Të nderojmë të moshuarit mes nesh
«Trego nderim për të moshuarin.»—LEV. 19:32.
1. Në ç’gjendje të trishtueshme është katandisur njerëzimi?
JEHOVAI as që e ka pasur ndër mend që njerëzit të vuanin nga pasojat ligështuese të plakjes. Përkundrazi, qëllimi i tij ishte që burrat e gratë të gëzonin shëndet të përsosur në Parajsë. Mirëpo, sot «e gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku». (Rom. 8:22) Si duhet të ndihet vallë Perëndia kur sheh se mëkati po bën kërdinë te njerëzit? Veç kësaj, jo pak të moshuar lihen pas dore në një kohë kur kanë më tepër nevojë për ndihmë.—Psal. 39:5; 2 Tim. 3:3.
2. Pse kemi vlerësim të veçantë për të moshuarit?
2 Shërbëtorët e Jehovait janë mirënjohës për të moshuarit në kongregacionet e tyre. Nxjerrim dobi nga mençuria e tyre dhe na frymëzojnë me shembullin e besimit. Shumë nga ne kemi të afërm mes këtyre të moshuarve të shtrenjtë. Gjithsesi, pavarësisht nëse i kemi të afërm këta vëllezër e motra, merakosemi për mirëqenien e tyre. (Gal. 6:10; 1 Pjet. 1:22) Të gjithë do të nxjerrim dobi ndërsa shqyrtojmë si i sheh Perëndia të moshuarit. Gjithashtu, do të ndalemi te përgjegjësitë që kanë pjesëtarët e familjes si edhe kongregacioni ndaj të moshuarve të dashur në gjirin tonë.
«MOS MË FLAK»
3, 4. (a) Ç’kërkesë domethënëse i bëri Jehovait shkrimtari i Psalmit 71? (b) Çfarë mund t’i kërkojnë Perëndisë të moshuarit në kongregacion?
3 Shkrimtari i Psalmit 71:9 iu përgjërua Perëndisë nën frymëzim: «Mos më flak në kohën e pleqërisë. Mos më lër pikërisht kur më priten fuqitë.» Me sa duket, ky psalm është vazhdim i Psalmit 70, që ka mbishkrimin «Psalm i Davidit». Nëse është kështu, kërkesën që lexojmë te Psalmi 71:9 e ka bërë Davidi. Ai i shërbeu Perëndisë që nga djalëria deri në moshë të thyer, dhe Jehovai e përdori për vepra madhështore. (1 Sam. 17:33-37, 50; 1 Mbret. 2:1-3, 10) Prapëseprapë, Davidi ndjeu nevojën t’i kërkonte Jehovait t’i tregonte akoma hir.—Lexo Psalmin 71:17, 18.
4 Sot plot të moshuar i ngjajnë Davidit. Me gjithë vitet e shumta mbi supe dhe «ditët e kobshme», nuk reshtin së lëvduari Perëndinë, duke i dhënë më të mirën. (Ekl. 12:1-7) Mjaft prej tyre mbase nuk bëjnë dot sa dikur në jetën e përditshme, përfshirë shërbimin. Por, edhe ata mund t’i përgjërohen Jehovait që të vazhdojë t’i bekojë e të kujdeset për ta. Këta të moshuar besnikë s’kanë pse të dyshojnë se Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve të tyre. Tekefundit, këto lutje pasqyrojnë të njëjtin merak të drejtë që shprehu Davidi nën frymëzim.
5. Si i sheh Jehovai të moshuarit besnikë?
5 Shkrimet e thonë shkoqur se Jehovai i vlerëson jashtë mase të moshuarit besnikë dhe se pret që shërbëtorët e tij t’i nderojnë. (Psal. 22:24-26; Prov. 16:31; 20:29) Te Levitiku 19:32 lexojmë: «Duhet të ngrihesh në këmbë para flokëzbardhurit. Trego nderim për të moshuarin dhe frikësoju Perëndisë tënd. Unë jam Jehovai.» Kur u shkruan këto fjalë, ishte përgjegjësi serioze të nderoje të moshuarit në kongregacion, e kështu është edhe sot e kësaj dite. Por, nga ana praktike, kush e ka përgjegjësinë të kujdeset për ta?
PËRGJEGJËSI E FAMILJES
6. Çfarë shembulli la Jezui se si të kujdesemi për prindërit?
6 Fjala e Perëndisë thotë: «Ndero atin dhe nënën tënde.» (Dal. 20:12; Efes. 6:2) Jezui i mëshoi këtij urdhri kur dënoi farisenjtë dhe skribët që nuk donin t’u siguronin gjërat e nevojshme prindërve. (Mar. 7:5, 10-13) Ai vetë ishte një model i shkëlqyer. Për shembull, ndërsa po vdiste në shtyllë, ia besoi dishepullit të dashur Gjon kujdesin për të ëmën, që me sa duket ishte e ve.—Gjoni 19:26, 27.
7. (a) Ç’parim dha apostulli Pavël lidhur me kujdesin për prindërit? (b) Cili është konteksti i fjalëve të Pavlit?
7 Apostulli Pavël tha nën frymëzim se besimtarët duhet t’u sigurojnë gjërat e nevojshme atyre të shtëpisë. (Lexo 1 Timoteut 5:4, 8, 16.) Të mendojmë në ç’kontekst ia shkroi Timoteut këto fjalë. Pavli po diskutonte se kush kualifikohej të merrte ndihmë financiare nga kongregacioni. Ai e bëri të qartë se përgjegjësinë kryesore që të kujdeseshin për vejushat e moshuara e kishin fëmijët, nipat, mbesat dhe të afërmit besimtarë. Kështu, kongregacionit nuk i ngarkohej asnjë barrë financiare e panevojshme. Edhe sot, një nga mënyrat si e tregojmë «përkushtimin hyjnor», është duke u siguruar gjërat e domosdoshme materiale të afërmve nevojtarë.
8. Pse është e mençur që Bibla nuk jep ndonjë zgjidhje specifike rreth kujdesit për prindërit e moshuar?
8 Me pak fjalë, fëmijët e krishterë në moshë të rritur duhet të sigurohen që nevojat materiale të prindërve të plotësohen. Pavli po fliste për të afërmit besimtarë, por edhe prindërit që nuk janë pjesëtarë të kongregacionit s’duhen lënë pas dore. Mënyra si kujdesen konkretisht fëmijët ndryshon sipas rastit. Nuk ka dy situata fiks njësoj. Ndryshojnë nevojat, temperamenti dhe shëndeti i atyre që përfshihen. Disa të moshuar kanë plot fëmijë, të tjerë kanë vetëm një. Disa përfitojnë përkrahjen e shtetit, të tjerë jo. Veç kësaj, ndryshojnë edhe preferencat e atyre që kanë nevojë për kujdes. Pra, nuk është as e mençur, as e dashur të kritikojmë mënyrën si përpiqet të kujdeset gjithkush për të afërmit e moshuar. Në fund të fundit, Jehovai mund të bekojë çfarëdo vendimi të bazuar në Shkrime dhe mund t’ua sjellë mbarë, siç ka bërë që nga koha e Moisiut.—Num. 11:23.
9-11. (a) Cilat situata të vështira mund të hasin disa? (Shih figurën hapëse.) (b) Pse fëmijët nuk duhet të nguten të lënë shërbimin e plotkohor? Ilustrojeni.
9 Kur fëmijët jetojnë larg, mund të jetë e vështirë t’u sigurojnë ndihmën e nevojshme prindërve të moshuar. Një keqësim i beftë i shëndetit të prindërve, mbase për shkak të ndonjë rrëzimi, të një kocke të thyer a të ndonjë urgjence tjetër, mund ta bëjë të ngutshme vajtjen te prindërit. Pas kësaj, ata mund të kenë nevojë për ndihmë, të përkohshme ose edhe afatgjatë.a
10 Shërbëtorët në kohë të plotë që kanë ikur larg shtëpisë për hir të caktimeve teokratike, mbase përballen me vendime më të vështira. Të gjithë ata që shërbejnë si bethelitë, misionarë dhe mbikëqyrës udhëtues, e shohin caktimin e tyre si thesar, si bekim nga Jehovai. Gjithsesi, nëse sëmuren prindërit, reagimi i parë mund të jetë: «Duhet të lëmë caktimin dhe të kthehemi në shtëpi që të kujdesemi për ta.» Megjithatë, është e mençur të shqyrtojmë në lutje nëse prindërit e duan këtë dhe kanë vërtet nevojë. Askush nuk duhet të ngutet të heqë dorë nga privilegjet e shërbimit, dhe jo gjithmonë është e nevojshme të bëhet kjo. Mos ndoshta problemi shëndetësor është i përkohshëm, dhe disa në kongregacionin e prindërve do të ishin gati të ndihmonin me kënaqësi?—Prov. 21:5.
11 Të marrim rastin e dy vëllezërve të një gjaku që shërbenin larg shtëpisë. Njëri ishte misionar në Amerikën e Jugut, tjetri shërbente në selinë botërore në Bruklin, Nju-Jork. Prindërit e tyre të moshuar kishin nevojë për ndihmë. Djemtë bashkë me gratë e tyre shkuan te prindërit në Lindjen e Largme, që të shihnin cila ishte mënyra më e mirë për t’i ndihmuar dhe si. Me kohë, çifti në Amerikën e Jugut po peshonte mundësinë që ta linte caktimin e të kthehej në shtëpi. Në atë periudhë u telefonoi koordinatori i trupit të pleqve në kongregacionin e prindërve. Pleqtë kishin diskutuar për situatën dhe donin që misionarët të vazhdonin sa më gjatë të ishte e mundur në caktimin e tyre. E çmonin shërbimin e atij çifti dhe ishin të vendosur të bënin maksimumin që t’i ndihmonin të kujdeseshin për prindërit. E gjithë familja e vlerësoi atë merak të dashur.
12. Çfarë meraku duhet të ketë familja për çdo vendim në lidhje me kujdesin për të moshuarit?
12 Çfarëdo hapash praktikë të bëjë familja që të kujdeset për nevojat e prindërve të moshuar, të gjithë duhet të sigurohen që vendimet e tyre të mos njollosin emrin e Perëndisë. Kurrsesi nuk duam të jemi si krerët fetarë në ditët e Jezuit. (Mat. 15:3-6) Duam që vendimet tona të nderojnë Perëndinë dhe kongregacionin.—2 Kor. 6:3.
PËRGJEGJËSI E KONGREGACIONIT
13, 14. Pse nga Shkrimet nxjerrim përfundimin se kongregacioni merakoset për të moshuarit në gjirin e tij?
13 Jo të gjithë kanë mundësi t’i ndihmojnë shërbëtorët e plotkohorë në mënyrën e mësipërme. Megjithatë, një problem që lindi në shekullin e parë tregon pa pikë dyshimi se kongregacioni merakoset për nevojat e motrave e të vëllezërve të moshuar shembullorë. Bibla thotë se në kongregacionin e Jerusalemit «nuk kishte as edhe një në nevojë». Nuk është puna se të gjithë ata notonin në para. Me sa duket, disa kishin fare pak nga ana materiale, por «secilit i shpërndahej sipas nevojës». (Vep. 4:34, 35) Më vonë, atje lindi një problem. Thuhej se disa ‘vejusha po liheshin pas dore kur bëhej shpërndarja e përditshme e ushqimit’. Prandaj, apostujt autorizuan emërimin e disa burrave të kualifikuar. Këta morën masa që vejushave t’u plotësoheshin nevojat e të trajtoheshin me paanësi. (Vep. 6:1-5) Kuptohet, shpërndarja e përditshme e ushqimit ishte një masë e përkohshme. Falë saj do t’u plotësoheshin nevojat atyre që u bënë të krishterë në festën e Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s. dhe që ndenjën njëfarë kohe në Jerusalem për t’u forcuar frymësisht. Gjithsesi, reagimi i apostujve tregoi se kongregacioni mund të ndihmojë t’u plotësohen nevojat pjesëtarëve që janë në hall.
14 Siç e pamë, Pavli i parashtroi Timoteut cilat rrethana i kualifikonin vejushat e krishtere që kongregacioni t’u jepte ndihmë materiale. (1 Tim. 5:3-16) Po ashtu, Jakovi, shkrimtar i frymëzuar i Biblës, tregoi se të krishterët kanë detyrimin të kujdesen për jetimët, vejushat e të tjerët që janë në vështirësi a në nevojë. (Jak. 1:27; 2:15-17) Edhe apostulli Gjon arsyetoi: «Si qëndron dashuria e Perëndisë tek ai që ka zotërimet e kësaj bote, e megjithatë, kur sheh vëllanë e tij në nevojë, e mbyll derën e dhembshurive të tij të buta?» (1 Gjon. 3:17) Përderisa çdo i krishterë ka këtë detyrim ndaj nevojtarëve, a nuk vlen kjo edhe për kongregacionin?
15. Nga se mund të varet ndihma që u nevojitet motrave e vëllezërve të moshuar?
15 Në disa vende qeveria siguron për nënshtetasit e moshuar pensione, asistencë sociale dhe personel të specializuar që kujdeset për ta në shtëpi. (Rom. 13:6) Në vende të tjera nuk ka shërbime të tilla. Prandaj, se sa duhet t’i ndihmojnë fizikisht të afërmit dhe kongregacioni motrat e vëllezërit e moshuar, varet nga situata. Nëse fëmijët besimtarë jetojnë larg prindërve, kjo mund ta kufizojë ndihmën që janë në gjendje t’u japin. Fëmijët bëjnë mirë të komunikojnë hapur me pleqtë në kongregacionin e prindërve që të sigurohen se të gjithë i kuptojnë mirë rrethanat e familjes. Për shembull, pleqtë mund t’i ndihmojnë prindërit të kuptojnë nga cilat programe shtetërore a sociale mund të përfitojnë dhe si. Gjithashtu, mund të diktojnë probleme që u duhen thënë fëmijëve, si fatura që nuk janë paguar apo ilaçe që prindërit nuk i marrin siç duhet. Ky komunikim i dashur me motive të mira mund të ndihmojë që situata të mos keqësohet dhe mund të çojë në zgjidhje praktike. S’ka dyshim se këta ndihmës e këshilltarë që ndodhen pranë prindërve dhe që janë si «sytë» e fëmijëve, mund t’ia lehtësojnë shqetësimin familjes.
16. Si i ndihmojnë disa bashkëbesimtarë pjesëtarët e moshuar të kongregacionit?
16 Nga dashuria për të moshuarit e shtrenjtë, disa bashkëbesimtarë japin me dëshirë kohën dhe energjitë për çdo nevojë që janë në gjendje t’u plotësojnë. Bëjnë përpjekje të veçanta që të interesohen për pjesëtarët e moshuar të kongregacionit. Disa prej tyre e ndajnë punën me të tjerë në kongregacion dhe kujdesen për të moshuarit sipas një radhe. Edhe pse rrethanat nuk ua lejojnë të shërbejnë në kohë të plotë, i mbështetin me kënaqësi fëmijët që të vazhdojnë sa më gjatë në këtë lloj shërbimi. Çfarë fryme e shkëlqyer! Patjetër, bujaria e tyre nuk ua heq përgjegjësinë fëmijëve që të bëjnë gjithçka munden për prindërit.
TË NDEROJMË TË MOSHUARIT ME FJALË ZEMËRDHËNËSE
17, 18. Ç’rol luan qëndrimi kur vjen puna te kujdesi për të moshuarit?
17 Të moshuarit dhe kushdo që kujdeset për ta, mund të përpiqen ta bëjnë sa më të lehtë këtë situatë. Secili duhet të bëjë çmos të mbajë një frymë pozitive. Hera-herës, pleqëria sjell me vete shkurajim ose edhe depresion. Prandaj, mund të duhen përpjekje të veçanta që t’i nderojmë e t’i inkurajojmë motrat e vëllezërit e moshuar. Si? Për shembull, të mundohemi që bisedat me ta të jenë pozitive. Ata që i kanë shërbyer me përkushtim Jehovait ndër vite e meritojnë t’i lavdërojmë. Jehovai nuk harron gjithë sa kanë bërë për t’i shërbyer dhe as bashkëbesimtarët nuk e harrojnë.—Lexo Malakinë 3:16; Hebrenjve 6:10.
18 Veç kësaj, punët e vështira të përditshme përballohen më lehtë kur të moshuarit dhe ata që u bëjnë hyzmet e lezetojnë ditën me humor. (Ekl. 3:1, 4) Mjaft të moshuar mundohen të mos jenë tepër kërkues. E kuptojnë se vëmendja dhe vizitat e të tjerëve mund të varen nga qëndrimi i atyre vetë. Jo rrallë ndodh që vizitorët të thonë: «Vajta të inkurajoja një mik të moshuar, por dola i inkurajuar vetë.»—Prov. 15:13; 17:22.
19. Si duhet ta shohin të ardhmen të moshuarit dhe të tjerët?
19 Mezi presim ditën kur vuajtjet dhe pasojat e papërsosmërisë të marrin fund. Ndërkohë, shërbëtorët e Perëndisë duhet t’i mbajnë sytë te gjërat e përhershme. E dimë mirë se besimi te premtimet e Perëndisë është spirancë në kohë hallesh a vështirësish. Falë këtij besimi, «nuk dorëzohemi, por, edhe pse njeriu i jashtëm po tretet, sigurisht që njeriu i brendshëm po përtërihet nga dita në ditë». (2 Kor. 4:16-18; Hebr. 6:18, 19) Përveçse të mbajmë të fortë besimin te premtimet e Perëndisë, ç’gjë tjetër mund të na ndihmojë të plotësojmë përgjegjësitë e kujdesit për të moshuarit? Në artikullin vijues do të ndalemi te disa sugjerime praktike.
a Artikulli vijues do të shqyrtojë disa mundësi që kanë fëmijët dhe të moshuarit kur bëhet fjalë për kujdesin ndaj tyre.