A pajtohet ky libër me shkencën?
Feja nuk e ka konsideruar gjithmonë shkencën si shoqe të saj. Në shekujt e mëparshëm, disa teologë i kanë kundërshtuar zbulimet shkencore, atëherë kur kanë menduar se ato rrezikonin interpretimin e tyre të Biblës. Por, a është me të vërtetë shkenca armike e Biblës?
SIKUR shkrimtarët e Biblës të kishin pranuar pikëpamjet më të përhapura shkencore të ditëve të tyre, rezultati do të ishte një libër me pasaktësi të rënda shkencore. Por shkrimtarët nuk nxitën koncepte të tilla të gabuara aspak shkencore. Përkundrazi, ata shkruan një sërë deklaratash që jo vetëm janë pa asnjë gabim nga ana shkencore, por, gjithashtu, kundërshtojnë drejtpërdrejt opinionet e pranuara të atyre ditëve.
Çfarë forme ka toka?
Kjo pyetje ka ngjallur interesin e njerëzve për mijëra vjet. Në kohët e lashta ekzistonte pikëpamja e përgjithshme se toka ishte e sheshtë. Babilonasit, për shembull, besonin se universi ishte një kuti apo një dhomë, ku toka ishte dyshemeja. Priftërinjtë e Vedas në Indi imagjinonin se toka ishte e sheshtë dhe se vetëm njëra anë e saj ishte e banuar. Një fis primitiv në Azi e pikturonte tokën si një tabaka të madhe çaji.
Shumë kohë më parë, në shekullin e gjashtë p.e.s., filozofi grek Pitagora teorizonte se meqë hëna dhe dielli janë sferikë, edhe toka duhej të ishte një sferë. Aristoteli (shekulli i katërt p.e.s.) më vonë qe dakort, duke shpjeguar se forma sferike e tokës provohet nga eklipset hënore. Hija e tokës mbi hënë është e përkulur.
Megjithatë, koncepti i tokës së sheshtë (vetëm me anën e saj të sipërme të banuar) nuk u zhduk plotësisht. Disa nuk mund ta pranonin sugjerimin logjik të një toke të rrumbullakët, konceptin e antipodeve.a Laktanti, apologjet i krishterë i shekullit të katërt të e.s., u tall me këtë ide. Ai arsyetonte: «A ka ndonjë njeri kaq të pamendë, sa të besojë se ekzistojnë njerëz, hapat e të cilëve janë më lart se kokat e tyre; . . . se drithërat dhe pemët rriten kokëposhtë; se shirat, bora dhe breshëri bien përpjetë?»2
Koncepti i antipodeve i vuri në dilemë disa teologë. Disa teori pohonin që nëse do të kishte antipodianë, ata s’do të kishin asnjë mundësi për t’u lidhur me njerëzimin e njohur, qoftë për shkak se deti ishte tepër i gjerë për t’u lundruar, qoftë për shkak të një zone të nxehtë e të pakalueshme rreth ekuatorit. Pra, nga mund të kishin ardhur antipodianët? Të çoroditur, disa teologëve u erdhi për shtat të besonin se antipodianët nuk mund të ekzistonin, madje, siç argumentoi edhe Laktanti, se toka nuk mund të ishte aspak një sferë!
Gjithsesi, koncepti i një toke sferike mbizotëroi dhe përfundimisht u pranua gjerësisht. Megjithatë, vetëm me lindjen e epokës së hapësirës në shekullin e 20-të, u bë e mundur që njerëzit të udhëtonin aq larg në hapësirën e jashtme, sa të vërtetonin me vëzhgime të drejtpërdrejta se toka është një glob.b
Por, cili është pozicioni i Biblës në këto çështje? Në shekullin e tetë p.e.s., kur ekzistonte pikëpamja mbizotëruese se toka ishte e sheshtë, shekuj më parë se filozofët grekë të teorizonin se kishte mundësi që toka të jetë sferike dhe mijëra vjet përpara se njerëzit ta shihnin tokën si një glob nga hapësira, profeti hebre Isaia pohoi me një thjeshtësi të jashtëzakonshme: «Ai rri në fron mbi rrethin e botës.» (Isaia 40:22, DSF) Fjala hebraike chugh, e përkthyer këtu «rreth», mund të përkthehet edhe «sferë».3 Në përkthime të tjera të Biblës lexojmë: «Mbi rruzullin e tokës.» (Diodati i Ri) «Mbi tokën e rrumbullakët.»—Moffatt.c
Shkrimtari biblik Isaia i shmangu mitet e zakonshme mbi tokën. Përkundrazi, ai shkroi një deklaratë që nuk u vu në rrezik nga përparimi i zbulimeve shkencore.
Ku mbështetet toka?
Në kohët e lashta, njerëzit ishin të hutuar edhe nga pyetje të tjera mbi kozmosin: Mbi çfarë qëndron toka? Çfarë e mban diellin, hënën dhe yjet? Ata nuk e njihnin ligjin e gravitetit universal, i formuluar nga Isak Njuton dhe i botuar në vitin 1687. Ideja se trupat qiellorë janë faktikisht të varur në hapësirën boshe mbi asgjë ishte e panjohur për ta. Prandaj, shpjegimet e tyre shpesh sugjeronin se tokën dhe trupat e tjerë qiellorë i mbanin në ajër objekte apo substanca lëndore.
Për shembull, një teori e lashtë, e cila ndoshta zë fill me njerëz që kanë jetuar në ndonjë ishull, thoshte se toka ishte e rrethuar nga uji dhe se ajo pluskonte mbi këto ujëra. Hinduistët përfytyronin një tokë me disa themele, njëra mbi tjetrën. Ajo qëndronte mbi katër elefantë, elefantët qëndronin mbi një breshkë të stërmadhe, breshka qëndronte mbi një gjarpër të pamasë, ndërsa gjarpëri me spirale pluskonte mbi ujërat universalë. Empedokli, një filozof grek i shekullit të pestë p.e.s., besonte se toka qëndronte mbi një shakullinë dhe se kjo shakullinë ishte shkaku i lëvizjes së trupave qiellorë.
Ndërmjet pikëpamjeve më me ndikim ishin edhe ato të Aristotelit. Edhe pse teorizoi se toka është një sferë, ai mohoi se ajo mund të varej në hapësirën boshe. Në një traktat të tij, duke mos pranuar nocionin se toka qëndron mbi ujë, ai thoshte: «Nuk është në natyrën e ujit dhe aq më pak të tokës, të qëndrojë në ajër: duhet të ketë diçka mbi të cilën të mbështetet.»4 (On the Heavens) Pra, mbi çfarë «mbështetet» toka? Aristoteli mësonte se dielli, hëna dhe yjet ishin të lidhur në sipërfaqen e sferave të forta transparente. Sferat struken brenda njëra-tjetrës, me tokën, të palëvizshme, në qendër. Ndërsa sferat rrotullohen brenda njëra-tjetrës, objektet e tyre, dielli, hëna dhe planetet, lëvizin nëpër qiell.
Shpjegimi i Aristotelit u duk logjik. Nëse trupat qiellorë nuk ishin të lidhur fortësisht pas diçkaje, si mund të rrinin tjetërsoj në ajër? Pikëpamjet e Aristotelit të nderuar u pranuan si fakte për më shumë se 2.000 vjet. Sipas The New Encyclopædia Britannica, në shekujt e 16-të dhe të 17-të mësimet e tij në sytë e kishës «u ngritën në statusin e dogmave fetare».5
Me shpikjen e teleskopit, astronomët nisën të vënë në pikëpyetje teorinë e Aristotelit. Megjithatë, ata nuk mundën të arrinin ndonjë përgjigje, derisa sir Isak Njuton shpjegoi se planetet varen në hapësirën boshe, të mbajtura në orbitat e tyre nga një forcë e padukshme: graviteti. Dukej e pabesueshme, madje disa nga kolegët e Njutonit e patën të vështirë ta besonin se hapësira mund të ishte një boshllëk, pothuajse pa asnjë substancë.d6
Çfarë thotë Bibla në lidhje me këto çështje? Pothuajse 3.500 vjet më parë, Bibla pohonte me një qartësi të jashtëzakonshme se toka varet «mbi hiçin [asgjë, BR]». (Jobi 26:7) Në origjinalin hebraisht, fjala e përdorur këtu për «asgjë» (beli-mahʹ), fjalë për fjalë do të thotë «pa asnjë gjë».7 Një version tjetër përdor shprehjen «mbi hapësirën boshe».—Contemporary English Version.
Një planet që varet «mbi hapësirën boshe» nuk ishte aspak përfytyrimi që kishin për tokën shumica e njerëzve në ato ditë. Megjithatë, duke ecur shumë më përpara se koha e tij, shkrimtari i Biblës shkroi një deklaratë të saktë nga ana shkencore.
Bibla dhe shkenca e mjekësisë: A përputhen ato?
Shkenca moderne e mjekësisë ka mësuar shumë mbi përhapjen dhe parandalimin e sëmundjeve. Përparimet mjekësore në shekullin e 19-të çuan në futjen e antiseptikës në praktikat mjekësore: pastërti për të reduktuar infeksionet. Rezultati ishte dramatik. Pati një reduktim domethënës të infeksioneve dhe të vdekjeve të parakohshme.
Megjithatë, mjekët e lashtësisë nuk e kuptonin plotësisht se si përhapeshin sëmundjet, si dhe rëndësinë e higjienës në parandalimin e sëmundjeve. S’kemi përse habitemi shumë, andaj, nëse mjaft prej praktikave të tyre mjekësore do të dukeshin barbare për normat moderne.
Një nga tekstet më të vjetra mjekësore në dispozicion është Papirusi i Eberit, një përmbledhje e njohurisë mjekësore të egjiptianëve, që daton përafërsisht nga viti 1550 p.e.s. Kjo rrotull përmban më se 700 lloje ilaçesh për plagë të ndryshme «që nga kafshimi i krokodilit, deri te dhimbjet e thonjve të gishtave të këmbës».8 The International Standard Bible Encyclopaedia thotë: «Njohuria mjekësore e këtyre mjekëve ishte krejtësisht empirike, kryesisht e lidhur me magjinë dhe ishte tërësisht joshkencore.»9 Shumica e ilaçeve thjesht nuk bënin asnjë efekt, ndërsa disa prej tyre ishin tepër të rrezikshme. Për mjekimin e një plage, një nga recetat rekomandonte vendosjen e një përzierjeje të bërë nga jashtëqitjet e njeriut me substanca të tjera.10
Ky tekst i ilaçeve egjiptiane u shkrua përafërsisht në të njëjtën kohë me librat e parë të Biblës, të cilat përfshijnë Ligjin e Moisiut. Moisiu, i cili lindi në vitin 1593 p.e.s., u rrit në Egjipt. (Eksodi 2:1-10) Si pjesëtar i familjes së Faraonit, ai «u arsimua me gjithë diturinë e egjiptasve». (Veprat 7:22) Ai i njihte edhe «mjekët» e Egjiptit. (Zanafilla 50:1-3) A ndikuan në shkrimet e tij praktikat e tyre mjekësore jo të efektshme dhe të rrezikshme?
Jo. Përkundrazi, Ligji i Moisiut përfshinte rregulla sanitare që i paraprinin shumë kohës së tyre. Për shembull, një ligj në lidhje me fushimet ushtarake kërkonte groposjen e jashtëqitjeve larg kampit. (Ligji i përtërirë 23:13) Kjo ishte një masë parandaluese thellësisht e përparuar. Ajo ndihmonte në mbajtjen e ujit të pandotur dhe siguronte mbrojtje nga shigeloza e bartur nga mizat dhe nga sëmundje të tjera diarretike që ende marrin miliona jetë në ato vende, ku kushtet sanitare janë të vajtueshme.
Ligji i Moisiut përmbante rregulla të tjera sanitare që e mbronin Izraelin nga përhapja e sëmundjeve infektive. Një person që kishte apo dyshohej se kishte një sëmundje ngjitëse vihej në karantinë. (Levitiku 13:1-5) Veshjet apo vazot që binin në kontakt me një kafshë që kishte ngordhur vetë (ndoshta nga ndonjë sëmundje), ose duheshin larë përpara se të përdoreshin sërisht, ose duheshin shkatërruar. (Levitiku 11:27, 28, 32, 33) Çdo njeri që prekte trupin e një të vdekuri konsiderohej i papastër dhe duhej t’i nënshtrohej një procedure pastrimi, e cila përfshinte larjen e tij dhe të rrobave të tij. Gjatë periudhës shtatëditore të papastërtisë, ai duhej të shmangte kontaktin fizik me të tjerët.—Numrat 19:1-13.
Ky kod sanitar zbulon një mençuri që u mungonte mjekëve të kombeve përreth në atë kohë. Mijëra vjet përpara se shkenca e mjekësisë të mësonte mënyrat e përhapjes së sëmundjeve, Bibla përshkruante masa të arsyeshme parandaluese si mbrojtje kundër sëmundjeve. Nuk habitemi, pra, që Moisiu mundi të thoshte se në ditët e tij, në përgjithësi, izraelitët jetonin 70 apo 80 vjet.e—Psalmi 90:10.
Ju mund të pranoni se deklaratat e mësipërme të Biblës janë të sakta nga ana shkencore. Por në Bibël ka edhe deklarata të tjera, të cilat nuk mund të provohen shkencërisht. A do të thotë kjo medoemos se Bibla është në kontradiktë me shkencën?
Duke pranuar të paprovueshmen
Një deklaratë e paprovueshme nuk është medoemos e pavërtetë. Provat shkencore janë të kufizuara me mundësinë e njeriut, për të zbuluar dëshmi të mjaftueshme dhe për të interpretuar saktësisht të dhënat. Por disa të vërteta janë të paprovueshme ngaqë nuk është ruajtur asnjë dëshmi, ngaqë dëshmia nuk është e qartë apo nuk është zbuluar, ose ngaqë aftësitë dhe ekspertizat shkencore janë të pamjaftueshme për të arritur në një përfundim të pakundërshtueshëm. A mund të jetë ky rasti me disa deklarata biblike, për të cilat mungojnë dëshmitë e pavarura fizike?
Për shembull, referimet e Biblës për një mbretëri të padukshme të banuar nga persona frymorë nuk mund të provohen apo të kundërshtohen shkencërisht. E njëjta gjë mund të thuhet për ngjarje të mrekullueshme që përmenden në Bibël. Edhe për Përmbytjen e ditëve të Noes nuk gjenden në dispozicion dëshmi të qarta dhe të mjaftueshme gjeologjike, për të kënaqur disa njerëz. (Zanafilla, kreu 7) A duhet të shkojmë në përfundimin se ajo nuk ka ndodhur? Ngjarjet historike mund të errësohen për shkak të kohës dhe të ndryshimeve. A mund të ketë ndodhur, pra, që mijëra vjet të aktivitetit gjeologjik të kenë fshirë shumë nga dëshmitë e Përmbytjes?
Sigurisht, Bibla përmban deklarata që s’mund të provohen apo të kundërshtohen nga dëshmitë fizike në dispozicion. Por, a duhet të na habisë kjo? Bibla nuk është një libër shkencor. Megjithatë, ajo është një libër me të vërteta. Ne kemi konsideruar tashmë dëshmi të forta se shkrimtarët e saj ishin burra me integritet dhe të ndershëm. Dhe kur ata prekin çështje që lidhen me shkencën, fjalët e tyre janë të sakta dhe tërësisht të lira nga teoritë e lashta «shkencore», të cilat dolën se ishin thjesht mite. Prandaj, shkenca nuk është armike e Biblës. Kemi çdo arsye për të peshuar ato që thotë Bibla me një mendje të hapur.
[Shënimet]
a «Antipodet . . . janë dy vende që janë tamam e kundërta e njëra-tjetrës në glob. Një vijë e drejtë mes tyre do të kalonte përmes qendrës së tokës. Fjala antipode do të thotë këmbë më këmbë në greqisht. Dy persona që qëndrojnë në antipode, do të ishin më afër së bashku në shputat e këmbëve të tyre.»1—The World Book Encyclopedia.
b Për të qenë të saktë teknikisht, toka është një objekt sferik i shtypur në pole; ajo është paksa e sheshtë në polet e saj.
c Veç kësaj, vetëm një objekt sferik duket si një rreth nga çdo pikëvështrimi. Një disk i sheshtë shpesh duket si një elips, jo si një rreth.
d Një pikëpamje mbizotëruese në ditët e Njutonit ishte se universi ishte i mbushur me lëng, një «supë» kozmike dhe se vorbullat e këtij lëngu shkaktonin rrotullimin e planeteve.
e Në 1900-n, jetëgjatësia në shumë vende të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara ishte më pak se 50 vjeç. Që prej asaj kohe, ajo është rritur në mënyrë dramatike jo vetëm falë përparimit mjekësor në kontrollimin e sëmundjeve, por edhe si rrjedhojë e kushteve më të mira sanitare dhe të jetesës.
[Diçitura në faqen 21]
Një deklaratë e paprovueshme nuk është medoemos e pavërtetë
[Figura në faqen 18]
Mijëra vjet përpara se njerëzit ta shihnin tokën si një glob nga hapësira, Bibla foli për «rrethin e tokës»
[Figurat në faqen 20]
Sir Isak Njutoni shpjegoi se planetet mbahen në orbitat e tyre nga graviteti