Si mund të jesh i suksesshëm?
ASHTU si prindërit kujdesen për fëmijët dhe duan që t’u vejë mbarë, po kështu edhe Ati ynë qiellor kujdeset për ne dhe do që të na vejë mbarë. Për të na treguar kujdesin e tij të dashur, ai na thotë shumë gjëra për suksesin dhe dështimin. Në të vërtetë kur flet për një njeri që u kushton vëmendje fjalëve të Perëndisë, Bibla e thotë hapur: «I shkon mbarë çdo gjë që bën.»—Psalmi 1:3.
Por, nëse është kështu, pse atëherë shumë njerëz nuk arrijnë të kenë një jetë të suksesshme, të lumtur dhe të kënaqshme? Një shqyrtim më nga afër i këtij psalmi do të na japë përgjigjen dhe do të na tregojë se si mund të jemi edhe ne të suksesshëm.
«Këshillat e të ligjve»
Shkrimtari i Psalmit paralajmëron për rrezikun që vjen po të ndjekim «këshillat e të ligjve». (Psalmi 1:1) «I ligu» më i madh është Satana Djalli. (Mateu 6:13) Shkrimet thonë se ai është «sundimtari i kësaj bote» dhe se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (Gjoni 16:11; 1 Gjonit 5:19) Prandaj nuk habitemi që shumica e këshillave që dëgjojmë në botën e sotme pasqyrojnë mendimet e këtij personi të lig.
Ç’lloj këshillash japin të ligjtë? Në përgjithësi, të ligjtë e përbuzin Perëndinë. (Psalmi 10:13) Këshillat e tyre, të cilat shpërfillin ose përbuzin Perëndinë, gjenden kudo. Shoqëria e sotme nxit ‘dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisjen për t’u dukur me të mirat materiale’. (1 Gjonit 2:16) Media na bombardon me filozofinë materialiste «merr sa më shumë nga jeta». Në mbarë botën, kompanitë harxhojnë më tepër se 500 miliardë dollarë në vit me reklamat që bëjnë për t’ua mbushur mendjen njerëzve të blejnë produktet e tyre—pavarësisht nëse u nevojiten apo jo. Dhe kjo propagandë nuk ka ndryshuar vetëm zakonet e blerjes te njerëzit, por ka shtrembëruar edhe pikëpamjen që ka bota për suksesin.
Si pasojë, ndonëse shumë veta kanë gjëra që disa vite më parë as i ëndërronin, prapëseprapë kanë një etje të pangopur për të pasur më shumë. Ata mendojnë se po të mos i kenë këto gjëra, nuk mund të jenë të lumtur ose të suksesshëm. Kjo mënyrë të menduari është një gënjeshtër dhe «nuk vjen nga Ati, por nga bota».—1 Gjonit 2:16.
Krijuesi ynë e di se çfarë na bën vërtet të suksesshëm. Këshillat e tij janë të ndryshme nga «këshillat e të ligjve». Prandaj, të përpiqemi të fitojmë miratimin e Perëndisë dhe njëkohësisht të ecim në udhët e botës për të pasur sukses, është njësoj sikur të përpiqemi të ecim njëkohësisht në dy rrugë të ndryshme. Kjo është e pamundur. Me të drejtë Bibla paralajmëron: «Mos jetoni sipas standardeve të kësaj bote!»—Romakëve 12:2, Today’s English Version.
Mos lejo të të japë formë bota
Bota, e cila është nën ndikimin e Satanait, përpiqet të duket sikur interesohet për mirëqenien tonë. Por duhet kujdes. Mos harro se Satanai me egoizëm e mashtroi gruan e parë, Evën, për interesat e tij. Më pas e përdori që të shtynte Adamin të mëkatonte. Edhe sot Satanai përdor njerëzit që të përhapë «këshillat» e tij të liga.
Për shembull, Davidi, i përmendur në artikullin e mëparshëm, duhej të punonte jashtë orarit dhe të udhëtonte shpesh për çështjet e punës. Ai tha: «Duhej të ikja të hënën në mëngjes dhe të kthehesha të enjten në mbrëmje.» Duke ditur se për të arritur sukses në botë duhen bërë këto sakrifica, miqtë e sinqertë, pjesëtarët e familjes dhe kolegët e nxitnin Davidin: «Bëje për të mirën e familjes.» Ata arsyetonin se duhej të vazhdonte kështu vetëm për pak vite derisa të rregullohej. Davidi shpjegoi: «Ata arsyetonin se kjo do të ishte gjëja më e mirë për familjen time, ngaqë mund të sillja më shumë para në shtëpi—mund të isha më i suksesshëm. Megjithëse nuk rrija me familjen, miqtë më bindën se në të vërtetë po i jepja më shumë familjes.» Ashtu si Davidi, shumë individë rraskapiten për t’i dhënë familjes gjithçka që mendojnë se ka nevojë. Por, a çon në sukses ndjekja e kësaj këshille? Për çfarë ka nevojë vërtet familja?
Davidi e zbuloi këtë kur ishte në një udhëtim pune. Ai tha: «Po flisja në telefon me vajzën, Anxhelikën, dhe ajo më tha: ‘Babi, pse nuk do që të rrish në shtëpi me ne?’ U trondita jashtë mase.» Fjalët e vajzës e bënë që të dëshironte edhe më shumë të jepte dorëheqjen. Davidi vendosi t’i jepte familjes atë për të cilën kishin vërtet nevojë—veten.
Zbatimi i këshillave të Perëndisë çon në sukses
Si mund të kundërveprosh ndaj propagandës negative që është kaq e përhapur në botë? Psalmisti thotë se njeri i suksesshëm dhe i lumtur është ai që «gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë».—Psalmi 1:2.
Kur Perëndia e caktoi Josiun udhëheqës të kombit të Izraelit, atij iu tha: «Lexoje [Fjalën e Perëndisë] nën zë ditë e natë.» Po, leximi i Fjalës së Perëndisë dhe meditimi rreth saj ishin thelbësore, por gjithashtu Josiu duhej ‘të vepronte me kujdes në përputhje me atë që ishte shkruar aty’. Sigurisht, vetëm leximi i Biblës nuk do të të bëjë të suksesshëm si me një mrekulli. Duhet ta zbatosh atë që lexon. Josiut iu tha: «Atëherë do të kesh sukses në udhën tënde, atëherë do të veprosh me mençuri.»—Josiu 1:8.
Përfytyro një fëmijë të gëzuar që rri ulur në prehrin e një prindi të dashur, ndërsa lexojnë së bashku një histori që u pëlqen. Pavarësisht se sa herë e kanë lexuar më parë, këto çaste janë shumë të çmuara për ta. Po kështu, për një njeri që e do Perëndinë, leximi i përditshëm i Biblës është një përvojë e bukur—një kohë e këndshme që e kalon me Atin e tij qiellor. Duke ndjekur këshillat dhe drejtimin e Jehovait, ky njeri bëhet «si një pemë e mbjellë pranë vijave të ujit, që jep fryt në stinën e vet, që nuk i thahen gjethet dhe i shkon mbarë çdo gjë që bën».—Psalmi 1:3.
Pema që përshkruan psalmisti nuk rritet rastësisht. Ajo është vendosur me kujdes pranë një burimi uji dhe për të kujdeset bujku. Në të njëjtën mënyrë, Ati ynë qiellor na ndreq dhe e korrigjon mënyrën tonë të të menduarit nëpërmjet këshillave që gjenden në Shkrime. Si rrjedhim lulëzojmë dhe prodhojmë cilësi që i pëlqejnë Perëndisë.
Megjithatë, «të ligjtë nuk janë të tillë». Vërtet që mund të duket sikur ata begatohen për njëfarë kohe, por në fund kanë një përfundim të keq. Ata «nuk do t’i bëjnë ballë gjykimit». Përkundrazi, «udha e të ligjve do të marrë fund».—Psalmi 1:4-6.
Prandaj, mos lejo që bota t’u japë formë synimeve dhe vlerave të tua. Edhe pse mund të jesh i talentuar dhe mund të kesh potencial për të arritur sukses në këtë botë, ki kujdes se si i përdor talentet ose si lejon që t’i përdorë bota ato. Gjërat e pafrytshme dhe materialiste mund ta bëjnë një njeri që ‘të thahet’. Nga ana tjetër, një marrëdhënie e mirë me Perëndinë çon në sukses dhe lumturi të vërtetë.
Si mund të jesh i suksesshëm?
Pse kur një njeri ndjek këshillat e Perëndisë, ka sukses ose i shkon mbarë çdo gjë që bën? Psalmisti nuk po fliste për suksesin në këtë botë. Suksesi i një njeriu që i bindet Perëndisë lidhet me bërjen e vullnetit të Tij—dhe vullneti i Perëndisë del gjithnjë me sukses. Le të shohim se si zbatimi i parimeve biblike mund të të bëjë të suksesshëm.
Në familje: Shkrimet i këshillojnë burrat që «t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre» dhe gratë e krishtere këshillohen që ‘të kenë respekt të thellë për burrat e tyre’. (Efesianëve 5:28, 33) Ndërsa prindërit i nxitin që të kalojnë kohë me fëmijët, të qeshin së bashku dhe t’u mësojnë gjërat e rëndësishme të jetës. (Ligji i përtërirë 6:6, 7; Eklisiastiu 3:4) Gjithashtu Fjala e Perëndisë i këshillon: «Mos i acaroni fëmijët tuaj.» Kur kjo këshillë zbatohet, fëmijët e kanë më të lehtë ‘t’u binden prindërve’ dhe ‘të nderojnë atin dhe nënën e tyre’. (Efesianëve 6:1-4) Ndjekja e këtyre këshillave të Perëndisë mund të çojë në një jetë të suksesshme familjare.
Me miqtë: Shumica e njerëzve duan miq. Ne kemi aftësinë mendore dhe emocionale që të duam dhe të na duan. Jezui u tha ithtarëve se ata duhet ‘ta duan njëri-tjetrin’. (Gjoni 13:34, 35) Mes tyre gjejmë miq që mund t’i duam dhe t’u zëmë besë—madje edhe t’u besojmë mendimet dhe ndjenjat tona më të thella. (Proverbat 18:24) Mbi të gjitha, duke zbatuar parimet biblike, mund ‘t’i afrohemi Perëndisë’ dhe, ashtu si Abrahami, mund të quhemi madje ‘miq të Jehovait’.—Jakovi 2:23; 4:8.
Një qëllim në jetë: Në vend që të bëjnë një jetë pa qëllim, ata që janë vërtet të suksesshëm kanë një qëllim në jetë. Jeta e tyre nuk bazohet te kushtet e paqëndrueshme të kësaj bote. Synimet e tyre sjellin kënaqësi të vërtetë dhe të qëndrueshme, sepse përqendrohen te qëllimi i vërtetë i jetës. Ç’gjë i jep njeriut qëllim në jetë? «Frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.»—Eklisiastiu 12:13.
Shpresë: Nëse e kemi Perëndinë Mikun tonë, kjo na jep edhe shpresë për të ardhmen. Apostulli Pavël u bëri thirrje të krishterëve që ‘të mos i varnin shpresat te pasuria e pasigurt, por te Perëndia’. Në këtë mënyrë ata ‘do të vinin si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rroknin jetën e vërtetë’. (1 Timoteut 6:17-19) Kjo jetë e vërtetë do të vijë së shpejti, kur Mbretëria qiellore e Perëndisë të rivendosë Parajsën në tokë.—Luka 23:43.
Edhe nëse i zbaton parimet e Biblës, nuk do të jesh pa probleme, megjithatë do t’i kursesh vetes shumë nga brengat dhe pikëllimet që i sjellin vetes të ligjtë. Davidi, që e përmendëm më lart, dhe miliona të tjerë si ai, kanë mësuar vlerën e zbatimit të parimeve biblike në jetën e tyre. Pasi gjeti një punë me program të përshtatshëm, Davidi tha: «Jam i kënaqur për marrëdhënien që kam me gruan dhe fëmijët, si edhe për privilegjin që mund t’i shërbej Perëndisë Jehova si plak kongregacioni.» Është me vend ajo që thotë psalmi për njeriun që u kushton vëmendje këshillave të Perëndisë: «I shkon mbarë çdo gjë që bën.»
[Tabela në faqen 6]
PESË HAPA PËR TË PASUR SUKSES
1 Mos lejo të të japin formë vlerat e kësaj bote.
2 Lexo Fjalën e Perëndisë dhe medito rreth saj çdo ditë.
3 Zbatoji këshillat biblike në jetën tënde.
4 Bëhu mik me Perëndinë.
5 Frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij.
[Figurat në faqen 7]
A po i ndjek hapat që të çojnë drejt suksesit?