Lexoje Fjalën e Perëndisë dhe shërbeji atij në të vërtetë!
«Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde.»—PSALMI 86:11.
1. Çfarë thoshte në thelb për të vërtetën, numri i parë i kësaj gazete?
JEHOVAI dërgon dritë dhe të vërtetë. (Psalmi 43:3) Përveç kësaj, ai na jep edhe aftësinë për të lexuar Fjalën e tij, Biblën, dhe për të mësuar të vërtetën. Numri i parë i kësaj gazete, korrik 1879, thoshte: «E vërteta, si një lule e vogël e thjeshtë në shkretëtirën e jetës, është rrethuar dhe gati sa s’po i zihet fryma nga rritja e bulbërt e barërave të këqija të falsitetit. Nëse do ta gjeje, do të të duhej t’i mbaje sytë gjithmonë hapur. Po të shihje bukurinë e saj, do të të duhej të shpërfillje barërat e këqija të falsitetit dhe ferrat me gjemba të fanatizmit. Po ta kishe, s’do të përkuleshe për ta marrë. Mos u kënaq me një lule të së vërtetës! Po të mjaftonte një, s’do të ishin krijuar të tjerat. Vazhdo të mbledhësh, vazhdo të kërkosh!» Leximi dhe studimi i Fjalës së Perëndisë na mundëson të marrim njohurinë e saktë dhe të ecim në të vërtetën e tij.—Psalmi 86:11.
2. Çfarë erdhi si rezultat kur Ezdra bashkë me të tjerë u lexuan Ligjin e Perëndisë judenjve në Jerusalemin e lashtë?
2 Pas rindërtimit të mureve të Jerusalemit, në vitin 455 p.e.s., Ezdra dhe priftërinj të tjerë u lexonin judenjve Ligjin e Perëndisë. Pas kësaj, vinte Festa e gëzuar e Kasolleve, rrëfimi i mëkateve, duke përfunduar me «një rregullim të besueshëm». (Nehemia 8:1–9:38, BR) Aty lexojmë: «Ata vazhduan të lexonin me zë të lartë nga libri, nga ligji i Perëndisë së vërtetë, duke e shtjelluar dhe duke i dhënë kuptim; dhe ata vazhduan t’i jepnin kuptueshmëri në të lexuar.» (Nehemia 8:8, BR) Disa dijetarë janë të mendimit se judenjtë nuk kuptonin mirë hebraisht dhe për këtë arsye bëhej parafrazimi në aramaisht. Por teksti nuk bënte thjesht sqarimin e termave gjuhësore të hebraishtes. Ezdra dhe të tjerët shtjellonin Ligjin, me qëllim që populli të kuptonte parimet që gjendeshin në të dhe t’i zbatonte ato. Edhe botimet dhe mbledhjet e krishtere shërbejnë ‘për t’i dhënë kuptim’ Fjalës së Perëndisë. Të njëjtën gjë bëjnë edhe pleqtë e emëruar, të cilët janë ‘të aftë për të mësuar’.—1. Timoteut 3:1, 2; 2. Timoteut 2:24.
Dobi të qëndrueshme
3. Cilat janë disa nga dobitë që merren nga leximi i Biblës?
3 Ka shumë mundësi që kur familjet e krishtere lexojnë Biblën së bashku, përjetojnë dobi të qëndrueshme. Njihen me ligjet e Perëndisë dhe mësojnë të vërtetën në lidhje me doktrinat, profecitë dhe gjëra të tjera. Pasi të jetë lexuar një pjesë nga Bibla, kreu i familjes mund të pyesë: Si duhet të ndikojë kjo mbi ne? Si lidhet kjo me mësime të tjera biblike? Si mund t’i përdorim këto pika në predikimin e lajmit të mirë? Një familje fiton mendjehollësi më të madhe gjatë leximit të Biblës, nëse bën kërkime, duke përdorur Treguesin e botimeve Watch Tower (angl.) ose tregues të tjerë të botimeve të Shoqatës. Mund të jetë dobiprurëse nëse konsultohen dy vëllimet Mendjehollësi mbi Shkrimet (angl.).
4. Si duhej ta zbatonte Josiu udhëzimin që gjejmë në Josiun 1:8?
4 Parimet e nxjerra nga Shkrimet mund të na drejtojnë në jetë. Për më tepër, leximi dhe studimi i ‘Shkrimeve të Shenjta mund të na bëjë të ditur për shpëtimin’. (2. Timoteut 3:15) Nëse e lëmë Fjalën e Perëndisë të na drejtojë, do të vazhdojmë të ecim në të vërtetën e tij dhe dëshirat tona të drejta do të realizohen. (Psalmi 26:3; 119:130) Gjithsesi, ne duhet të kërkojmë kuptueshmëri, ashtu siç bëri pasardhësi i Moisiut, Josiu. «Libri i ligjit» nuk duhej t’i largohej nga goja dhe ai duhej të lexonte në të ditë e natë. (Josiu 1:8) Fakti që «libri i ligjit» nuk duhej të largohej nga goja e tij, nënkuptonte që Josiu duhej të mos pushonte së treguari të tjerëve gjërat e ndriçuara që ky libër thoshte. Leximi i Ligjit ditë e natë do të thoshte se Josiu duhej të meditonte mbi të e ta studionte. Në të njëjtën mënyrë, apostulli Pavël e nxiti Timoteun ‘të mendonte thellë’, të meditonte mbi sjelljen e tij, shërbimin dhe mësimin. Si plak i krishterë, Timoteu duhej të ishte veçanërisht i kujdesshëm, me qëllim që jeta e tij të ishte shembullore dhe që të mësonte të vërtetën biblike.—1. Timoteut 4:15.
5. Çfarë na nevojitet, nëse duam të gjejmë të vërtetën e Perëndisë?
5 E vërteta e Perëndisë është një thesar i paçmuar. Për ta gjetur duhet gërmuar, duhet kërkuar me këmbëngulje në Shkrime. Vetëm si nxënës të Mësuesit të Madh ngjashëm fëmijëve, do të fitojmë mençuri dhe do të kuptojmë frikën nderuese për Jehovain. (Proverbat 1:7; Isaia 30:20, 21) Pa dyshim, duhet t’i vërtetojmë gjërat me anë të Shkrimeve. (1. Pjetrit 2:1, 2) Judenjtë e Beresë «ishin më të fisshëm nga mendja sesa ata në Selanik, sepse e morën fjalën me etje më të madhe mendjeje, duke shqyrtuar me kujdes Shkrimet çdo ditë, për të parë nëse këto gjëra [të thëna nga Pavli] ishin kështu». Ai nuk i qortoi, por i lavdëroi bereasit që vepronin kështu.—Veprat 17:10, 11, BR.
6. Përse Jezui mundi të tregonte se disa hebrenjve nuk u solli dobi kërkimi në Shkrime?
6 Jezui u tha disa judenjve: «Ju hetoni Shkrimet, sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua. Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.» (Gjoni 5:39, 40) Ata kërkonin në Shkrime me një synim të drejtë: që ato të mund t’i çonin drejt jetës. Në fakt, Shkrimet përmbanin profecitë mesianike, të cilat nxirrnin Jezuin si mjetin e jetës. Megjithatë, judenjtë nuk e pranuan atë. Prandaj, kërkimi në Shkrime nuk u solli asnjë dobi.
7. Çfarë nevojitet për t’u rritur në kuptueshmërinë e Biblës dhe përse?
7 Për t’u rritur në kuptueshmërinë e Biblës, na nevojitet udhëheqja e frymës së Perëndisë ose forca aktive. «Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë», në mënyrë që të nxjerrë në dritë kuptimin e tyre. (1. Korintasve 2:10) Të krishterët në Selanik duhej ‘të siguroheshin për të gjitha gjërat’ në çdo profeci që dëgjonin. (1. Selanikasve 5:20, 21) Kur Pavli u shkroi selanikasve (rreth vitit 50 të e.s.), pjesa e vetme e shkruar nga Shkrimet Greke ishte Ungjilli i Mateut. Prandaj, ka të ngjarë që selanikasit dhe bereasit siguroheshin për të gjitha gjërat, duke kërkuar në versionin grek të Shkrimeve Hebreje Septuagint. Ata duhej t’i lexonin dhe t’i studionin Shkrimet, edhe ne duhet të bëjmë po njëlloj.
Jetësore për të gjithë
8. Përse pleqtë e emëruar duhet të tejkalojnë, për sa i përket njohurisë biblike?
8 Pleqtë e emëruar duhet të tejkalojnë në njohurinë biblike. Ata duhet të jenë ‘të kualifikuar për të mësuar’ dhe duhet t’i ‘mbahen vendosmërisht fjalës së besueshme’. Mbikëqyrësi Timote duhej ‘ta thoshte drejt fjalën e së vërtetës’. (1. Timoteut 3:2, BR; Titit 1:9; 2. Timoteut 2:15) E ëma, Eunika, dhe gjyshja e tij, Loida, ia kishin mësuar shkrimet e shenjta që nga foshnjëria, duke i ngulitur «besimin e sinqertë», megjithëse i ati ishte jobesimtar. (2. Timoteut 1:5; 3:15) Baballarët besimtarë duhet t’i rritin të vegjlit e tyre «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait» dhe veçanërisht pleqtë që janë baballarë duhet të kenë «fëmijë besimtarë, që të mos përfliten për jetë të shthurur dhe për padëgjueshmëri». (Efesianëve 6:4, BR; Titit 1:6) Prandaj, pavarësisht nga rrethanat, duhet ta marrim seriozisht nevojën për të lexuar, për të studiuar dhe për të zbatuar Fjalën e Perëndisë.
9. Përse duhet të studiojmë Biblën në shoqëri me të krishterët e tjerë?
9 Duhet, gjithashtu, ta studiojmë Biblën në shoqëri me bashkëbesimtarët. Pavli dëshironte që të krishterët e Selanikut ta diskutonin këshillën e tij me njëri-tjetrin. (1. Selanikasve 4:18) Për të mprehur kuptueshmërinë tonë të së vërtetës, s’ka gjë më të mirë sesa të bashkohemi me studentë të tjerë të devotshëm në shqyrtimin e Shkrimeve. Është i vërtetë proverbi: «Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.» (Proverbat 27:17) Kur nuk përdoret ose kur nuk mprehet, një vegël prej hekuri mund të ndryshket. Po kështu, edhe ne duhet të takohemi rregullisht e të mprehim njëri-tjetrin, duke ndarë njohurinë që kemi fituar nga leximi, studimi dhe meditimi mbi Fjalën e Perëndisë për të vërtetën. (Hebrenjve 10:24, 25) Më shumë se kaq, kjo është një mënyrë për t’u siguruar se po nxjerrim dobi nga vetëtimat e dritës frymore.—Psalmi 97:11; Proverbat 4:18.
10. Çfarë do të thotë të ecësh në të vërtetën?
10 Gjatë studimit që i bëjmë Shkrimeve, mund t’i lutemi Perëndisë në mënyrë të përshtatshme, ashtu siç bëri psalmisti: «Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde: këto le të më udhëheqin.» (Psalmi 43:3) Nëse duam të kemi miratimin e Perëndisë, duhet të ecim në të vërtetën e tij. (3. Gjonit 3, 4) Kjo gjë përfshin qëndrimin e palëkundur në kërkesat e tij dhe shërbimin ndaj tij me sinqeritet e në besueshmëri. (Psalmi 25:4, 5; Gjoni 4:23, 24) Duhet t’i shërbejmë Jehovait në të vërtetë, siç zbulohet në Fjalën e tij dhe siç bëhet e qartë nga botimet e «skllavit të besueshëm dhe të matur». (Mateu 24:45-47, BR) Për këtë, duhet njohuria e saktë mbi Shkrimet. Në ç’mënyrë, atëherë, duhet ta lexojmë dhe ta studiojmë Fjalën e Perëndisë? A duhet të fillojmë ta lexojmë atë që nga vargu 1 i kreut të parë të Zanafillës e kështu me radhë të 66 librat? Po, çdo i krishterë, i cili e ka të plotë Biblën në gjuhën e tij, duhet ta lexojë atë nga Zanafilla deri tek Zbulesa. Përveç kësaj, synimi ynë në leximin e Biblës dhe të botimeve të krishtere, duhet të jetë rritja e kuptueshmërisë mbi tërësinë e së vërtetës biblike, të cilën Perëndia na e ka vënë në dispozicion përmes ‘skllavit të besueshëm’.
Lexoje Fjalën e Perëndisë me zë
11, 12. Përse është e dobishme që të lexohet Bibla me zë të lartë në mbledhje?
11 Kur jemi vetëm, mund të lexojmë në heshtje. Por në kohët e lashta, leximi personal bëhej me zë. Prandaj, ungjilltari Filip e dëgjoi eunukun etiopas, duke lexuar nga profecia e Isaisë, tek ngiste karrocën. (Veprat 8:27-30) Fjala hebreje e përkthyer «lexoj» së pari do të thotë «thërras». Prandaj, ata që fillimisht duke lexuar në heshtje nuk mund të marrin kuptimin e asaj që lexojnë, s’ka pse të mos e shqiptojnë çdo fjalë me zë. Kryesore është që të mësohet e vërteta, duke lexuar Fjalën e shkruar të Perëndisë.
12 Është e dobishme që në mbledhjet e krishtere, Bibla të lexohet me zë. Apostulli Pavël e nxiti bashkëpunëtorin e tij, Timoteun: «Vazhdo t’i përkushtohesh leximit publik, këshillimit, mësimit!» (1. Timoteut 4:13, BR) Pavli u tha kolosianëve: «Mbasi të jetë lexuar kjo letër ndër ju, bëni që të lexohet edhe në kishën e laodikasve; dhe ju, gjithashtu, lexoni atë të Laodicesë.» (Kolosianëve 4:16) Edhe Zbulesa 1:3, thotë: «I lumtur është ai që lexon me zë dhe ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie e që ruajnë gjërat e shkruara në të; sepse koha e caktuar është afër.» (BR) Për këtë arsye, një orator publik duhet të lexojë vargje nga Bibla për të mbështetur atë që thotë në kongregacion.
Metoda e studimit sipas temave
13. Cila është metoda më progresive për mësimin e të vërtetave biblike dhe çfarë mund të na ndihmojë për të gjetur shkrimet?
13 Studimi sipas temave është metoda më progresive për mësimin e të vërtetave që përmbahen në Shkrime. Renditja alfabetike e fjalëve biblike në kontekstin e tyre sipas librit, kapitullit dhe vargut, e bën të lehtë përcaktimin e teksteve, që lidhen me një temë të caktuar. Përveç kësaj, këto shkrime mund të harmonizohen me njëra-tjetrën, sepse Autori i Biblës nuk është kontradiktor me veten. Përmes frymës së shenjtë, ai frymëzoi rreth 40 burra për të shkruar Biblën gjatë një periudhe kohore prej 16 shekujsh dhe studimi i saj sipas temave, është një mënyrë e provuar me kohën për të mësuar të vërtetën.
14. Përse duhen studiuar bashkë Shkrimet e Krishtere Greke me ato Hebreje?
14 Çmueshmëria jonë për të vërtetën biblike, duhet të na nxisë të lexojmë dhe të studiojmë Shkrimet e Krishtere Greke bashkë me Shkrimet Hebreje. Kjo do të tregojë se si lidhen Shkrimet Greke me qëllimin e Perëndisë dhe do të hedhë dritë mbi profecitë e Shkrimeve Hebreje. (Romakëve 16:25-27; Efesianëve 3:4-6; Kolosianëve 1:26) Në lidhje me këtë, shumë i dobishëm është Përkthimi i Botës së Re i Shkrimeve të Shenjta. Ai u përgatit nga shërbëtorë të dedikuar të Perëndisë, të cilët përfituan nga njohuria në rritje, që ishte në dispozicion, në lidhje me tekstin origjinal të Biblës, si dhe me kontekstin dhe shprehjet e tij idiomatike. Të domosdoshme janë edhe botimet ndihmëse për studimin e Biblës, që Jehovai na ka siguruar përmes «skllavit të besueshëm dhe të matur».
15. Si do të tregoje se është e përshtatshme të citohen vargje nga vende të ndryshme të Biblës?
15 Disa mund të thonë: «Botimet tuaja kanë mijëra citime nga Bibla. Përse i merrni ato sa aty-këtu?» Duke cituar nga pjesë të ndryshme të 66 librave të Biblës, botimet përdorin disa dëshmitarë të frymëzuar për të provuar vërtetësinë e një mësimi. Këtë metodë mësimi e përdori edhe vetë Jezui. Kur bëri Predikimin e tij në Mal, ai citoi 21 herë nga Shkrimet Hebreje. Ai fjalim përmbante tri citime nga Dalja, dy nga Levitiku, një nga Numrat, gjashtë nga Ligji i përtërirë, një nga 2. Mbretërve, katër nga Psalmet, tre nga Isaia dhe një nga Jeremia. Mos vallë, duke bërë kështu Jezui ‘përpiqej të vërtetonte ndonjë gjë’? Jo, sepse «ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët». Jezui bënte kështu, sepse e përkrahte mësimin e tij me autoritetin e Fjalës së shkruar të Perëndisë. (Mateu 7:29) Po kështu bëri edhe apostulli Pavël.
16. Cilat citime biblike përdori Pavli në Romakëve 15:7-13?
16 Në fragmentin biblik që gjendet në Romakëve 15:7-13, Pavli citoi nga tri pjesë të Shkrimeve Hebreje: nga Ligji, Profetët dhe Psalmet. Ai tregoi se Perëndinë do ta lartësonin judenjtë dhe paganët, prandaj të krishterët duhej t’i mirëprisnin njerëzit e të gjitha kombeve. Pavli tha: «Pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë. Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar [në Psalmin 18:49]: ‘Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe dhe do t’i këndoj lavdërime emrit tënd!’ Dhe përsëri ai thotë [në Ligjin e përtërirë 32:43]: ‘Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij.’ Dhe përsëri [në Psalmin 117:1]: ‘Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta lëvdojnë të gjithë popujt.’ Dhe përsëri Isaia [11:1, 10] thotë: ‘Do të mbijë një filiz nga rrënja e Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të shpresojnë në të!’ Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!» Me anë të kësaj metode sipas temave, Pavli tregoi se si mund të citoheshin shkrimet për t’i bërë të qëndrueshme të vërtetat biblike.
17. Në përputhje me atë që është thënë, a citojnë të krishterët vargje nga vende të ndryshme të të gjithë Biblës?
17 Letra e parë e frymëzuar e apostullit Pjetër përmban 34 citime nga dhjetë libra të Ligjit, të Profetëve dhe të Psalmeve. Në letrën e tij të dytë, Pjetri citon gjashtë herë nga tre libra. Ungjilli i Mateut përmban 122 citime, duke filluar nga Zanafilla deri tek Malakia. Në 27 librat e Shkrimeve Greke, gjenden 320 citime të drejtpërdrejta të marra nga Zanafilla deri tek Malakia, si dhe qindra referime të tjera për Shkrimet Hebreje. Në përputhje me precedentin që la Jezui, të cilin e ndoqën edhe apostujt e tij, kur studiojnë një temë biblike, të krishterët e ditëve moderne citojnë nga pjesë të ndryshme nga e tërë Bibla. Kjo gjë është veçanërisht e përshtatshme në këto «ditë të fundit», kur pjesa më e madhe e Shkrimeve Hebreje dhe Greke po plotësohen. (2. Timoteut 3:1) ‘Skllavi i besueshëm’ e përdor në këtë mënyrë Biblën në botimet e tij, por kurrë nuk shton në Fjalën e Perëndisë dhe as nuk heq prej saj.—Proverbat 30:5, 6; Zbulesa 22:18, 19.
Ec gjithmonë në të vërtetën!
18. Përse duhet ‘të ecim në të vërtetën’?
18 Ne nuk duhet të heqim asgjë nga Bibla, sepse tërësia e mësimeve të krishtere në Fjalën e Perëndisë është «e vërteta» ose «e vërteta e lajmit të mirë». Ndjekja nga afër e kësaj të vërtete, «ecja» në të, është e domosdoshme për të shpëtuar. (Galatasve 2:5; 2. Gjonit 4, BR; 1. Timoteut 2:3, 4) Përderisa krishterimi është «udha e së vërtetës», me ndihmën që u japim të tjerëve në përkrahje të interesave të tij, ne bëhemi «bashkëpunëtorë në çështjen e së vërtetës».—2. Pjetrit 2:2; 3. Gjonit 8.
19. Si mund të ‘vazhdojmë të ecim në të vërtetën’?
19 Nëse duam ‘të vazhdojmë të ecim në të vërtetën’, duhet të lexojmë Biblën dhe të përfitojmë nga ndihma frymore që na jep Perëndia përmes ‘skllavit të besueshëm’. (3. Gjonit 4, BR) Le ta bëjmë këtë për të mirën tonë, por edhe për të qenë në gjendje që të mësojmë të tjerët, në lidhje me Jehovain, Jezu Krishtin dhe qëllimin hyjnor. Gjithashtu, le të jemi mirënjohës që fryma e Jehovait na ndihmon për të kuptuar Fjalën e tij dhe për të pasur sukses, duke i shërbyer atij në të vërtetë.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cilat janë disa dobi të qëndrueshme që vijnë nga leximi i Biblës?
◻ Përse duhet ta studiojmë Biblën në shoqëri me bashkëbesimtarët?
◻ Përse është e përshtatshme që të citojmë nga vende të ndryshme të Biblës?
◻ Çfarë do të thotë ‘të ecim në të vërtetën’ dhe si mund ta bëjmë?
[Figura në faqen 17]
Prindër, mësojuni fëmijëve Shkrimet!
[Figura në faqen 18]
Në Predikimin e tij në Mal, Jezui citoi nga pjesë të ndryshme të Shkrimeve Hebreje