Delet e Jehovait kanë nevojë për kujdes të butë
«Pranoni që Jehovai është Perëndi. . . . Ne jemi populli i tij dhe dele të kullotës së tij.»—PSALMI 100:3, BR.
1. Si i trajton Jehovai shërbëtorët e tij?
JEHOVAI është Bariu i Madh. Nëse jemi shërbëtorë të tij, ai na konsideron si delet e veta e tregon për ne kujdes të butë. Ati ynë qiellor na ngushëllon, na freskon e na drejton «nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij». (Psalmi 23:1-4) Bariu i Shkëlqyer, Jezu Krishti, na do aq shumë, saqë dorëzoi shpirtin e tij për ne.—Gjoni 10:7-15.
2. Në ç’gjendje e shohin veten shërbëtorët e Perëndisë?
2 Duke qenë se marrim këtë kujdes të dashur, ne mund të themi bashkë me psalmistin: «Shërbejini Jehovait me gëzim. Ejani para tij me një britmë të gëzuar. Pranoni që Jehovai është Perëndi. Ai na ka bërë neve dhe jo ne vetveten. Ne jemi populli i tij dhe dele të kullotës së tij.» (Psalmi 100:2, 3, BR) Po, ne jemi të gëzuar e të sigurt. Si të thuash, jemi të sigurt nga grabitqarët e ligj, brenda një vathe me mure të forta prej guri.—Numrat 32:16; 1. Samuelit 24:3; Sofonia 2:6.
Barinj të vullnetshëm të kopesë
3. Si e trajtojnë kopenë e Perëndisë pleqtë e krishterë të emëruar?
3 S’ka dyshim që jemi të gëzuar si dele të Perëndisë! Pleqtë e caktuar marrin drejtimin mes nesh. Ata nuk ‘sundojnë’ si princër mbi ne, as përpiqen të jenë zotër mbi besimin tonë. (Numrat 16:13; Mateu 20:25-28; 2. Korintasve 1:24; Hebrenjve 13:7) Përkundrazi, ata janë barinj të dashur, që zbatojnë këshillën e apostullit Pjetër: «Ruani tufën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikëqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën.» (1. Pjetrit 5:2, 3) Apostulli Pavël u tha pleqve të tjerë: «Kushtojini vëmendje vetes suaj dhe gjithë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju ka emëruar mbikëqyrës, për të kullotur kongregacionin e Perëndisë, që ai e fitoi me gjakun e Birit të tij.» Sa mirënjohëse janë delet që këta burra të emëruar nga fryma e shenjtë «e trajtojnë kopenë me butësi»!—Veprat 20:28-30, BR.
4. Për cilën marrëdhënie me kopenë ishte i mirënjohur Charles T. Russell?
4 Jezui i dha kongregacionit «dhurata në njerëz», disa si «pastorë» apo barinj që e trajtojnë kopenë e Jehovait me butësi. (Efesianëve 4:8, 11, King James Version) Një prej këtyre burrave ishte Charles T. Russell, kryetari i parë i Shoqatës Watch Tower. Atë e quanin pastori Russell, për shkak të aktivitetit të tij të dashur e të dhembshur në kullotjen e kopesë, nën Kryebariun, Jezu Krishtin. Sot, pleqtë e krishterë emërohen nga Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait dhe ushtrojnë kujdes, duke mos i përdorur si tituj terma të tillë, si «pastor», «plak» apo «mësues». (Mateu 23:8-12) Megjithatë, pleqtë e sotëm bëjnë një vepër pastorale, apo baritore, për dobinë e deleve të kullotës së Jehovait.
5. Përse të rinjtë duhet të njohin pleqtë e emëruar në kongregacionin e krishterë?
5 Si barinj, pleqtë luajnë një pjesë domethënëse në përparimin frymor të të rinjve. Për këtë arsye, libri i ri Njohuria që të çon në jetën e përhershme thotë në faqen 168: «Njihu me pleqtë e emëruar të kongregacionit. Ata kanë shumë përvojë në zbatimin e njohurisë së Perëndisë, sepse janë kualifikuar për mbikëqyrës sipas asaj që është parashtruar në Bibël. (1. Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9) Mos nguro t’i afrohesh njërit prej tyre nëse ke nevojë për ndihmë frymore për të mposhtur një zakon apo prirje që bie ndesh me kërkesat e Perëndisë. Do të shohësh se pleqtë ndjekin këshillën e Pavlit: ‘Të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.’—1. Selanikasve 2:7, 8; 5:14.»
Nëse të rinjtë duan të predikojnë
6. Cila procedurë ndiqet nëse një student biblik dëshiron të bëhet lajmëtar i Mbretërisë?
6 Pasi të ketë përparuar në njohuri e të ketë ndjekur mbledhjet për ca kohë, një student i Biblës mund të dëshirojë të bëhet lajmëtar i Mbretërisë, predikues i lajmit të mirë. (Marku 13:10) Në këtë rast, Dëshmitari që drejton studimin duhet të flasë me mbikëqyrësin drejtues, i cili do të rregullojë që një nga pleqtë e Komitetit të Shërbimit të kongregacionit dhe një plak tjetër të takohen me studentin dhe me mësuesin e tij. Biseda do të bazohet në librin Të organizuar për të kryer shërbimin tonë, faqe 98 dhe 99, angl. Nëse këta dy pleq shohin se i riu beson në mësimet elementare të Biblës dhe është në përputhje me parimet e Perëndisë, atëherë do t’i thonë se është kualifikuar për të marrë pjesë në shërbimin në fushë.a Kur të raportojë shërbimin, duke dorëzuar një raport të shërbimit në fushë, ky do të vendoset në kartën Regjistrimi i Lajmëtarit të Kongregacionit, me emrin e tij. Tani, ky i ri mund të raportojë dëshminë e tij bashkë me miliona të tjerë, që me gëzim ‘shpallin fjalën e Perëndisë’. (Veprat 13:5) Në kongregacion do të bëhet një lajmërim se ai është një lajmëtar i papagëzuar.
7, 8. Në cilat mënyra mund t’i jepet ndihma e nevojshme në shërbim një lajmëtari të papagëzuar?
7 Një lajmëtar i papagëzuar ka nevojë për ndihmën e pleqve dhe të të krishterëve të tjerë të pjekur. Për shembull, përparimi i tij frymor duhet t’i interesojë drejtuesit të Studimit të Librit të Kongregacionit, ku ai merr pjesë. Ndoshta lajmëtari i ri e ka të vështirë të flasë me efektshmëri në veprën nga shtëpia në shtëpi. (Veprat 20:20) Prandaj, ka të ngjarë që ta mirëpresë ndihmën, sidomos nga ai që ka drejtuar me të studimin e librit Njohuria. Një ndihmë e tillë praktike është me vend, pasi edhe Jezu Krishti i përgatiti dishepujt e tij për shërbimin.—Marku 6:7-13; Luka 10:1-22.
8 Nëse duam që shërbimi ynë të jetë i efektshëm, është thelbësore një përgatitje paraprake. Prandaj, të dy lajmëtarët së pari mund të praktikojnë së bashku prezantimet e sugjeruara në numrin e muajit të fletushkës Shërbimi ynë i Mbretërisë. Kur të fillojnë shërbimin në fushë, ai që ka më shumë përvojë mund të bëjë një apo dy dyert e para. Pas një hyrjeje miqësore, të dy lajmëtarët mund të japin dëshmi së bashku. Duke punuar së bashku në shërbim për ca javë, mund të gjejnë rivizita të shkëlqyeshme, madje edhe një studim biblik në shtëpi me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Lajmëtari më me përvojë mund ta drejtojë studimin për disa kohë e më pas t’ia kalojë lajmëtarit të ri të Mbretërisë. Sa të lumtur do të jenë të dy lajmëtarët, nëse studenti i Biblës shfaq vlerësim për njohurinë e Perëndisë!
9. Cilat rregullime bëhen, kur një lajmëtar dëshiron të pagëzohet?
9 Ndërsa përparon frymësisht, një lajmëtar i papagëzuar mund t’i dedikohet Perëndisë në lutje dhe të dëshirojë të pagëzohet. (Krahaso Markun 1:9-11.) Ai duhet t’ia bëjë të ditur dëshirën për t’u pagëzuar mbikëqyrësit drejtues të kongregacionit, i cili do të rregullojë që pleqtë të rishikojnë me lajmëtarin pyetjet e broshurës Mësimet elementare të Biblës. Të katër pjesët në të cilat janë ndarë pyetjet, mund të zhvillohen në tri sesione, mundësisht nga tre pleq të ndryshëm. Nëse ata janë dakort se lajmëtari i papagëzuar ka një kuptueshmëri të arsyeshme për mësimet e Biblës dhe kualifikohet edhe në gjëra të tjera, do t’i thonë se ai mund të pagëzohet. Si rrjedhojë e dedikimit dhe e pagëzimit, ai merr ‘shenjën’ për shpëtim.—Ezekieli 9:4-6.
Në plotësim të nevojave të veçanta
10. Pasi të ketë përfunduar studimin e tij me librin Njohuria e pasi të jetë pagëzuar, si do të rritet një person në njohurinë e tij mbi Shkrimet?
10 Pasi një individ të ketë përfunduar studimin e tij biblik me librin Njohuria dhe pasi të jetë pagëzuar, ndoshta mund të mos jetë e nevojshme të drejtohet me të një studim formal me një libër të dytë, si libri Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë të vetëm e të vërtetë.b Natyrisht, personi i sapopagëzuar do të mësojë shumë, ndërsa përgatitet për mbledhjet e krishtere dhe duke i ndjekur ato rregullisht. Gjithashtu, do të fitojë njohuri të tjera, ndërsa etja për të vërtetën do ta nxisë të lexojë e të studiojë personalisht botimet e krishtere dhe të diskutojë mbi çështje shkrimore me bashkëbesimtarët. Por, ç’mund të themi nëse lindin disa nevoja të veçanta?
11. (a) Si e ndihmuan Apollon, Priska dhe Akuila? (b) Ç’ndihmë mund t’i jepet një personi të rritur të sapopagëzuar, që po mendon për martesën?
11 Edhe Apollo, që ishte «njohës i Shkrimit» dhe mësonte me saktësi mbi Jezuin, përfitoi kur të krishterët Priska dhe Akuila «e morën me vete dhe ia shtjelluan më thellë udhën e Perëndisë». (Veprat 18:24-26; krahaso Veprat 19:1-7.) Ta zëmë, pra, se një person i rritur i sapopagëzuar ka ndër mend të shoqërohet me dikë dhe të martohet. Një i krishterë me më shumë përvojë mund ta ndihmojë për të gjetur informata mbi këto tema në botimet Watch Tower. Për shembull, midis këtyre ka material të dobishëm në librin Të rinjtë pyesin—Përgjigje praktike, pjesa 7.c Lajmëtari që drejtonte studimin biblik, mund të trajtojë këtë material me të riun, edhe pse nuk do të jetë një studim i rregullt.
12. Ç’ndihmë mund t’u sigurohet bashkëshortëve të sapopagëzuar që kanë probleme martesore?
12 Le të shqyrtojmë një shembull tjetër. Ndoshta bashkëshortët e sapopagëzuar hasin probleme në zbatimin e parimeve hyjnore. Ata mund të konsultohen me një plak, i cili mund të kalojë disa mbrëmje me ta, duke diskutuar për Shkrimet dhe duke e kthyer vëmendjen e tyre nga informatat e botimeve Watch Tower. Megjithatë, plaku nuk do të rifillojë një studim të rregullt biblik me çiftin.
Nëse një i sapopagëzuar gabon
13. Përse pleqtë e kongregacionit duhet të tregojnë mëshirë për një person të sapopagëzuar që gabon, por pendohet?
13 Pleqtë imitojnë Bariun e Madh, Jehovain, i cili thotë: «Unë vetë do t’i kullot delet e mia, . . . do t’i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën.» (Ezekieli 34:15, 16; Efesianëve 5:1) Në harmoni me këtë frymë, dishepulli Juda nxiti se për të krishterët e mirosur që kishin dyshime apo që kishin rënë në mëkat, duhej treguar mëshirë. (Judës 22, 23) Pasi me të drejtë presim më shumë nga të krishterët me përvojë, sigurisht duhet t’i tregojmë mëshirë një personi të sapopagëzuar, një qengji të thjeshtë, i cili gabon, por pendohet. (Luka 12:48; 15:1-7) Prandaj, pleqtë që ‘gjykojnë për Zotin’ tregojnë për këto dele kujdes të butë dhe i ndreqin me frymë butësie.—2. Kronikave 19:6; Veprat 20:28, 29; Galatasve 6:1.d
14. Ç’duhet bërë kur një lajmëtar i sapopagëzuar kryen një mëkat serioz dhe si mund të ndihmohet ai?
14 Ta zëmë, pra, se një lajmëtar i sapopagëzuar së fundi ka ndonjë problem me pijen dhe në një apo dy raste bie në teprime. Apo ndoshta ka mposhtur zakonin e pirjes së duhanit, që e ka pasur për shumë kohë, por megjithatë dorëzohet para tundimit për ta ndezur privatisht një apo dy herë. Edhe pse vëllai ynë i është lutur Perëndisë për falje, ai duhet të kërkojë ndihmën e një plaku, në mënyrë që mëkati të mos bëhet zakon. (Psalmi 32:1-5; Jakovit 5:14, 15) Kur ai t’ia përmendë gabimin një plaku, ky plak duhet të përpiqet ta ndreqë të riun në mënyrë të butë. (Psalmi 130:3) Disa këshilla biblike mund të mjaftojnë për ta ndihmuar që të drejtojë rrugët për hapat e tij për më vonë. (Hebrenjve 12:12, 13) Ky plak do të bisedojë për rrethanat me mbikëqyrësin drejtues të kongregacionit, për të përcaktuar çfarë ndihme e mëtejshme duhet dhënë.
15. Çfarë mund të jetë e nevojshme në disa raste, kur një i sapopagëzuar mëkaton?
15 Nëse është me famë të keqe, nëse përbën rrezik për kopenë dhe nëse janë të përfshira probleme të tjera serioze, trupi i pleqve do të caktojë dy pleq për të hetuar çështjen. Nëse këta pleq zbulojnë se çështja është mjaft serioze, saqë është i nevojshëm një komitet gjyqësor, duhet t’ia raportojnë këtë trupit të pleqve. Atëherë trupi i pleqve do të caktojë një komitet gjyqësor për të ndihmuar atë që ka gabuar. Komiteti gjyqësor duhet ta trajtojë atë me butësi. Duhet të përpiqen ta ndreqin me anë të Shkrimeve. Nëse reagon ndaj përpjekjeve dashamirëse të komitetit gjyqësor, ata do të përcaktojnë nëse do të jetë e dobishme që vëllai ynë që ka gabuar të mos zhvillojë pjesë nga podiumi në mbledhjet në Sallën e Mbretërisë apo të mos lejohet të komentojë.
16. Ç’mund të bëjnë pleqtë për të ndihmuar atë që gabon?
16 Nëse ai që ka gabuar reagon mirë, një apo dy pleq nga komiteti gjyqësor mund të bëjnë vizita baritore, për të përforcuar besimin e tij dhe për të ndërtuar çmueshmërinë e tij për normat e drejta të Jehovait. Secili prej tyre mund të punojë herë pas here me të në shërbimin në fushë. Mund të bëjnë disa biseda në bazë të Shkrimeve me të, mundësisht duke përdorur numra të përshtatshëm të Kullës së Rojës apo të Zgjohuni!, por duke mos filluar një studim të rregullt biblik. Me një kujdes të tillë të butë, ai që ka gabuar mund të forcohet për t’i bërë ballë dobësive të mishit në ditët e mëvonshme.
17. Çfarë hapash ndërmerren nëse një i pagëzuar që ka gabuar nuk pendohet dhe nuk e braktis rrugën e tij mëkatare?
17 Natyrisht, fakti që jemi të sapopagëzuar nuk është justifikim për praktikimin e mëkatit pa u penduar. (Hebrenjve 10:26, 27; Judës 4) Nëse një i pagëzuar që ka gabuar nuk pendohet dhe nuk e braktis rrugën e tij mëkatare, ai duhet përjashtuar nga kongregacioni. (1. Korintasve 5:6, 11-13; 2. Selanikasve 2:11, 12; 2. Gjonit 9-11) Kur ky veprim duket i nevojshëm, trupi i pleqve do të zgjedhë një komitet gjyqësor. Nëse ndodh përjashtimi, do të bëhet një lajmërim i shkurtër: « . . . është përjashtuar.»e
T’i ndihmojmë që ‘të vazhdojnë drejt pjekurisë’
18. Përse mund të jemi të sigurt se të krishterët e sapopagëzuar dhe të tjerët do të kenë gjithmonë shumë për të mësuar për Jehovain dhe për vullnetin e tij?
18 Pjesa më e madhe e shërbëtorëve të Perëndisë do të qëndrojnë në kope. Lumturisht, secili prej nesh do të ketë mundësi të afrohet edhe më shumë me Atin tonë qiellor, pasi gjithmonë do të kemi mundësi të mësojmë më shumë për të dhe për vullnetin e tij. (Eklisiastiu 3:11; Jakovit 4:8) Mijëra të pagëzuarit në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. kishin sigurisht shumë për të mësuar. (Veprat 2:5, 37-41; 4:4) Po kështu edhe paganët, që s’kishin të bënin më parë me Shkrimet. Për shembull, kjo u vërtetua në rastin e atyre që u pagëzuan pas fjalimit të Pavlit në Aeropagun e Athinës. (Veprat 17:33, 34) Edhe sot, të sapopagëzuarit kanë shumë për të mësuar dhe kanë nevojë për kohë e ndihmë që të forcojnë vendosmërinë e tyre për të vazhduar të bëjnë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë.—Galatasve 6:9; 2. Selanikasve 3:13.
19. Si mund të ndihmohen ata që pagëzohen, për ‘të vazhduar drejt pjekurisë’?
19 Çdo vit pagëzohen mijëra veta, të cilët kanë nevojë për ndihmë, në mënyrë që të mund ‘të vazhdojnë drejt pjekurisë’. (Hebrenjve 6:1-3) Me fjalë, me shembullin tënd dhe me ndihmën praktike në shërbim, mund të jesh në gjendje të ndihmosh disa që të veshin personalitetin e ri e të vazhdojnë ‘të ecin në të vërtetën’. (3. Gjonit 4; Kolosianëve 3:9, 10) Nëse je një lajmëtar me përvojë, pleqtë mund të të ftojnë për të ndihmuar një bashkëbesimtar të ri në shërbimin në fushë apo të bisedosh për disa pika biblike me të për disa javë, në mënyrë që të forcohet besimi i tij në Perëndinë, vlerësimi për mbledhjet e krishtere e kështu me radhë. Marrëdhënia që kanë pleqtë me kopenë është si ajo e një ati kur qorton dhe e një nëne në sjellje të butë. (1. Selanikasve 2:7, 8, 11) Megjithatë, vetëm disa pleq e shërbëtorë ndihmës nuk mund të kujdesen për gjithçka që duhet në një kongregacion. Të gjithë ne jemi një familje, pjesëtarët e së cilës ndihmojnë njëri-tjetrin. Secili prej nesh mund të bëjë diçka për të ndihmuar bashkëbesimtarët. Edhe ti vetë mund të jesh në gjendje të ofrosh inkurajim, të ngushëllosh të dëshpëruarit, të mbështetësh të dobëtit.—1. Selanikasve 5:14, 15.
20. Ç’mund të bësh ti, për të përhapur njohurinë e Perëndisë e për t’u siguruar kujdes të butë deleve të kullotës së Jehovait?
20 Njerëzimi ka nevojë për njohurinë e Perëndisë dhe si një Dëshmitar i Jehovait ti mund të kesh një pjesë të gëzueshme në përhapjen e saj. Delet e Jehovait kanë nevojë për kujdes të butë dhe ti mund të luash një rol të dashur për të ndihmuar në sigurimin tij. Jehovai e bekoftë shërbimin tënd dhe të shpërbleftë për përpjekjet e përzemërta në ndihmë të deleve të kullotës së tij!
[Shënimet]
a Në këtë kohë, ai mund të marrë një kopje të broshurës Mësimet elementare të Biblës.
b Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
c Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
d Një rregullim i tillë për lajmëtarët e papagëzuar u theksua në artikullin «Të ndihmojmë të tjerët për të adhuruar Perëndinë», botuar në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 1988, faqe 15-20, angl.
e Nëse është marrë vendimi për përjashtim dhe kemi një apelim, lajmërimi mbahet pezull. Shiko faqet 147-148 të librit Të organizuar për të kryer shërbimin tonë, angl.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si i trajton Jehovai delet e tij?
◻ Çfarë bëhet kur të rinjtë dëshirojnë të predikojnë?
◻ Si mund t’i ndihmojnë bashkëbesimtarët të rinjtë që kanë nevojë për ndihmë të veçantë?
◻ Ç’ndihmë mund t’u japin pleqtë atyre që gabojnë, por që pendohen?
◻ Si mund ta ndihmosh një person të sapopagëzuar, që ‘të vazhdojë drejt pjekurisë’?
[Figura në faqe 16]
Charles T. Russell ishte i mirënjohur si një bari i dashur i kopesë
[Figura në faqe 18]
Barinjtë e dhembshur e trajtojnë me butësi kopenë e Perëndisë