Përgjigjja e Jehovait ndaj një lutjeje të zjarrtë
«Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.»—PSAL. 83:18.
1, 2. Çfarë përvoje kanë pasur shumë njerëz kur kanë mësuar emrin e Perëndisë dhe ç’pyetje mund të lindin?
DISA vjet më parë, një grua u trondit nga një tragjedi që ndodhi në lagjen e saj. Ngaqë vinte nga një familje katolike romake, shkoi te një prift i kishës së saj për ndihmë, por ai as që u tregua i gatshëm të fliste me të. Prandaj, iu lut Perëndisë: «Nuk të njoh . . . , por e di që je aty lart. Të lutem, më ndihmo që të të njoh!» Pak kohë më vonë, Dëshmitarët e Jehovait trokitën në derën e saj dhe i dhanë njohurinë e ngushëllimin që kishte kërkuar. Ndër shumë gjëra të tjera, ata i mësuan se Perëndia ka një emër personal: Jehova. U prek shumë kur mësoi emrin e tij. Ajo u shpreh: «Ky ishte pikërisht Perëndia që kisha ëndërruar ta njihja qëkur isha fëmijë!»
2 Shumë njerëz kanë pasur një përvojë të ngjashme. Shpesh, e mësojnë për herë të parë emrin e Perëndisë kur lexojnë në Bibël Psalmin 83:18. Në Përkthimin Bota e Re, ky varg thotë: «Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» Por a keni menduar ndonjëherë pse u shkrua Psalmi 83? Çfarë do ta shtynte çdo njeri të pranonte që Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë? Çfarë mund të mësojmë sot nga ky psalm? Pikërisht këto pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull.a
Komplot kundër popullit të Jehovait
3, 4. Kush e kompozoi Psalmin 83 dhe për çfarë kërcënimi bën fjalë?
3 Sipas mbishkrimit, Psalmi 83 është një «këngë e Asafit». Kompozitori i psalmit ndoshta ishte pasardhës i levitit Asaf, një muzikant i njohur gjatë mbretërimit të mbretit David. Në këtë këngë, psalmisti i përgjërohet Jehovait të veprojë që të mbështetë sovranitetin e Tij dhe të bëjë të njohur emrin e Tij. Psalmi duhet të jetë kompozuar ca kohë pas vdekjes së Solomonit. Pse? Sepse gjatë mbretërimit të Davidit dhe Solomonit, mbreti i Tirit i kishte punët mirë me Izraelin. Në kohën kur u kompozua Psalmi 83, banorët e Tirit ishin kthyer kundër Izraelit dhe kishin marrë anën e armiqve të tij.
4 Psalmisti përmend emrat e dhjetë kombeve që po komplotonin për të shkatërruar popullin e Perëndisë. Këta armiq ndodheshin përreth Izraelit dhe ata ishin: «Tendat e Edomit dhe ismaelitët, Moabi dhe hagritët, Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia bashkë me banorët e Tirit. Edhe Asiria është bashkuar me ta.» (Psal. 83:6-8) Cilës ngjarje historike i referohet psalmi? Disa mendojnë se psalmi i referohet sulmit të Izraelit nga aleanca e bijve të Amonit, bijve të Moabit dhe banorëve të rajonit malor të Seirit, në ditët e Jehozafatit. (2 Kron. 20:1-26) Disa të tjerë besojnë se flet për armiqësinë e zakonshme që Izraeli ka pasur me fqinjët e tij gjatë gjithë historisë.
5. Si përfitojnë të krishterët sot nga Psalmi 83?
5 Sidoqoftë, është e qartë se Perëndia Jehova frymëzoi shkrimin e këtij psalmi në kohën që kombi ishte në rrezik. Ai është një inkurajim edhe për shërbëtorët e Perëndisë në ditët e sotme, të cilët gjatë gjithë historisë së tyre janë përballur me sulme të njëpasnjëshme nga armiqtë e vendosur për t’i shkatërruar. Dhe sigurisht që do të na forcojë në të ardhmen e afërt kur Gogu i Magogut të rreshtojë forcat e tij në një përpjekje përfundimtare për të shkatërruar të gjithë ata që adhurojnë Perëndinë në frymë dhe të vërtetë.—Lexo Ezekielin 38:2, 8, 9, 16.
Një çështje me rëndësi parësore
6, 7. (a) Për çfarë lutet psalmisti në fjalët e para të Psalmit 83? (b) Ku u përqendrua psalmisti në lutjen e tij?
6 Ja çfarë thotë psalmisti duke zbrazur ndjenjat e tij në lutje: «O Perëndi, ti mos hesht; mos e mbyll gojën, o Hyjnor, e mos rri duarkryq! Sepse ja, armiqtë e tu bëjnë potere dhe ata që të urrejnë thellësisht, kanë ngritur krye. Kundër popullit tënd bisedojnë kokë më kokë me dinakëri . . . Zemra i shtyn të këshillohen mes tyre; bënë edhe një besëlidhje kundër teje.»—Psal. 83:1-3, 5.
7 Çfarë ishte me rëndësi parësore për psalmistin? Sigurisht, ai duhet të ketë qenë mjaft i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij. Megjithatë, në lutjen e tij u përqendrua te sharja që po i bëhej emrit të Jehovait dhe kërcënimet kundër kombit që mbante këtë emër. Paçim të gjithë një pikëpamje të tillë të ekuilibruar ndërsa përballojmë me qëndrueshmëri ditët fundit e të vështira të kësaj bote të vjetër!—Lexo Mateun 6:9, 10.
8. Çfarë qëllimi kishin kombet që komplotonin kundër Izraelit?
8 Psalmisti flet për armiqtë e Izraelit që thonë: «Ejani t’i zhdukim, që të mos jenë më komb, që emri i Izraelit të mos kujtohet më!» (Psal. 83:4) Ç’urrejtje kishin këto kombe për popullin e zgjedhur të Perëndisë! Por ata kishin edhe një arsye tjetër për të komplotuar. Ata lakmonin tokën e Izraelit dhe mburreshin: «Të shtiem në dorë vendet ku rri Perëndia.» (Psal. 83:12) A ka ndodhur diçka e tillë edhe në ditët tona? Po!
‘Banesa jote e shenjtë’
9, 10. (a) Cila ishte banesa e shenjtë e Perëndisë në kohët e lashta? (b) Çfarë bekimesh gëzojnë sot mbetja e mirosur dhe ‘delet e tjera’?
9 Në kohët e lashta, Toka e Premtuar quhej banesa e shenjtë e Perëndisë. Kujtoni këngën e fitores që kënduan izraelitët pasi u çliruan nga Egjipti: «Me dashamirësi i prive popullit që rimëkëmbe dhe në banesën tënde të shenjtë do t’i drejtosh me forcën tënde.» (Dal. 15:13) Më vonë, në këtë ‘banesë’ përfshihej një tempull me priftërinjtë e tij dhe një kryeqytet, Jerusalemi, me një linjë mbretërore që rridhte nga Davidi e që ulej në fronin e Jehovait. (1 Kron. 29:23) Jo pa arsye Jezui e quajti Jerusalemin «qyteti i Mbretit të madh».—Mat. 5:35.
10 Po ç’mund të themi për ditët e sotme? Në vitin 33 të e.s., lindi një komb i ri, ‘Izraeli i Perëndisë’. (Gal. 6:16) Ky komb, që përbëhej nga vëllezërit e mirosur të Jezu Krishtit, përmbushi detyrën që populli i Izraelit në fund nuk arriti të përmbushte: të ishin dëshmitarë të emrit të Perëndisë. (Isa. 43:10; 1 Pjet. 2:9) Atyre Jehovai u bëri të njëjtin premtim që i kishte bërë Izraelit në lashtësi: «Do të jem Perëndia i tyre, dhe ata do të jenë populli im.» (2 Kor. 6:16; Lev. 26:12) Në vitin 1919, Jehovai bëri që mbetja e ‘Izraelit të Perëndisë’ të kishte një marrëdhënie të veçantë me të dhe, në atë kohë, ata shtinë në dorë një «vend», një mbretëri frymore plot aktivitet ku kanë gëzuar një parajsë frymore. (Isa. 66:8) Që nga vitet 30, miliona nga ‘delet e tjera’ janë mbledhur përkrah tyre. (Gjoni 10:16) Lumturia dhe begatia frymore e këtyre të krishterëve në ditët e sotme siguron prova bindëse se sovraniteti i Jehovait është i drejtë. (Lexo Psalmin 91:1, 2.) Sa e xhindos kjo Satanain!
11. Çfarë qëllimi kryesor vazhdojnë të kenë armiqtë e Perëndisë?
11 Gjatë gjithë kohës së fundit, Satanai ka nxitur përkrahësit e tij në tokë t’u kundërvihen mbetjes së mirosur dhe shokëve të tyre që bëjnë pjesë në delet e tjera. Kjo ndodhi në Evropën Perëndimore nën regjimin nazist dhe në Evropën Lindore nën qeverinë komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ndodhi edhe në shumë vende të tjera dhe do të ndodhë përsëri, sidomos gjatë sulmit përfundimtar të Gogut të Magogut. Në këtë sulm, kundërshtarët me lakmi mund të shtien në dorë pronat dhe pasurinë e popullit të Jehovait, pikërisht siç kanë bërë armiqtë në të kaluarën. Por, qëllimi kryesor i Satanait, ka qenë gjithmonë të na përçajë si popull në mënyrë që emri që na ka dhënë Perëndia të harrohet një herë e mirë. Po si reagon Jehovai ndaj këtij rebelimi kundër sovranitetit të tij? Mendoni edhe një herë për fjalët e psalmistit.
Një garanci për fitoren e Jehovait
12-14. Cilat janë dy fitoret historike afër qytetit të Megidos që kujton psalmisti?
12 Vini re besimin e fortë të psalmistit në aftësinë e Jehovait për të prishur planet e kombeve armike. Ai ndërthur në psalm dy fitore vendimtare të Izraelit mbi armiqtë e tij afër qytetit të lashtë të Megidos, i cili spikaste në luginën me të njëjtin emër. Gjatë verës, mund të shihet shtrati i tharë i lumit Kishon që gjarpëron përmes luginës. Pas një rrebeshi dimri, lumi e përmbyt luginën. Ndoshta për këtë arsye lumi quhet edhe ‘ujërat e Megidos’.—Gjyk. 4:13; 5:19.
13 Përmes luginës, rreth 15 kilometra nga Megido, shtrihet kodra e Morehut, ku në ditët e gjykatësit Gideon, trupat e midianitëve, amalekitëve dhe popujt e lindjes u bashkuan për të luftuar. (Gjyk. 7:1, 12) Në fund, nga ushtria e Gideonit mbetën vetëm 300 burra, por me ndihmën e Jehovait, ata i shpartalluan forcat e mëdha armike. Si? Duke ndjekur drejtimin e Perëndisë, ata rrethuan natën kampin armik duke mbajtur në dorë qypa ku kishin fshehur pishtarë të ndezur. Kur Gideoni dha shenjë, njerëzit e tij thyen qypat dhe pishtarët e fshehur u shfaqën menjëherë. Në të njëjtën kohë, u ranë brirëve dhe bërtitën: «Shpata e Jehovait dhe e Gideonit!» Kjo i çorientoi armiqtë dhe i bëri të vritnin njëri-tjetrin; të mbijetuarit ia mbathën përmes lumit Jordan. Ndërkohë, izraelitë të tjerë u bashkuan me ta për të ndjekur armiqtë. Nga radhët e armikut u masakruan gjithsej 120.000 veta.—Gjyk. 7:19-25; 8:10.
14 Gati 6 kilometra përtej kodrës së Morehut, përmbi luginën e Megidos, ngrihet mali Tabor. Aty, gjykatësi Barak kishte mbledhur më parë 10.000 trupa izraelite për t’u përballur me ushtrinë e Jabinit, mbretit kananit të Hazorit, nën drejtimin e komandantit ushtarak Sisera. Kjo ushtri kananite kishte 900 karroca lufte të pajisura me kosa të hekurta vdekjeprurëse që rrotulloheshin bashkë me rrotat. Ndërsa trupat e Izraelit, të papajisura mirë, mblidheshin në malin Tabor, ushtria e Siserës, e sigurt për fitoren, u fut në luginë. Atëherë «Jehovai e bëri rrëmujë Siserën me tërë karrocat e luftës dhe ushtrinë e tij». Ka mundësi që një rrebesh i papritur shiu bëri që karrocat të ngecnin në baltën e shkaktuar nga përmbytja e lumit Kishon. Gjithë ushtria armike u shkatërrua nga Izraelitët.—Gjyk. 4:13-16; 5:19-21.
15. (a) Për çfarë i lutet psalmisti Jehovait? (b) Çfarë na kujton emri i luftës përfundimtare të Perëndisë?
15 Psalmisti i përgjërohet Jehovait që të bëjë diçka të ngjashme edhe me kombet e kohës së tij që duan të shfarosin Izraelin. Ai lutet: «Bëj me ta si me Midianin dhe me Siserën, si me Jabinin në luginën e përroit të Kishonit. Ata u shfarosën në En-Dor, u bënë pleh për dheun.» (Psal. 83:9, 10) Është domethënës fakti që lufta përfundimtare e Perëndisë kundër botës së Satanait quhet Harmagedon (që do të thotë «Mali i Megidos»). Ky emër na kujton betejat dramatike që u zhvilluan afër Megidos. Fitorja e Jehovait në ato luftëra të lashta na garanton për triumfin e tij të sigurt në betejën e Harmagedonit.—Zbul. 16:13-16.
Të lutemi për shfajësimin e sovranitetit të Jehovait
16. Si janë ‘mbuluar me çnderim’ kundërshtarët në ditët e sotme?
16 Gjatë gjithë këtyre ‘ditëve të fundit’, Jehovai ka sprapsur të gjitha përpjekjet për të eliminuar popullin e tij. (2 Tim. 3:1) Si rrjedhojë, kundërshtarët janë turpëruar. Psalmi 83:16 e kishte fjalën pikërisht për këtë kur tha: «Mbulojua fytyrat me çnderim, që të kërkojnë emrin tënd, o Jehova.» Nga njëri vend në tjetrin kundërshtarët kanë dështuar keqas në përpjekjet e tyre për t’i bërë Dëshmitarët e Jehovait të heshtin. Në ato vende, palëkundshmëria dhe qëndrueshmëria e adhuruesve të të vetmit Perëndi të vërtetë kanë shërbyer si dëshmi për ata me zemër të drejtë dhe shumë ‘kanë kërkuar emrin e Jehovait’. Në disa vende ku Dëshmitarët e Jehovait njëherë e një kohë përndiqeshin me egërsi, tani ka dhjetëra mijë, madje qindra mijë, që lavdërojnë të lumtur Jehovain. Çfarë triumfi për Jehovain! Dhe çfarë turpi për armiqtë e tij!—Lexo Jereminë 1:19.
17. Me çfarë situate kritike përballen kundërshtarët sot dhe çfarë fjalësh do të na kujtohen së shpejti?
17 Sigurisht ne e dimë që beteja nuk ka mbaruar. Dhe vazhdojmë t’ua predikojmë lajmin e mirë njerëzve, madje edhe kundërshtarëve. (Mat. 24:14, 21) Megjithatë, mundësisë që kanë kundërshtarët për t’u penduar dhe për të shpëtuar, shumë shpejt do t’i vijë fundi. Shenjtërimi i emrit të Jehovait është shumë më i rëndësishëm se shpëtimi i njerëzve. (Lexo Ezekielin 38:23.) Kur të gjitha kombet të bashkohen në përpjekjen e parathënë për të eliminuar popullin e Perëndisë, do të na kujtohen fjalët në lutjen e psalmistit: «U turpërofshin e u turbullofshin për tërë kohën, u skuqshin e vdekshin.»—Psal. 83:17.
18, 19. (a) Çfarë i pret kundërshtarët e vendosur të sovranitetit të Jehovait? (b) Si ndikon te ju afrimi i shfajësimit përfundimtar të sovranitetit të Jehovait?
18 Një fund poshtërues i pret kundërshtarët e vendosur të sovranitetit të Jehovait. Fjala e Perëndisë tregon se «ata që nuk i binden lajmit të mirë»—dhe për këtë arsye do të shkatërrohen në Harmagedon—do të pësojnë një «shkatërrim të përhershëm». (2 Sel. 1:7-9) Shkatërrimi i tyre dhe shpëtimi i atyre që adhurojnë Jehovain do të jenë një provë bindëse që Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë. Në botën e re, kjo fitore e madhe nuk do të harrohet. Ata që do të kthehen gjatë ‘ringjalljes së të drejtëve dhe të padrejtëve’, do të mësojnë për këtë fitore madhështore të Jehovait. (Vep. 24:15) Në botën e re, ata do të shohin prova bindëse se sa e mençur është të jetosh nën sovranitetin e Jehovait. Dhe zemërbutët ndër ta do të binden menjëherë që Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë.
19 Sa të ardhme të mrekullueshme ka përgatitur Ati ynë i dashur qiellor për adhuruesit e tij besnikë! A nuk ju shtyn kjo të luteni që Jehovai t’i japë sa më shpejt një përgjigje përfundimtare lutjes së psalmistit drejtuar Jehovait: «U skuqshin [armiqtë e tu] e vdekshin, që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.»—Psal. 83:17, 18.
[Shënimi]
a Para se të shqyrtoni këtë artikull, do të nxirrnit dobi po të lexonit Psalmin 83 që të jeni në brendësi të përmbajtjes.
A mund të shpjegoni?
• Me çfarë po përballej Izraeli në kohën që u shkrua Psalmi 83?
• Cila çështje ishte me rëndësi parësore për shkrimtarin e Psalmit 83?
• Cilët kanë qenë objekt i armiqësisë së Satanait në ditët e sotme?
• Si do t’i përgjigjet përfundimisht Jehovai lutjes së shprehur te Psalmi 83:18?
[Harta në faqen 15]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Si lidhen betejat e zhvilluara afër qytetit të lashtë të Megidos me të ardhmen?
Lumi Kishon
Haroshet
M. Karmel
Lugina e Jezreelit
Megido
Tanak
M. Gilboa
Pusi i Harodit
Moreh
En-Dor
M. Tabor
Deti i Galilesë
Lumi Jordan
[Figura në faqen 12]
Çfarë e shtyu një psalmist të kompozonte një lutje të zjarrtë?