Kapitulli 9
Çfarë ndodh me të dashurit tanë të vdekur?
1. Si ndihen njerëzit kur u vdes një njeri i dashur?
«NJË person vuan kur i vdes një njeri i dashur, sepse vdekja është një humbje që të sjell një zbrazëti të tillë sa s’ta merr kurrë mendja.» Kështu u shpreh një djalë, kur i vdiq i ati e pak kohë më pas edhe e ëma. Dhimbja dhe ndjenja e humbjes së thellë e bënë atë të ndihej «i mbytur emocionalisht». Ndoshta ke vuajtur edhe ti në një mënyrë të ngjashme. Mbase ke pyetur veten se ku janë këta njerëz të dashur e nëse do t’i shohësh ndonjëherë përsëri.
2. Cilat pyetje të ngatërruara lindin në lidhje me vdekjen?
2 Disa prindër të hidhëruar kanë dëgjuar t’iu thonë: «Perëndia zgjedh lulet më të bukura për t’i marrë me vete në qiell.» A është vërtet kështu? A kanë shkuar të vdekurit tanë të dashur në ndonjë mbretëri frymore? A është kjo mbretëri, ajo që disa e quajnë Nirvana, e përshkruar si një gjendje kënaqësie e lirie nga të gjitha dhembjet dhe dëshirat? A kanë shkuar të dashurit tanë nëpër një hyrje që të çon në jetën e pavdekshme në qiell? Ose, siç thonë disa të tjerë, a është vdekja një rënie në mundime të përhershme për ata që kanë fyer Perëndinë? A mund të ndikojnë të vdekurit në jetën tonë? Për të gjetur përgjigje të besueshme për pyetje të tilla, duhet të këshillohemi me Fjalën e Perëndisë, Biblën.
ÇFARË ËSHTË «FRYMA» TE NJERËZIT?
3. Çfarë mendimi kishin Sokrati dhe Platoni në lidhje me të vdekurit dhe si ndikon kjo mbi njerëzit sot?
3 Filozofët e lashtë grekë, Sokrati dhe Platoni, mendonin se brenda burrave dhe grave duhej të ekzistonte diçka e trashëgueshme e pavdekshme, një shpirt që mbijeton vdekjen e në të vërtetë nuk vdes kurrë. Sot, kudo mbi tokë, miliona veta e besojnë këtë. Një besim i tillë, shpesh ngjall më shumë frikë nga të vdekurit, sesa shqetësim për mirëqenien e tyre. Bibla na mëson diçka krejt të ndryshme në lidhje me të vdekurit.
4. (a) Çfarë na thotë Zanafilla në lidhje me shpirtin? (b) Çfarë i fryu Perëndia Adamit, për ta bërë të gjallë?
4 Në shqyrtimin e gjendjes së të vdekurve, nuk duhet të harrojmë faktin se ati ynë i parë, Adami, nuk kishte një shpirt. Ai ishte një shpirt. Me një vepër krijimi që frymëzon frikë e nderim të thellë, Perëndia formoi njeriun apo shpirtin, nga elementet bazë të tokës e më pas i fryu «frymën e jetës». Zanafilla 2:7 na thotë: «Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie [shpirt, BR] e gjallë.» Jeta e Adamit mbështetej nga frymëmarrja. Megjithatë, kur Perëndia i futi Adamit frymën e jetës, bëri shumë më tepër se vetëm fryrja me ajër e mushkërive të njeriut. Bibla flet për «forcën e jetës» që vepron në krijesat e gjalla tokësore.—Zanafilla 7:22, BR.
5, 6. (a) Ç’është «forca e jetës»? (b) Ç’ndodh kur «fryma» e përmendur në Psalmin 146:4 nuk i jep më jetë trupit?
5 Çfarë është «forca e jetës»? Është shkëndija e jetës, të cilën Perëndia e futi në trupin pa jetë të Adamit. Kjo forcë, pra, përkrahej nga procesi i frymëmarrjes. Por çfarë është fryma, për të cilën bën fjalë Psalmi 146:4? Ky varg thotë në lidhje me një njeri që vdes: «Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.» Kur shkrimtarët e Biblës përdornin fjalën «frymë» në këtë mënyrë, ata s’kishin ndër mend një shpirt pa trup që vazhdon të jetojë pas vdekjes së trupit.
6 «Fryma» që ndahet prej njerëzve në vdekje është forca e jetës që e ka burimin te Krijuesi ynë. (Psalmi 36:9; Veprat 17:28) Kjo forcë jetësore nuk ka asnjë nga karakteristikat e krijesave të cilave u jep jetë, ashtu sikurse elektriciteti nuk merr tiparet e pajisjeve të cilave u jep fuqi. Kur dikush vdes, fryma (forca e jetës) nuk u jep më jetë qelizave të trupit, ashtu sikurse fiket një llampë kur ikën elektriciteti. Kur forca e jetës nuk e mbështet më trupin njerëzor, njeriu apo shpirti, vdes.—Psalmi 104:29; Eklisiastiu 12:1, 7.
«NË PLUHUR DO TË RIKTHEHESH»
7. Ç’do të ndodhte me Adamin sikur të mos i bindej Perëndisë?
7 Jehovai e shpjegoi qartë se ç’domethënie kishte vdekja për Adamin mëkatar. Perëndia tha: «Do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» (Zanafilla 3:19) Ku do të rikthehej Adami? Në dhe, në pluhurin nga i cili ishte krijuar. Thjesht, pas vdekjes Adami nuk do të ekzistonte!
8. Pasi janë shpirtra, në ç’mënyrë njerëzit nuk kanë epërsi mbi kafshët?
8 Në lidhje me këtë, vdekja e njerëzve nuk ndryshon nga ajo e kafshëve. Edhe ato janë shpirtra dhe e njëjta frymë apo forcë jetësore u jep atyre energji. (Zanafilla 1:24) Në Eklisiastiun 3:19, 20, Solomoni i mençur na thotë: «Ashtu si vdes njeri, kështu vdes tjetri. Po, të gjithë kanë po atë frymë; dhe [në vdekje] njeriu nuk ka asnjë epërsi mbi kafshën, . . . të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur.» Njeriu kishte epërsi mbi kafshët pasi ishte krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, duke pasqyruar cilësitë e Jehovait. (Zanafilla 1:26, 27) Megjithatë, pas vdekjes, si njerëzit ashtu edhe kafshët rikthehen në pluhur.
9. Cila është gjendja e të vdekurve dhe ku venë ata?
9 Më tej, Solomoni shpjegoi edhe domethënien e vdekjes, duke thënë: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë.» Po, të vdekurit nuk dinë absolutisht asgjë. Duke parë këtë, Solomoni nxiti: «Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde, sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.» (Eklisiastiu 9:5, 10) Ku shkojnë të vdekurit? Në Sheol, (hebraisht sheʼohlʹ) varri i përbashkët i njerëzimit. Të dashurit tanë të vdekur nuk janë të ndërgjegjshëm për asgjë. Ata nuk janë duke vuajtur dhe nuk mund të ndikojnë mbi ne në asnjë mënyrë.
10. Përse mund të themi që vdekja nuk duhet të jetë fundi ynë?
10 Por, a duhet që të gjithë ne dhe njerëzit tanë të dashur të jetojmë vetëm pak vite e pastaj të mos ekzistojmë përgjithmonë? Sipas Biblës, jo. Në kohën e rebelimit të Adamit, Perëndia Jehova bëri menjëherë rregullime për të fshirë pasojat e tmerrshme të mëkatit të njeriut. Vdekja nuk bënte pjesë në qëllimin e Perëndisë për njerëzimin. (Ezekieli 33:11; 2. Pjetrit 3:9) Prandaj, vdekja nuk do të jetë fundi ynë dhe i njerëzve tanë të dashur.
«E KA ZËNË GJUMI»
11. Si e përshkroi Jezui gjendjen e mikut të tij të vdekur, Lazarit?
11 Qëllimi i Jehovait është të na çlirojë ne dhe të dashurit tanë të vdekur nga vdekja që solli Adami. Për këtë arsye, Fjala e Perëndisë i quan të vdekurit sikur t’i ketë zënë gjumi. Për shembull, kur mësoi që miku i tij, Lazari, kish vdekur, Jezu Krishti u tha dishepujve të vet: «Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj.» Pasi dishepujt nuk e kapën menjëherë domethënien e këtij pohimi, Jezui e tha shkoqur: «Llazari ka vdekur.» (Gjoni 11:11, 14) Pastaj, Jezui shkoi në qytetin e Betanisë, ku motrat e Lazarit, Marta e Marija, po vajtonin vëllanë e tyre të vdekur. Kur Jezui i tha Martës: «Yt vëlla do të ringjallet», ajo shprehu besimin e saj në qëllimin e Perëndisë për të prapsur pasojat e vdekjes mbi familjen njerëzore. Ajo tha: «E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.»—Gjoni 11:23, 24.
12. Çfarë shprese kishte Marta e pikëlluar në lidhje me të vdekurit?
12 Marta nuk shprehu asnjë mendim mbi ndonjë shpirt të pavdekshëm që jeton diku pas vdekjes. Ajo nuk besonte se Lazari kishte shkuar tashmë në ndonjë mbretëri frymore, për të vazhduar ekzistencën e tij. Marta kishte besim në shpresën e mrekullueshme të një ringjalljeje nga të vdekurit. Ajo kuptoi që vëllai i saj i vdekur nuk ekzistonte më e jo që ndonjë shpirt i pavdekshëm ishte ndarë nga trupi i Lazarit. Zgjidhja do të ishte ringjallja e vëllait të saj.
13. Ç’fuqi i ka dhënë Perëndia Jezuit dhe si e tregoi ai këtë fuqi?
13 Jezu Krishti është ai të cilit Perëndia Jehova i ka dhënë fuqi për të shpërblyer njerëzimin. (Hozea 13:14) Prandaj, duke iu përgjigjur deklaratës së Martës, Jezui tha: «Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.» (Gjoni 11:25) Jezui e shfaqi fuqinë që i kishte dhënë Perëndia për këtë gjë, kur shkoi në varrin e Lazarit, i cili gjendej i vdekur prej katër ditësh, dhe e ringriti në jetë. (Gjoni 11:38-44) Imagjino se ç’gëzim kanë ndier ata që panë atë ringjallje apo edhe të tjera që kreu Jezu Krishti!—Marku 5:35-42; Luka 7:12-16.
14. Përse ringjallja nuk mund të pajtohet me idenë e një shpirti të pavdekshëm?
14 Ndalo një çast e mendo mbi këtë: askush s’do të kishte nevojë për ringjallje apo të rikthehej prapë në jetë, sikur një shpirt i pavdekshëm të mbijetonte pas vdekjes. Në fakt, s’do të ishte gjë e mirë të ringjallje prapë dikë, si p.sh. Lazarin, në një jetë të papërsosur mbi tokë, nëse ky do të kishte kaluar tashmë në një shpërblim të mrekullueshëm qiellor. Në të vërtetë, Bibla nuk e përdor kurrë shprehjen «shpirt i pavdekshëm». Përkundrazi, Shkrimet thonë se shpirti njerëzor i mëkatshëm vdes. (Ezekieli 18:4, 20) Pra, Bibla thekson rregullin e ringjalljes si zgjidhjen e vërtetë të vdekjes.
«TË GJITHË ATA QË JANË NË VARRE»
15. (a) Ç’do të thotë termi «ringjallje»? (b) Përse ringjallja e individëve nuk është problem për Perëndinë Jehova?
15 Fjala që dishepujt e Jezuit përdorën për «ringjallje», fjalë për fjalë do të thotë «ngritje» apo «ngritje në këmbë». Kjo është një ngritje nga gjendja e pajetë e vdekjes, d.m.th. një ngritje në këmbë jashtë varrit të përbashkët të njerëzimit. Perëndia Jehova mund ta ringjallë me lehtësi një person. Përse? Sepse Jehovai është Nismëtari i jetës. Sot, njerëzit mund të regjistrojnë zërat dhe figurat e burrave e të grave mbi videokaseta dhe mund t’i rishikojnë këto regjistrime mbas vdekjes së individëve. Është e sigurt, pra, që Krijuesi ynë i plotfuqishëm mund të regjistrojë hollësira të çdo individi e të ringjallë të njëjtin person, duke i dhënë atij apo asaj një trup të formuar rishtas.
16. (a) Ç’premtoi Jezui në lidhje me të gjithë ata që gjenden në varret përkujtimore? (b) Nga do të përcaktohet se si do të jetë ringjallja e një personi?
16 Jezu Krishti tha: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij [të Jezuit] dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit [gjyqit, BR].» (Gjoni 5:28, 29) Të gjithë ata që janë në kujtesën e Jehovait do të ringjallen dhe do të mësojnë rrugët e tij. Për ata që veprojnë në përputhje me njohurinë e Perëndisë, kjo do të jetë një ringjallje jete. Por do të jetë një ringjallje gjykimi e dënimi për ata që nuk i pranojnë mësimet dhe sundimin e Perëndisë.
17. Cilët do të ringjallen?
17 Natyrisht, ata që kanë ndjekur një rrugë të drejtë si shërbëtorë të Jehovait do të ringjallen. Në fakt, shpresa e ringjalljes u ka dhënë forcë shumë vetave për të përballuar vdekjen, madje edhe në rastet e një persekutimi të ashpër. Ata e dinë që Perëndia mund t’i rikthejë në jetë. (Mateu 10:28) Por miliona njerëz kanë vdekur pa treguar nëse do të përputheshin apo jo me normat e drejta të Perëndisë. Edhe ata do të ringjallen. Duke pasur besim në qëllimin e Jehovait në këtë drejtim, apostulli Pavël tha: «Duke pasur shpresë në Perëndinë . . . se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.»—Veprat 24:15.
18. (a) Çfarë vizioni të ringjalljes pati apostulli Gjon? (b) Çfarë është shkatërruar në «liqenin e zjarrtë» dhe çfarë simbolizon ky «liqen»?
18 Apostulli Gjon pati një vizion emocionues të të ringjallurve, të cilët qëndronin përpara fronit të Perëndisë. Pastaj, Gjoni shkroi: «Dhe deti dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta. Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrtë. Kjo është vdekja e dytë.» (Zbulesa 20:12-14) Mendo për këtë! Të gjithë të vdekurit që janë në kujtesën e Perëndisë kanë perspektivën që të çlirohen nga Hadesi (greqisht haiʹdes) apo Sheoli, varri i përbashkët i njerëzimit. (Psalmi 16:10; Veprat 2:31) Ata do të kenë një mundësi për të treguar me veprat e tyre nëse do t’i shërbejnë Perëndisë apo jo. Pastaj, «vdekja dhe Hadesi» do të flaken në atë që quhet «liqeni i zjarrtë», që simbolizon shkatërrimin e plotë, siç tregon termi «Gehena». (Luka 12:5) Varri i përbashkët i njerëzimit do të boshatiset dhe nuk do të ekzistojë më kur të jetë kryer ringjallja. Sa ngushëlluese është të mësosh nga Bibla se Perëndia nuk mundon kërkënd!—Jeremia 7:30, 31.
KUSH DO TË RINGJALLEN?
19. Përse disa njerëz do të ringjallen në qiell dhe ç’trup do t’u japë Perëndia atyre?
19 Një numër i kufizuar burrash e grash do të ringjallen për të jetuar në qiell. Si mbretër dhe priftërinj me Jezuin, ata do të marrin pjesë në eliminimin e të gjitha pasojave të vdekjes që njerëzimi ka trashëguar prej njeriut të parë, Adamit. (Romakëve 5:12; Zbulesa 5:9, 10) Sa veta do të marrë Perëndia në qiell, për të sunduar me Krishtin? Sipas Biblës, vetëm 144.000. (Zbulesa 7:4; 14:1) Jehovai do t’i japë secilit prej këtyre të ringjallurve një trup frymor, në mënyrë që të mund të jetojnë në qiell.—1. Korintasve 15:35, 38, 42-45; 1. Pjetrit 3:18.
20. Çfarë do të provojë njerëzimi i bindur, duke përfshirë edhe të ringjallurit?
20 Shumica e të vdekurve do të ringjallen në një tokë parajsore. (Psalmi 37:11, 29; Mateu 6:10) Një pjesë e arsyes për të cilën disa do të ringjallen në qiell, është plotësimi i qëllimit të Perëndisë për tokën. Jezu Krishti dhe 144.000 të tjerët në qiell do ta çojnë në mënyrë progresive njerëzimin drejt përsosmërisë që prindërit tanë të parë e hodhën tej. Kjo do të përfshijë edhe të vdekurit, siç tregoi Jezui kur i foli burrit që ishte varur në dru përkrah tij: «Do të jesh me mua në parajsë.»—Luka 23:42, 43.
21. Ç’do të ndodhë me vdekjen, sipas profetit Isaia dhe apostullit Gjon?
21 Mbi tokën parajsore, vdekja, që sot shkakton kotësi të tilla, do të eliminohet. (Romakëve 8:19-21) Profeti Isaia deklaroi se Perëndia Jehova «do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen». (Isaia 25:8) Apostullit Gjoni iu dha një vizion i kohës kur njerëzimi i bindur do të lirohet nga dhimbjet dhe vdekja. Po, «vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndia i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan».—Zbulesa 21:1-4.
22. Si ndikon mbi ty njohuria e ringjalljes?
22 Mësimet e qarta të Biblës shpërndajnë pështjellimin në lidhje me atë se çfarë ndodh me të vdekurit. Shkrimet deklarojnë hapur që vdekja është «armiku i fundit» që do të shkatërrohet. (1. Korintasve 15:26) Sa forcë e ngushëllim mund të marrim nga njohja e shpresës së ringjalljes! Dhe sa të gëzuar mund të jemi pasi të dashurit tanë të vdekur që janë në kujtesën e Perëndisë do të zgjohen nga gjumi i vdekjes, për të gëzuar gjithçka të mirë që ai ka përgatitur për ata që e duan! (Psalmi 145:16) Këto bekime do të plotësohen me anë të Mbretërisë së Perëndisë. Por, kur do të fillojë sundimi i saj? Le të shohim.
PROVO NJOHURINË
Çfarë është fryma te njerëzit?
Si do ta përshkruaje gjendjen e të vdekurve?
Cilët do të ringjallen?
[Figura në faqen 85]
Miliona veta do të ringjallen, pikërisht ashtu si e thirri Jezui Lazarin nga varri
[Figura në faqen 86]
Kur ‘Perëndia të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen’, do të mbizotërojë gëzimi