Afrojuni Perëndisë
Nuk harron që «jemi pluhur»
«NUK e besoja se Jehovai mund të më falte plotësisht dhe mendoja se do ta mbaja tërë jetën këtë barrë.» Kështu shkroi një grua e krishterë për gabimet e së shkuarës. Vërtet, ndërgjegjja fajtore është një barrë e rëndë për t’u mbajtur. Megjithatë, Bibla jep atë ngushëllim që ua lehtëson dhembjen mëkatarëve të penduar. Shqyrto fjalët e psalmistit David te Psalmi 103:8-14.
Davidi e dinte se «Jehovai është i mëshirshëm» dhe se ‘nuk gjen të meta’ te ne. (Vargjet 8-10) Kur gjen një arsye për të treguar mëshirë, Perëndia e shfaq plotësisht dhe bujarisht. Davidi, një poet i zoti, përdori tri krahasime që të kuptojmë mëshirën e madhe që Perëndia shfaq ndaj nesh.
«Ashtu si qiejt qëndrojnë më lart se toka, po aq lart qëndron edhe dashamirësia e tij për ata që i frikësohen.» (Vargu 11) Kur shikojmë qiellin natën, as që mund ta perceptojmë largësinë e jashtëzakonshme ndërmjet yjeve dhe tokës. Me këtë, Davidi na ngulit në mendje sa e madhe është mëshira e Jehovait, një aspekt i dashurisë së tij besnike. Kjo mëshirë u tregohet ‘atyre që i frikësohen’ Perëndisë ose, sipas një studiuesi, atyre që janë «të përulur e që kanë përnderim nga zemra për autoritetin e tij».
«Sa larg është lindja nga perëndimi, aq larg nga ne i ka vënë shkeljet tona.» (Vargu 12) Sa larg është lindja nga perëndimi? Aq larg sa nuk mund ta përfytyrojmë. Një vepër biblike referimi thotë: «Është sikur të fluturosh tepër larg, deri ku të të çojnë krahët e imagjinatës. Dhe, nëse udhëton drejt lindjes, i largohesh perëndimit sa herë rreh krahët.» Me këtë varg Davidi thotë se, kur Perëndia na i fal mëkatet, i çon kaq larg nesh, sa s’mund ta imagjinojmë.
«Jehovai tregon mëshirë për këdo që i frikësohet atij, ashtu si një atë tregon mëshirë për bijtë e vet.» (Vargu 13) Davidi ishte vetë baba dhe e dinte çfarë ndien në zemër një atë i dashur. Një atë i tillë shfaq natyrshëm dhembshuri për fëmijët, veçanërisht kur vuajnë. Davidi na siguron se ati ynë i dashur qiellor tregon mëshirë ndaj fëmijëve të tij në tokë, sidomos, kur zemrën e penduar, e kanë ‘të vrarë dhe të dërrmuar’ nga mëkatet.—Psalmi 51:17.
Pas tri krahasimeve, Davidi zbulon çfarë e shtyn Jehovain t’u tregojë mëshirë njerëzve të papërsosur: «Ai e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur.» (Vargu 14) Jehovai e di se jemi krijuar nga pluhuri dhe se kemi natyrë të brishtë e kufizime. Meqë merr parasysh natyrën tonë të papërsosur, Jehovai është ‘gati të falë’, nëse tregojmë nga zemra se jemi penduar.—Psalmi 86:5.
A nuk të prekin fjalët e Davidit për mëshirën e Jehovait? Kur gruaja e përmendur në fillim të artikullit studioi çfarë thotë Bibla për gatishmërinë e Perëndisë që të falë, tha: «Po filloj të ndiej se mund t’i afrohem më shumë Jehovait dhe se më është hequr një barrë.»a Pse të mos mësosh më tepër për mëshirën e Perëndisë dhe si të nxjerrësh dobi prej saj? Ndoshta edhe ti do të ndihesh sikur po të hiqet një barrë.
Sugjerim për leximin e Biblës gjatë gushtit:
[Shënimi]
a Shih kapitullin 26 «Një Perëndi që është ‘gati të falë’» te libri T’i afrohemi Jehovait, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Diçitura në faqen 13]
«Po filloj të ndiej se mund t’i afrohem më shumë Jehovait dhe se më është hequr një barrë»