ARTIKULLI I STUDIMIT 24
«Më jep një zemër të vetme që të nderoj thellësisht emrin tënd»
«Më jep një zemër të vetme që të nderoj thellësisht emrin tënd. Me gjithë shpirt të lëvdoj, o Jehova, Perëndia im.»—PSAL. 86:11, 12.
KËNGA 7 Jehova, je forca jonë
PËRMBLEDHJEa
1. Ç’do të thotë ta nderosh thellësisht Jehovain, dhe pse është e nevojshme kjo për ata që e duan Atin e tyre qiellor?
NJË njeri që e do Jehovain, ka nderim të thellë për të. Ç’do të thotë ta nderosh thellësisht Jehovain? Ata që kanë nderim të thellë për Atin e tyre qiellor, e respektojnë me gjithë zemër dhe nuk duan t’i shkaktojnë dhimbje, sepse nuk duan të dëmtojnë miqësinë me të.—Psal. 111:10; Prov. 8:13.
2. Cilat janë dy gjëra që do të shqyrtojmë duke u bazuar te fjalët e mbretit David në Psalmin 86:11?
2 Lexo Psalmin 86:11. Nga këto fjalë dallojmë se mbreti besnik David e kuptonte sa i rëndësishëm është nderimi i thellë për Perëndinë. Le të shohim si mund ta zbatojmë atë që tha Davidi në lutje. Së pari, do të shqyrtojmë disa arsye pse duhet të kemi nderim të thellë për emrin e Perëndisë. Së dyti, do të shohim si ta tregojmë në jetën e përditshme nderimin e thellë për emrin e Perëndisë.
PSE NA NGJALL NDERIM TË THELLË EMRI I JEHOVAIT?
3. Cila ngjarje mund ta ketë ndihmuar Moisiun që të vazhdonte të kishte nderim të thellë për emrin e Perëndisë?
3 Mendo si ndihej Moisiu ndërsa ishte strukur në një të çarë shkëmbi dhe shihte të kalonte para tij lavdia e Jehovait. Botimi Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet thotë se «ai pati privilegjin të përjetonte gjënë më të mrekullueshme që mund të ketë përjetuar një njeri deri para ardhjes së Jezu Krishtit». Më pas, Moisiu dëgjoi këto fjalë, me sa duket të thëna nga një engjëll: «Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashuri besnike e të vërtetë, që tregon dashuri besnike për mijëra breza, që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin.» (Eks. 33:17-23; 34:5-7) Moisiut ndoshta i vinte ndër mend kjo ngjarje kur përdorte emrin e Jehovait. Ja pse më vonë e paralajmëroi popullin e Perëndisë, Izraelin, ‘ta respektonte thellësisht këtë emër të lavdishëm e që ngjall nderim’.—Ligj. 28:58.
4. Çfarë mund të na e shtojë nderimin e thellë për Jehovain?
4 Kur përdorim emrin e Jehovait, bëjmë mirë të meditojmë për Personin që mban këtë emër. Duhet të sjellim ndër mend cilësitë e tij, si fuqinë, mençurinë, drejtësinë dhe dashurinë. Meditimi për këto cilësi e për të tjera, mund të na mbushë akoma më shumë me nderim të thellë për të.—Psal. 77:11-15.
5-6. (a) Cili është kuptimi i emrit të Perëndisë? (b) Sipas Eksodit 3:13, 14 dhe Isaisë 64:8, në cilat mënyra realizon gjithçka që dëshiron Jehovai?
5 Çfarë dimë për kuptimin e emrit të Perëndisë? Shumë studiues mendojnë se emri i Jehovait ka kuptimin «Ai shkakton të bëhet». Kjo na kujton se asgjë nuk e ndal dot Jehovain të përmbushë vullnetin e tij; ai mund të realizojë gjithçka që dëshiron. Në ç’mënyrë?
6 Jehovai realizon gjithçka duke u bërë çfarëdo të jetë e nevojshme për të plotësuar qëllimin e tij. (Lexo Eksodin 3:13, 14.) Botimet tona na nxitin shpesh të meditojmë për këtë aspekt mahnitës të personalitetit të Perëndisë. Veç kësaj, Jehovai mund të shkaktojë që shërbëtorët e tij të papërsosur në tokë të bëhen çfarëdo të jetë e nevojshme për t’i shërbyer dhe për të plotësuar qëllimin e tij. (Lexo Isainë 64:8.) Në këto mënyra, ai shkakton të bëhet realitet vullneti i tij, dhe asgjë nuk e ndal dot Jehovain t’i plotësojë qëllimet që ka.—Isa. 46:10, 11.
7. Si mund ta thellojmë çmueshmërinë për Atin tonë qiellor?
7 Mund ta thellojmë çmueshmërinë për Atin tonë qiellor duke bluar në mendje çfarë ka bërë ai vetë dhe çfarë na ka ndihmuar të bëjmë. Për shembull, kur meditojmë për mrekullitë e krijimit, mbetemi të mahnitur nga gjithçka që kanë bërë duart e tij. (Psal. 8:3, 4) Veç kësaj, kur meditojmë se çfarë na ka ndihmuar të bëjmë Jehovai që të përmbushim vullnetin e tij, ushqejmë një respekt të thellë për të. Vërtet, emri i Jehovait na ngjall nderim të thellë! Ai përfshin të gjitha cilësitë e bukura të Atit tonë, gjithçka që ka bërë dhe gjithçka që do të bëjë.—Psal. 89:7, 8.
«EMRIN E JEHOVAIT DO TË SHPALL»
8. Sipas Ligjit të përtërirë 32:2, 3, çfarë dëshiron Jehovai për emrin e tij?
8 Pak kohë para se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, Jehovai i dha Moisiut fjalët e një kënge. (Ligj. 31:19) Atë këngë Moisiu duhej t’ia mësonte popullit. (Lexo Ligjin e përtërirë 32:2, 3.) Kur meditojmë për vargjet 2 dhe 3, e shohim qartë se Jehovai nuk do që emri i tij të mbahet i fshehur ose të konsiderohet si tepër i shenjtë për t’u shqiptuar. Ai do që emrin e tij ta dijë çdokush! Çfarë privilegji për popullin të dëgjonte Moisiun t’i mësonte për Jehovain dhe emrin e Tij të lavdishëm! Ajo që u mësoi Moisiu ishte jetëdhënëse e përtëritëse, siç janë shirat e buta për bimët. Si mund të sigurohemi që edhe mënyra si mësojmë ne të jetë si «shirat e buta»?
9. Si mund të ndihmojmë të shenjtërohet emri i Jehovait?
9 Gjatë predikimit shtëpi më shtëpi ose në shërbimin publik, mund të përdorim Biblën për t’u treguar njerëzve emrin e Perëndisë, Jehova. Mund t’u ofrojmë botime të bukura, t’u tregojmë video fantastike dhe materiale nga siti ynë që i japin lavdi Jehovait. Në punë, në shkollë ose kur udhëtojmë, mund të gjejmë raste të flasim për Perëndinë tonë të shtrenjtë e për cilësitë e tij. Ndërsa u tregojmë të tjerëve çfarë qëllimi të bukur ka Jehovai për njerëzit dhe tokën, para syve të tyre mund të shpaloset për herë të parë personaliteti i tij i dashur. Kur u tregojmë njerëzve të vërtetën për Atin tonë të shtrenjtë, ndihmojmë të shenjtërohet emri i tij. E pastrojmë emrin e Jehovait nga disa sharje dhe shpifje që mund të kenë mësuar njerëzit për të. Gjithashtu, u japim mësimet më jetëdhënëse dhe më përtëritëse që ekzistojnë.—Isa. 65:13, 14.
10. Pse nuk mjafton t’u mësojmë studentëve tanë kërkesat dhe standardet e Perëndisë?
10 Kur drejtojmë studime, duam t’i ndihmojmë studentët e Biblës ta dinë emrin e Jehovait dhe ta përdorin. Përveç kësaj, duam t’i ndihmojmë të kuptojnë çfarë përfshin emri i tij. A do ta arrijmë këtë nëse thjesht u mësojmë udhëzimet, normat e sjelljes dhe standardet e Perëndisë? Një student i mirë mund t’i mësojë ligjet e Perëndisë, e madje mund t’i admirojë. Por a do t’i bindet Jehovait i shtyrë nga dashuria për të? Mos harro se Eva e dinte ligjin e Perëndisë, por nuk e donte vërtet Ligjdhënësin; e po njësoj edhe Adami. (Zan. 3:1-6) Prandaj nuk duhet të mjaftohemi duke u mësuar të tjerëve kërkesat dhe standardet e drejta të Perëndisë.
11. Si mund t’i ndihmojmë studentët të duan Ligjdhënësin kur u mësojmë ligjet dhe standardet e Tij?
11 Kërkesat dhe standardet e Jehovait janë dobiprurëse dhe të bëjnë për vete. (Psal. 119:97, 111, 112) Por studentët tanë mund të mos i shohin me këtë sy, nëse nuk kuptojnë se në themel të këtyre ligjeve qëndron dashuria e Jehovait. Prandaj mund t’i pyesim studentët: «Si mendon, pse u kërkon Perëndia shërbëtorëve të tij të bëjnë këtë gjë ose të mos e bëjnë këtë tjetrën? Çfarë na tregon kjo për të si Person?» Nëse i ndihmojmë studentët të mendojnë për Jehovain dhe ta duan vërtet emrin e tij të lavdishëm, ka më shumë të ngjarë t’u prekim zemrën. Kështu studentët do të duan jo vetëm ligjet, por edhe Ligjdhënësin. (Psal. 119:68) Besimi i tyre do të rritet dhe do të marrin forcë t’u bëjnë ballë sprovave të zjarrta në të ardhmen.—1 Kor. 3:12-15.
‘NE DO TË ECIM NË EMËR TË JEHOVAIT’
12. Si lejoi në një rast Davidi që zemra e tij të përçahej, dhe cilat ishin pasojat?
12 Një pjesë tjetër e rëndësishme e Psalmit 86:11 është shprehja «më jep një zemër të vetme», ose «të bashkuar, të pandarë». Mbreti David i shkroi këto fjalë nën frymëzim. Gjatë jetës së tij, ai kuptoi sa e lehtë është të lejosh që zemra të ndahet. Njëherë, kur ishte në tarracën e shtëpisë, ai pa bashkëshorten e një burri tjetër ndërsa lahej. Si ishte zemra e Davidit në atë çast, e bashkuar apo e ndarë? Ai e dinte standardin e Jehovait: «Mos dëshiro gruan e tjetrit.» (Eks. 20:17) Por me sa duket vazhdoi të shikonte. Zemra e tij u përça: nga një anë ishte dëshira për një grua, Betshebën, nga ana tjetër dëshira për të kënaqur Jehovain. Pavarësisht nga dashuria dhe nderimi i thellë që kish pasur prej vitesh për Jehovain, Davidi u dorëzua para dëshirës së tij egoiste. Në atë rast, ai ndoqi një rrugë shumë të keqe. Davidi hodhi baltë mbi emrin e Jehovait. Gjithashtu u shkaktoi dëme të tmerrshme njerëzve të pafajshëm, duke përfshirë edhe pjesëtarët e familjes së vet.—2 Sam. 11:1-5, 14-17; 12:7-12.
13. Nga e dimë se më vonë Davidi i shërbeu prapë Jehovait me një zemër të bashkuar?
13 Pasi Jehovai e disiplinoi, Davidi fitoi sërish një marrëdhënie të mirë me Të. (2 Sam. 12:13; Psal. 51:2-4, 17) Ai sillte ndër mend gjithë telashet dhe plagët që u hapën pasi lejoi që zemra e tij të përçahej. A ia plotësoi Jehovai lutjen Davidit duke e ndihmuar të kishte një zemër të vetme, ose të pandarë? Po, sepse më pas në Fjalën e Tij lexojmë se Davidi «iu kushtua me gjithë zemër Jehovait, Perëndisë së vet».—1 Mbret. 11:4; 15:3.
14. Cilën pyetje duhet t’i bëjmë vetes, dhe pse?
14 Shembulli i Davidit është edhe një inkurajim, edhe një zile alarmi. Fakti që ai kreu mëkat të rëndë shërben si paralajmërim për shërbëtorët e Perëndisë sot. Pavarësisht nëse i shërbejmë Jehovait nga pak kohë ose nga vite të tëra, duhet t’i bëjmë vetes këtë pyetje: «A po u rezistoj përpjekjeve të Satanait që ta përçajë zemrën time?»
15. Si mund të na mbrojë nderimi i thellë për Perëndinë kur na shfaqen pamje sensuale?
15 Për shembull, si reagon nëse sheh në televizor a në Internet një pamje që mund të ngjallë dëshira imorale? Mbase është kollaj t’i mbushësh mendjen vetes se pamja ose filmi që po sheh, nuk mund të quhet vërtet pornografi. Por, a mos është një përpjekje e Satanait që të përçajë zemrën tënde? (2 Kor. 2:11) Ajo pamje mund të jetë si një sëpatë e vogël që përdor dikush për të çarë një trung të madh. Goditja e parë me tehun e mprehtë të sëpatës nuk e çan drurin. Por, ndërsa sëpata godet gjithnjë e më shumë, druri më në fund çahet. A mund të jenë pamjet sensuale në media si një goditje me tehun e sëpatës? Diçka që në fillim mund të duket si gjë e vogël dhe pa zarar, mund të çojë me shpejtësi drejt mëkateve që e përçajnë zemrën dhe thyejnë integritetin. Prandaj mos lejo të futet në zemrën tënde asgjë e papërshtatshme! Mbaje zemrën të bashkuar që të nderojë thellësisht emrin e Jehovait!
16. Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes përballë një tundimi?
16 Përveç pamjeve joshëse, Satanai na vë para gjithfarë tundimesh që të bëjmë diçka të gabuar. Si reagojmë? Është e lehtë të nxjerrim justifikime. Për shembull, mund të mendojmë: «Fundja për këtë gjë nuk do të përjashtohesha, pra s’duhet të jetë edhe aq serioze.» Një arsyetim i tillë është tepër i gabuar. Është më mirë t’i bëjmë vetes pyetje të tilla, si: «A po mundohet Satanai ta përdorë këtë tundim që të më përçajë zemrën? Nëse dorëzohem para dëshirave të gabuara, a do t’i sjell sharje emrit të Jehovait? A do të më afronte më shumë me Perëndinë tim ky veprim, apo do të ma ftohte miqësinë me të?» Medito për pyetje të tilla. Lutu për mençuri dhe përgjigju sinqerisht, pa mashtruar veten. (Jak. 1:5) Kjo mund të jetë një mbrojtje e madhe. Mund të të ndihmojë t’u kthesh shpinën me vendosmëri tundimeve ashtu si Jezui kur tha: «Ik tutje, Satana!»—Mat. 4:10.
17. Pse është e rrezikshme një zemër e ndarë? Ilustrojeni.
17 Një zemër e ndarë është e rrezikshme. Imagjino një skuadër sportive ku pjesëtarët nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Disa kërkojnë lavdi për vete, të tjerë nuk duan të luajnë sipas rregullave, kurse disa e trajtojnë me përbuzje trajnerin. Një skuadër e tillë nuk ka gjasa ta fitojë ndeshjen. Kurse një skuadër që është e bashkuar, ka më shumë shanse të fitojë. Zemra jote mund të jetë si një skuadër fitimtare nëse mendimet, dëshirat dhe ndjenjat e tua janë të bashkuara dhe në harmoni me standardet e Jehovait. Mos harro, Satanai do të kënaqej pa masë sikur ta përçante zemrën tënde. Ai do që mendimet, dëshirat dhe ndjenjat e tua të jenë në luftë me standardet e Jehovait. Ndërsa ty të nevojitet një zemër e bashkuar për t’i shërbyer Jehovait. (Mat. 22:36-38) Mos e lejo kurrë Satanain të ta përçajë zemrën!
18. Në harmoni me fjalët e Mikesë 4:5, çfarë je i vendosur të bësh?
18 Lutju Jehovait siç iu lut Davidi: «Më jep një zemër të vetme që të nderoj thellësisht emrin tënd.» Vër synimin të jetosh në harmoni me këtë lutje. Çdo ditë, ji i vendosur që vendimet e tua, të vogla a të mëdha qofshin, të tregojnë se ke nderim të thellë për emrin e shenjtë të Jehovait. Duke vepruar kështu si Dëshmitar i Jehovait, do ta nderosh këtë emër. (Prov. 27:11) E që të gjithë mund të themi njëzëri me profetin Mikea: «Ne do të ecim në jetë të jetëve në emër të Jehovait, Perëndisë tonë.»—Mik. 4:5.
KËNGA 41 Të lutem, dëgjoje lutjen time!
a Në këtë artikull, do të përqendrohemi te një pjesë e lutjes së mbretit David që gjendet në Psalmin 86:11, 12. Ç’do të thotë të kesh nderim të thellë për emrin e Jehovait? Çfarë arsyesh kemi për ta nderuar thellësisht këtë emër të madh? Dhe si mund të na mbrojë nderimi i thellë për Perëndinë kur tundohemi të bëjmë diçka të gabuar?
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Moisiu i mësoi popullit të Perëndisë një këngë që i jepte lavdi Jehovait.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Eva nuk i flaku tej dëshirat e gabuara. Krejt ndryshe, ne i largojmë sytë me vendosmëri nga pamjet ose mesazhet që mund të ngjallin dëshira të gabuara dhe t’i sjellin sharje emrit të Perëndisë.