Po, ti mund të jesh i lumtur
LUMTURIA, ajo e vërteta dhe e përhershmja, ndonjëherë është vështirë të gjendet. Kjo ndodh sepse, gjatë kërkimit të pareshtur, shumë njerëz e kërkojnë lumturinë në drejtime të gabuara. Ah, sikur të kishin një mik të besuar dhe të aftë që të mund t’u tregonte drejtimin e duhur!
Bibla është një ndihmë për të gjetur drejtimin e duhur. Mendo pak vetëm për një nga librat e saj, për Psalmet. Ky libër është një përmbledhje me 150 këngë të shenjta për Perëndinë Jehova, ku gati gjysma janë kompozuar nga mbreti David i Izraelit të lashtë. Por më e rëndësishme se të dish cilët janë shkrimtarët, është se ky libër u shkrua nën frymëzimin e Mikut më të madh të njerëzimit, Jehovait. Prandaj mund të jemi të sigurt se aty gjejmë udhëheqje hyjnore të dobishme dhe se ajo na tregon rrugën drejt lumturisë.
Shkrimtarët e Psalmeve ishin të sigurt se lumturia vjen kur kemi një marrëdhënie të fortë me Perëndinë. «Lum ai që ka frikë nga Jehovai»,—shkroi psalmisti. (Psalmi 112:1) Asnjë marrëdhënie njerëzore, pasuri materiale apo arritje personale nuk mund të na sjellë lumturinë që vjen kur i përkasim ‘popullit që ka për Perëndi Jehovain’. (Psalmi 144:15) Këtë e vërteton edhe jeta e shumë shërbëtorëve të Perëndisë në ditët e sotme.
Një shembull i tillë është edhe Suzana, e cila është rreth të dyzetave.a Ajo u shpreh: «Sot, shumë njerëz bashkohen me disa grupe për të arritur të njëjtat qëllime ose interesa. Megjithatë, rrallë ndodh që ta shohin njëri-tjetrin si miq. Me popullin e Jehovait është ndryshe. Dashuria që kemi për Jehovain na bën ta duam njëri-tjetrin. Kur jemi me popullin e Jehovait, ndihemi rehat, pavarësisht nga vendi ku ndodhemi në atë moment. Ky unitet na e pasuron jetën jashtë mase. E kush tjetër mund të pretendojë sot se ka miq nga grupe shoqërore, formime tërësisht të ndryshme dhe nga kaq shumë kombe? E them me gjithë zemër se lumturia vjen kur i përket popullit të Jehovait.»
Edhe Marì, lindur në Skoci, ka mësuar se marrëdhënia e ngushtë me Jehovain është tepër e rëndësishme, nëse dikush do që të jetë i lumtur. Ajo tregon: «Para se të mësoja të vërtetën biblike më pëlqente të shihja filma të frikshëm. Por natën nuk më zinte gjumi po të mos shtrëngoja në dorë ndonjë kryq, me mendimin se largonte fantazmat dhe vampirët, që shihja nëpër filma. Por, kur mësova të vërtetën dhe nuk shihja më filma të tillë, marrëdhënia që kisha me Jehovain më ndihmoi që të shkoja në shtrat pa frikë, e lumtur se i shërbeja një Perëndie më të fuqishëm sesa demonët apo vampirët e sajuar.»
Besimi te Jehovai çon drejt lumturisë
Nuk kemi arsye për të dyshuar në fuqinë dhe mençurinë e pafund të Krijuesit. Duke ditur se mund të kishte besim të plotë te Jehovai dhe të mbështetej tek Ai, Davidi shkroi: «Lum njeriu që ka besim te Jehovai!»—Psalmi 40:4.
Maria tha: «Nga përvoja në Spanjë dhe në vende të tjera kam mësuar se kur i bëjmë gjërat sipas vullnetit të Jehovait, edhe pse ndjenjat na shtyjnë të bëjmë të kundërtën, rezultati është më i miri që mund të kemi. Kjo në vetvete sjell lumturi, sepse vullneti i Jehovait është gjithmonë zgjedhja më e mirë.»
Edhe Andreasi, një plak kongregacioni që ka shërbyer në disa vende evropiane, e di nga përvoja e tij se mund të kemi besim te Jehovai. Ai thotë: «Kur isha i ri, vëllai i madh, që nuk ka të njëjtën fe si unë, përpiqej që të më bindte të synoja një karrierë që do të më sillte shumë të ardhura. Por u zhgënjye shumë kur fillova shërbimin në kohë të plotë dhe nuk e kërkova të ashtuquajturën siguri te pensioni që të ofron puna në botë. Gjatë shërbimit në kohë të plotë, nuk më ka munguar gjë, dhe kam pasur disa bekime që të tjerët i shohin vetëm në ëndërr.»
Në vitin 1993, Feliksin e ftuan që të ndihmonte në zgjerimin e zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Zeltërs të Gjermanisë. Kur ndërtimi mbaroi, e ftuan të bëhej pjesë e përhershme e familjes Bethel të atij vendi. Çfarë bëri? «E pranova këtë ftesë me ca rezerva. Por tani kam 10 vjet që shërbej këtu dhe jam i bindur se Jehovai u është përgjigjur lutjeve të mia. Ai e di ç’është më e mira për mua. Duke pasur besim të plotë te ai dhe duke e lejuar që të më drejtojë, i jap mundësinë të më tregojë se çfarë do që të bëj.»
Suzana që përmendëm më sipër, donte të shërbente në kohë të plotë si pioniere, por e kishte të vështirë të gjente një punë me orar të shkurtër. Pasi kaloi një vit duke pritur për ndonjë punë, ajo veproi me besim te Jehovai. Suzana tregon: «Dorëzova kërkesën për pioniere të rregullt. Kisha kursyer aq sa të përballoja shpenzimet e zakonshme për një muaj. Dhe ç’muaj fantastik ishte! Shërbimi më sillte shumë gëzim, por intervistat e punës ishin një dështim njëra pas tjetrës. Por, ashtu siç kishte premtuar, Jehovai nuk më braktisi. Ditën e fundit të muajit, arrita të nënshkruaja një kontratë pune. Tani e dija që mund të kisha vërtet besim te Jehovai! Kjo përvojë e parë në shërbimin në kohë të plotë më ka sjellë një jetë të lumtur dhe plot bekime.»
Pranimi i këshillave të Perëndisë sjell gëzim
Mbreti David bëri disa gabime të rënda. Në disa raste ai kishte nevojë për këshilla të mençura. A i pranojmë këshillat dhe drejtimin ashtu si edhe Davidi?
Një herë Aida, nga Franca, e kuptoi se kishte bërë një gabim të rëndë. Ajo sjell ndër mend: «Shqetësimi im kryesor ishte të vija në vend marrëdhënien time me Jehovain. Asgjë tjetër nuk kishte rëndësi.» Kështu iu drejtua pleqve të krishterë për ndihmë. Tani, pasi ka shërbyer për 14 vjet në kohë të plotë, ajo thotë: «Sa mirënjohëse jam që Jehovai më fali!»
Nëse kemi një zemër të ndjeshme ndaj këshillave të Perëndisë, kjo mund të na frenojë para se të gabojmë. Judita shpjegon: «Kur isha 20 vjeç, m’i mori mendtë një koleg gjerman i cili më vinte vërdallë në atë kohë. Ishte njeri i respektuar, kishte bërë një karrierë të shkëlqyer, por ishte i martuar. E kuptoja që duhej të zgjidhja një nga të dyja, ose t’i bindesha ligjeve të Jehovait, ose t’i ktheja kurrizin Atij. Fola me prindërit. Babai më foli qartë duke më kujtuar se çfarë priste Jehovai nga unë. Më foli troç, tha pikërisht ato që kisha nevojë të dëgjoja. Prapëseprapë, thellë në zemër kërkoja ndonjë justifikim. Për javë të tëra, mbrëmjeve, nëna më fliste se sa të rëndësishme ishin ligjet e Perëndisë për mua dhe për jetën time. Jam kaq mirënjohëse që dalëngadalë fillova ta doja më shumë Jehovain. Disiplina dhe mësimet e tij më kanë sjellë lumturi të vërtetë, vite plot bekime në shërbimin e plotkohor dhe një bashkëshort të shkëlqyer të krishterë që më do dhe që e do Jehovain me gjithë zemër.»
Është më se e qartë që përvoja të tilla vërtetojnë atë që tha Davidi: «Lum ai që i janë falur rebelimet dhe i janë mbuluar mëkatet! Lum njeriu që Jehovai nuk i ngarkon asnjë faj!»—Psalmi 32:1, 2.
Lumturia që vjen kur mendojmë për të tjerët
«Lum ai që mendon për të varfrin!»—shkroi Davidi. Ai vazhdoi: «Në ditë të keqe Jehovai do t’i sigurojë shpëtim. Ti, o Jehova, do ta ruash e do ta mbash gjallë. Ai do të shpallet i lumtur.» (Psalmi 41:1, 2) Dhembshuria që tregoi Davidi ndaj Mefiboshetit, djalit të gjymtuar të Jonatanit, mikut të tij të dashur, është një shembull i mirë që tregon se çfarë qëndrimi duhet të kemi ndaj atyre që gjenden në nevojë.—2 Samuelit 9:1-13.
Marlisa, që ka qenë misionare për 47 vjet, ka privilegjin t’u predikojë atyre që kanë ikur nga vendet në krizë të Afrikës, Azisë dhe Evropës Lindore. Ajo thotë: «Ata kanë probleme nga më të ndryshmet dhe në përgjithësi e ndiejnë që njerëzit e këtushëm nuk i pranojnë plotësisht, dhe që në të vërtetë diskriminohen. Kur ndihmon këta njerëz je gjithmonë i lumtur.»
Marina, në fillim të të 40-ve, shkruan: «Kur je beqare, kupton se çdo të thotë të të gjenden pranë kur ke nevojë. Kjo më shtyn t’i inkurajoj njerëzit duke u telefonuar ose duke u shkruar. Shumë nga këta kanë shprehur vlerësimin e tyre. Ndihem vërtet e lumtur kur ndihmoj të tjerët.»
Dimitari, në mes të të njëzetave, thotë: «Jam rritur vetëm me nënën. Kur isha i vogël, isha i lumtur që mbikëqyrësi i Studimit të Librit të Kongregacionit më merrte çdo javë me vete dhe më stërviste në shërbim. Edhe sot e kësaj dite ia di për faleminderit që u tregua këmbëngulës. E di që për të nuk ishte gjithmonë e lehtë të më inkurajonte.» Nga mirënjohja për këtë ndihmë që ka marrë në ato kohë, tani është Dimitari që ndihmon të tjerët. «Të paktën një herë në muaj, përpiqem të marr me vete në shërbim një të ri ose një më të madh se veten.»
Libri i Psalmeve përmend edhe aspekte të tjera që i kontribuojnë lumturisë. Një prej tyre është edhe të mbështetemi te forca e Jehovait e jo tek e jona: «Lum ata që gjejnë forcë te [Jehovai]!»—Psalmi 84:5.
Korina e ka provuar këtë në jetën e saj. Ajo u transferua në një vend ku ishte e nevojshme të predikohej më shumë. «U përballa me një gjuhë, kulturë dhe mentalitet tjetër. Më dukej sikur isha në një planet tjetër. Më merrej fryma vetëm kur mendoja predikimin në një mjedis të panjohur. I kërkoja ndihmë Jehovait dhe, me forcën që më jepte, arrija të predikoja çdo ditë në një territor të veçuar. Pastaj u mësova, dhe kjo më dukej gjëja më normale në botë. Fillova shumë studime biblike dhe ende nxjerr dobi nga kjo përvojë. Mësova se me forcën që na jep Jehovai mund të kapërcejmë edhe ato pengesa që duken të pakapërcyeshme.»
Po, shumë faktorë mund të na bëjnë të lumtur, si për shembull miqësia me Perëndinë, besimi te ai, pranimi i këshillave hyjnore dhe ndihma që u japim të tjerëve. Duke ecur në rrugët e Jehovait dhe duke iu bindur ligjeve të tij, të lumtur mund të gëzojmë miratimin e tij.—Psalmi 89:15; 106:3; 112:1; 128:1, 2.
[Shënimi]
a Disa emra janë ndryshuar.
[Figura në faqen 12]
Maria
[Figura në faqen 13]
Marì
[Figura në faqen 13]
Suzana dhe Andreasi
[Figura në faqen 15]
Korina
[Figura në faqen 15]
Dimitari