E vërteta transformon jetë
ËSHTË e trishtueshme, por e vërtetë, se sot jeta e shumë njerëzve është e vështirë, madje në krizë. A është e mundur për njerëz të tillë të gjejnë lumturinë? Disa janë kriminelë dhe i bëjnë të tjerët pre të tyren. A mund të bëhen ata ndonjëherë pjesëtarë të ndershëm të shoqërisë? Përgjigjja për të dyja këto pyetje është po. Njerëzit mund të ndryshojnë. Jeta mund të transformohet. Apostulli Pavël tregoi se si, kur shkroi: «Transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.»—Romakëve 12:2.
Përmendja e ‘vullnetit të përsosur të Perëndisë’ mund të të sjellë ndër mend atë që u tha Jezui dishepujve të tij, më shumë se 20 vjet përpara se Pavli të shkruante fjalët e mësipërme. Jezui tha: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.» (Gjoni 8:32) Me anë të ‘së vërtetës’, Jezui donte të thoshte informacionin e frymëzuar hyjnisht, veçanërisht informacionin në lidhje me vullnetin e Perëndisë, i cili është ruajtur për ne në Bibël. (Gjoni 17:17) A i bën me të vërtetë të lirë njerëzit e vërteta e Biblës? A transformon me të vërtetë jetë, mënyra e të jetuarit në harmoni me vullnetin e Perëndisë? Në të vërtetë po. Le të shqyrtojmë disa shembuj.
Një qëllim në jetë
Jo shumë kohë më parë, Moises, nga Gjibraltari, ishte një burrë shumë i palumtur. Ai thotë: «Isha një pijanec dhe flija rrugëve. Ndihesha i humbur. Çdo natë i kërkoja Perëndisë të kishte mëshirë për mua dhe të mos më bënte të duroja një ditë tjetër. Qaja ndërsa e pyesja Perëndinë se ç’desha në këtë botë kur s’bëja për asgjë, pa punë, pa familje dhe pa askënd që të më ndihmonte. Pse duhej të vazhdoja të jetoja?» Më pas, ndodhi diçka.
Moises vazhdon: «E dija që Perëndia kishte dëgjuar lutjen time kur takova Roberton, një Dëshmitar të Jehovait. Roberto më dha një Bibël dhe broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?,a botim ndihmës për studimin e Biblës. Çdo ditë studionim së bashku Biblën në stolin ku unë flija natën. Pas një muaji, Roberto më mori në një mbledhje në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait të asaj zone. Shpejt, e vërteta e Biblës kishte ndryshuar plotësisht botëkuptimin tim. Nuk fle më jashtë, nuk pi as pije, as duhan. Jeta ime ka ndryshuar dhe unë jam i lumtur. Shpresoj të pagëzohem së shpejti dhe t’i shërbej Jehovait si një Dëshmitar i tij.»
Çfarë transformimi! Kur njerëzit janë pa shpresë, shpesh arsyeja është mungesa e njohurisë. Ata nuk dinë asgjë për Perëndinë apo qëllimet e tij të mrekullueshme. Në rastin e Moises, kur e fitoi atë njohuri, ajo i dha forcën dhe kurajën për ta ndryshuar mënyrën e tij të jetesës. Në rastin e tij, mori përgjigje lutja e psalmistit drejtuar Perëndisë: «Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.»—Psalmi 43:3.
Në Beliz, Danieli pati një përvojë të ngjashme. Danieli nuk flinte rrugëve; ai kishte një punë me prestigj. Por për 20 vjet ai luftoi me dhënien pas drogës dhe alkoolit, si dhe bëri një jetë imorale. Megjithëse i rritur si katolik, Danieli nuk mund të shihte asnjë kuptim në jetë dhe dyshonte në ekzistencën e Perëndisë. Në kërkim të ndihmës, ai shkoi në kisha të ndryshme, por vuri re se shumë prej miqve të tij që frekuentonin kishat dhe madje disa prej miqve të tij klerikë, abuzonin me drogën dhe alkoolin. Ndërkaq, e shoqja po bëhej gati të divorcohej prej tij.
Në dëshpërimin e vet, Danieli u regjistrua në një qendër riedukimi. Megjithatë, e dinte se nëse nuk merrte ndihmë, pasi të dilte do t’i kthehej shpejt drogës. Por, ç’lloj ndihme? Në maj të 1996-s, dy ditë pasi kishte dalë nga ajo qendër, Danieli iu afrua një Dëshmitari të Jehovait dhe e habiti me kërkesën e tij lutëse: «Bëni një studim biblik me mua, ju lutem.» Dëshmitari bëri rregullimet që Danieli ta studionte Biblën me të dy herë në javë dhe shpejt Danieli filloi ta vinte jetën e tij në përputhje me vullnetin e Perëndisë dhe i zëvendësoi miqtë e tij të vjetër me miq të krishterë, që nuk abuzonin me drogën apo alkoolin dhe që i largoheshin imoralitetit. Kështu Danieli pa se ajo që thotë Bibla, është e vërtetë: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.» (Fjalët e urta 13:20) Pak kohë më vonë, ai tha: «Kjo është hera e parë në jetën time që e di se ç’do të thotë të kesh ndërgjegje të pastër.» Edhe jeta e Danielit u transformua.
Në Porto Riko, një burrë tjetër përjetoi një transformim që ra në sy. Ai ishte në burg dhe konsiderohej si shumë i rrezikshëm, sepse kishte vrarë shumë njerëz. A mundi ta ndryshonte atë e vërteta e Biblës? Po. Një Dëshmitar i Jehovait pati mundësinë t’i jepte disa numra të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! dhe pas pak ai kërkoi të tjera. Me të u nis një studim biblik dhe, ndërsa e vërteta e Biblës filloi të ndikonte në zemrën e tij, ndryshimet që bëri ishin të dukshme për të gjithë. Një prej dëshmive të para të ndryshimit të tij, ishte kur ai preu shkurt flokët e gjata dhe hoqi mjekrën e çrregullt.
Bibla thotë se Perëndia fal mëkatarët që pendohen me të vërtetë dhe që ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës. Pavli shkroi: «A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? . . . Dhe të tillë ishit disa nga ju, por u latë.» (1. Korintasve 6:9, 11) Pa dyshim që këto fjalë e ngushëlluan këtë burrë, ashtu siç e ngushëlluan edhe fjalët në Veprat 24:15: «Do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.» Ai tha: «Dëshiroj të jem atje kur të ndodhë ringjallja e të vdekurve, që të mund t’u kërkoj falje atyre që u kam marrë jetën.»
Një familje e re
Një ditë, Luisi, një ungjillëzues në kohë të plotë i Dëshmitarëve të Jehovait në Argjentinë, iu prezantua një të riu që kishte një të kaluar të hidhur. I braktisuar nga prindërit e tij sapo kishte lindur, ai ishte rritur nëpër institute të ndryshme. Kur ishte rreth 20 vjeç, mori vesh se ku banonte nëna e tij dhe vendosi të jetonte pranë saj. Punoi shumë, kurseu shumë para dhe udhëtoi për në qytetin ku ndodhej nëna e tij. Ajo e lejoi të qëndronte me të derisa paratë e tij mbaruan dhe pastaj i kërkoi të largohej. Një flakje e tillë e bëri atë të kishte prirje për vetëvrasje.
Megjithatë, Luisi pati mundësinë të ndante të vërtetën e Biblës me këtë të ri. Kjo e vërtetë përfshin sigurinë: «Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.» (Psalmi 27:10) Ky i ri zbuloi se kishte një At qiellor, i cili nuk do ta braktiste kurrë. Tani ai është i lumtur që është pjesë e një familjeje të re, e familjes së Jehovait.
Një burrë tjetër në të njëjtin vend, i tha një Dëshmitari të Jehovait se i pëlqente revista Kulla e Rojës. Pse? Sepse ajo i kishte shpëtuar martesën. Me sa duket, një ditë, ndërsa ky burrë po dilte nga puna, pa në koshin e plehrave një revistë Kulla e Rojës që mbante një titull me gërma të mëdha: «Divorci». Meqenëse martesa e tij ishte në hall dhe bashkë me gruan kishin filluar procesin për një ndarje ligjore, e nxori që andej revistën dhe filloi ta lexojë. E mori me vete në shtëpi dhe e lexoi bashkë me gruan. Çifti u përpoq të aplikonte këshillat e bazuara në Bibël, që ndodheshin në atë revistë. (Efesianëve 5:21–6:4) Shpejt marrëdhënia e tyre u përmirësua. Ndërprenë veprimet ligjore për ndarje dhe tani po studiojnë Biblën si një çift i martuar i bashkuar.
Në Uruguai, një burrë tjetër i quajtur Luis, s’ishte aspak i lumtur. Dhënia pas drogës, spiritizmi, adhurimi i idhujve dhe abuzimi me alkoolin, ishin disa prej gjërave që e bënin jetën e tij shumë të çoroditur. Më në fund, krejtësisht i zhgënjyer, u bë ateist. Një mik i dha librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?b Kjo pati si rezultat një kontakt të shkurtër me Dëshmitarët e Jehovait, por shpejt Luis iu kthye alkoolit dhe drogës. Kur në një moment ankthi të madh e pa veten të ulur në një pirg plehrash, u lut, duke ia ofruar lutjen e tij «atit të Jezu Krishtit», pasi nuk ishte i sigurt për emrin e Perëndisë.
Ai i kërkoi Perëndisë që t’i tregonte nëse kishte ndonjë arsye që ai të ishte në këtë botë. «Pikërisht një ditë më pas,—tregon Luis,—një i njohur më dha një libër që atij nuk i duhej më. Titulli i tij? Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!c Libri e ndihmoi t’i përgjigjej pyetjes së tij. Luis u lut përsëri për ndihmë, që të gjente fenë e cila do t’i tregonte se si t’i shërbente Perëndisë. Çfarë surprize! Ra zilja e derës dhe jashtë qëndronin dy Dëshmitarë të Jehovait. Menjëherë Luis filloi të studionte me ta Biblën. Ai bëri përparim të shpejtë dhe tani ndihet i bekuar që është një Dëshmitar i pagëzuar. Ai bën një jetë të pastër dhe ndihmon edhe të tjerët që të gjejnë një qëllim për jetën e tyre. Për të, fjalët e Psalmit 65:2 kanë dalë të vërteta: «O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijnë njerëz të çdo mishi.»—BR.
Në Filipine, Aleni ishte një student aktivist. Ai i përkiste një organizate, qëllimi i së cilës ishte të «rrëzonte qeverinë, që brezat e ardhshëm të mund të gëzonin barazinë». Por, një ditë ai ra në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait dhe mësoi nga Bibla qëllimin e Perëndisë për njerëzimin. Qëllimi përfshinte premtimin e frymëzuar: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më . . . Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» (Psalmi 37:10, 11) Aleni tha: «Shpejt zbulova se ajo për të cilën po luftonte lëvizja jonë, ishte premtuar shumë kohë më parë në Bibël. Të gjitha gjërat që i dëshironim me aq zjarr, do të jepeshin nën Mbretërinë e Perëndisë.» Tani Aleni përkrah Mbretërinë e Perëndisë dhe ndihmon të tjerët që të kenë besim në të vërtetën e Biblës.
Po, jetët transformohen, kur njerëzit ia vënë veshin të vërtetës së Fjalës së Perëndisë, Biblës. Në të vërtetë, po vjen koha kur i gjithë njerëzimi i mbijetuar do ta ketë harmonizuar jetën me vullnetin e Perëndisë. Ç’transformim do të jetë ai! Atëherë, do të përmbushet profecia: «Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.»—Isaia 11:9.
[Shënimet]
a Botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc.
b Botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc.
c Botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., anglisht.