2 Ndihmë për të zgjidhur problemet
Ca probleme në jetë vazhdojnë, disa herë për vite me radhë, e madje mund të hedhin rrënjë pa e kuptuar fare. A mund të na japë Bibla mençuri për të zgjidhur probleme të tilla stresuese që duket sikur s’mbarojnë kurrë? Shqyrto nja dy shembuj.
MERAKU I TEPËRT
Rozi thotë: «Më rrinte mendja te disa probleme dhe shpesh i imagjinoja më keq se ç’ishin.» Cilat vargje biblike e ndihmuan? Një prej tyre është Mateu 6:34: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.» Rozi thotë se këto fjalë të Jezuit e ndihmuan të mos merakosej më për të nesërmen. Ajo shton: «Tashmë kisha mjaft halle, ndaj pse të shqetësohesha edhe më shumë duke imagjinuar situata që s’kishin ndodhur e mbase s’do të ndodhnin kurrë?»
Edhe Jasmina nisi të kuptonte se ankthi po i zinte frymën. Ajo shprehet: «Qaja shpesh gjatë javës, kurse disa net s’më zinte gjumi. Më dukej sikur mendimet negative po më hanin të gjallë.» Cili shkrim e ndihmoi? Ajo përmend 1 Pjetrit 5:7: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai interesohet për ju.» Jasmina thotë: «Ndërsa koha kalonte, i lutesha pareshtur Jehovait dhe ai iu përgjigj lutjeve të mia. U ndjeva sikur m’u hoq një barrë e rëndë nga supet. Hera-herës mendimet negative rikthehen, por tani ia kam marrë dorën dhe di si t’i përballoj.»
ZVARRITJA E PUNËVE
Një e re që quhet Izabela, thotë: «Mendoj se zvarritja e punëve është gjenetike, se edhe babi e ka zakon. Shtyja për më vonë gjëra të rëndësishme për hiçgjë, thjesht se doja të pushoja ose të shikoja televizor. Ky është një zakon i dëmshëm sepse jo vetëm të shton stresin, por edhe punën do ta bësh shkel e shko.» Një nga parimet që e ndihmoi, gjendet te 2 Timoteut 2:15, që thotë: «Bëj çmos të paraqitesh para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë.» Izabela pohon: «Nuk doja që Jehovait t’i vinte turp për punën time, vetëm se unë e kisha zakon t’i zvarritja gjërat.» Ajo ka bërë goxha përmirësime.
Po njësoj, Kelsi komenton: «Kur kisha ndonjë projekt me afat, e lija për momentin e fundit. Pastaj qaja, s’më zinte gjumi natën dhe merakosesha e bëhesha keq.» Kelsin e ndihmoi Proverbat 13:16: «Njeriu mendjehollë do të veprojë sipas njohurisë, por budallai do të përhapë kudo marrëzi.» Ajo na tregon se çfarë mësoi duke medituar për këtë shkrim: «Është e mençur të jesh praktik e të planifikosh që më parë. Tani mbaj te tavolina një bllok që të programoj punët. Kjo më ndihmon të jem e organizuar dhe të mos i lë gjërat për minutën e fundit.»
VETMIA
Kirstena tregon: «Im shoq më braktisi dhe mbeta me katër fëmijët e vegjël.» Cili parim biblik i erdhi në ndihmë? Proverbat 17:17: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» Kirstena kërkoi ndihmë tek ata që, njësoj si ajo, i shërbejnë Jehovait. Cili ishte rezultati? Ajo tregon: «Motrat e vëllezërit m’u bënë krah në mënyra të ndryshme. Disa linin te dera ushqime dhe lule. ‘Një ushtri e vogël’ njerëzish na ndihmoi tri herë me transferimin e shtëpisë. Një person tjetër më ndihmoi të gjeja punë. Miqtë m’u gjendën gjithmonë pranë.»
Edhe Delfina, e përmendur më parë, ka luftuar me ndjenjat e vetmisë. Pas humbjeve që pësoi, ajo kujton: «Më dukej sikur të gjithë e kishin dikë për krah, kurse unë isha vetëm, fillikat.» Një shkrim që e ndihmoi, ishte Psalmi 68:6: «Perëndia bën që vetmitarët të kenë shtëpi.» Ajo shpjegon: «E dija që ky shkrim nuk e kishte fjalën vetëm për një shtëpi të mirëfilltë sot. Arrita të kuptoja se Perëndia Jehova na jep një shtëpi të figurshme, një vend vërtet të sigurt ku mund të gjesh miqësi të sinqerta e të lidhesh emocionalisht me të tjerë që e duan Atë. Megjithatë e dija se, po të mos lidhja një miqësi të ngushtë me Jehovain, nuk mund të krijoja lidhje të ngushta me të tjerët. Për këtë më ndihmoi shumë Psalmi 37:4: ‘Gjej kënaqësi të thellë tek Jehovai, dhe ai do të të japë çfarë të do zemra.’»
Ajo përfundon me këto fjalë: «Kuptova se duhej të lidhesha më ngushtë me Jehovain. S’ka mik si ai! Pastaj shkrova një listë me aktivitete që mund t’i shijoja me të tjerët, kështu mund t’i bëja miq, miqtë e Jehovait. Mësova të shikoja gjërat e mira te të tjerët dhe të anashkaloja papërsosmëritë e tyre.»
Pa dyshim që bashkëbesimtarët që i shërbejnë Perëndisë janë ende të papërsosur. Dëshmitarët e Jehovait kanë probleme si gjithë të tjerët. Ama, mësimet e Biblës i motivojnë që t’u vijnë në ndihmë të tjerëve kur është e mundur. Sa e mençur është të zgjedhësh miq të tillë! Megjithatë, a mund të të ndihmojnë parimet e Biblës edhe për problemet që sot për sot nuk mund të zgjidhen, si sëmundjet kronike ose pikëllimi?
Kur zbaton këshillat e Biblës, mund të gjesh miq që të bëhen krah