Si ta mbajmë nën kontroll zemërimin?
MË SHUMË se 2.000 vjet më parë, filozofi grek Aristoteli përdori fjalën «katarsis» për të përshkruar «pastrimin» ose çlirimin e tensionit emocional që vjen kur shohim një tragjedi ose dramë të vënë në skenë. Ideja ishte që çlirimi i tensionit do të sillte një përtëritje psikologjike.
Në fillim të shekullit të kaluar, Sigmund Frojdi, neurologu austriak, përkrahu një pikëpamje të ngjashme. Ai thoshte se, nëse njerëzit i mbanin ose i ndrydhnin përbrenda emocionet, më vonë ato do të rishfaqeshin si çrregullim psikologjik, për shembull si histeri. Pra, sipas Frojdit, duhet ta nxjerrësh zemërimin dhe jo ta ndrydhësh.
Vitet e fundit, studiuesit që kanë testuar teorinë e katarsisit gjatë viteve 70 dhe 80, gjetën pak ose aspak prova që e mbështetnin këtë teori. Këto zbulime e shtynë psikologen Kerëll Tevris të shkruante: «Është koha ta rrëzojmë njëherë e mirë hipotezën e katarsisit. Bindja se shfryrja e zemërimit në mënyrë agresive largon ndjenjat armiqësore, nuk është vërtetuar pothuajse kurrë nga studimet.»
Një psikolog tjetër, Geri Henkinsi, tha: «Studimet tregojnë se shfryrja e gjithë zemërimit sipas mënyrës katarsis, shpesh të bën më shumë e jo më pak të acaruar.» Kuptohet, specialistët e shëndetit mendor mund të mos bien kurrë në një mendje për çështjen e katarsisit. Megjithatë, mjaft njerëz kanë nxjerrë dobi nga një burim tjetër mençurie, Bibla.
«Lëre zemërimin»
Ideja e kontrollimit të zemërimit shprehet bukur nga psalmisti David në Bibël. Ai tha: «Lëre zemërimin dhe largohu nga tërbimi, mos u nxeh, se kjo të shtyn veç të bësh keq.» (Psalmi 37:8) Që të mos thuash ose bësh diçka për të cilën do të pendohesh më vonë, është mirë që së pari të mos ‘nxehesh’. Sigurisht, kjo është më e lehtë të thuhet, se të bëhet. Por nuk është e pamundur. Le të shohim tri mënyra se si mund të mbash nën kontroll zemërimin.
Zbute zemërimin
Që të zbutësh zemërimin, mos u nxito dhe përpiqu të qetësohesh. Mos thuaj gjënë e parë që të vjen në mendje. Nëse e ndien se po irritohesh së tepërmi dhe se rrezikon të humbasësh vetëkontrollin, zbato këtë këshillë të Biblës: «Fillimi i grindjes është sikur t’u çelësh rrugë ujërave; largohu, pra, përpara se të plasë sherri.»—Proverbat 17:14.
Kjo e ndihmoi një burrë me emrin Xhek të mbante nën kontroll temperamentin e tij të dhunshëm. Babai i Xhekut shpesh dehej dhe tërbohej. Ndërsa rritej, edhe Xheku zhvilloi një personalitet të dhunshëm. Ai thotë: «Kur nxehesha, ndihesha sikur kisha marrë zjarr. Filloja të sulmoja dhunshëm me fjalë e me grushta.»
Megjithatë, gjërat filluan të ndryshonin kur Xheku filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Pak nga pak e kuptoi se, me ndihmën e Perëndisë, mund të ndryshonte dhe të mësonte t’i vinte fre zemërimit. Dhe në fakt ndryshoi. Ai tregon se si reagoi kur një nga shokët e punës e shau rëndë në nerva e sipër: «E ndjeva që më hipi gjaku në kokë. Gjëja e parë që mendova ishte ta kapja dhe ta përplasja përtokë.»
Por Xheku ruajti qetësinë. Çfarë e ndihmoi? Ai shpjegon: «Mbaj mend që u luta: ‘Të lutem Jehova, më ndihmo të qetësohem.’ Pas kësaj, për herë të parë në jetën time, ndjeva që më pushtoi paqja dhe arrita të largohesha.» Xheku e vazhdoi studimin me Dëshmitarët e Jehovait. U lut shumë e meditoi gjatë për shkrime të tilla, si Proverbat 26:20 ku thuhet «ku s’ka dru, zjarri shuhet». Pastaj, më në fund arriti ta mbante nën fre zemërimin.
Mëso të qetësohesh
«Zemra e qetë është jetë për trupin.» (Proverbat 14:30) Zbatimi i kësaj të vërtete bazë nga Bibla, mund të përmirësojë gjendjen emocionale e fizike dhe marrëdhënien me Perëndinë. Fillo duke mësuar metoda të thjeshta që të qetësojnë dhe të ndihmojnë të zbutësh zemërimin. Metodat e mëposhtme kanë treguar se janë të efektshme në luftën kundër zemërimit të shkaktuar nga stresi:
● Frymëmarrja e thellë është një nga mënyrat më të mira e më të shpejta për të zbutur zemërimin.
● Ndërsa merr frymë thellë, përsërit fjalë ose shprehje që të ndihmojnë, si «qetësohu», «lëre më mirë» ose «mos u nxeh».
● Merru me diçka që të pëlqen, për shembull me lexim, kopshtari, dëgjo muzikë ose bëj diçka tjetër që të qetëson.
● Bëj fizkulturë rregullisht dhe ha ushqime të shëndetshme.
Mos prit shumë
Njerëzit ose gjërat që të acarojnë ndoshta nuk i ke në dorë, por mund të mësosh të kontrollosh reagimet e tua. Kjo do të thotë të ndryshosh mënyrën si mendon.
Ata që kanë pretendime tepër të larta, priren të kenë më shumë probleme me zemërimin. Pse? Sepse, nëse dikush ose diçka nuk është në lartësinë e standardeve të tyre, zhgënjehen dhe zemërohen shpejt. Për të luftuar këtë mani për përsosmëri, është mirë të mos harrojmë se «s’ka asnjë njeri të drejtë, as edhe një . . . Të gjithë kanë dalë nga udha, të gjithë.» (Romakëve 3:10, 12) Prandaj, nëse mendojmë se ne ose të tjerët mund të jenë të përsosur, ka shumë të ngjarë të zhgënjehemi.
Jemi të mençur nëse nuk presim shumë nga vetja ose të tjerët. Bibla thotë: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë. Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, është njeri i përsosur.» (Jakovi 3:2) Po, «nuk ka asnjë njeri të drejtë në tokë, që vazhdon të bëjë të mirën dhe të mos mëkatojë». (Eklisiastiu 7:20) Pra, nëse pretendojmë të jemi ashtu si nuk jemi, domethënë të përsosur, do të kemi një jetë plot acarim e zemërim.
Si njerëz të papërsosur, të gjithë zemërohemi herë pas here. Por, mënyra si e tregojmë këtë zemërim është çështje zgjedhjeje. Apostulli Pavël i paralajmëroi të bashkëkrishterët: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar.» (Efesianëve 4:26) Po, duke kontrolluar zemërimin, mund t’i shfaqim ndjenjat në mënyrën e duhur, në një mënyrë që u sjell dobi të gjithë atyre që janë të përfshirë.
[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]
MËSO TË QETËSOHESH
Merr frymë thellë
Merru me diçka që të pëlqen
Bëj fizkulturë rregullisht