«Më heto, O Perëndi»
«Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; . . . më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.»—PSALMI 139:23, 24.
1. Si vepron Jehovai me shërbëtorët e tij?
TË GJITHËVE na pëlqen kur kemi të bëjmë me dikë që është i kuptueshëm, me dikë që i merr parasysh rrethanat tona, me dikë që na ndihmon kur dështojmë, me dikë që nuk kërkon nga ne më tepër nga sa mund të bëjmë. Perëndia Jehova vepron me shërbëtorët e tij në këtë mënyrë. Psalmi 103:14 thotë: «Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.» Edhe Jezu Krishti, që pasqyroi në mënyrë të përsosur Atin e tij, dha këtë ftesë të ngrohtë: «Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time [ose, «Hyni nën zgjedhën time me mua», shënimi në BR] e pranoni t’ ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërte, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.»—Mateu 11:28-30.
2. Krahaso pikëpamjen e Jehovait me atë të njerëzve, në lidhje me (a) Jezu Krishtin dhe (b) ithtarët e Krishtit.
2 Mënyra se si i sheh Jehovai shërbëtorët e tij, shpesh është shumë e ndryshme nga ajo e njerëzve. Ai i shikon çështjet nga një këndvështrim i ndryshëm dhe merr parasysh aspekte që ndoshta të tjerët as që i dinë. Kur ishte mbi tokë, Jezu Krishti ishte «i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit». Ata që nuk besuan tek ai si Mesia ‘nuk e çmuan aspak’. (Isaia 53:3; Luka 23:18-21) Megjithatë, në sy të Perëndisë ai ishte «Biri [i Perëndisë], i dashuri», për të cilin Ati tha: «Ty të kam miratuar.» (Luka 3:22, BR; 1. Pjetrit 2:4) Midis ithtarëve të Jezu Krishtit ka njerëz të përbuzur, për shkak se janë të varfër materialisht dhe pësojnë shumë mjerime. Megjithatë, në sy të Jehovait dhe Birit të tij, ata mund të jenë të pasur. (Romakëve 8:35-39; Zbulesa 2:9) Si shpjegohet ky ndryshim pikëpamjesh?
3. (a) Përse pikëpamja e Jehovait për njerëzit shpesh është shumë e ndryshme nga ajo e njerëzve të tjerë? (b) Përse ka rëndësi jetësore për ne që të shqyrtojmë se ç’lloj njerëzish jemi përbrenda?
3 Jeremia 11:20 përgjigjet: «Jehovai . . . shqyrton veshkat dhe zemrën.» (BR) Ai shikon se çfarë kemi përbrenda, madje edhe ato aspekte të personalitetit që janë të fshehura në sytë e të tjerëve. Në shqyrtimin e tij, ai u jep një emfazë kryesore cilësive dhe kushteve që janë jetësore për një lidhje të mirë me të, atyre që janë për një dobi sa më të gjatë për ne. Njohja e një fakti të tillë është siguruese, por na bën edhe që të mendohemi. Pasi Jehovai i jep rëndësi asaj që kemi përbrenda, është e rëndësishme për ne që të shqyrtojmë se çfarë jemi nga brenda, nëse duam të provojmë se jemi nga ata lloj njerëzish që ai dëshiron t’i ketë në botën e tij të re. Fjala e tij na ndihmon që të bëjmë një shqyrtim të tillë.—Hebrenjve 4:12, 13.
Sa të rëndësishme që janë mendimet e Perëndisë!
4. (a) Çfarë e shtyu psalmistin që të deklaronte se mendimet e Perëndisë ishin të çmuara për të? (b) Përse duhet të jenë të çmuara edhe për ne?
4 Pasi kishte medituar mbi faktin se Perëndia i njeh thellësisht shërbëtorët e tij, si dhe mbi aftësinë e jashtëzakonshme të Perëndisë për të siguruar ndihmën e nevojshme, psalmisti David shkroi: «Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!» (Psalmi 139:17a) Këto mendime, që na zbulohen në Fjalën e tij të shkruar, janë shumë më të larta se çdo ide njerëzore, sado e shkëlqyeshme që mund të duket ajo. (Isaia 58:8, 9) Mendimet e Perëndisë na ndihmojnë për të parë gjërat që janë me të vërtetë të rëndësishme në jetë dhe për të qenë të zellshëm në shërbimin e tij. (Filipianëve 1:9-11) Ato na ndihmojnë që t’i shohim çështjet ashtu siç i sheh Perëndia. Na ndihmojnë që të jemi të ndershëm me veten, që të pranojmë se ç’lloj njerëzish jemi në të vërtetë në zemër. A ke dëshirë ta bësh këtë?
5. (a) Çfarë na nxit Fjala e Perëndisë që të ruajmë «më shumë se çdo gjë tjetër»? (b) Ç’dobi mund të marrim nga tregimi biblik në lidhje me Kainin? (c) Edhe pse nuk jemi nën Ligjin e Moisiut, si na ndihmon ai për të kuptuar se çfarë i pëlqen Jehovait?
5 Njerëzit janë të prirë për t’i dhënë tepër rëndësi aspektit të jashtëm, por Shkrimet na këshillojnë: «Më shumë se çdo gjë tjetër që duhet ruajtur, siguro zemrën tënde.» (Proverbat 4:23, BR) Bibla na ndihmon për këtë si me anë të udhëzimeve, ashtu edhe me shembuj. Ajo na thotë se Kaini i ofroi formalisht sakrifica Perëndisë, ndërsa në zemër ai kishte zemërim dhe më vonë urrejtje për të vëllanë, Abelin. Dhe na nxit që të mos jemi si ai. (Zanafilla 4:3-5; 1. Gjonit 3:11, 12) Ajo flet mbi kërkesën e Ligjit të Moisiut për bindje. Por nënvizon, gjithashtu, se kërkesa më e rëndësishme e Ligjit ishte që ata që adhuronin Jehovain duhet ta donin atë me gjithë zemrën, mendjen, shpirtin dhe forcën e tyre; ajo pohon edhe se urdhri i dytë për nga rëndësia ishte që ata duhej të donin të afërmit e tyre si vetveten.—Ligji i përtërirë 5:32, 33; Marku 12:28-31.
6. Çfarë pyetjesh duhet t’i bëjmë vetes, në zbatim të Proverbave 3:1?
6 Në Proverbat 3:1 jemi të nxitur që jo vetëm t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë, por të sigurohemi edhe që bindja është një shprehje e asaj që kemi me të vërtetë në zemër. Secili prej nesh duhet të pyesë veten: «A është e vërtetë kjo për bindjen time ndaj kërkesave të Perëndisë?» Nëse e kuptojmë se në disa aspekte motivet apo mendimet tona kanë mungesa—dhe askush prej nesh nuk mund ta mbajë veten si plotësisht në rregull—duhet të pyesim veten: «Çfarë po bëj për të përmirësuar gjendjen?»—Proverbat 20:9; 1. Gjonit 1:8.
7. (a) Në ç’mënyrë denoncimi që u bën Jezui farisenjve në Mateun 15:3-9, na ndihmon që të sigurojmë zemrën tonë? (b) Cilat situata mund të kërkojnë që të marrim masa të forta për të disiplinuar mendjen dhe zemrën tonë?
7 Pasi farisenjtë hiqeshin sikur e nderonin Perëndinë, në një kohë kur me dinakëri mbështetnin zakone të motivuara nga interesat personale, Jezui i dënoi si hipokritë dhe shpjegoi se adhurimi i tyre ishte i kotë. (Mateu 15:3-9) Jezui paralajmëroi, gjithashtu, se për t’i pëlqyer Perëndisë që shikon zemrat, nuk mjafton të bëjmë një jetë në dukje të moralshme, në një kohë që vazhdojmë të përkëdhelim mendime të pamoralshme për kënaqësi ndjesore. Ndoshta për të disiplinuar mendjen dhe zemrën duhet të marrim masa të ashpra. (Proverbat 23:12; Mateu 5:27-29) Një disiplinë e tillë është, gjithashtu, e nevojshme nëse për shkak të punës që bëjmë, të synimeve në mësime apo për shkak të zbavitjeve që zgjedhim, jemi duke u kthyer në imitues të botës dhe lejojmë që të na brumosë sipas rregullave të saj. Le të mos harrojmë kurrë se dishepulli Jakov i quan «tradhtarë bashkëshortorë» njerëzit që pohojnë se i përkasin Perëndisë, por që dëshirojnë të jenë miq me botën. Përse? Sepse «mbarë bota po dergjet nën pushtetin e të ligut».—Jakovit 4:4, BR; 1. Gjonit 2:15-17; 5:19, BR.
8. Çfarë duhet të bëjmë, për të përfituar plotësisht prej mendimeve të çmuara të Perëndisë?
8 Që të përfitojmë plotësisht prej mendimeve të Perëndisë për këto dhe çështje të tjera, duhet që të kursejmë kohë për t’i lexuar apo dëgjuar ato. Dhe jo vetëm kaq, por duhet t’i studiojmë, të flasim dhe të meditojmë mbi to. Shumë lexues të Kullës së Rojës ndjekin rregullisht mbledhjet e kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait, në të cilat diskutohet Bibla. Për këtë ata blejnë kohë prej aktiviteteve të tjera. (Efesianëve 5:15-17) Dhe ajo që marrin si këmbim është shumë më e vlefshme se pasuria materiale. A nuk ndihesh edhe ti po kështu?
9. Përse disa pjesëmarrës në mbledhjet e krishtere përparojnë më shpejt se të tjerët?
9 Megjithatë, disa nga këta pjesëmarrës në mbledhje bëjnë një përparim frymor më të shpejtë se të tjerët. Ata e zbatojnë të vërtetën në mënyrë më të plotë në jetën e tyre. Përse vallë? Shpesh, një nga faktorët më të mëdhenj është zelli i tyre në studimin personal. Ata e kuptojnë se ne nuk jetojmë vetëm me bukë; ushqimi i përditshëm frymor është po aq i rëndësishëm sa edhe ushqimi fizik që hamë rregullisht. (Mateu 4:4; Hebrenjve 5:14) Prandaj, ata përpiqen që çdo ditë t’i kushtojnë të paktën pak kohë leximit të Biblës apo të botimeve që e shpjegojnë. Ata përgatiten për mbledhjet e kongregacionit, i studiojnë që më parë artikujt që do të trajtohen dhe këshillohen edhe me shkrimet. Ata bëjnë më tepër se vetëm leximi i materialit; meditojnë mbi të. Shprehitë e tyre të studimit përfshijnë të menduarit seriozisht mbi ndikimin që mund të ketë mbi jetën e tyre ajo që kanë mësuar. Ndërsa karakteri i tyre frymor rritet, ata fillojnë të ndihen si psalmisti që shkroi: «Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! . . . Porositë e tua janë të mrekullueshme.»—Psalmet 1:1-3; 119:97, 129.
10. (a) Për sa kohë është e dobishme që të vazhdojmë studimin e Fjalës së Perëndisë? (b) Si e tregojnë Shkrimet këtë?
10 Edhe sikur të jemi duke e studiuar Biblën prej një, pesë apo edhe 50 vjetësh, studimi nuk është kurrë një përsëritje monotone—nëse mendimet e Perëndisë janë të çmueshme për ne. Pavarësisht se sa shumë mund të kemi mësuar nga Shkrimet, nuk ka dyshim se gjërat që nuk dimë janë më shumë nga ato që dimë. «Sa i madh është gjithë numri i tyre»,—tha Davidi. «Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra.» Mendimet e Perëndisë shkojnë përtej aftësisë sonë për të numëruar. Sikur t’i numërojmë mendimet e Perëndisë gjatë gjithë ditës e të na zërë gjumi duke numëruar, kur të zgjohemi në mëngjes do të ketë ende shumë për t’u menduar. Prandaj edhe Davidi shkroi: «Kur zgjohem jam ende me ty.» (Psalmi 139:17, 18) Për gjithë përjetësinë do të vazhdojmë të mësojmë mbi Jehovain dhe rrugët e tij. Kurrë nuk do të arrijmë deri në atë pikë sa të dimë gjithçka.—Romakëve 11:33.
Të urrejmë atë që Jehovai urren
11. Përse është e rëndësishme që jo vetëm t’i njohim mendimet e Perëndisë, por edhe të kemi të njëjtat ndjenja me të?
11 Qëllimi i studimit tonë të Fjalës së Perëndisë nuk është thjesht që të mbushim kokën me informata. Ndërsa e lëmë të depërtojë në zemrën tonë, fillojmë edhe që të kemi të njëjtat ndjenja me Perëndinë. Sa e rëndësishme është kjo! Cili do të jetë rezultati nëse nuk zhvillojmë ndjenja të tilla? Edhe pse jemi në gjendje për të përsëritur atë që thotë Bibla, mund t’i shohim si të dëshirueshme gjërat që ajo i ndalon, ose kërkesat e saj mund të na duken si një ngarkesë. Është e vërtetë që edhe pse e urrejmë të keqen, na duhet të luftojmë për shkak të papërsosmërisë sonë. (Romakëve 7:15) Por, nëse nuk bëjmë një përpjekje të sinqertë për t’i përputhur ato që kemi brenda me atë që është e drejtë, si mund të presim atëherë që t’i pëlqejmë Jehovait, «shqyrtuesit të zemrave»?—Proverbat 17:3, BR.
12. Sa e rëndësishme është që të duam atë që do Perëndia dhe të urrejmë atë që ai e urren?
12 Urrejtja e asaj që Perëndia urren, është një mbrojtje e fuqishme për të mos bërë gjëra të gabuara, ashtu si edhe dashuria ndaj gjërave që Perëndia do, e bën një kënaqësi kryerjen e asaj që është e drejtë. (1. Gjonit 5:3) Shkrimet na nxitin vazhdimisht që të kultivojmë edhe dashurinë edhe urrejtjen. «O ju që doni Jehovain, urreni atë që është e keqe.» (Psalmi 97:10, BR) «Kini neveri për çka është e ligë, ngjituni pas asaj që është e mirë.» (Romakëve 12:9, BR) A po veprojmë kështu?
13. (a) Me cilën lutje të Davidit në lidhje me shkatërrimin e të ligjve, ne përputhemi plotësisht? (b) Siç tregon edhe lutja e Davidit, cilët ishin të ligjtë për të cilët ai iu lut Perëndisë që t’i shkatërronte?
13 Jehovai e ka deklaruar qartë qëllimin e tij për t’i shkulur me rrënjë të ligjtë nga toka dhe për t’i hapur rrugë një toke të re në të cilën do të banojë drejtësia. (Psalmi 37:10, 11; 2. Pjetrit 3:13) Ata që e duan drejtësinë, dëshirojnë me gjithë zemër ardhjen e asaj kohe. Ata përputhen plotësisht me psalmistin David, që u lut: «Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë. Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.» (Psalmi 139:19, 20) Davidi nuk provonte personalisht dëshirën për t’i vrarë ata të pabesë. Ai lutej që shpagimi të vinte prej dorës së Jehovait. (Ligji i përtërirë 32:35; Hebrenjve 10:30) Ata nuk ishin njerëz që në një farë mënyre kishin fyer vetëm Davidin personalisht. E kishin përfaqësuar keq Perëndinë, duke e përdorur emrin e tij në një mënyrë të padenjë. (Të Dalët 20:7) Pandershmërisht, ata pohonin se i shërbenin atij, por e kishin përdorur emrin e tij për të nxitur intrigat e tyre personale. Davidi nuk ndiente dashuri për ata që kishin zgjedhur të ishin kundërshtarë të Perëndisë.
14. A ka njerëz të ligj që mund të ndihmohen? Nëse po, në ç’mënyrë?
14 Janë me miliarda njerëzit që nuk e njohin Jehovain. Shumë prej tyre, nga padija, praktikojnë gjëra që Fjala e Perëndisë i tregon si të këqija. Nëse vazhdojnë në këtë rrugë, ata do të gjenden midis atyre që do të humbin jetën gjatë mjerimit të madh. Megjithatë, Jehovai nuk kënaqet nga vdekja e të ligjve, po kështu nuk duhet të kënaqemi edhe ne. (Ezekieli 33:11) Derisa ta lejojë koha, do të përpiqemi t’i ndihmojmë këta njerëz për të mësuar dhe zbatuar rrugët e Jehovait. Por si duhet të veprojmë nëse disa njerëz tregojnë një urrejtje të madhe për Jehovain?
15. (a) Cilët ishin ata që Davidi i shihte si «armiq» të vërtetë? (b) Si mund të tregojmë ne sot se i «urrejmë» ata që rebelohen kundër Jehovait?
15 Në lidhje me ta, psalmisti tha: «A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot [Jehova, BR], dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje? Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.» (Psalmi 139:21, 22) Davidi i shikonte me urrejtje, pasi ata kishin një urrejtje të vazhdueshme për Jehovain. Midis atyre që tregojnë urrejtje për Jehovain, duke u rebeluar kundër tij, përfshihen edhe apostatët. Në fakt, apostazia është rebelim kundër Jehovait. Disa apostatë pohojnë se e njohin dhe se i shërbejnë Perëndisë, por ata përbuzin mësime apo kërkesa që gjenden në Fjalën e tij. Të tjerët deklarojnë se besojnë në Biblën, por ata nuk e pranojnë organizatën e Jehovait dhe përpiqen aktivisht që të pengojnë punën e saj. Kur ata zgjedhin me qëllim këtë sjellje të keqe, duke ditur se ç’është e drejtë, kur e keqja rrënjoset aq shumë, sa bëhet pjesë e pandarë e qenies së tyre, atëherë i krishteri duhet t’i urrejë (në kuptimin biblik të fjalës) ata që janë ngjitur pazgjidhshmërisht mbas së keqes. Të krishterët e vërtetë kanë të njëjtat ndjenja me Jehovain në lidhje me këta apostatë; ata nuk bëhen kuriozë për idetë e apostatëve. Përkundrazi, ata «ndiejnë neveri» për ata që e kanë bërë veten armik me Perëndinë, por lënë që të jetë Jehovai ekzekutuesi i hakmarrjes.—Jobi 13:16; Romakëve 12:19; 2. Gjonit 9, 10.
Kur Perëndia na heton
16. (a) Përse Davidi dëshironte që Jehovai ta hetonte? (b) Për cilat aspekte të zemrës sonë duhet t’i kërkojmë Perëndisë që të na ndihmojë për t’i kuptuar?
16 Davidi nuk dëshironte t’u ngjante të ligjve në asnjë mënyrë. Shumë njerëz u përpoqën për të fshehur atë që kishin përbrenda, ndërsa Davidi u lut me përulësi: «Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia. Dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.» (Psalmi 139:23, 24) Duke iu referuar zemrës së tij, Davidi nuk ka ndërmend organin fizik. Në përputhje me kuptimin figurativ të kësaj shprehjeje, ai i referohet asaj që ka përbrenda, njeriut të brendshëm. Edhe ne duhet të kemi dëshirën që Perëndia të hetojë zemrat tona dhe të shohë nëse kemi dëshira, ndjenja, emocione, qëllime, mendime apo motive të gabuara. (Psalmi 26:2) Jehovai na fton: «Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia.»—Proverbat 23:26.
17. (a) Në vend se t’i mbulojmë mendimet që na shqetësojnë, çfarë duhet të bëjmë? (b) A duhet të habitemi nëse gjejmë prirje të gabuara në zemrën tonë dhe çfarë duhet të bëjmë mbi këtë?
17 Nëse brenda nesh gjenden të fshehura mendime të dhimbshme apo shqetësuese, për shkak të dëshirave apo motiveve të gabuara, ose për shkak të disa veprimeve të gabuara, atëherë dëshirojmë sigurisht që Jehovai të na ndihmojë për të qartësuar çështjen. Në vend të shprehjes «ndonjë rrugë të keqe», përkthimi Moffatt përdor shprehjen «një rrugë të gabuar», kurse një përkthim anglez (The New English Bible) thotë: «Ndonjë shteg që të brengos ty [pra, Perëndinë].» Ne vetë, ndoshta nuk i kuptojmë qartësisht mendimet tona shqetësuese dhe në këtë mënyrë nuk dimë si t’ia shprehim problemin tonë Perëndisë, por ai e kupton gjendjen tonë. (Romakëve 8:26, 27) Nuk duhet të habitemi që në zemrën tonë të ketë prirje të këqija; megjithatë, nuk duhet t’i justifikojmë ato. (Zanafilla 8:21) Duhet të kërkojmë ndihmën e Perëndisë për t’i çrrënjosur ato. Nëse me të vërtetë e duam Jehovain dhe rrugët e tij, mund t’i afrohemi për një ndihmë të tillë me besim se Perëndia «është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka».—1. Gjonit 3:19-21.
18. (a) i na udhëheq Jehovai në rrugën e përjetshme? (b) Cilin lavdërim të ngrohtë mund të presim, nëse vazhdojmë të ndjekim drejtimin e Jehovait?
18 Në harmoni me lutjen e psalmistit, që Jehovai ta udhëhiqte në rrugën e përjetshme, Jehovai i udhëheq me të vërtetë shërbëtorët e tij të përulur dhe të bindur. Ai nuk i udhëheq vetëm në shtegun që mund të nënkuptojë jetëgjatësi, në kuptimin që nuk do të vdesin para kohe për shkak të ndonjë veprimi të keq, por në rrugën që të çon në jetën e përhershme. Ai na ngulit nevojën që kemi për vlerën shpërblyese të sakrificës së Jezuit. Nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së tij, na siguron udhëzime jetësore që të kemi mundësi për të kryer vullnetin e tij. Ai na thekson rëndësinë që t’i përgjigjemi ndihmës së tij, në mënyrë që të bëhemi edhe përbrenda si ai lloj njeriu që dukemi nga jashtë. (Psalmi 86:11) Dhe na inkurajon me perspektivën e një shëndeti të përsosur në një botë të re dhe të drejtë, ku do të mund ta përdorim jetën e përhershme për t’i shërbyer atij, Perëndisë së vetëm të vërtetë. Nëse vazhdojmë ta ndjekim besnikërisht drejtimin e tij, ai do të na thotë në të vërtetë, ashtu siç i tha edhe Birit të tij: «Ty të kam miratuar.»—Luka 3:22; Gjoni 6:27; Jakovit 1:12.
Si do të komentoje?
◻ Përse mënyra se si i sheh Jehovai shërbëtorët e tij, shpesh është e ndryshme nga ajo e njerëzve?
◻ Çfarë na ndihmon për të kuptuar se ç’gjë sheh Jehovai kur shqyrton zemrat tona?
◻ Cili lloj studimi na ndihmon për të mësuar informata dhe për të siguruar zemrën tonë?
◻ Përse është e rëndësishme që jo vetëm të dimë se ç’thotë Perëndia, por edhe të kemi të njëjtat ndjenja me të?
◻ Përse duhet të lutemi personalisht: «Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time»?
[Figura në faqen 16]
Kur studion, a përpiqesh t’i bësh të tuat mendimet dhe ndjenjat e Perëndisë?
[Figura në faqen 18]
Mendimet e Jehovait janë «më të shumta se rëra»
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.