-
Nderoni Krishtin, Mbretin e lavdishëm!Kulla e Rojës—2014 | 15 Shkurt
-
-
MBRETI KALËRON «NË MBROJTJE TË SË VËRTETËS»
11. Në ç’mënyrë Krishti kalëron «në mbrojtje të së vërtetës»?
11 Lexo Psalmin 45:4. Mbreti-Luftëtar nuk lufton që të pushtojë territore e të shtypë popuj. Ai bën një luftë të drejtë me synime fisnike. Kalëron «në mbrojtje të së vërtetës, të përulësisë e të drejtësisë». E vërteta më e madhe që duhet mbrojtur është ajo e sovranitetit universal të Jehovait. Kur u rebelua kundër Jehovait, Satanai vuri në dyshim të drejtën e Tij për të sunduar. Që atëherë, këtë të vërtetë themelore e kanë hedhur poshtë demonë dhe njerëz. Tani ka ardhur momenti që Mbreti i mirosur i Jehovait të kalërojë për të vërtetuar një herë e mirë se vetëm Jehovai është Sovrani.
12. Në ç’mënyrë kalëron Mbreti ‘në mbrojtje të përulësisë’?
12 Gjithashtu, Mbreti kalëron ‘në mbrojtje të përulësisë’. Si Biri i vetëmlindur i Perëndisë, ai vetë ka lënë një shembull të shkëlqyer përulësie dhe nënshtrimi me besnikëri ndaj sovranitetit të të Atit. (Isa. 50:4, 5; Gjoni 5:19) Të gjithë nënshtetasit besnikë të Mbretit duhet të ndjekin shembullin e tij, duke iu nënshtruar me përulësi sovranitetit të Jehovait në çdo gjë. Vetëm ata që veprojnë kështu do të lejohen të jetojnë në botën e re që ka premtuar Perëndia.—Zak. 14:16, 17.
13. Si hidhet në sulm Krishti ‘në mbrojtje të drejtësisë’?
13 Po ashtu, Krishti hidhet në sulm ‘në mbrojtje të drejtësisë’. Drejtësia që mbron Mbreti është «drejtësia e Perëndisë», normat e Jehovait për atë që është e drejtë dhe e gabuar. (Rom. 3:21; Ligj. 32:4) Isaia profetizoi për Mbretin Jezu Krisht: «Një mbret do të mbretërojë për të siguruar të drejtën.» (Isa. 32:1) Mbretërimi i Jezuit do të sjellë «qiej të rinj e një tokë të re» të premtuar ku «do të banojë drejtësia». (2 Pjet. 3:13) Çdo banori të botës së re do t’i kërkohet të përshtatet me normat e Jehovait.—Isa. 11:1-5.
MBRETI BËN «GJËRA TË FRIKSHME»
14. Si do të bëjë «gjëra të frikshme» dora e djathtë e Krishtit? (Shih figurën hapëse.)
14 Ndërsa kalëron përpara, Mbreti ka një shpatë të ngjeshur pas kofshës. (Psal. 45:3) Por do të vijë momenti kur do të nxjerrë shpatën e do ta vringëllojë me dorën e tij të djathtë. Psalmisti profetizoi: «Dora jote e djathtë do të të mësojë gjëra të frikshme.» (Psal. 45:4) Kur Jezu Krishti të kalërojë që të ekzekutojë gjykimet e Jehovait në Harmagedon, do të bëjë «gjëra të frikshme» kundër armiqve të tij. Se cilat mjete do të përdorë për të shkatërruar sistemin e Satanait, nuk e dimë tamam. Por, ky veprim do t’u kallë lemerinë banorëve të tokës që nuk ia kanë vënë veshin paralajmërimit hyjnor për t’iu nënshtruar sundimit të Mbretit. (Lexo Psalmin 2:11, 12.) Në profecinë e tij për ditët e fundit, Jezui tha se njerëzit ‘do të mpakeshin nga frika dhe nga pritja e gjërave që do të ndodhnin në tokën e banuar, sepse fuqitë e qiejve do të tronditeshin’. Pastaj shtoi: «Atëherë do të shohin Birin e njeriut që do të vijë në një re me fuqi dhe lavdi të madhe.»—Luka 21:26, 27.
15, 16. Cilët do të përbëjnë ‘ushtrinë’ që ndjek Krishtin në betejë?
15 Ja si e njofton libri i Zbulesës ardhjen e Mbretit «me fuqi dhe lavdi të madhe» për të ekzekutuar gjykimin: «Pashë qiellin të hapur dhe ja, një kalë i bardhë. Ai që rrinte mbi kalë, quhet i Besueshëm e i Vërtetë, dhe gjykon e lufton me drejtësi. Gjithashtu, e ndiqnin mbi kuaj të bardhë ushtritë që ishin në qiell. Ato ishin veshur me li të bardhë, të pastër e të hollë. Nga goja e tij del një shpatë e gjatë dhe e mprehtë, që me të ai të godasë kombet. Ai do të sundojë mbi to me një shkop të hekurt. Ai shtyp në shtypësen e rrushit të zemërimit të furishëm të Perëndisë së Plotfuqishëm.»—Zbul. 19:11, 14, 15.
16 Cilët do të jenë bashkëluftëtarët e Krishtit që përbëjnë ‘ushtrinë’ qiellore që e ndjek në betejë? Kur e ngjeshi shpatën për herë të parë që të flakte nga qielli Satanain dhe demonët, Jezui ishte bashkë me «engjëjt e tij». (Zbul. 12:7-9) Duket e logjikshme që në luftën e Harmagedonit, engjëjt e shenjtë të përfshihen në ushtrinë e Krishtit. A do të përfshihen edhe të tjerë? Jezui u bëri këtë premtim vëllezërve të tij të mirosur: «Atij që del fitimtar dhe që ndjek udhën time deri në fund, do t’i jap autoritet mbi kombet, njëlloj si mora unë autoritet nga Ati im. Ai do të sundojë mbi njerëzit me një shkop të hekurt, dhe ata do të bëhen copë-copë posi enë argjile.» (Zbul. 2:26, 27) Kështu, në ushtrinë qiellore të Krishtit do të përfshihen edhe vëllezërit e tij të mirosur që në atë kohë do ta kenë marrë shpërblimin qiellor. Bashkësundimtarët e mirosur do të jenë pranë tij kur të bëjë «gjëra të frikshme» teksa sundon mbi kombet me shkop të hekurt.
-
-
Nderoni Krishtin, Mbretin e lavdishëm!Kulla e Rojës—2014 | 15 Shkurt
-
-
19. Si ‘do të shkojë Krishti drejt suksesit’ dhe të plotësojë fitoren?
19 Pasi të shkatërrojë sistemin e lig të Satanait në tokë, Krishti, ‘me shkëlqimin e tij do të shkojë drejt suksesit’. (Psal. 45:4) Fitorja do të jetë e plotë kur të kyçë në humnerë Satanain dhe demonët gjatë gjithë Mbretërimit Mijëvjeçar. (Zbul. 20:2, 3) Kur Djalli dhe engjëjt e tij të jenë në një gjendje si vdekja, banorët e tokës do të çlirohen nga ndikimi satanik dhe do të mund të vazhdojnë jetën plotësisht të nënshtruar ndaj Mbretit ngadhënjyes e të lavdishëm.
-