Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Esterës
PLANI nuk mund të dështojë. Masakra e judenjve do të jetë e plotë dhe sipas planit. Në një ditë të vetme të përcaktuar do të asgjësohen gjithë judenjtë që jetojnë në perandori, e cila shtrihet nga India në Etiopi. Kështu mendon ai që po thur këtë plan. Por atij i ka shpëtuar një hollësi thelbësore. Perëndia i qiejve mund ta çlirojë popullin e tij të zgjedhur nga çdo situatë kërcënuese. Ky çlirim është dokumentuar në librin biblik të Esterës.
Libri i Esterës, të cilin e shkroi një jude i moshuar me emrin Mordekai, flet për një periudhë kohore rreth 18-vjeçare gjatë mbretërimit të mbretit pers Asuer ose Kserksi I. Kjo histori dramatike tregon se si Jehovai e shpëton popullin e tij nga planet e liga të armiqve, edhe pse shërbëtorët e tij janë të shpërndarë anembanë një perandorie të paanë. Sot kjo njohuri është vërtet besimforcuese për popullin e Jehovait që po i kryen atij shërbim të shenjtë në 235 vende. Gjithashtu personazhet që portretizohen në librin e Esterës sigurojnë shembuj për t’i imituar dhe shembuj që duam të shmangim. Po, «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi».—Hebrenjve 4:12.
MBRETËRESHA DUHET TË NDËRHYJË
Në vitin e tretë të mbretërimit të tij (493 p.e.s.), mbreti Asuer shtron një gosti mbretërore. Mbretëresha Vashti, e njohur për hijeshinë e saj, i shkakton pakënaqësi të madhe mbretit, dhe ai e heq nga pozita. Në vend të saj, zgjidhet një vajzë judeje, Hadasa, nga të gjitha virgjëreshat e bukura të vendit. Sipas udhëzimeve të kushëririt të vet, Mordekait, ajo e fsheh se është judeje dhe përdor emrin pers, Estera.
Pas ca kohësh, një burrë kryelartë i quajtur Haman lartësohet në pozitën e kryeministrit. Hamani tërbohet kur Mordekai nuk pranon ‘të përkulet thellë ose të bjerë përmbys para Hamanit’, prandaj ai thur një plan që të asgjësojë gjithë judenjtë që janë në perandorinë perse. (Estera 3:2) Hamani ia mbush mendjen Asuerit dhe ia del mbanë që ta shtyjë mbretin të nxjerrë një dekret për të kryer këtë masakër. Mordekai mbulohet me «copë thesi» dhe lyhet «me hi». (Estera 4:1) Tani Estera duhet të ndërhyjë. Ajo fton mbretin dhe kryeministrin në një gosti vetëm për vetëm. Ndërsa janë atje tërë gëzim, Estera u kërkon të vijnë në një gosti tjetër të nesërmen. Hamani është i gëzuar. Megjithatë ai tërbohet kur Mordekai nuk pranon ta nderojë. Hamani thur një plan për të vrarë Mordekain përpara gostisë të së nesërmes.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:3-5—A zgjati gostia 180 ditë? Shkrimi nuk thotë se gostia zgjati kaq shumë, por që mbreti u tregoi zyrtarëve pasuritë dhe shkëlqimin e mbretërisë së tij të lavdishme për 180 ditë. Ka mundësi që mbreti të ketë përdorur këtë ngjarje, që zgjati goxha, për t’u kapardisur me lavdinë e mbretërisë së tij, që t’u bënte përshtypje fisnikëve dhe t’i bindte se ishte i aftë t’i përmbushte planet e tij. Nëse është kështu, vargjet 3 dhe 5 mund t’i referohen gostisë 7-ditore që u shtrua në fund të asaj ngjarjeje 180-ditëshe.
1:8—Në ç’kuptim «në atë rast, asnjë nuk i detyronte ata të pinin sipas ligjit»? Në këtë rast mbreti Asuer bëri një përjashtim nga ai që ndoshta ishte një zakon pers sipas të cilit në grumbullime të tilla njerëzit nxitnin njëri-tjetrin që të pinin një sasi të caktuar. «Këtë herë ata mund të pinin aq shumë ose aq pak sa të donin»,—thotë një vepër referimi.
1:10-12—Pse mbretëresha Vashti nuk pranonte të shkonte te mbreti? Disa studiues hedhin mendimin që mbretëresha nuk pranoi të bindej, sepse vendosi të mos e ulte veten përpara mysafirëve të dehur të mbretit. Ose ndoshta ajo mbretëreshë e bukur nga pamja e jashtme, në të vërtetë nuk ishte e nënshtruar. Edhe pse Bibla nuk e thotë motivin e saj, të mençurit e atyre ditëve mendonin se kjo mosbindje ndaj burrit duhej marrë në shqyrtim dhe se shembulli i keq i Vashtit do të ndikonte te të gjitha gratë në provincat e Persisë.
2:14-17—A pati Estera marrëdhënie seksuale imorale me mbretin? Përgjigjja është jo. Tregimi thotë se në mëngjes gratë e tjera që i çonin te mbreti, i kthenin në shtëpinë e dytë, që ishte nën kujdesin e eunukut të mbretit, «rojtarit të konkubinave». Kështu gratë që kalonin natën me mbretin bëheshin konkubina të tij ose gra dytësore. Por Esterën nuk e çuan te shtëpia e konkubinave pasi takoi mbretin. Kur Esterën e çuan para mbretit Asuer, «mbreti e deshi Esterën më shumë se të gjitha gratë e tjera. Ajo fitoi pëlqimin dhe dashamirësinë e tij më shumë se të gjitha virgjëreshat e tjera». (Estera 2:17) Si e fitoi ajo «pëlqimin dhe dashamirësinë» e Asuerit? Në të njëjtën mënyrë siç kishte fituar pëlqimin e të tjerëve. «Vajza i pëlqeu [Hegait] dhe fitoi dashamirësinë e tij.» (Estera 2:8, 9) Hegait i pëlqeu vetëm nga gjërat që vëzhgoi: pamjen dhe cilësitë e mira të saj. Në fakt «Estera fitonte vazhdimisht pëlqimin e kujtdo që e shihte». (Estera 2:15) Po kështu mbretit i bënë përshtypjet gjërat që pa tek Estera dhe për këtë arsye ai u dashurua me të.
3:2; 5:9—Pse Mordekai nuk pranoi të përkulej thellë para Hamanit? Për izraelitët nuk ishte e gabuar të pranonin pozitën më të lartë të një personazhi të shquar duke u përkulur. Mirëpo në rastin e Hamanit kishte diçka më shumë. Hamani ishte një agagit, pra ndoshta një amalekit, dhe Jehovai kishte vendosur shfarosjen e Amalekut. (Ligji i përtërirë 25:19) Për Mordekain, të përkulej thellë para Hamanit ishte një çështje integriteti ndaj Jehovait. Në mënyrë të qartë, ai nuk pranoi, duke thënë se ishte jude.—Estera 3:3, 4.
Mësime për ne:
2:10, 20; 4:12-16. Estera pranoi drejtimin dhe këshillën e një adhuruesi të pjekur të Jehovait. Edhe ne jemi të mençur, nëse ‘jemi të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes nesh, dhe jemi të nënshtruar’.—Hebrenjve 13:17.
2:11; 4:5. Duhet ‘të shohim me interes jo vetëm çështjet tona, por edhe ato të të tjerëve’.—Filipianëve 2:4.
2:15. Estera shfaqi modesti dhe vetëkontroll, duke mos kërkuar bizhuteri të tjera ose veshje më të mira, veç atyre që i dha Hegai. Ajo që e bëri Esterën të fitonte pëlqimin e mbretit ishte «njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë».—1 Pjetrit 3:4.
2:21-23. Estera dhe Mordekai ishin shembuj të ‘nënshtrimit ndaj autoriteteve më të larta’.—Romakëve 13:1.
3:4. Në disa raste mund të jetë e mençur të mos e tregojmë se kush jemi, ashtu si edhe Estera. Megjithatë, kur duhet të marrim qëndrim për çështje të rëndësishme, si sovraniteti i Jehovait dhe integriteti ynë, nuk duhet të kemi frikë ta bëjmë të ditur se jemi Dëshmitarë të Jehovait.
4:3. Kur hasim sprova, duhet t’i lutemi Jehovait për forcë dhe mençuri.
4:6-8. Mordekai kërkoi një zgjidhje të ligjshme ndaj rrezikut që kanosej nga komploti i Hamanit.—Filipianëve 1:7.
4:14. Siguria e Mordekait te Jehovai ishte shembullore.
4:16. Duke u mbështetur plotësisht te Jehovai, Estera me besnikëri dhe guxim përballoi një situatë që mund të kishte çuar në vdekjen e saj. Është jetësore që të mësojmë të mbështetemi te Jehovai, dhe jo te vetja jonë.
5:6-8. Që të fitonte pëlqimin e Asuerit, Estera e ftoi atë në një gosti të dytë. Ajo veproi me maturi e po kështu duhet të bëjmë edhe ne.—Proverbat 14:15.
PËRMBYSJE TË SITUATAVE NJËRA PAS TJETRËS
Ndërsa rrjedhin ngjarjet, situatat ndryshojnë krejtësisht. Hamanin e varin në shtyllën që ai kishte ngritur për Mordekain dhe ai që pritej të bëhej viktimë, bëhet kryeministër. Çfarë ndodh me planin për të masakruar judenjtë? Edhe ai do të marrë një kthesë dramatike.
Estera besnike flet përsëri me guxim. Duke vënë jetën në rrezik, ajo shkon para mbretit dhe i kërkon të gjejë ndonjë mënyrë për të prishur planin e Hamanit. Asueri e di se çfarë duhet bërë. Kështu, kur më në fund vjen dita e masakrës, nuk vriten judenjtë, por ata që përpiqen t’u bëjnë keq judenjve. Mordekai dekreton që çdo vit të mbahet festa e Purimit, për të kremtuar këtë çlirim të madh. Si i dyti në perandori, pas mbretit Asuer, Mordekai ‘punon për të mirën e popullit dhe u flet për paqen tërë pasardhësve të tyre’.—Estera 10:3.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
7:4—Në ç’mënyrë shfarosja e judenjve do t’i sillte ‘dëm mbretit’? Duke treguar me takt mundësinë që judenjtë të shiteshin si skllevër, Estera nxori në pah se mbreti do të dëmtohej sikur ata të shfaroseshin. Të 10.000 monedhat e argjendit që kishte premtuar Hamani i sillnin shumë më pak përfitim thesarit të mbretit, sesa pasuria që mund të ishte fituar nëse Hamani do të kishte planifikuar t’i shiste judenjtë si skllevër. Gjithashtu kryerja e komplotit do të kishte nënkuptuar edhe humbjen e mbretëreshës.
7:8—Pse zyrtarët e oborrit mbretëror ia mbuluan fytyrën Hamanit? Kjo u bë ndoshta për të treguar turpin ose dënimin që e priste. Sipas një vepre referimi, «njerëzit e kohëve të lashta disa herë ua mbulonin kokën atyre që do të ekzekutoheshin».
8:17—Në ç’kuptim «shumë nga popujt e vendit e shpallnin veten judenj»? Shumë persë, me sa duket, u bënë prozelitë judenj, duke menduar se dekreti i kundërt që doli tregonte se judenjtë kishin miratimin e Perëndisë. Një gjë e ngjashme po ndodh në përmbushjen e një profecie që gjendet në librin e Zakarisë. Aty thuhet: «Dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të kapin, po, do të mbërthejnë cepin e rrobës së një judeu e do të thonë: ‘Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.’»—Zakaria 8:23.
9:10, 15, 16—Edhe pse dekreti autorizonte plaçkitjen, pse judenjtë nuk vepruan kështu? Fakti që ata nuk pranuan ta bënin këtë, nuk linte asnjë dyshim se qëllimi i tyre ishte të mbronin veten, e jo të pasuroheshin.
Mësime për ne:
6:6-10. «Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma e fodullëkut para pengimit.»—Proverbat 16:18.
7:3, 4. A identifikohemi me guxim si Dëshmitarë të Jehovait, edhe pse një gjë e tillë mund të nënkuptojë përndjekje?
8:3-6. Ne mund dhe duhet t’u kërkojmë autoriteteve qeveritare dhe gjykatave që të na mbrojnë nga armiqtë.
8:5. Me takt, Estera nuk përmendi se mbreti mbante përgjegjësi lidhur me dekretin për shfarosjen e popullit të saj. Po kështu edhe ne, kur u japim dëshmi zyrtarëve të lartë, duhet të tregojmë takt.
9:22. Nuk duhet të harrojmë të varfrit mes nesh.—Galatasve 2:10.
Jehovai do të sjellë ‘lehtësim dhe çlirim’
Mordekai thotë tërthorazi se ishte qëllimi i Perëndisë që Estera të arrinte pozitën mbretërore. Kur janë në rrezik, judenjtë agjërojnë dhe luten për ndihmë. Mbretëresha shkon para mbretit pa qenë e ftuar dhe çdo herë ai e pret mirë. Mbretin nuk e zë gjumi pikërisht natën kritike. Po, libri i Esterës tregon se si i manovron Jehovai ngjarjet për dobinë e popullit të tij.
Tregimi emocionues i Esterës është veçanërisht inkurajues për ne që jetojmë «në kohën e fundit». (Danieli 12:4) Në pjesën përfundimtare të kohës së fundit, Gogu i Magogut, Satana Djalli, do të ndërmarrë një sulm të egër të përgjithshëm kundër popullit të Jehovait. Ai do të ketë si synim të shfarosë plotësisht adhuruesit e vërtetë. Por, ashtu si në ditët e Esterës, Jehovai do t’i sjellë adhuruesve të tij ‘lehtësim dhe çlirim’.—Ezekieli 38:16-23; Estera 4:14.
[Figura në faqen 10]
Estera dhe Mordekai përpara Asuerit