T’i rezistojmë propagandës satanike
‘MOS u mashtroni. Perëndia juaj nuk do t’ju ndihmojë. Kapitulloni, përndryshe do të vuani pasojat!’ Ky është thelbi i mesazhit që u dha banorëve të Jerusalemit Rabshakehu, një i dërguar i Senakeribit, mbretit asirian. Ushtria e atij mbreti kishte pushtuar vendin e Judës. Fjalët e të dërguarit të mbretit ishin llogaritur për të minuar moralin e popullit të Jerusalemit dhe për ta frikësuar që të dorëzohej.—2 Mbret. 18:28-35.
Asirianët njiheshin si njerëz brutalë dhe mizorë. U kallnin tmerrin armiqve duke propaganduar me hollësi të llahtarshme se sa egërsisht i trajtonin robërit. Sipas historianit Filip Tejlër, ata përdornin «një politikë terrori të ndërthurur me propagandën, me synimin që t’i mbanin të nënshtruara vendet e pushtuara dhe t’i frikësonin armiqtë e mundshëm me përshkrime të gjalla propagandistike e me manipulime brutale të mendjes». Propaganda është një armë e fuqishme. Sipas Tejlërit, ajo «sulmon mendjen».
Të krishterët e vërtetë ‘nuk kanë një përleshje me gjakun e mishin, por me forcat e liga frymore’, domethënë me krijesat frymore që u rebeluan kundër Perëndisë. (Efes. 6:12) Armiku kryesor mes këtyre krijesave është Satana Djalli. Edhe ai përdor terrorin të ndërthurur me propagandën.
Satanai thotë se mund t’ia thyejë integritetin secilit prej nesh. Në ditët e patriarkut Job, ai i tha Perëndisë Jehova: «Njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij.» Me fjalë të tjera: bëji presion sa duhet dhe herët a vonë njeriu do të heqë dorë nga integriteti ndaj Perëndisë. (Jobi 2:4) A ka të drejtë Satanai? A kemi të gjithë një pikë ku s’mbajmë më, pra një pikë përtej së cilës do të braktisnim parimet tona vetëm e vetëm që të mos vdisnim? Satanai dëshiron ta besojmë këtë. Prandaj, përdor propagandën tinëzare për të na e ngulitur në mendje këtë ide. Le të shqyrtojmë disa nga metodat si e bën ai këtë dhe të shohim si mund t’i rezistojmë.
«Me themelet në pluhur»
Satanai përdori Elifazin, një nga tre shokët që e vizituan Jobin, që ta bindte se njerëzit janë tepër të dobët për t’i qëndruar besnikë Perëndisë. Duke i quajtur njerëzit ‘ata që banojnë në shtëpi prej balte’, ai i tha Jobit: «[Janë] me themelet në pluhur! Shtypen më kollaj se mola. Nga mëngjesi gjer në mbrëmje bëhen copë e çikë; zhduken përgjithmonë dhe askush s’e vë re.»—Jobi 4:19, 20.
Ndonjëherë në Shkrime, ne krahasohemi me «enë balte» delikate. (2 Kor. 4:7) Jemi të dobët për shkak të mëkatit dhe papërsosmërisë së trashëguar. (Rom. 5:12) Vetëm me forcat tona, nuk ia dalim dot t’u rezistojmë sulmeve të Satanait. Por si të krishterë nuk jemi pa ndihmë. Pavarësisht nga dobësitë tona, jemi të çmuar në sytë e Perëndisë. (Isa. 43:4) Për më tepër, Jehovai u jep frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë. (Luka 11:13) Fryma e tij mund të na japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ falë së cilës mund të përballojmë çdo situatë të vështirë që mund të na shkaktojë Satanai. (2 Kor. 4:7; Filip. 4:13) Nëse i kundërvihemi Djallit «të fortë në besim», Perëndia do të na bëjë të patundur e të fortë. (1 Pjet. 5:8-10) Prandaj, nuk kemi pse t’i frikësohemi Satana Djallit.
Ai «që e pi padrejtësinë si ujë»
«Ç’është vdekatari që të jetë i pastër? Ç’është njeriu i lindur nga një grua që të ketë të drejtë?»—pyeti Elifazi. Pastaj u përgjigj: «Perëndia nuk ka besim as te të shenjtët; në sytë e tij as qiejt nuk janë të pastër. Aq më pak tek ai që është i pështirë dhe i korruptuar, që e pi padrejtësinë si ujë.» (Jobi 15:14-16) Elifazi po i thoshte Jobit se Jehovai nuk konsideron të drejtë asnjë njeri. Edhe Djalli shfrytëzon mendimet negative. Ai do që të shqetësohemi për gabimet tona të së kaluarës, të bëhemi tejet kritikë ndaj vetes e të mendojmë se Perëndia nuk mund të na falë kurrë. Gjithashtu, do që të mendojmë se Jehovai pret tepër nga ne dhe se dhembshuria, falja dhe mbështetja e tij nuk mjaftojnë për të fshirë gabimet tona.
Natyrisht, të gjithë ‘kemi mëkatuar dhe nuk e kemi arritur lavdinë e Perëndisë’. Asnjë njeri i papërsosur nuk mund të jetë në lartësinë e normave të përsosura të Jehovait. (Rom. 3:23; 7:21-23) Por kjo s’do të thotë se nuk kemi vlerë në sytë e tij. Jehovai e di se «gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana», përfiton nga gjendja jonë mëkatare. (Zbul. 12:9, 10) Perëndia merr parasysh se «jemi pluhur» dhe ‘nuk gjen të meta gjithë kohën’ te ne.—Psal. 103:8, 9, 14.
Nëse heqim dorë nga udha e ligë dhe i afrohemi Jehovait me keqardhje në zemër e me një frymë të penduar, ai ‘do të falë në masë të madhe’. (Isa. 55:7; Psal. 51:17) Edhe sikur mëkatet tona «të jenë të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora», thotë Bibla. (Isa. 1:18) Prandaj, le të jemi të vendosur që të mos dorëzohemi në përpjekjet tona për të bërë vullnetin e Perëndisë.
Në gjendjen tonë mëkatare ne kurrë nuk mund të fitojmë një qëndrim të drejtë para Perëndisë. Adami dhe Eva e humbën përsosmërinë dhe mundësinë e jetës së përhershme jo vetëm për veten, por edhe për të gjithë ne. (Rom. 6:23) Por nga dashuria e madhe për njerëzimin, Jehovai mori masa që të na i falë mëkatet nëse tregojmë besim te flijimi shpërblyes i Birit të tij, Jezu Krishtit. (Mat. 20:28; Gjoni 3:16) Çfarë shprehje e mrekullueshme e ‘dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’! (Titit 2:11) Po, mund të na falen mëkatet. Pse atëherë ta lejojmë Satanain që të na shtyjë të mendojmë të kundërtën?
‘Preki kockat dhe mishin’
Satanai tha se Jobi do të hiqte dorë nga besimi, nëse do të prekej nga ndonjë sëmundje. Duke e sfiduar Jehovain, Djalli tha: ‘Preki kockat dhe mishin e tij. Pastaj shih po nuk të mallkoi sy më sy!’ (Jobi 2:5) Pa dyshim, Kundërshtari i Perëndisë do të gëzohej nëse do të na bënte të ndiheshim të padobishëm për shkak të sëmundjeve.
Por Jehovai nuk na hedh poshtë kur nuk mund të bëjmë më gjithçka që bënim më parë në shërbimin e tij. Po sikur një mikun tonë të ngushtë ta kenë dëmtuar fizikisht? A do ta vlerësojmë më pak ngaqë nuk mund të bëjë më për ne aq sa bënte dikur? Patjetër që jo! Do të vazhdojmë ta duam e të interesohemi për të—sidomos nëse është dëmtuar ndërsa përpiqej të bënte diçka për ne. A duhet të presim më pak nga Jehovai? Bibla thotë: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.»—Hebr. 6:10.
Shkrimet flasin për «një vejushë nevojtare» që mund të kishte mbështetur adhurimin e Perëndisë për shumë vite. Kur Jezui e vëzhgoi ndërsa hidhte «dy qindarka» në një arkë të thesarit të tempullit, a e quajti atë dhe kontributin e saj si të pavlerë? Përkundrazi, ai e lavdëroi që bëri gjithçka që i lejuan rrethanat për të mbështetur adhurimin e vërtetë.—Luka 21:1-4.
Nëse ruajmë integritetin, jemi të sigurt se marrëdhënia jonë me Jehovain do të mbetet e paprekur, pavarësisht nga dëmet që mund të na sjellë papërsosmëria me anë të pleqërisë ose sëmundjeve. Perëndia nuk do t’i braktisë kurrë besnikët e vet vetëm sepse vështirësitë ua kufizojnë shërbimin ndaj tij.—Psal. 71:9, 17, 18.
Të marrim «përkrenaren e shpëtimit»
Si mund të mbrohemi nga propaganda e Satanait? Apostulli Pavël shkroi: «Vazhdoni të merrni fuqi në Zotërinë dhe në madhështinë e forcës së tij. Vishni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur kundër intrigave të Djallit.» Një pjesë e kësaj armature frymore është ‘përkrenarja e shpëtimit’. (Efes. 6:10, 11, 17) Për t’u mbrojtur nga propaganda satanike duhet të sigurohemi që ta marrim këtë përkrenare dhe ta mbajmë veshur. Përkrenarja i mbron kokën ushtarit. ‘Shpresa jonë e shpëtimit’, domethënë siguria jonë te përmbushja e premtimeve të Perëndisë për botën e tij të re të lavdishme, do të na e mbrojë mendjen nga gënjeshtrat e Satanait. (1 Sel. 5:8) Kemi nevojë ta mbajmë të gjallë dhe të fortë këtë shpresë nëpërmjet studimit personal të zellshëm të Shkrimeve.
Jobi përballoi sulme të egra dhe plot urrejtje nga Satanai. Kaq i fortë ishte besimi i Jobit te ringjallja, saqë edhe kërcënimi i vdekjes nuk e lëkundi. Përkundrazi, ai i tha Jehovait: «Ti do të më thërrisje, e unë do të të përgjigjesha. Do të kishe mall për veprën e duarve të tua.» (Jobi 14:15) Edhe sikur Jobi të vdiste ngaqë po ruante integritetin, ai besonte se dashuria për shërbëtorët e Tij besnikë do ta nxiste Perëndinë t’i ringjallte.
Paçim edhe ne të njëjtën siguri te Perëndia i vërtetë! Jehovai është në gjendje të zhbëjë gjithçka që Satanai dhe përkrahësit e tij mund të bëjnë kundër nesh. Të kujtojmë edhe që Pavli na siguron: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.»—1 Kor. 10:13.
[Figura në faqen 20]
Jehovai e çmon shërbimin që i bën me besnikëri
[Figura në faqen 21]
Merr përkrenaren e shpëtimit dhe mbaje veshur