KAPITULLI GJASHTËMBËDHJETË
Ajo veproi me mençuri, me guxim dhe me altruizëm
1-3. (a) Si ndihej Estera teksa i afrohej fronit mbretëror? (b) Si reagoi mbreti ndaj vizitës së Esterës?
ESTERA i afrohej ngadalë fronit teksa zemra i rrihte fort. Përfytyro heshtjen që ra në dhomën madhështore të mbretit, në pallatin pers të Shushanit. Kaq e thellë ishte heshtja, sa Estera mund të dëgjonte hapat e saj të lehtë dhe fëshfërimën e rrobave mbretërore. Nuk mund të shpërqendrohej nga madhështia e oborrit mbretëror, nga shtyllat elegante dhe nga gdhendjet e shumta në tavanin prej cedri të importuar nga Libani i largët. Ajo e drejtoi gjithë vëmendjen te burri i ulur në fron, i cili kishte në dorë jetën e saj.
2 Mbreti e shihte me vëmendje ndërsa ajo afrohej dhe i shtriu skeptrin e artë. Ky ishte një gjest i thjeshtë, por nga ai varej jeta e Esterës. Ky gjest nënkuptonte se mbreti e shfajësonte nga shkelja që sapo bëri—doli para tij pa ftesë mbretërore. Tek shkonte drejt fronit, Estera u zgjat dhe, me mirënjohje, preku majën e skeptrit.—Est. 5:1, 2.
3 Çdo gjë rreth mbretit Asuer pasqyronte fuqinë dhe pasurinë e tij tejet të madhe. Studiuesit mendojnë se veshja mbretërore e monarkëve persë të asaj kohe, arrin vlerën e qindra milionë dollarëve sot. Megjithatë, Estera mund të shihte njëfarë ngrohtësie në sytë e të shoqit, i cili e donte sipas mënyrës së vet. Ai i tha: «Çfarë ke, o mbretëresha Ester? Cila është lutja jote? Edhe sikur të duash gjysmën e mbretërisë, të qoftë falë!»—Est. 5:3.
4. Ç’vështirësi e pritnin Esterën?
4 Estera tashmë kishte treguar besim e guxim të jashtëzakonshëm; kishte dalë para mbretit që të mbronte popullin e saj nga një komplot që do t’i shfaroste të gjithë. Deri tani ia kishte dalë mbanë, por e pritnin vështirësi më të mëdha. Ajo duhej ta bindte këtë monark krenar se këshilltari i tij më i besuar ishte njeri i lig, i cili e kishte manipuluar mbretin që të dënonte me vdekje popullin e Esterës. Si do ta bindte ajo dhe ç’mund të mësojmë nga besimi i saj?
Zgjodhi me mençuri «një kohë për të folur»
5, 6. (a) Si e zbatoi Estera parimin e Eklisiastiut 3:1, 7? (b) Si shfaqi mençuri Estera kur foli me burrin e saj?
5 A duhej t’ia zbulonte Estera mbretit të gjithë problemin përpara oborrtarëve të tij? Kjo mund ta kishte poshtëruar mbretin dhe t’i jepte kohë këshilltarit të tij, Hamanit, që të kundërshtonte akuzat e saj. Pra, çfarë bëri Estera? Shekuj më parë, mbreti i mençur Solomon u frymëzua nga Perëndia dhe shkroi: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, . . . një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur.» (Ekl. 3:1, 7) Mund ta imagjinojmë babanë adoptues të Esterës, Mordekain besnik, duke i mësuar vajzës parime të tilla teksa rritej nën kujdesin e tij. Me siguri Estera e kuptonte rëndësinë që ka zgjedhja me kujdes e ‘kohës për të folur’.
6 Ajo tha: «Nëse mbreti e sheh të udhës, le të vijë sot bashkë me Hamanin në gostinë që kam përgatitur për të.» (Est. 5:4) Mbreti pranoi dhe e ftoi Hamanin. A e vëren me sa mençuri foli Estera? Nuk ia uli dinjitetin bashkëshortit dhe krijoi një rrethanë më të përshtatshme që t’ia shprehte shqetësimet e saj.—Lexo Proverbat 10:19.
7, 8. Si ishte gostia e parë që përgatiti Estera, por përse e la për më vonë të fliste me mbretin?
7 Pa dyshim, Estera e përgatiti me kujdes banketin dhe u sigurua që çdo hollësi të ishte sipas shijeve të të shoqit. Në gosti kishte verë të shkëlqyer që të sillte në qejf. (Psal. 104:15) Asueri u kënaq, prandaj e pyeti prapë Esterën se çfarë kërkese kishte. A kishte ardhur koha për të folur?
8 Estera mendonte se jo. Madje, të nesërmen e ftoi mbretin dhe Hamanin në një gosti të dytë. (Est. 5:7, 8) Pse e la për më vonë? Mos harro se i gjithë populli i Esterës gjendej përballë vdekjes nga dekreti i mbretit. Me gjithë këtë rrezik, Estera duhej të sigurohej për kohën e duhur. Prandaj priti, duke krijuar edhe një mundësi tjetër që t’i tregonte burrit sa shumë e vlerësonte.
9. Ç’vlerë ka durimi dhe si mund ta imitojmë Esterën në këtë aspekt?
9 Durimi është cilësi e rrallë dhe e çmuar. Megjithëse tejet e shqetësuar dhe mezi priste të thoshte ç’kishte në mendje, Estera priti me durim çastin e duhur. Mund të mësojmë shumë nga shembulli i saj, pasi të gjithë ne mund të kemi parë gjëra që duhen ndrequr. Nëse përpiqemi të bindim dikë me autoritet të merret me një problem, mbase duhet të imitojmë Esterën dhe të jemi të duruar. Te Proverbat 25:15 thuhet: «Me durim i mbushet mendja një komandanti, dhe gjuha e butë mund të thyejë kocka.» Nëse presim me durim çastin e duhur dhe flasim me butësi si Estera, mund të thyejmë edhe kundërshtimin e fortë sa një kockë. A e bekoi Jehovai, Perëndia i saj, për durimin dhe mençurinë që tregoi?
Durimi i hapi rrugën drejtësisë
10, 11. Çfarë ia ndryshoi humorin Hamanit pasi iku nga gostia e parë? Cilën këshillë i dhanë gruaja dhe miqtë?
10 Durimi i Esterës hapi rrugën për një zinxhir ngjarjesh të jashtëzakonshme. Hamani iku nga gostia e parë shend e verë, «i gëzuar dhe me hare në zemër» ngaqë mbreti dhe mbretëresha e pëlqenin kaq shumë. Por, teksa Hamani kalonte në portën e kështjellës, i zunë sytë Mordekain, judeun që ende nuk pranonte t’i jepte nderim të veçantë. Siç e pamë në kapitullin e mëparshëm, arsyet e Mordekait nuk lidheshin fare me mosrespektin, por me ndërgjegjen dhe marrëdhënien e tij me Perëndinë Jehova. E megjithatë, Hamani «u mbush menjëherë me tërbim».—Est. 5:9.
11 Kur Hamani i tregoi gruas e miqve për këtë ofendim, ata e nxitën të përgatiste një shtyllë të madhe mbi 22 metra të lartë, pastaj t’i kërkonte leje mbretit që ta varte Mordekain. Hamanit i pëlqeu ideja dhe menjëherë iu fut punës.—Est. 5:12-14.
12. Pse kërkoi mbreti t’i lexonin me zë të lartë regjistrimet zyrtare dhe çfarë mësoi si pasojë?
12 Ndërkohë, mbreti kaloi një natë të pazakontë. «Mbretin nuk e zinte gjumi»,—thuhet në Bibël, kështu që kërkoi t’i lexonin me zë të lartë regjistrimet zyrtare. Në to përfshihej raporti i një komploti për vrasjen e Asuerit. Atij iu kujtua ngjarja; komplotuesit u kapën e u ekzekutuan. Por, ç’u bë me njeriun që kishte zbuluar komplotin, me Mordekain? Mbreti u kthjellua krejt papritur dhe pyeti si e kishin shpërblyer Mordekain? Cila ishte përgjigjja? Nuk ishte bërë asgjë për të.—Lexo Esterën 6:1-3.
13, 14. (a) Si filluan të shkonin keq gjërat për Hamanin? (b) Çfarë i thanë gruaja dhe miqtë?
13 I trazuar, mbreti pyeti cilët zyrtarë të oborrit ishin në dispozicion që ta ndihmonin të ndreqte këtë gabim. Nga gjithë oborrtarët, pikërisht Hamani ndodhej në oborrin e mbretit. Me sa duket, kishte ardhur herët se mezi priste të merrte leje për ekzekutimin e Mordekait. Por, para se të bënte kërkesën, mbreti e pyeti Hamanin si mund të nderohej më së miri ai që kishte fituar miratimin e mbretit. Hamani kujtoi se mbreti kishte atë në mendje. Kështu që sajoi një mal me nderime: ai njeri të vishej me rroba mbretërore dhe një zyrtar i lartë ta shëtiste përreth Shushanit mbi kalin e mbretit e ta lëvdonte me zë të lartë para të gjithëve. Imagjino fytyrën e Hamanit kur mori vesh se ai që do të nderohej ishte Mordekai! Dhe kë caktoi mbreti që të lëvdonte Mordekain? Hamanin!—Est. 6:4-10.
14 Hamani e zbatoi pa pikë dëshire atë që në sytë e tij ishte një detyrë e urryeshme dhe më pas rendi tërë vrer në shtëpi. Gruaja e miqtë i thanë se kjo kthesë ngjarjesh do të sillte vetëm telashe; nuk do të triumfonte kundër judeut Mordekai.—Est. 6:12, 13.
15. (a) Ç’rezultat i mirë erdhi nga durimi i Esterës? (b) Pse është e mençur ‘të rrimë në pritje’?
15 Ngaqë Estera tregoi durim duke pritur edhe një ditë tjetër për t’ia paraqitur kërkesën mbretit, Hamani kishte kohë t’i hapte gropën vetes. Po pagjumësinë e mbretit, a mund ta kishte shkaktuar Jehovai? (Prov. 21:1) Jo më kot Fjala e Perëndisë na nxit ‘të rrimë në pritje’. (Lexo Mikenë 7:7.) Kur presim Perëndinë, mund të kuptojmë se zgjidhjet e tij për problemet tona i tejkalojnë ku e ku rrugëzgjidhjet që mund të kemi menduar.
Foli me guxim
16, 17. (a) Kur i erdhi ‘koha për të folur’ Esterës? (b) Si ndryshonte Estera nga ish-mbretëresha Vashti?
16 Estera nuk guxoi ta provonte më tej durimin e mbretit; duhej t’i tregonte gjithçka në gostinë e dytë. Por si? Siç rrodhën gjërat, mbreti i dha mundësi të shprehej dhe e pyeti sërish për kërkesën e saj. (Est. 7:2) Esterës i kishte ardhur ‘koha për të folur’.
17 Mund ta marrim me mend Esterën tek i lutet në heshtje Perëndisë së saj para se të thotë këto fjalë: «Në paça gjetur hir në sytë e tu, o mbret, dhe nëse mbreti e sheh të udhës, kërkesa ime është që të më falet jeta dhe lutja ime është që të mos shfaroset populli im!» (Est. 7:3) Vër re se ajo e siguroi mbretin se e respektonte gjykimin e tij për atë që ai e shihte të udhës. Sa ndryshonte Estera nga Vashti, ish-mbretëresha, e cila e kishte poshtëruar qëllimisht burrin e saj! (Est. 1:10-12) Për më tepër, Estera nuk e kritikoi mbretin për marrëzinë që tregoi ngaqë i besoi Hamanit. Përkundrazi, iu përgjërua ta mbronte nga një rrezik për jetën.
18. Si ia shprehu Estera problemin mbretit?
18 Kjo lutje me siguri e preku dhe e habiti mbretin. E kush do të guxonte ta vinte në rrezik mbretëreshën e tij? Estera vazhdoi: «Unë dhe populli im jemi shitur për t’u shfarosur, për t’u vrarë dhe për t’u zhdukur. Po të ishim shitur për t’u bërë skllevër e shërbyese, do të kisha heshtur. Por vuajtja nuk është me vend, kur bëhet në dëm të mbretit.» (Est. 7:4) Vër re se Estera e nxori në pah haptazi problemin, e në të njëjtën kohë, shtoi se do të kishte heshtur nëse kërcënimi do të ishte thjesht skllavëria. Por, nëse ajo nuk fliste, ky gjenocid do t’i kushtonte shumë mbretit.
19. Ç’mësojmë nga Estera për artin e bindjes?
19 Shembulli i Esterës na mëson shumë për artin e bindjes. Nëse ndonjëherë të duhet t’i parashtrosh një problem serioz një njeriu të dashur ose dikujt me autoritet, kombinimi i durimit, i respektit dhe i çiltërsisë mund të të ndihmojë shumë.—Prov. 16:21, 23.
20, 21. (a) Si e demaskoi Estera Hamanin dhe si reagoi mbreti? (b) Si veproi Hamani kur u demaskua si burracak që kurdis plane?
20 Asueri pyeti: «Kush na qenka ky? Ku ndodhet ky që qenka kaq trim sa të bëjë kështu?!» Imagjino Esterën ndërsa tregon me gisht e thotë: «Ja kush është kundërshtari dhe armiku, ky Hamani i poshtër.» Ç’reagim solli kjo akuzë e rëndë? Hamanit i hyri tmerri. Përfytyro monarkun kapriçoz të xhindosur që i mori fytyra zjarr kur kuptoi se këshilltari i tij i besuar e kishte mashtruar të nënshkruante një urdhër, i cili do t’i merrte jetën gruas së tij të shtrenjtë. Mbreti doli furishëm në kopsht të mblidhte veten.—Est. 7:5-7.
21 Hamani, i demaskuar si burracak që kurdis plane, ra në këmbët e mbretëreshës. Kur mbreti u kthye në dhomë dhe pa që Hamani po i përgjërohej Esterës në kolltukun e saj, e akuzoi gjithë nerva se po orvatej të përdhunonte mbretëreshën në shtëpinë e vetë mbretit. Për Hamanin ra kambana e vdekjes. Ia mbuluan fytyrën dhe e morën. Më pas foli një nga zyrtarët e mbretit, i cili i tregoi për shtyllën e madhe që kishte ngritur Hamani për Mordekain. Asueri urdhëroi menjëherë që në shtyllë të varej Hamani.—Est. 7:8-10.
22. Si na mëson shembulli i Esterës që të mos e humbim kurrë shpresën e besimin dhe të mos bëhemi kurrë cinikë?
22 Në botën e sotme të padrejtë është kollaj të mendojmë se asnjëherë nuk do të shkojë në vend drejtësia. A ke menduar ndonjëherë kështu? Estera nuk e humbi kurrë shpresën e besimin dhe nuk u bë kurrë cinike. Kur erdhi koha, ajo foli me guxim në mbrojtje të drejtësisë dhe besoi se Jehovai do të bënte pjesën tjetër. Le të veprojmë edhe ne njësoj. Jehovai nuk ka ndryshuar që nga koha e Esterës. Ai është ende i aftë të zërë të ligjtë dhe dinakët në kurthet e tyre, siç bëri me Hamanin.—Lexo Psalmin 7:11-16.
Veproi me altruizëm për Jehovain dhe për popullin e tij
23. (a) Si e shpërbleu mbreti Mordekain dhe Esterën? (b) Si u përmbush profecia që tha Jakobi në shtratin e vdekjes për Beniaminin? (Shih kutinë «Përmbushet një profeci».)
23 Së fundmi, mbreti e mori vesh kush ishte Mordekai: jo vetëm ai që e mbrojti besnikërisht nga komploti, por edhe babai adoptues i Esterës. Asueri ia dha Mordekait pozitën e Hamanit si kryeministër. Shtëpinë e Hamanit—përfshirë pasurinë e tij tejet të madhe—mbreti ia dha Esterës, e cila caktoi Mordekain në krye të saj.—Est. 8:1, 2.
24, 25. (a) Pse s’mund të rrinte e qetë Estera pasi u demaskua komploti i Hamanit? (b) Si e vuri përsëri në rrezik jetën Estera?
24 Tani që Estera dhe Mordekai shpëtuan, a mund të rrinte e qetë mbretëresha? Vetëm po të ishte egoiste. Në atë moment, dekreti i Hamanit për të vrarë gjithë judenjtë po përhapej në çdo skaj të perandorisë. Hamani kishte hedhur shortin, ose Purin, me sa duket një formë spiritizmi, që të përcaktonte kohën e duhur për të kryer këtë sulm mizor. (Est. 9:24-26) Dita po afrohej me shpejtësi, edhe pse ishte ende muaj larg. A mund të ndalohej tani gjëma?
25 Estera rrezikoi sërish jetën me altruizëm, pasi doli edhe një herë para mbretit pa ftesë zyrtare. Këtë radhë qau për popullin e saj duke iu lutur bashkëshortit ta anulonte dekretin e tmerrshëm. Por, ligjet që dilnin në emër të monarkut pers nuk mund të anuloheshin. (Dan. 6:12, 15) Kështu, mbreti u dha autoritet Esterës dhe Mordekait të nxirrnin një ligj të ri. U dërgua një shpallje e dytë që u dha judenjve të drejtën për vetëmbrojtje. Kalorësit rendën në çdo cep të perandorisë e u çuan judenjve këtë lajm të mirë. Në mjaft zemra rrezatoi shpresa. (Est. 8:3-16) Mund t’i shohim me sytë e mendjes judenjtë anekënd perandorisë së paanë, tek armatosen e bëhen gati për betejë, diçka që nuk do ta bënin dot kurrë pa atë urdhër të ri. Por, ç’është më e rëndësishmja, a do të ishte ‘Jehovai i ushtrive’ me popullin e tij?—1 Sam. 17:45.
26, 27. (a) Sa e madhe dhe sa e plotë ishte fitorja që i dha Jehovai popullit të tij kurndër armiqve? (b) Cila profeci u plotësua me vrasjen e bijve të Hamanit?
26 Kur më në fund erdhi dita e caktuar, populli i Perëndisë ishte gati. Tani në anën e tyre ishin edhe mjaft zyrtarë persë, pasi lajmi për kryeministrin e ri, judeun Mordekai, kishte marrë dhenë. Jehovai i dha popullit të tij një fitore madhështore. Pa dyshim, Perëndia e mbrojti popullin e tij nga dëme të tmerrshme, duke i shkaktuar armiqve një disfatë të plotë.a—Est. 9:1-6.
27 Për më tepër, Mordekai nuk do të ishte asnjëherë i sigurt si mbikëqyrës i shtëpisë së Hamanit ndërkohë që dhjetë bijtë e atij njeriu të lig jetonin ende. Edhe ata u vranë. (Est. 9:7-10) Kjo përmbushi një profeci biblike, pasi, më parë, Perëndia kishte parathënë shkatërrimin e plotë të amalekitëve, armiqve të egër të popullit të tij. (Ligj. 25:17-19) Bijtë e Hamanit fare mirë mund të kenë qenë mes pjesëtarëve më të fundit të atij populli të mallkuar.
28, 29. (a) Pse ishte vullneti i Jehovait që Estera dhe populli i saj të përfshiheshin në luftë? (b) Pse është një bekim për ne sot shembulli i Esterës?
28 Esterës iu desh të mbante që në moshë të re barrët e rënda që i ranë për pjesë: dekrete mbretërore ku përfshihej luftë dhe ekzekutim. Duhet të ketë qenë e vështirë për të. Por, vullneti i Jehovait ishte që populli i tij të mbrohej nga shkatërrimi, pasi nga kombi i Izraelit duhej të vinte Mesia i premtuar, i vetmi burim shprese për tërë njerëzimin. (Zan. 22:18) Sot shërbëtorët e Perëndisë janë të kënaqur të dinë se, kur erdhi në tokë Mesia, Jezui, nuk i lejoi më dishepujt të merrnin pjesë në luftë fizike.—Mat. 26:52.
29 Sidoqoftë, të krishterët marrin pjesë në një luftë frymore. Satanai është më i vendosur se kurrë të na e shkatërrojë besimin te Perëndia Jehova. (Lexo 2 Korintasve 10:3, 4.) Ç’bekim është të kemi një shembull si Estera! Si ajo, le të shfaqim besim duke treguar mençuri e durim teksa bindim të tjerët, si dhe guxim e gatishmëri plot altruizëm ndërsa mbrojmë popullin e Perëndisë.
a Mbreti u la judenjve një ditë të dytë që të shfarosnin armiqtë. (Est. 9:12-14) Edhe sot, judenjtë e përkujtojnë atë fitore çdo vit në muajin adar që përkon me fundin e shkurtit dhe me fillimin e marsit. Festa quhet Purim për shkak të shortit që hodhi Hamani në përpjekje që të shkatërronte Izraelin.