshazarit i ishte besuar mbretëria. Patjetër, kjo e bënte mbret në çdo kuptim.d Funksioni që kishte Belshazari në raport me të atin, Nabonidin, shpjegon pse gjatë gostisë që shtroi për herë të fundit në Babiloni, Belshazari i ofroi Danielit pozitën e tretë në mbretëri. (Danieli 5:16) Pra, Nabonidi ishte qeveritari i parë i Babilonisë, kurse Belshazari i dyti.
Dëshmi të tjera
18. Si e vërteton arkeologjia se mbretërimi i Davidit solli paqe dhe begati?
18 Ç’është e vërteta, saktësinë historike të Biblës e mbështetin edhe mjaft zbulime të tjera arkeologjike. Për shembull, Bibla përshkruan begatinë e madhe të Izraelit pasi Solomoni pasoi si mbret të atin, Davidin. Në të thuhet: «Juda dhe Izraeli ishin të shumtë sa kokrrizat e rërës buzë detit. Ata hanin, pinin dhe gëzonin.» (1 Mbretërve 4:20) Këtë përshkrim e mbështetin edhe fjalët e mëposhtme: «Dëshmitë arkeologjike tregojnë se gjatë dhe pas shekullit të 10-të p.e.s., në Judë pati një rritje të jashtëzakonshme të popullsisë. Paqja dhe begatia që kishte sjellë Davidi, çuan në lindjen e shumë qyteteve të reja.»10
19. Ç’të dhëna plotësuese jep arkeologjia për luftën që u zhvillua mes Izraelit dhe Moabit?
19 Më vonë, kombi i Izraelit, që tashmë ishte ndarë nga Juda, pushtoi Moabin fqinj. Pas njëfarë kohe, moabitët, të drejtuar nga mbreti Mesha, ngritën krye. Atëherë Izraeli bëri aleancë me Judën dhe mbretërinë fqinje të Edomit që të luftonin kundër Moabit. (2 Mbretërve 3:4-27) Për habinë e të gjithëve, në vitin 1868, në Jordan u gjet një pllakë guri e gdhendur me mbishkrim në gjuhën moabite, ku Mesha jepte versionin e tij për këtë konflikt.
20. Çfarë na tregojnë dëshmitë arkeologjike për shkatërrimin e Izraelit nga asirianët?
20 Më vonë, në vitin 740 p.e.s., Perëndia i lejoi asirianët të shkatërronin mbretërinë veriore rebele të Izraelit. (2 Mbretërve 17:6-18) Sipas arkeologes Kethlin Kenion, përshkrimi që i bën Bibla kësaj ngjarjeje «të bën të mendosh se një pjesë e saj është e ekzagjeruar». Por, a është në të vërtetë? Ajo shton: «Megjithatë dëshmitë arkeologjike për rënien e mbretërisë së Izraelit janë gati-gati më të gjalla se tregimi i Biblës. . . . Zhdukja e plotë e qyteteve izraelite të Samarisë dhe Hazorit, si edhe shkatërrimi i Megidos më pas, janë dëshmi arkeologjike të faktuara që tregojnë se shkrimtari [i Biblës] nuk po e ekzagjeronte.»11
21. Çfarë hollësish jep arkeologjia për nënshtrimin e Judës ndaj babilonasve?
21 Bibla tregon se më pas, kur ishte mbret Jehojakini, babilonasit rrethuan dhe pushtuan Jerusalemin. Kjo ngjarje është regjistruar në kronikat e Babilonisë, një pllakë me shkrim kuneiform, e zbuluar nga arkeologët. Në të lexohet: «Mbreti i Akadit [Babilonisë] . . . rrethoi Judën (iahudu) dhe e pushtoi ditën e dytë të muajit adar.»12 Jehojakinin e dërguan në Babiloni dhe e burgosën. Sipas Biblës, më vonë e nxorën nga burgu dhe i dhanë një racion të përditshëm ushqimi. (2 Mbretërve 24:8-15; 25:27-30) Kjo mbështetet edhe nga disa dokumente zyrtare të gjetura në Babiloni, ku tregohet një listë e racioneve që i jepeshin «Jaukinit, mbretit të Judës».13
22, 23. Ç’lidhje ekziston në përgjithësi mes arkeologjisë dhe tregimeve historike të Biblës?
22 Duke folur për lidhjen që ekziston mes arkeologjisë dhe tregimeve historike të Biblës, profesor Dejvid Fridmani u shpreh: «Në përgjithësi arkeologjia priret të mbështetë vlerën historike të tregimeve të Biblës. Skema e gjerë kronologjike, duke filluar që nga patriarkët deri në epokën e B[esëlidhjes] së R[e], përkon me të dhënat arkeologjike. . . . Ka shumë të ngjarë që zbulimet e ardhshme të vërtetojnë qëndrimin e sotëm të atyre që besojnë se tradita biblike mbështetet në fakte historike dhe se është transmetuar me besnikëri, ndonëse s’mund të cilësohet si histori nga ana kritike ose shkencore.»
23 Më pas, duke iu referuar orvatjeve të përkrahësve të kritikës së lartë për të diskredituar Biblën, ai shton: «Përpjekjet e studiuesve të sotëm për të riformuluar historitë e Biblës—si për shembull, teza e Velhauzenit sipas së cilës epoka patriarkale s’pasqyron gjë tjetër veçse monarkinë e përçarë, ose ajo e Nothit dhe e pasuesve të tij që hedhin poshtë vërtetësinë historike të Moisiut dhe të Eksodit, e për pasojë riformulojnë gjithë historinë e Izraelit—nuk i kanë rezistuar gjetjeve arkeologjike aq sa tregimi biblik.»14
Rënia e Jerikosë
24. Çfarë tregon Bibla për rënien e Jerikosë?
24 A do të thotë kjo se arkeologjia pajtohet me Biblën në çdo rast? Jo gjithmonë. Një nga këto raste është pushtimi i mahnitshëm i Jerikosë, të cilin e përshkruam në fillim të këtij kapitulli. Sipas Biblës, Jerikoja ishte qyteti i parë që pushtoi Josiu, ndërkohë që u printe izraelitëve drejt tokës së Kanaanit. Kronologjia biblike tregon se qyteti u pushtua gjysmën e parë të shekullit të 15-të p.e.s. Pas pushtimit, Jerikoja u dogj e u bë shkrumb e hi, dhe mbeti e pabanuar për qindra vjet.—Josiu 6:1-26; 1 Mbretërve 16:34.
25, 26. Cilat janë dy përfundimet e ndryshme që nxorën arkeologët nga gërmimet në Jeriko?
25 Para se të shpërthente Lufta e Dytë Botërore, profesor Xhon Garsteni nisi gërmimet atje ku mendohej se kishte qenë vendndodhja e Jerikosë. Ai zbuloi se qyteti ishte mjaft i lashtë dhe se ishte shkatërruar e rindërtuar shumë herë. Garsteni vërejti se në një nga shkatërrimet, muret ishin shembur si të kishte rënë tërmet dhe qyteti ishte bërë shkrumb e hi. Sipas tij, kjo kishte ndodhur aty nga viti 1400 p.e.s., datë kjo jo shumë e largët nga ajo që tregon Bibla për shkatërrimin e Jerikosë nga Josiu.15
26 Pas luftës, një arkeologe tjetër, Kethlin Kenion, bëri gërmime të tjera në Jeriko dhe doli në përfundimin se muret e rrëzuara që identifikoi Garsteni, ishin qindra vjet më të lashta nga ç’mendonte ai. Sipas saj, Jerikoja kishte pësuar një shkatërrim shumë të madh në shekullin e 16-të p.e.s., dhe tha se atje ku kishte qenë Jerikoja, nuk ekzistonte asnjë qytet në shekullin e 15-të, kohë që, sipas Biblës, Josiu pushtoi vendin. Duke dhënë tregues të mundshëm të një shkatërrimi tjetër në atë vend, në vitin 1325 p.e.s., ajo thotë: «Nëse shkatërrimi i Jerikosë duhet lidhur me një pushtim të bërë nga Josiu, atëherë data që sugjeron arkeologjia, është kjo [e fundit].»16
27. Pse nuk duhet të na shqetësojnë mospajtimet mes arkeologjisë dhe Biblës?
27 A do të thotë kjo se Bibla e ka gabim? Jo, aspak! Nuk duket të harrojmë se megjithëse arkeologjia hedh dritë mbi të kaluarën, kjo dritë nuk është gjithmonë e qartë. Madje, ndonjëherë është krejt e mjegullt. Një komentues vërejti: «Mjerisht, zbulimet arkeologjike janë të pjesshme, e për pasojë të kufizuara.»17 Kjo është e vërtetë sidomos për periudhat më të hershme të historisë së kombit të Izraelit, për të cilat dëshmitë arkeologjike nuk janë të qarta. Në të vërtetë, për Jerikonë dëshmitë janë edhe më pak të qarta, ngaqë gërmadhat janë dëmtuar rëndë.
Kufizimet e arkeologjisë
28, 29. Cilat kufizime të arkeologjisë pranojnë studiuesit?
28 Vetë arkeologët i pranojnë kufizimet e shkencës së arkeologjisë. Për shembull, Johanan Aharoni shpjegon: «Kur vjen puna tek interpretimi historik ose historiko-gjeografik, arkeologët dalin nga fusha e shkencave ekzakte dhe duhet të mbështeten në gjykime e hipoteza për të krijuar një portret historik të plotë.»18 Duke folur për datat që u janë atribuar zbulimeve të ndryshme, ai shton: «Prandaj, duhet të mbajmë gjithnjë në mendje se jo të gjitha datat janë të pakundërshtueshme, dhe se dyshohet për to në shkallë të ndryshme.» Megjithatë, ai është i mendimit se arkeologët e sotëm mund të jenë më të sigurt se në të kaluarën për datat që vënë.19
29 Një vepër e kësaj fushe, ngre pyetjen: «A mund të cilësohen metodat arkeologjike si vërtet objektive ose shkencore?» E njëjta vepër përgjigjet: «Arkeologët janë më objektivë kur i zbulojnë faktet, sesa kur i interpretojnë ato, megjithëse shqetësimi për pikëpamjet e tyre ndihet edhe te metodat që zgjedhin për të bërë ‘gërmimin’. Është e pashmangshme të mos shkatërrojnë ndonjë provë ndërsa gërmojnë nëpër shtresat e tokës, e kështu nuk mund ta vërtetojnë kurrë ‘eksperimentin’ e tyre duke e përsëritur. Kjo e bën arkeologjinë një shkencë unike. Veç kësaj, ekspozimin e fakteve arkeologjike e bën një nga detyrat më të vështira e plot gracka.»20—The World of the Old Testament.
30. Si e shohin arkeologjinë ata që studiojnë Biblën?
30 Pra, arkeologjia mund të jetë shumë e dobishme, por, si çdo përpjekje tjetër njerëzore, edhe ajo mund të gabojë. Prandaj, edhe nëse i shqyrtojmë me interes, teoritë arkeologjike nuk duhen marrë kurrë si të vërteta të pakundërshtueshme. Nëse arkeologët i interpretojnë gjetjet e tyre në një mënyrë që bie ndesh me Biblën, nuk duhet nxjerrë menjëherë përfundimi se Bibla e ka gabim, kurse arkeologët kanë të drejtë. Koha ka treguar se interpretimet e tyre ndryshojnë.
31. Cila ide e re u hodh së fundi për rënien e Jerikosë?
31 Vlen të përmendet se në vitin 1981, profesor Xhon Bimsoni shqyrtoi edhe një herë shkatërrimin e Jerikosë. Ai studioi me kujdes gjurmët e zjarrit që, sipas Kethlin Kenionit, kishte shkatërruar qytetin nga mesi të shekullit të 16-të p.e.s. Sipas tij, ai shkatërrim përputhet me përshkrimin që i bën Bibla rrënimit të qytetit nga Josiu. Por jo vetëm kaq! Tabloja e përgjithshme që paraqit arkeologjia për Kanaanin, përputhet më së miri me përshkrimin që i bën Bibla atij vendi kur u pushtua nga izraelitët. Kështu, ai pohon se datimi sipas arkeologjisë është i gabuar, dhe hedh idenë se në të vërtetë, Jerikoja u shkatërrua nga mesi i shekullit të 15-të p.e.s., kur Josiu ishte gjallë.21
Bibla—histori e vërtetë
32. Cila prirje është vërejtur mes disa studiuesve?
32 Rasti i Jerikosë është një shembull që tregon se, shpesh, arkeologët nuk pajtohen me njëri-tjetrin. Pra, s’është aspak çudi që disa pajtohen me Biblën, kurse të tjerë, jo. Megjithatë, disa studiues kanë filluar ta respektojnë vlerën historike të Biblës në përgjithësi, në mos, çdo detaj të saj. Uilliam Ollbraiti përfaqësoi një rrymë mendimi kur shkroi: «Historia fetare e Izraelit është rivlerësuar e saktë, si në tërësi, ashtu edhe në hollësi. . . . Me një fjalë, tani mund ta konsiderojmë sërish Biblën, nga fillimi në fund, si një dokument autentik të historisë fetare.»22
33, 34. Si tregojnë vetë Shkrimet Hebraike se janë të sakta nga ana historike?
33 Faktikisht, Bibla në vetvete mban vulën e historisë së saktë. Ndryshe nga mitet dhe legjendat e lashtësisë, ngjarjet për të cilat flet Bibla lidhen me periudha e data të sakta. Shumë nga ngjarjet e treguara në Bibël mbështeten nga mbishkrime që datojnë të asaj epoke dhe, nëse ndonjëherë ato nuk pajtohen, kjo shpesh ndodh ngaqë monarkëve të lashtësisë nuk u pëlqente të dokumentonin humbjet dhe i zmadhonin fitoret.
34 Në të vërtetë, mjaft nga ato mbishkrime të lashta më shumë janë propagandë zyrtare se histori. Kurse shkrimtarët e Biblës tregojnë një sinqeritet të rrallë. Figurat më të shquara të historisë së Izraelit, si Moisiu dhe Aaroni, përshkruhen me të gjitha virtytet dhe dobësitë e tyre. Edhe dobësitë e mbretit të madh David tregohen me ndershmëri. Herë pas here tregohen shkeljet e tërë kombit. Kjo çiltërsi mbështet saktësinë dhe besueshmërinë e Shkrimeve Hebraike. Gjithashtu, u jep peshë fjalëve të Jezuit që tha kur iu lut Perëndisë: «Fjala jote është e vërteta.»—Gjoni 17:17.
35. Çfarë nuk kanë mundur të bëjnë mendimtarët racionalistë? Ku i kërkojnë provat studentët e Biblës për të provuar se Bibla është një libër hyjnor?
35 Ollbraiti vazhdoi: «Sidoqoftë, për nga përmbajtja, Bibla qëndron më lart se çdo literaturë fetare e mëparshme. Me mesazhin e saj të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, me mënyrën se si tërheq njerëz të të gjitha vendeve dhe epokave, ajo qëndron shumë më lart se gjithçka që është shkruar më pas.»23 Më tepër se dëshmia e studiuesve, vetë ky ‘mesazh i pashoq’ dëshmon se Bibla është një libër hyjnor, siç do ta shohim edhe në kapitujt e ardhshëm. Në këtë kapitull pamë se mendimtarët e sotëm racionalistë nuk kanë mundur të hedhin poshtë vërtetësinë historike të Shkrimeve Hebraike, të cilat japin të gjitha provat se janë të sakta. A mund të thuhet e njëjta gjë për Shkrimet e Krishtere Greke, si quhet ndryshe «Besëlidhja e Re»? Këtë do ta shohim në kapitullin tjetër.
[Shënimet]
a «Kritika e lartë» (ose «metoda historiko-kritike») është një shprehje që përshkruan studimin e Biblës, që synon të përcaktojë hollësi, si autorësia, burimi i materialit dhe koha e përpilimit të çdo libri.
b Për shembull, poeti anglez, Xhon Milton, shkroi poemën e madhe epike «Parajsa e humbur» me një stil krejtësisht të ndryshëm nga poema tjetër «L’Allegro». Kurse fletëpalosjet e tij me përmbajtje politike i shkroi po ashtu me një stil krejt tjetër.
c Sot, shumica e intelektualëve priren të jenë racionalistë. Racionalizmi përkufizohet si «mbështetja dhe besimi në fuqinë e pakufishme të arsyes njerëzore, si bazë për të përcaktuar të vërtetën fetare». Racionalistët mundohen të shpjegojnë gjithçka nga këndvështrimi njerëzor, pa marrë parasysh mundësinë e ndërhyrjes hyjnore.
d Statuja e një sundimtari të lashtë, e gjetur në vitin 1970, në veri të Sirisë, tregonte se nuk ishte e pazakontë që një qeveritar të quhej mbret, ndonëse në kuptimin e ngushtë të fjalës, mbante një titull më të ulët. Statuja i përkiste një qeveritari të Gozanit dhe ishte mbishkruar në gjuhët asiriane dhe aramaike. Mbishkrimi në gjuhën asiriane e quante monarkun qeveritar të Gozanit, kurse mbishkrimi paralel në aramaisht e quante mbret.9 Pra, fakti që mbishkrimet zyrtare të Babilonisë e quanin Belshazarin princ trashëgimtar, ndërkohë që shkrimet në aramaisht të Danielit e quanin mbret, nuk është diçka e padëgjuar.
[Diçitura në faqen 53]
Ndryshe nga historitë e lashta botërore, Bibla tregon me sinqeritet dobësitë e figurave të respektuara si Moisiu dhe Davidi
[Kutia në faqen 44]
Vlera e arkeologjisë
«Arkeologjia siguron një sërë kampionesh të lashta, si vegla, enë, armë, stolisje, mure dhe ndërtesa. Pjesa më e madhe e tyre mund të grupohen sipas radhës kronologjike dhe të identifikohen saktësisht falë përshkrimit dhe termave të përshtatshëm që jepen në Bibël. Në këtë kuptim, Bibla ruan saktësisht me shkrim mjedisin e saj të lashtë kulturor. Hollësitë e historive biblike nuk janë fryt i një imagjinate të zhvilluar, përkundrazi, pasqyrojnë me saktësi botën ku ndodhën ngjarjet e dokumentuara, si ato të zakonshmet, edhe ato të pazakonshmet.»—The Archaeological Encyclopedia of the Holy Land.
[Kutia në faqen 50]
Çfarë mund dhe s’mund të bëjë arkeologjia
«Arkeologjia as e vërteton dhe as e përgënjeshtron Biblën në mënyrë përfundimtare, por gjithsesi, përmbush role të tjera mjaft të rëndësishme. Së pari, ajo na paraqit deri në njëfarë mase botën për të cilën flitet në Bibël. Për shembull, kur e dimë se ç’material ishte përdorur për të ndërtuar një shtëpi, ose ç’pamje kishte ‘një vend i lartë’, e kuptojmë më mirë tekstin që po lexojmë. Së dyti, arkeologjia plotëson tregimin historik. Për shembull, guri i Moabit na njeh me anën tjetër të historisë që tregohet te 2 Mbretërve 3:4 e më tutje. . . . Së treti, na njeh me jetën dhe botëkuptimin e fqinjëve të Izraelit të lashtë, e kjo për ne është me mjaft interes, pasi hedh dritë mbi botën intelektuale në gji të së cilës u zhvillua mendimi i lashtë izraelit.»—Ebla—A Revelation in Archaeology.
[Figura në faqen 41]
Miltoni përdori stile të ndryshme, jo vetëm një. Por, a besojnë përkrahësit e kritikës së lartë se vepra e tij është fryt i punës së shkrimtarëve të ndryshëm?
[Figura në faqen 45]
«Tregimi në vargje i Nabonidit» tregon se Nabonidi ia besoi mbretërinë djalit të tij të parëlindur
[Figura në faqen 46]
Guri i Moabit jep versionin e mbretit Mesha rreth konfliktit mes Moabit dhe Izraelit
[Figura në faqen 46]
Dokumentet zyrtare babilonase mbështetin tregimin e Biblës për rënien e Jerusalemit