‘U krijuam në mënyrë të mrekullueshme’
«Jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë.»—PSALMI 139:14.
1. Pse shumë njerëz të arsyeshëm, ia japin meritën Perëndisë për mrekullitë e tokës?
NATYRA përreth nesh është e mbushur me krijime të mrekullueshme. Si erdhën në ekzistencë ato? Disa besojnë se përgjigjja mund të gjendet pa përmendur një Krijues inteligjent. Të tjerë mendojnë se të përjashtosh kategorikisht idenë e një Krijuesi, të kufizon aftësinë për të kuptuar natyrën që të rrethon. Këta besojnë se krijesat e tokës janë tepër të ndërlikuara, shumë të larmishme dhe, mund të shtojmë, tepër të mrekullueshme që të kenë ardhur rastësisht. Për shumë njerëz, ndër ta edhe disa shkencëtarë, provat tregojnë se universi ka pasur një Bërës të mençur, të fuqishëm e mirëdashës.a
2. Çfarë e motivoi Davidin që të lëvdonte Jehovain?
2 Davidi, mbret i Izraelit të lashtë, ishte një prej atyre që ishin të bindur se Bërësi meriton të lëvdohet për krijimet e Tij të mrekullueshme. Edhe pse Davidi jetoi shumë kohë përpara epokës së sotme shkencore, ai e kuptoi se ishte i rrethuar nga shembuj të mrekullueshëm të veprës krijuese të Perëndisë. Mjaftonte që Davidi të shqyrtonte përbërjen e trupit të vet, për t’u mahnitur thellësisht me aftësinë krijuese të Perëndisë. Ai tha: «Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë.»—Psalmi 139:14.
3, 4. Pse është e rëndësishme që secili nga ne të mendojë thellë për veprat krijuese të Jehovait?
3 Davidi e krijoi këtë bindje të fortë duke menduar thellë. Sot, lëndët shkollore dhe mjetet e informacionit janë plot e përplot me teori për origjinën e njeriut që janë shkatërrimtare për besimin. Që të kemi një besim si të Davidit, edhe ne duhet të mendojmë thellë. Sa e rrezikshme është t’i lejojmë të tjerët të mendojnë në vendin tonë, sidomos për çështje të tilla themelore si ekzistenca dhe roli i një Krijuesi!
4 Për më tepër, duke parë me vëmendje veprat krijuese të Jehovait, na rritet mirënjohja për të dhe ndihemi të sigurt për premtimet e tij për të ardhmen. Kjo pastaj mund të na motivojë që ta njohim edhe më mirë Jehovain e t’i shërbejmë atij. Pra, le të shqyrtojmë se si shkenca sot ka vërtetuar përfundimin që nxori Davidi, se jemi «krijuar në mënyrë të mrekullueshme».
Zhvillimi ynë fizik i mrekullueshëm
5, 6. (a) Si e kemi filluar jetën të gjithë ne? (b) Ç’rol luajnë veshkat në trupin tonë?
5 «Ti i bëre veshkat e mia. Ti më mbështolle në barkun e nënës.» (Psalmi 139:13) Të gjithë ne e kemi filluar jetën në barkun e nënës si një qelizë e vetme, më e vogël se shenja e pikësimit në fund të kësaj fjalie. Kjo qelizë mikroskopike ishte jashtëzakonisht e ndërlikuar, si një laborator kimik në miniaturë! Rritej me ritme të shpejta. Aty nga fundi i muajit të dytë në barkun e nënës, tashmë ishin formuar organet kryesore. Ndër to ishin edhe veshkat. Kur lindëm, veshkat ishin gati për të filtruar gjakun që kishim në trup, duke hequr lëndët helmuese dhe ujin e tepërt, por duke mbajtur substancat e dobishme. Nëse janë të shëndetshme, dy veshkat e filtrojnë çdo 45 minuta ujin në trupin tonë—rreth 5 litra ujë te një i rritur!
6 Veshkat ndihmojnë edhe për të kontrolluar përmbajtjen e lëndëve minerale në gjak, si dhe aciditetin dhe presionin e tij. Ato kryejnë shumë funksione të tjera jetësore, si për shembull, shndërrojnë vitaminën D në një formë aktive që nevojitet për zhvillimin e mirë të kockave dhe prodhojnë hormonin eritropojetin, që nxit prodhimin e rruazave të kuqe në kocka. Ja pse veshkat janë quajtur «kryekimistet e trupit»!b
7, 8. (a) Përshkruani fazat e para të rritjes së një embrioni. (b) Në ç’kuptim një foshnjë që po zhvillohet është ‘thurur në pjesët më të thella të tokës’?
7 «Kockat e mia nuk ishin të fshehura nga ti, kur u bëra në fshehtësi, kur u thura në pjesët më të thella të tokës.» (Psalmi 139:15) Pas ndarjes së qelizës fillestare, edhe qelizat e reja vazhduan të ndaheshin. Shpejt qelizat nisën diferencimin ose specializimin për t’u bërë qeliza nervore, qeliza muskulore, qeliza të lëkurës, e kështu me radhë. Qelizat e të njëjtit lloj u grupuan bashkë për të formuar indet e pastaj organet. Për shembull, gjatë javës së tretë pas ngjizjes, nisi zhvillimi i sistemit skeletor. Kur kishim mbushur vetëm shtatë javë si embrionë dhe ishim vetëm 2,5 centimetra të gjatë, të 206 kockat që ka një i rritur ekzistonin tashmë në formën e hershme, edhe pse nuk ishin ende kocka të forta.
8 Ky proces mahnitës zhvillimi ndodhi në barkun e nënës, i fshehur nga sytë njerëzorë si të ishte diku thellë në tokë. Madje, shumë gjëra lidhur me zhvillimin e njeriut mbeten ende të panjohura. Për shembull, çfarë i aktivizoi gjenet specifike të qelizave që të vinin në lëvizje procesin e diferencimit? Ndoshta me kalimin e kohës shkenca do ta zbulojë këtë, por siç tha më tej Davidi, Krijuesi ynë, Jehovai, e ka ditur fare mirë gjatë gjithë kohës.
9, 10. Si është «shkruar» në «librin» e Perëndisë formimi i pjesëve të embrionit?
9 «Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij, ditët kur ato u formuan, megjithëse ende nuk ekzistonte asnjë prej tyre.» (Psalmi 139:16) Qeliza e parë fare përmbante planin e plotë për të gjithë trupin. Sipas këtij plani u drejtua zhvillimi i trupit gjatë nëntë muajve që ishim në barkun e nënës dhe pastaj për më shumë se njëzet vjet deri sa u rritëm. Gjatë kësaj kohe, trupi kaloi nëpër shumë faza, që të gjitha të drejtuara nga informacioni i programuar në atë qelizë fillestare.
10 Davidi nuk kishte njohuri për qelizat e për gjenet, pasi atëherë s’ekzistonte as mikroskopi. Por ai e kuptoi saktë se zhvillimi i trupit të tij ishte provë se gjithçka ishte planifikuar paraprakisht. Ndoshta Davidi ka pasur njëfarë njohurie se si zhvillohen embrionet, prandaj mund të arsyetonte se çdo hap duhet të ndodhë sipas një projekti dhe kohe tashmë të përcaktuar. Me një gjuhë poetike, ai e përshkroi këtë projekt si ‘të shkruar’ në «librin» e Perëndisë.
11. Çfarë i përcakton tiparet tona fizike të veçanta?
11 Sot dihet se tiparet që kemi trashëguar nga prindërit dhe të parët tanë, si gjatësia, tiparet e fytyrës, sytë dhe ngjyra e flokëve, si dhe mijëra tipare të tjera, janë përcaktuar nga gjenet. Secila nga qelizat tona ka dhjetëra mijë gjene dhe secili gjen është pjesë e një zinxhiri të gjatë të përbërë nga ADN-ja (acidi dezoksiribonukleik). Udhëzimet për formimin e trupit janë «shkruar» në strukturën kimike të ADN-së së secilit prej nesh. Sa herë që qelizat tona ndahen—për të prodhuar qeliza të reja ose për të zëvendësuar të vjetrat—ADN-ja jonë ua kalon udhëzimet atyre, duke na mbajtur gjallë e duke ruajtur në thelb të njëjtën pamje fizike. Çfarë shembulli i jashtëzakonshëm i fuqisë dhe i mençurisë së Krijuesit tonë qiellor!
Mendja jonë e pashoqe
12. Çfarë i dallon veçanërisht njerëzit nga kafshët?
12 «Sa të çmuara janë mendimet e tua për mua! O Perëndi, sa i madh është gjithë numri i tyre! Sikur të provoja t’i numëroja, do të ishin më të shumta se kokrrizat e rërës.» (Psalmi 139:17, 18a) Edhe kafshët janë krijuar në mënyrë të mrekullueshme dhe disa prej tyre kanë shqisa e aftësi që ua kalojnë njerëzve. Por Perëndia u dha njerëzve aftësi mendore që ua tejkalojnë atyre të çdo kafshe. Një libër shkencor thotë: «Sado që ne njerëzit jemi të ngjashëm me llojet e tjera në shumë drejtime, jemi të pashoq në krahasim me format e jetës në tokë për sa i përket aftësisë për të përdorur gjuhën dhe të menduarit. Jemi të pashoq edhe ngaqë kemi një kureshtje të thellë për veten: Si është ndërtuar trupi ynë? Si u formuam?» Këto janë pyetje që edhe Davidi i bënte.
13. (a) Pse Davidi mund të meditonte rreth mendimeve të Perëndisë? (b) Si mund të ndjekim shembullin e Davidit?
13 Ç’është më e rëndësishmja, ndryshe nga kafshët, ne njerëzit jemi të pashoq në aftësinë për të shqyrtuar mendimet e Perëndisë.c Kjo dhuratë e veçantë është një nga mënyrat se si jemi bërë «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë». (Zanafilla 1:27) Davidi e përdori mirë këtë dhuratë. Ai meditonte për provat e ekzistencës së Perëndisë dhe për cilësitë e mira që pasqyroheshin në natyrën përreth. Gjithashtu, Davidi kishte librat e parë të Shkrimeve të Shenjta, të cilat përmbajnë fakte që Perëndia ka zbuluar për veten dhe për veprat e tij. Këto shkrime të frymëzuara e ndihmuan Davidin të kuptonte mendimet, personalitetin dhe qëllimin e Perëndisë. Meditimi rreth Shkrimeve, rreth krijimit dhe rreth mënyrës si vepronte Perëndia me të, e shtynë Davidin të lëvdonte Bërësin e tij.
Çfarë përfshin besimi?
14. Pse s’ka nevojë të dimë gjithçka për Perëndinë, që të kemi besim tek ai?
14 Sa më shumë shqyrtonte krijimin dhe Shkrimet, aq më shumë Davidi e kuptonte se nuk do të arrinte kurrë të kapte gjithçka që përfshin njohuria e Perëndisë dhe aftësitë e Tij. (Psalmi 139:6) E njëjta gjë vlen edhe për ne. Kurrë nuk do të arrijmë të kuptojmë çdo gjë për veprat krijuese të Perëndisë. (Eklisiastiu 3:11; 8:17) Por, me anë të Shkrimeve dhe të natyrës, Perëndia ka bërë të «duket qartë» një njohuri e mjaftueshme, me qëllim që, në çdo epokë, ata që kërkojnë të vërtetën të krijojnë një besim të bazuar në prova.—Romakëve 1:19, 20; Hebrenjve 11:1, 3.
15. Ilustroni si lidhet besimi me marrëdhënien tonë me Perëndinë.
15 Të kesh besim nuk do të thotë thjesht të pranosh se jeta dhe universi duhet të kenë pasur një Burim inteligjent. Përfshin të kesh besim te Perëndia Jehova si një person real, i cili dëshiron që ne ta njohim dhe të mbajmë një marrëdhënie të mirë me të. (Jakovi 4:8) Mund ta krahasojmë me besimin që ka një njeri te babai i vet i dashur. Nëse vjen dikush e të thotë se babai yt nuk do të të ndihmonte në rast nevoje, ndoshta s’do të ishe në gjendje ta bindje se ai është besnik. Por, nëse jeta të ka dhënë prova për karakterin e mirë të babait tënd, mund të jesh i sigurt se nuk do të të lërë në baltë. Po kështu, pasi e njohim Jehovain duke studiuar Shkrimet, duke medituar rreth krijimit dhe duke përjetuar ndihmën e tij në përgjigje të lutjeve tona, nxitemi që të kemi besim tek ai. Kjo na ngjall dëshirën të mësojmë gjithnjë e më shumë për të dhe ta lëvdojmë në pafundësi, ngaqë e duam pa interes dhe i jemi përkushtuar. Ky është synimi më fisnik që mund të ketë dikush.—Efesianëve 5:1, 2.
Kërkoni udhëheqjen e Krijuesit!
16. Ç’mësojmë nga marrëdhënia e ngushtë që kishte Davidi me Jehovain?
16 «Më heto fund e krye, o Perëndi, dhe njihe zemrën time. Më shqyrto dhe njih mendimet që më turbullojnë. Shih nëse ka tek unë ndonjë udhë që do të më sillte dhembje, dhe më drejto për në udhën e përjetësisë.» (Psalmi 139:23, 24) Davidi ishte i vetëdijshëm se Jehovai e njihte me imtësi, dinte çdo gjë që ai mendonte, thoshte ose bënte. (Psalmi 139:1-12; Hebrenjve 4:13) Për shkak të kësaj njohurie të imtësishme nga ana e Perëndisë, Davidi ndihej i sigurt, siç ndihet i sigurt një fëmijë i vogël në krahët e prindërve të tij të dashur. Davidi e vlerësonte shumë marrëdhënien e ngushtë që kishte me Jehovain dhe përpiqej ta mbante të fortë atë marrëdhënie, duke menduar thellë për veprat e Tij dhe duke iu lutur Atij. Madje, shumë nga psalmet e Davidit, ndër të cilët edhe Psalmi 139, janë në thelb lutje të shoqëruara me muzikë. Meditimi dhe lutja mund të na ndihmojë edhe neve që t’i afrohemi Jehovait.
17. (a) Pse Davidi donte që Jehovai t’i hetonte zemrën? (b) Si ndikon në jetën tonë mënyra si e përdorim vullnetin e lirë?
17 Meqë jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, jemi pajisur me vullnet të lirë. Mund të zgjedhim të bëjmë të mirën ose të keqen. Kjo liri sjell edhe përgjegjësinë morale. Davidi nuk donte ta vinin në një kategori me të ligjtë. (Psalmi 139:19-22) Ai donte t’i mënjanonte gabimet që do t’i shkaktonin dhembje. Kështu, pasi mendoi thellë për njohurinë e gjithanshme të Jehovait, Davidi i kërkoi përulësisht atij që ta hetonte në brendësi dhe ta udhëhiqte në rrugën që të çon në jetë. Normat e drejta morale të Perëndisë zbatohen për këdo, pra edhe ne duhet të bëjmë zgjedhjet e duhura. Jehovai na nxit të gjithëve që t’i bindemi. Kjo do të na sjellë miratimin e tij dhe shumë dobi. (Gjoni 12:50; 1 Timoteut 4:8) Ecja ditë për ditë me Jehovain na ndihmon të kemi paqe të brendshme, edhe përballë problemeve të rënda.—Filipianëve 4:6, 7.
Të ndjekim Krijuesin tonë të mrekullueshëm!
18. Ç’përfundim nxori Davidi pasi meditoi për krijimin?
18 Kur ishte i ri, Davidi rrinte shpeshherë jashtë duke kullotur kopetë. Delet ulnin kokën për të kullotur, kurse ai ngrinte sytë drejt qiellit. Në mugëtirën e natës, Davidi meditonte për madhështinë e universit dhe për gjithçka që nënkuptonte ajo. Ai shkroi: «Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë, hapësira qiellore flet për veprën e duarve të tij. Ditët njëra pas tjetrës thonë fjalë si një përrua gurgullues, netët njëra pas tjetrës tregojnë njohurinë e tij.» (Psalmi 19:1, 2) Davidi e kuptonte se duhej të kërkonte dhe të ndiqte Atë që i kishte bërë të gjitha gjërat në mënyrë kaq të mrekullueshme. Edhe ne duhet të veprojmë po njësoj.
19. Ç’mësime nxjerrin të rinj e të moshuar nga fakti që jemi «krijuar në mënyrë të mrekullueshme»?
19 Davidi e tregoi me shembullin e vet zbatimin e këshillës që i biri, Solomoni, u dha më vonë të rinjve: «Kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate. . . . Frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.» (Eklisiastiu 12:1, 13) Që i ri, Davidi tashmë e kishte kuptuar se ishte «krijuar në mënyrë të mrekullueshme». Ai veproi sipas kësaj kuptueshmërie dhe pati dobi të mëdha gjatë gjithë jetës. Nëse ne, të rinj e të moshuar, e lëvdojmë dhe i shërbejmë Krijuesit tonë të Madh, jeta jonë tani dhe në të ardhmen do të jetë shumë e këndshme. Për ata që qëndrojnë të lidhur ngushtë me Jehovain dhe jetojnë sipas udhëve të tij të drejta, Bibla premton: «Do të jenë të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur, të bëshëm e të freskët do të jenë gjithnjë, për të treguar se Jehovai është i drejtë.» (Psalmi 92:14, 15) Do të kemi edhe shpresën që të kënaqemi përgjithmonë me veprat e mrekullueshme të Krijuesit tonë.
[Shënimet]
a Shih Zgjohuni!, 22 qershor 2004, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
b Shih edhe artikullin «Veshkat tuaja: Një filtër për jetën», në Zgjohuni!, tetor-dhjetor 1997.
c Nga sa duket, fjalët e Davidit te Psalmi 139:18b do të thonë se, edhe sikur të kalonte gjithë ditën duke numëruar mendimet e Jehovait derisa ta zinte gjumi natën, kur të zgjohej në mëngjes do t’i mbeteshin ende shumë për të numëruar.
A mund të shpjegoni?
• Si tregon zhvillimi i embrionit se jemi «krijuar në mënyrë të mrekullueshme»?
• Pse duhet të meditojmë rreth mendimeve të Jehovait?
• Si lidhet besimi me marrëdhënien tonë me Jehovain?
[Figurat në faqen 23]
Zhvillimi i foshnjës në barkun e nënës ndodh sipas një projekti të paracaktuar
ADN-ja
[Burimi]
Fetusi: Lennart Nilsson
[Figura në faqen 24]
Ashtu si fëmijët që i besojnë babait të tyre të dashur, ne kemi besim te Jehovai
[Figura në faqen 25]
Davidi u shty ta lëvdonte Jehovain pasi meditoi për veprat e Tij mjeshtërore