Gëzohuni në Jehovain!
«Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!»—FILIPIANËVE 4:4.
1. Përse mund të pyesim veten se çfarë donte të thoshte Pavli kur tha se të krishterët duhet të gëzojnë gjithmonë?
SOT, mund të duket se ka shumë pak arsye për t’u gëzuar. Njerëzit e krijuar nga pluhuri, edhe pse të krishterë të vërtetë, duhet të përballojnë situata që shkaktojnë vuajtje, të tilla si papunësia, sëmundjet, vdekja e personave të dashur, problemet me personalitetin ose kundërshtimi nga familjarët jobesimtarë apo ish-miqtë. Prandaj, si duhet ta kuptojmë pohimin e Pavlit: «Gëzohuni gjithnjë?» A është me të vërtetë e mundur kjo, kur shohim rrethanat e vështira dhe të pakëndshme, me të cilat të gjithë ne duhet të ballafaqohemi? Një trajtim i kontekstit të këtyre fjalëve do të na ndihmojë ta sqarojmë çështjen.
Të gëzoheni—Përse dhe si?
2, 3. Sa i rëndësishëm është gëzimi, siç tregohet në rastin e Jezuit dhe izraelitëve të lashtë?
2 «Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!» Kjo mund të na kujtojë fjalët drejtuar izraelitëve rreth 24 shekuj më parë: «Gëzimi i Zotit është fuqia juaj», ose sipas përkthimit Bota e Re: «Gëzimi i Jehovait është kështjella juaj.» (Nehemia 8:10) Gëzimi jep forcë dhe i ngjan një kështjelle në të cilën mund të strehohesh për të pasur ngushëllim dhe mbrojtje. Gëzimi qe një nga gjërat që ndihmoi edhe njeriun e përsosur Jezu që të duronte. «Për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin [shtyllën] duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.» (Hebrenjve 12:2) Është e qartë se të mund të gëzohesh krahas vështirësive është jetësore për shpëtimin.
3 Izraelitët, përpara se të hynin në Tokën e Premtuar, morën urdhrin: «Dhe do të gëzoheni, ti, Leviti dhe i huaji që ndodhet në radhët e tua për të mirat që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë ty dhe shtëpisë sate.» Po të mos i shërbenin Jehovait me gëzim, pasojat do të kishin qenë të rënda. «Të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty, do të të ndjekin dhe do të të zënë deri sa të shkatërrohesh . . . sepse nuk i ke shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim dhe hare në zemër për bollëkun në çdo gjë.»—Ligji i përtërirë 26:11; 28:45-47.
4. Për ç’arsye mund të dështojmë në gëzim?
4 Pra, është urdhëruese që sot mbetja e mirosur dhe shokët e saj, «delet e tjera», të gëzohen! (Gjoni 10:16) Pavli, duke përsëritur këshillën e tij, «po jua them përsëri», theksoi se sa e rëndësishme është që të gëzohemi për të gjitha të mirat që Jehovai na ka bërë. A gëzohemi? Apo jemi aq të zënë nga punët e përditshme saqë nganjëherë harrojmë arsyet e shumta që kemi për t’u gëzuar? A grumbullohen problemet deri në atë pikë sa të na pengojnë për të parë Mbretërinë dhe bekimet e saj? A lejojmë që gjëra të tjera, si mosbindja ndaj ligjeve të Perëndisë, pakujdesia për të zbatuar parimet biblike apo lënia pas dore e kryerjes së detyrave të krishtere, të na privojnë nga gëzimi?
5. Përse një njeri i paarsyeshëm e ka të vështirë të gëzohet?
5 «Arsyetueshmëria juaj u bëftë e njohur ndër të gjithë njerëzit. Zotëria është afër.» (Filipianëve 4:5, BR) Një person i paarsyeshëm nuk ka ekuilibër. Mund të lërë pas dore shëndetin, duke ia nënshtruar në mënyrë të padobishme trupin tensioneve apo anktheve të tepërta. Ndoshta nuk ka mësuar të pranojë kufizimet e veta dhe të mos i tejkalojë ato. Mund të vërë synime tepër të larta dhe pastaj të përpiqet t’i arrijë me çdo kusht. Ose i përdor kufizimet e tij si arsye për të bërë më pak apo për t’u dembelosur. Duke mos qenë i ekuilibruar dhe duke qenë i paarsyeshëm, e ka të vështirë të gëzohet.
6. (a) Çfarë duhet të shohin tek ne shokët tanë të krishterë dhe vetëm në ç’rast do të jetë kështu? (b) Si na ndihmojnë për të qenë të arsyeshëm fjalët e Pavlit tek 2. Korintasve 1:24 dhe Romakëve 14:4?
6 Edhe pse kundërshtarët na konsiderojnë fanatikë, shokët tanë të krishterë gjithmonë duhet të kenë mundësi të shohin arsyetueshmërinë tonë. Do të jetë kështu nëse jemi të ekuilibruar dhe nuk presim përsosmëri as nga vetja e as nga të tjerët. Mbi të gjitha, nuk duhet të vëmë mbi të tjerët barrë që Fjala e Perëndisë nuk i kërkon. Apostulli Pavël tha: «Jo se kemi pushtet mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorët e gëzimit tuaj.» (2. Korintasve 1:24) Meqë kishte qenë farise, Pavli e dinte mirë se rregulla të ashpra të vendosura dhe të imponuara prej atij që kishte autoritet, e mbysin gëzimin, ndërsa sugjerime të dobishme nga ana e bashkëpunëtorëve të tu e rritin atë. Fakti që «Zotëria është afër» duhet t’i kujtojë personit të arsyeshëm se nuk duhet ‘të gjykojë shërbyesin e tjetrit? A qëndron mbi këmbë ose rrëzohet, është punë e zotit të tij’.—Romakëve 14:4.
7, 8. Përse të krishterët mund të ndeshin probleme dhe çfarë u jep mundësi atyre të vazhdojnë të gëzohen?
7 «Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.» (Filipianëve 4:6) Sot jetojmë në «kohët e vështira» të përshkruara nga Pavli. (2. Timoteut 3:1-5) Prandaj, të krishterët duhet të presin probleme për të ballafaquar. Fjalët e Pavlit, «gëzohuni gjithnjë», nuk e përjashtojnë faktin që një i krishterë besnik nuk mund të ketë momente dëshpërimi apo shkurajimi. Vetë Pavli pranoi duke qenë realist: «Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar [pa rrugëdalje, BR]; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatërruar.» (2. Korintasve 4:8, 9) Por, gëzimi e lehtëson të krishterin dhe e ndihmon të kalojë periudhat e përkohshme të anktheve dhe dhimbjeve. Të jep forcën e nevojshme për të ecur përpara, duke mos humbur kurrë nga shikimi arsyet e shumta për t’u gëzuar.
8 Kur lindin probleme të çdo lloj natyre, një i krishterë i gëzuar kërkon përulësisht ndihmën e Jehovait në lutje. Nuk ka ankth të tepërt. Pasi ka bërë gjithçka që mund të bënte në mënyrë të arsyeshme për të zgjidhur problemin, e lë çështjen në duart e Jehovait në harmoni me ftesën: «Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të mbajë.» Ndërkaq, i krishteri vazhdon të falënderojë Jehovain për gjithë mirësinë e Tij.—Psalmi 55:22; shiko gjithashtu Mateu 6:25-34.
9. Në ç’mënyrë njohja e së vërtetës të jep paqe në mendje dhe ç’ndikim pozitiv ka kjo tek i krishteri?
9 «Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.» (Filipianëve 4:7) Njohja e së vërtetës biblike e liron mendjen e të krishterit nga falsitetet dhe e ndihmon atë të zhvillojë modele të shëndosha mendimi. (2. Timoteut 1:13) Në këtë mënyrë ai ndihmohet që të shmangë sjelljet e gabuara apo të pamençura që mund të rrënojnë raportet paqësore me të tjerët. Ata nuk pengohen nga padrejtësia dhe ligësia, por kanë besim se Jehovai do t’i zgjidhë problemet e njerëzimit me anë të Mbretërisë. Një paqe e tillë në mendje e ruan zemrën e tij, i mban të pastra motivet e tij dhe i drejton mendimet e tij në rrugë të drejtë. Motivet e pastra dhe qëndrimi i drejtë mendor nga ana e tyre sigurojnë arsye të panumërta për gëzim, pavarësisht nga problemet e presionet e shkaktuara nga kjo botë që dergjet në rrëmujë.
10. Mund të përjetohet gëzim i vërtetë vetëm nëse flitet dhe mendohet për çfarë?
10 «Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.» (Filipianëve 4:8) I krishteri nuk gjen kënaqësi duke thënë apo duke menduar për gjëra të këqija. Kjo gjë eliminon automatikisht shumë nga zbavitjet që ofron bota. Askush nuk mund ta mbajë gëzimin e krishterë nëse e mbush mendjen dhe zemrën e tij me gënjeshtra, shaka të pahijshme dhe gjëra të padrejta, imorale, të pavirtytshme, të urryera e të neveritshme. Me pak fjalë, askush nuk mund të gjejë gëzim të vërtetë duke e mbushur mendjen dhe zemrën e tij me gjëra të fëlliqura. Sa ndërtuese është të dish se në botën e korruptuar të Satanait, të krishterët kanë shumë gjëra të mira për të menduar dhe diskutuar!
Arsye të panumërta për gëzim
11. (a) Ç’gjë nuk duhet marrë kurrë si e pavlefshme dhe përse? (b) Çfarë ndikimi pati tek një delegat dhe gruaja e tij pjesëmarrja në një kongres ndërkombëtar?
11 Kur radhisim arsyet për gëzim, le të mos harrojmë vëllazërinë tonë ndërkombëtare. (1. Pjetrit 2:17) Ndërkohë që kombet dhe grupet etnike të botës kanë një urrejtje të madhe për njëri-tjetrin, mes popullit të Perëndisë forcohet gjithnjë e më shumë lidhja e dashurisë. Në lidhje me një kongres të mbajtur në vitin 1993 në Kiev, Ukrainë, një delegat nga Shtetet e Bashkuara shkroi: «Lot gëzimi, sy rrezatues, përqafime të pafundme vëllazërore dhe përshëndetje të dërguara nga sektorë të ndryshëm të stadiumit nga grupe që valëvitnin ombrella dhe shami shumëngjyrëshe—të gjitha këto dëshmonin qartë për unitetin teokratik. Na është mbushur zemra plot krenari për atë që Jehovai ka bërë në mënyrë të mrekullueshme me vëllazërinë ndërkombëtare. Kjo gjë më preku mua dhe gruan time dhe i hapi horizonte të reja besimit tonë.»
12. Si është plotësuar Isaia 60:22 përpara syve tanë?
12 Sa forcohet sot besimi i të krishterëve, kur shohin që profecitë biblike po plotësohen para syve të tyre! Shqyrto, për shembull, fjalët e Isaisë 60:22: «Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë Zoti do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.» Me lindjen e Mbretërisë në 1914-ën, vetëm 5.100 veta—më i vogli—ishin aktivë në predikim. Por gjatë pesë viteve të kaluara, vëllazëria ndërkombëtare është rritur me një mesatare prej 5.628 Dëshmitarësh të rinj të pagëzuar çdo javë! Në 1993-shin u arrit një maksimum i ri prej 4.709.889 shërbëtorësh aktivë. Vetëm mendo! Kjo do të thotë që «më i vogli» i 1914-ës është bërë literalisht ‘një mijë’!
13. (a) Çfarë po ndodh që nga 1914-ta? (b) Në ç’mënyrë e respektojnë Dëshmitarët e Jehovait parimin e fjalëve të Pavlit tek 2. Korintasve 9:7?
13 Që nga 1914-ta, Mbreti mesianik sundon në mes të armiqve të tij. Sundimi i tij është mbështetur nga ithtarët e vullnetshëm njerëzorë që vënë në dispozicion kohën, fuqitë dhe paratë për të mbështetur veprën ndërkombëtare të predikimit si dhe fushatën e ndërtimit në të gjithë botën. (Psalmi 110:2, 3) Dëshmitarët e Jehovait gëzohen kur shohin që bëhen kontribute në para, derisa këto aktivitete të përfundojnë edhe pse rrallëherë flitet për para nëpër mbledhjet e tyre.a (Krahaso 1. Kronikat 29:9.) Të krishterët e vërtetë nuk kanë pse t’i nxitin për të dhënë; ata e konsiderojnë një privilegj ta mbështesin Mbretin e tyre me aq sa ua lejojnë rrethanat, secili «ashtu siç ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi».—2. Korintasve 9:7.
14. Ç’gjendje spikat tek populli i Perëndisë që nga 1919-ta dhe çfarë arsye për gëzim i jep?
14 Përtëritja e parathënë e adhurimit të vërtetë mes popullit të Perëndisë, ka sjellë një parajsë frymore, e cila që nga 1919-ta i ka shtrirë kufijtë e saj në mënyrë progresive. (Psalmi 14:7; Isaia 52:9, 10) Me çfarë rezultati? Të krishterët e vërtetë përjetojnë «ngazëllim dhe gëzim». (Isaia 51:11, BR) Frytet e mira që vijnë nga kjo, tregojnë se çfarë është në gjendje të bëjë fryma e shenjtë e Perëndisë nëpërmjet njerëzve të papërsosur. E gjithë merita dhe nderi i përket Jehovait, por ç’privilegj më të madh mund të kemi sesa ai për të qenë bashkëpunëtorë të Perëndisë? (1. Korintasve 3:9) Jehovai është aq i fuqishëm sa të bëjë që edhe gurët po të jetë e nevojshme të shpallin mesazhin e vërtetë. Megjithatë, ai nuk vendosi të përdorë këtë metodë, por përkundrazi nxiti krijesat e vullnetshme të krijuara nga pluhuri që të kryenin vullnetin e tij.—Luka 19:40.
15. (a) Cilat ngjarje moderne ndjekim me kujdes? (b) Për cilën ngjarje shikojmë përpara me gëzim?
15 Tani, shërbëtorët e Jehovait vërejnë me interes të madh ngjarjet botërore që përputhen me profeci të spikatshme biblike. Kombet po përpiqen shumë për të arritur një paqe të qëndrueshme, por e kotë. Ngjarjet që po ndodhin, i detyrojnë ata të kërkojnë ndërhyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vendet që vlojnë nga konfliktet kudo në botë. (Zbulesa 13:15-17) Ndërkohë, populli i Perëndisë shikon përpara me një parandjenjë të gjallë drejt njërës nga ngjarjet më të gëzueshme që kanë ndodhur ndonjëhjerë dhe që çdo ditë afrohet gjithnjë e më shumë. «Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur.»—Zbulesa 19:7.
Predikimi—Një barrë apo një gëzim?
16. Ilustro se si mospraktikimi i asaj që kanë mësuar mund t’i privojë të krishterët nga gëzimi.
16 «Ato gjëra që keni mësuar, marrë dhe dëgjuar nga mua dhe patë në mua, i bëni dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.» (Filipianëve 4:9) Duke zbatuar atë që kanë mësuar, të krishterët mund të presin bekimet e Perëndisë. Një nga gjërat më të rëndësishme që kanë mësuar, është nevoja për t’ua predikuar të tjerëve lajmin e mirë. Në fakt, kush mund të ndiejë gëzim dhe paqe në mendje po të mos ua shpallë personave me zemër të sinqertë informacionin nga i cili varet jeta e tyre?—Ezekieli 3:17-21; 1. Korintasve 9:16; 1. Timoteut 4:16.
17. Përse vepra e predikimit duhet të jetë gjithmonë një burim gëzimi?
17 Ç’gëzim është të gjejmë persona ngjashëm deleve që mësojnë me vullnet për Jehovain! Në të vërtetë, për ata që shërbejnë me motive të drejta, shërbimi i Mbretërisë do të jetë gjithmonë një burim gëzimi. Kjo, sepse arsyeja kryesore e tij për të qenë Dëshmitar i Jehovait, është për të lavdëruar emrin e Tij dhe për të mbështetur pozitën e tij si Sovran universal. (1. Kronikat 16:31) Ai që e pranon këtë fakt, gëzon edhe kur njerëzit pa mençuri e hedhin poshtë lajmin e mirë që ai çon. Ai e di se predikimit tek pabesimtarët do t’i vijë fundi një ditë dhe emri i Jehovait do të lavdërohet përgjithmonë.
18. Çfarë e shtyn një të krishterë të bëjë vullnetin e Jehovait?
18 Feja e vërtetë i nxit ata që e vënë në praktikë të bëjnë gjërat që kërkon Jehovai, jo sepse janë të detyruar, por sepse është dëshira e tyre. (Psalmi 40:8; Gjoni 4:34) Shumë njerëz e kuptojnë me vështirësi këtë gjë. Njëherë, një grua e martuar i tha një Dëshmitareje që e vizitonte: «E di që jeni me të vërtetë për t’u lavdëruar. Jam e sigurt se kurrë nuk do të mund të shkoja shtëpi më shtëpi për të predikuar fenë time siç bëni ju.» Dëshmitarja iu përgjigj duke buzëqeshur: «Të kuptoj. Para se të bëhesha Dëshmitare e Jehovait kurrë në botë nuk do të kisha shkuar t’u flisja të tjerëve për fenë. Ndërsa tani e bëj me dëshirë.» Gruaja u mendua për një çast dhe pastaj tha: «Me sa duket feja jote ka diçka që e imja nuk e ka. Ndoshta duhet ta gjej.»
19. Përse tani është koha për të gëzuar më shumë se kurrë më parë?
19 Teksti vjetor për vitin 1994 që duket qartë në Sallat tona të Mbretërisë, na kujton vazhdimisht: «Beso në Jehovain me gjithë zemrën tënde.» (Proverbat 3:5) A mund të ketë arsye më të madhe për gëzim sesa mundësia për të besuar në Jehovain, fortesa jonë në të cilin gjejmë strehim? Psalmi 64:10 shpjegon: «I drejti do të gëzohet tek Zoti dhe do të kërkojë strehë tek ai.» Nuk ka kohë për t’u lëkundur dhe për t’u dorëzuar. Çdo muaj që kalon na çon më afër realizimit të asaj për të cilën Shërbëtorët e Jehovait mezi kanë pritur ta shohin që nga ditët e Abelit. Tani është koha për të besuar në Jehovain me gjithë zemrën tonë, duke ditur se kurrë më parë nuk kemi pasur kaq shumë arsye për gëzim!
[Shënimi]
a Nëpër kongrese dhe një herë në muaj në kongregacion lexohet një përmbledhje e shkurtër që tregon sasinë e kontributeve vullnetare të grumbulluara dhe shpenzimet e bëra. Në disa raste dërgohen letra për të shpjeguar se si janë përdorur këto kontribute. Në këtë mënyrë, gjithsecili vihet në dijeni me situatën financiare të veprës ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Përse duhet të gëzojmë sipas Nehemisë 8:10?
◻ Në ç’mënyrë e tregon rëndësinë e gëzimit Ligji i përtërirë 26:11 dhe 28:45-47?
◻ Në ç’mënyrë mund të na ndihmojë të gëzojmë gjithmonë Filipianëve 4:4-9?
◻ Çfarë arsyeje për të gëzuar na jep teksti vjetor për vitin 1994?
[Figura në faqen 16]
Dëshmitarët rusë dhe gjermanë gëzohen që bëjnë pjesë në një vëllazëri ndërkombëtare
[Figura në faqen 17]
Të flasësh me të tjerët për të vërtetën është një burim gëzimi