Jehovai shfaq me bollëk dashuri besnike
«Jehovai . . . shfaq me bollëk dashamirësi.»—PSALMI 145:8, BR.
1. Sa e madhe është dashuria e Perëndisë?
«PERËNDIA është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Kjo shprehje prekëse na tregon se sundimin e tij Jehovai e bazon mbi dashurinë. Mendoni pak, edhe njerëzit që nuk i binden atij përfitojnë nga dielli e nga shiu që ai siguron me aq dashuri! (Mateu 5:44, 45) Falë dashurisë që ka Perëndia për njerëzimin, edhe armiqtë e tij mund të pendohen, të kthehen tek ai dhe të fitojnë jetën. (Gjoni 3:16) Por së shpejti Jehovai do t’i shfarosë njerëzit e ligj që s’duan të kthejnë rrugë, kurse njerëzit që e duan Perëndinë do të kenë jetën e përhershme në një botë të re të drejtë.—Psalmi 37:9-11, 29; 2 Pjetrit 3:13.
2. Cilin aspekt të veçantë të dashurisë tregon Jehovai për ata që i janë kushtuar atij?
2 Jehovai tregon vazhdimisht dashuri për adhuruesit e tij të vërtetë, në një mënyrë që e bën veçanërisht të çmuar këtë dashuri. Për këtë dashuri përdoret një fjalë hebraike që përkthehet «dashamirësi» ose «dashuri besnike». Mbreti David i Izraelit të lashtë e çmonte shumë dashamirësinë e Perëndisë. Nga përvoja e tij dhe nga meditimi për mënyrën si vepron Perëndia me të tjerët, Davidi mund të këndonte i sigurt: «Jehovai . . . shfaq me bollëk dashamirësi [ose dashuri besnike].»—Psalmi 145:8, BR.
Të identifikojmë shërbëtorët besnikë të Perëndisë
3, 4. (a) Si na ndihmon Psalmi 145 që të identifikojmë shërbëtorët besnikë të Jehovait? (b) Si e «bekojnë» Perëndinë shërbëtorët e tij besnikë?
3 Hana, nëna e profetit Samuel, tha për Perëndinë Jehova: «Ai ruan rrugën që bëjnë shenjtorët [besnikët, BR] e tij.» (1 Samuelit 2:9) Cilët janë këta ‘besnikë’? Mbreti David jep përgjigjen. Pasi lartësoi cilësitë e mrekullueshme të Jehovait, ai tha: «Shenjtorët [besnikët, BR] e tu do të të bekojnë.» (Psalmi 145:10) Ndoshta ju pyetni veten si mund ta bekojnë njerëzit Perëndinë. Kryesisht e bëjnë këtë duke e lavdëruar Perëndinë ose duke folur mirë për të.
4 Shërbëtorët besnikë të Jehovait mund të identifikohen nga fakti që e përdorin gojën për të folur mirë për të. Cila është normalisht tema e bisedave të tyre nëpër grumbullime shoqërore dhe në mbledhjet e krishtere? Patjetër që Mbretëria e Jehovait. Shërbëtorët besnikë të Perëndisë kanë të njëjtat ndjenja si Davidi, i cili këndoi: «Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate [të Jehovait] dhe do të tregojnë për fuqinë tënde.»—Psalmi 145:11.
5. Si e dimë që Jehovai i dëgjon shërbëtorët e tij besnikë kur flasin mirë për të?
5 A dëgjon Jehovai kur shërbëtorët e tij besnikë e lavdërojnë? Po, u kushton vëmendje gjërave që thonë ata. Në një profeci që kishte të bënte me adhurimin e vërtetë në ditët tona, Malakia shkroi: «Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri-tjetrit. Zoti i dëgjoi me vëmendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.» (Malakia 3:16) Jehovai kënaqet shumë kur shërbëtorët e tij besnikë flasin mirë për të, dhe i mban mend ata.
6. Cila vepër na ndihmon t’i identifikojmë shërbëtorët besnikë të Perëndisë?
6 Shërbëtorët besnikë të Jehovait mund të identifikohen edhe sepse janë të guximshëm dhe marrin iniciativën për t’u folur njerëzve që nuk janë adhurues të Perëndisë së vërtetë. Pikërisht, shërbëtorët besnikë të Perëndisë ‘u bëjnë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tij dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë së tij’. (Psalmi 145:12) A kërkoni vetë raste dhe a përpiqeni të përfitoni nga çdo mundësi për t’u folur të tjerëve për mbretërinë e Jehovait? Ndryshe nga qeveritë njerëzore, të cilat do të zhduken së shpejti, mbretëria e tij është e përjetshme. (1 Timoteut 1:17) Është urgjente që njerëzit të mësojnë për mbretërinë e përjetshme të Jehovait dhe të identifikohen si përkrahës të saj. «Mbretëria jote është një mbretëri përjetë,—këndoi Davidi,—dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.»—Psalmi 145:13.
7, 8. Çfarë ndodhi në vitin 1914, dhe çfarë prove ka se Perëndia sundon tani nëpërmjet Mbretërisë së Birit të tij?
7 Që nga viti 1914, ka pasur edhe më shumë arsye për të folur për mbretërinë e Jehovait. Atë vit, Perëndia vendosi Mbretërinë qiellore mesianike me Mbret Jezu Krishtin, Birin e Davidit. Kështu Jehovai përmbushi premtimin e tij që mbretëria e Davidit do të bëhej e qëndrueshme përgjithnjë.—2 Samuelit 7:12, 13; Luka 1:32, 33.
8 Provat që Jehovai tani sundon nëpërmjet Mbretërisë së Birit të tij, Jezu Krishtit, shihen në përmbushjen e vazhdueshme e shenjës së pranisë së Jezuit. Aspekti më i veçantë i kësaj shenje është vepra që paratha Jezui për të gjithë shërbëtorët besnikë të Perëndisë: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:3-14) Duke qenë se shërbëtorët besnikë të Perëndisë po e përmbushin me zell këtë profeci, më shumë se gjashtë milionë burra, gra dhe fëmijë po marrin pjesë tani në këtë vepër madhështore që nuk do të përsëritet më kurrë. Së shpejti do të vijë fundi për të gjithë kundërshtarët e Mbretërisë së Jehovait.—Zbulesa 11:15, 18.
Të nxjerrim dobi nga sovraniteti i Jehovait
9, 10. Çfarë ndryshimi ka ndërmjet Jehovait dhe sundimtarëve njerëzorë?
9 Në qoftë se jemi të krishterë të kushtuar, marrëdhënia jonë me Zotërinë Sovran Jehova na sjell shumë dobi. (Psalmi 71:5; 116:12) Për shembull, meqë i frikësohemi Perëndisë dhe praktikojmë drejtësinë, kemi miratimin e tij dhe në kuptimin frymor jemi afër me të. (Veprat 10:34, 35; Jakovit 4:8) Në dallim nga kjo, sundimtarët njerëzorë shpesh i shohim vetëm në shoqëri me njerëz të shquar, si komandantë ushtarakë, tregtarë të pasur ose personazhe të famshme të sportit e të zbavitjes. Sipas gazetës afrikane Souetan, një zyrtar i lartë tha për zonat shumë të varfra të vendit të tij: «E kuptoj që shumë prej nesh nuk duan të shkojnë në këto zona. Kjo ndodh thjesht sepse duam të harrojmë se ekzistojnë situata të tilla. Na bren ndërgjegjja dhe ndihemi në siklet ngaqë shkojmë atje me [makina] të kushtueshme.»
10 Sigurisht, ka disa sundimtarë njerëzorë që interesohen sinqerisht për mirëqenien e nënshtetasve të tyre. Por edhe më fisnikët ndër ta nuk i njohin nga afër nënshtetasit që kanë. Prandaj mund të pyesim: a ka ndonjë sundimtar që interesohet për të gjithë nënshtetasit e tij kaq shumë, saqë menjëherë i vjen në ndihmë secilit prej tyre kur kanë probleme? Po, ka. Davidi shkroi: «Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.»—Psalmi 145:14.
11. Çfarë sprovash kalojnë shërbëtorët besnikë të Perëndisë, por çfarë ndihme kanë?
11 Shumë sprova e probleme u ndodhin shërbëtorëve besnikë të Perëndisë Jehova nga papërsosmëria e tyre dhe ngaqë jetojnë në një botë që dergjet në pushtetin e Satanait, «të ligut». (1 Gjonit 5:19; Psalmi 34:19) Të krishterët hasin përndjekje. Disa vuajnë nga sëmundje kronike ose i dëshpëron vdekja e një të afërmi. Nganjëherë, shërbëtorët besnikë të Jehovait mund ‘të rrëzohen’, pra të shkurajohen, për shkak të gabimeve që bëjnë. Mirëpo, çfarëdo sprove t’u bjerë, Jehovai është gjithnjë gati t’i japë ngushëllim dhe forcë frymore secilit prej tyre. Edhe mbreti Jezu Krisht ka të njëjtin interes të dashur për nënshtetasit e tij besnikë.—Psalmi 72:12-14.
Ushqim i kënaqshëm në kohën e duhur
12, 13. Si kujdeset Jehovai për nevojat e «çdo qenieje të gjallë»?
12 Nga dashamirësia e madhe që ka, Jehovai kujdeset për të gjitha nevojat e shërbëtorëve të tij. Kjo përfshin edhe t’i kënaqë me ushqim me vlera ushqyese. Mbreti David shkroi: «Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje [o Jehova] duke pritur dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur. Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qenieje të gjallë.» (Psalmi 145:15, 16) Edhe në kohë gjëmash, Jehovai mund t’i rregullojë gjërat në mënyrë që shërbëtorët e tij besnikë të kenë ‘bukën për atë ditë’.—Luka 11:3; 12:29, 30.
13 Davidi tha se do të kënaqet ‘çdo qenie e gjallë’. Këtu përfshihen edhe kafshët. Pa bimësinë e harlisur të tokës e pa bimësinë e detit, krijesat ujore, zogjtë dhe kafshët tokësore nuk do të kishin oksigjen për të thithur ose ushqim për të ngrënë. (Psalmi 104:14) Megjithatë, Jehovai kujdeset që atyre t’u plotësohen të gjitha nevojat.
14, 15. Si sigurohet sot ushqimi frymor?
14 Ndryshe nga kafshët, njerëzit kanë edhe nevoja frymore. (Mateu 5:3) Sa e mrekullueshme është mënyra se si ua plotëson Jehovai nevojat frymore shërbëtorëve të tij besnikë! Para se të vdiste, Jezui premtoi se «skllavi i besueshëm dhe i matur» do t’u siguronte ithtarëve të Jezuit «ushqim [frymor] në kohën e duhur». (Mateu 24:45) Këtë klasë të skllavit sot e përbën mbetja e 144.000 të mirosurve. Nëpërmjet tyre, Jehovai ka siguruar vërtet një bollëk ushqimi frymor.
15 Për shembull, një pjesë e mirë e shërbëtorëve të Jehovait tani nxjerrin dobi nga një përkthim i ri dhe i saktë i Biblës në gjuhën e tyre. Sa bekim i mrekullueshëm ka qenë Përkthimi Bota e Re! Veç kësaj, në më shumë se 300 gjuhë vazhdojnë të botohen miliona botime ndihmëse për studimin e Biblës. I gjithë ky ushqim frymor ka qenë një bekim për adhuruesit e vërtetë anembanë tokës. Por, kujt i duhet dhënë merita për gjithë këtë? Perëndisë Jehova. Me dashamirësinë e tij të madhe, ai i ka dhënë mundësi klasës së skllavit të sigurojë «ushqim në kohën e duhur». Nëpërmjet këtyre masave, plotësohet ‘dëshira e çdo qenieje të gjallë’ që është në parajsën e sotme frymore. Gjithashtu, sa i gëzon shërbëtorët e Jehovait shpresa se së shpejti do ta shohin tokën të transformuar në një parajsë fizike!—Luka 23:42, 43.
16, 17. (a) Cilët shembuj flasin për ushqimin frymor që u sigurua në kohën e duhur? (b) Si i shpreh Psalmi 145 ndjenjat e shërbëtorëve besnikë të Perëndisë lidhur me çështjen kryesore që ngriti Satanai?
16 Shqyrtoni një shembull të jashtëzakonshëm të ushqimit frymor në kohën e duhur. Gjatë vitit 1939 në Evropë filloi Lufta II Botërore. Po atë vit, revista Kulla e Rojës e 1 nëntorit kishte një artikull me titull «Asnjanësia». Nga ky informacion i saktë që u paraqit, Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës e panë të nevojshme të qëndronin krejt asnjanës për sa u përket veprimtarive të kombeve luftuese. Kjo solli mbi ta zemërimin e qeverive të të dyja anëve të atij konflikti që zgjati gjashtë vjet. Mirëpo, megjithëse u ndaluan dhe u përndoqën, shërbëtorët besnikë të Perëndisë vazhduan ta predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë. Nga viti 1939 deri në vitin 1946 u bekuan me një rritje mahnitëse prej 157 për qind. Veç kësaj, shembulli i tyre i jashtëzakonshëm i integritetit gjatë asaj lufte vazhdon t’i ndihmojë edhe tani njerëzit që të identifikojnë fenë e vërtetë.—Isaia 2:2-4.
17 Ushqimi frymor që siguron Jehovai jo vetëm që është në kohën e duhur, por është vërtet i kënaqshëm. Ndërkohë që kombet po luftonin me të gjitha forcat në Luftën II Botërore, shërbëtorët e Jehovait u ndihmuan që të përqendroheshin në diçka shumë më të rëndësishme sesa vetëm shpëtimi i tyre. Jehovai i ndihmoi të kuptonin se çështja kryesore që përfshin gjithë universin lidhet me sovranitetin legjitim të Jehovait. Sa e kënaqshme është të dimë se me besnikërinë e tij çdo Dëshmitar i Jehovait pati një pjesë të vogël në shfajësimin e sovranitetit të Jehovait dhe në demaskimin e Djallit si gënjeshtar! (Fjalët e urta [Proverbat] 27:11) Ndryshe nga Satanai, i cili shpif kundër Jehovait dhe mënyrës se si sundon ai, shërbëtorët besnikë të Jehovait vazhdojnë të shpallin hapur: «Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij.»—Psalmi 145:17.
18. Cili shembull i kohëve të fundit flet për ushqimin frymor që është i kënaqshëm dhe në kohën e duhur?
18 Një shembull tjetër i ushqimit frymor të kënaqshëm dhe në kohën e duhur është libri T’i afrohemi Jehovait, i cili u prezantua në qindra Kongrese Krahinore «Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë» përreth botës në vitet 2002-2003. Ky libër, i përgatitur nga «skllavi i besueshëm dhe i matur» dhe i botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, përqendrohet në cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë Jehova, duke përfshirë ato që përmenden në Psalmin 145. Është një libër i mrekullueshëm që patjetër do të luajë një rol të rëndësishëm për t’i ndihmuar shërbëtorët besnikë të Perëndisë që t’i afrohen gjithnjë e më shumë atij.
Koha për t’iu afruar më shumë Jehovait
19. Cila kohë kritike po afrohet e si duhet të reagojmë gjatë saj?
19 Sot po afrohet një fazë kritike e zgjidhjes së çështjes së sovranitetit të Jehovait. Siç është parathënë në kapitullin e 38-të të Ezekielit, së shpejti Satanai do të plotësojë rolin e tij si ‘Gogu i vendit të Magogut’. Kjo do të përfshijë një sulm të përgjithshëm mbi popullin e Jehovait. Do të jetë një përpjekje me të gjitha forcat nga ana e Satanait për t’u thyer integritetin shërbëtorëve besnikë të Perëndisë. Si kurrë më parë, adhuruesve të Jehovait do t’u duhet t’i thërrasin atij me zell, ndoshta edhe duke kërkuar ndihmë me lot. A do të jetë e kotë frika e tyre përnderuese për Perëndinë dhe dashuria që kanë për të? Jo, aspak, sepse në Psalmin 145 thuhet: «Zoti është pranë gjithë atyre që e kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë. Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton. Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.»—Psalmi 145:18-20.
20. Si do të dalin të vërteta në të ardhmen e afërt fjalët e Psalmit 145:18-20?
20 Sa drithëruese do të jetë të kuptojmë se Jehovai është pranë nesh, si edhe të ndiejmë fuqinë e tij shpëtuese, kur të shkatërrojë gjithë të ligjtë! Në atë kohë kritike, që tani është vërtet shumë afër, Jehovai do të dëgjojë vetëm ‘ata që e kërkojnë në të vërtetë’. Patjetër që ai nuk do t’i dëgjojë hipokritët. Fjala e Perëndisë tregon qartë se sa herë që të ligjtë e kanë përmendur emrin e tij në çastin e fundit, kjo ka qenë gjithnjë e kotë.—Fjalët e urta 1:28, 29; Mikea 3:4; Luka 13:24, 25.
21. Si e tregojnë shërbëtorët besnikë të Jehovait se kënaqen duke përdorur emrin hyjnor?
21 Tani më shumë se kurrë është koha që ata që i frikësohen Jehovait ‘ta kërkojnë në të vërtetë’. Shërbëtorët e tij besnikë kënaqen kur e përdorin emrin e tij në lutjet e tyre dhe në komentet që bëjnë në mbledhje. E përdorin emrin hyjnor edhe në bisedat me njëri-tjetrin. Gjithashtu, me guxim e shpallin emrin e Jehovait në shërbim.—Romakëve 10:10, 13-15.
22. Pse është e domosdoshme të vazhdojmë të luftojmë kundër qëndrimeve dhe dëshirave të botës?
22 Që të vazhdojmë të nxjerrim dobi nga marrëdhënia e ngushtë që kemi me Perëndinë Jehova, është e domosdoshme edhe të vazhdojmë të luftojmë kundër gjërave që na dëmtojnë frymësisht. Këto janë materializmi, zbavitja jo e shëndetshme, të mos falim të tjerët ose indiferenca ndaj nevojtarëve. (1 Gjonit 2:15-17; 3:15-17) Po të mos ndreqen, këto prirje dhe karakteristika mund të bëjnë që ai njeri të praktikojë mëkatin e rëndë dhe të humbë miratimin e Jehovait. (1 Gjonit 2:1, 2; 3:6) Është e mençur të mbajmë në mend se Jehovai do të vazhdojë të na tregojë dashamirësi ose dashuri besnike vetëm nëse i qëndrojmë besnikë.—2 Samuelit 22:26, BR.
23. Cila e ardhme madhështore i pret të gjithë shërbëtorët besnikë të Perëndisë?
23 Prandaj, le t’i mbajmë mendimet të përqendruara në të ardhmen madhështore që i pret të gjithë shërbëtorët besnikë të Jehovait. Duke vepruar kështu, kemi shpresën e mrekullueshme të përfshihemi mes atyre që do të lartësojnë, do të bekojnë dhe do të lavdërojnë Jehovain «çdo ditë», e madje «përjetë». (Psalmi 145:1, 2) Pra, le ‘ta ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë, me sytë nga jeta e përhershme’! (Judës 20, 21) Ndërkohë që vazhdojmë të nxjerrim dobi nga cilësitë e mrekullueshme të Atit tonë qiellor, përfshirë dashamirësinë e madhe që shfaq ai ndaj atyre që e duan, ndjenjat tona qofshin gjithnjë si ato që shprehu Davidi në fjalët e fundit të Psalmit 145: «Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit dhe çdo qenie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.»
Si do të përgjigjeshit?
• Si na ndihmon Psalmi 145 të kuptojmë cilët janë shërbëtorët besnikë të Perëndisë?
• Si ‘e plotëson dëshirën e çdo qenieje të gjallë’ Jehovai?
• Pse duhet t’i afrohemi më shumë Jehovait?
[Figura në faqen 16]
Shërbëtorët besnikë të Perëndisë kënaqen kur flasin për veprat e tij të fuqishme
[Figura në faqen 17]
Shërbëtorët e Jehovait i ndihmojnë me guxim të tjerët që të mësojnë për lavdinë e mbretërisë së tij
[Figurat në faqen 18]
Jehovai siguron ushqim për ‘çdo qenie të gjallë’
[Burimi]
Kafshë: Parque de la Naturaleza de Cabárceno
[Figura në faqen 19]
Jehovai u jep forcë dhe udhëheqje shërbëtorëve të tij besnikë që i kërkojnë ndihmë në lutje