Spiritizmi
Përkufizimi: Besimi se një pjesë e njeriut, një frymë, mbijeton pas vdekjes së trupit dhe mund të komunikojë me të gjallët, zakonisht me anë të një njeriu që shërben si ndërmjetës ose medium. Disa njerëz besojnë se çdo objekt dhe çdo dukuri natyrore ka brenda një frymë. Shtrigëria është përdorimi me vetëdije i fuqisë që vjen nga frymërat e liga. Bibla e dënon prerazi spiritizmin dhe të gjitha format e okultizmit.
A është vërtet e mundur për dikë të komunikojë me «frymën» e një njeriu të dashur që ka vdekur?
Ekl. 9:5, 6, 10: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë. . . . Po ashtu dashuria, urrejtja dhe xhelozia e tyre tashmë kanë marrë fund dhe nuk kanë më asnjë pjesë në asgjë që ka për t’u bërë nën diell. Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde, sepse nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol [varr], në vendin ku po shkon.»
Ezek. 18:4, 20: «Ai shpirt që mëkaton, do të vdesë.» (Pra, shpirti nuk është diçka që mbijeton pas vdekjes së trupit dhe me të cilin të gjallët mund të komunikojnë më pas.)
Psal. 146:4: «Kur fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij.» (Kur thuhet që fryma «del» nga trupi, është si të thuhet se tek ai njeri nuk vepron më forca e jetës. Kështu, pasi një njeri vdes, fryma e tij nuk ekziston si ndonjë qenie jomateriale që mund të mendojë a të veprojë sipas një plani, e ndarë nga trupi. Ajo nuk është diçka me të cilën të gjallët mund të komunikojnë pasi vdes njeriu.)
Shih edhe faqet 427-429, te tema «Vdekja».
A nuk tregon Bibla se pas vdekjes së profetit Samuel, mbreti Saul komunikoi me të?
Ky tregim gjendet te 1 Samuelit 28:3-20. Vargjet 13, 14 tregojnë se Sauli vetë nuk e pa Samuelin, por nga përshkrimi që i bëri gruaja që ishte mediume, mendoi se ajo e pa atë. Sauli donte aq shumë të besonte se ai ishte Samueli, sa lejoi të mashtrohej. Në vargun 3 thuhet që Samueli kishte vdekur dhe e kishin varrosur. Shkrimet e cituara poshtë nëntemës së mësipërme, e bëjnë të qartë se nuk kishte ndonjë pjesë të Samuelit që ishte gjallë gjëkundi tjetër dhe që mund të komunikonte me Saulin. Zëri që u mor si i Samuelit, nuk ishte i tiji, por ishte zëri i një mashtruesi.
Me kë komunikojnë në të vërtetë ata që orvaten të flasin me të vdekurit?
Bibla tregon qartë se cila është e vërteta rreth gjendjes së të vdekurve. Por kush ishte ai që u përpoq ta mashtronte çiftin e parë njerëzor në lidhje me vdekjen? E pra, Satanai tha të kundërtën e paralajmërimit të Perëndisë se mosbindja do të sillte vdekjen. (Zan. 3:4; Zbul. 12:9) Natyrisht, me kalimin e kohës, njerëzit vdiqën vërtet, tamam siç kishte thënë Perëndia. Atëherë, nëse arsyetojmë pak, kush duhet ta ketë shpikur idenë se njerëzit në të vërtetë nuk vdesin, por një pjesë e njeriut, një frymë, mbijeton pas vdekjes së trupit? Ky mashtrim i shkon për shtat Satana Djallit, të cilin Jezui e përshkroi si «ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44; shih edhe 2 Selanikasve 2:9, 10.) Besimi se të vdekurit janë gjallë në një vend tjetër dhe se mund të komunikojmë me ta, nuk i ka sjellë asnjë të mirë njerëzimit. Përkundrazi, te Zbulesa 18:23 thuhet se praktikat spiritiste të Babilonisë së Madhe «mashtruan të gjitha kombet». Praktika spiritiste e ‘bisedimit me të vdekurit’ është në të vërtetë një mashtrim i madh që mund ta vërë një njeri në kontakt me demonët (engjëjt që me egoizëm u rebeluan kundër Perëndisë). Shpesh, kjo sjell si pasojë që ky njeri të dëgjojë zëra të padëshiruar dhe të shqetësohet pareshtur nga këto frymëra të liga.
A ka ndonjë rrezik të kërkosh shërim ose mbrojtje me anë të spiritizmit a të okultizmit?
Gal. 5:19-21: «Veprat e mishit duken qartë, dhe ato janë: kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur, idhujtaria, marrja me spiritizëm . . . Për këto gjëra po ju paralajmëroj, ashtu siç ju paralajmërova më parë, se ata që praktikojnë gjëra të tilla, nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (Ai që kërkon ndihmë me anë të spiritizmit a të okultizmit, tregon se u beson gënjeshtrave të Satanait për vdekjen; kërkon këshilla nga njerëz që e marrin fuqinë prej Satanait dhe demonëve. Kështu, e vë veten mes armiqve të betuar të Perëndisë Jehova. Kush vazhdon me këto gjëra, në vend që të marrë vërtet ndihmë, pëson dëm të përhershëm.)
Luka 9:24: «Kushdo që dëshiron ta shpëtojë shpirtin [ose jetën] e vet, do ta humbasë, por kushdo që e humbet shpirtin e vet për hirin tim [ngaqë është ithtar i Jezu Krishtit], do ta shpëtojë.» (Nëse dikush, për të shpëtuar a për të mbrojtur jetën e vet sot, shkel me dashje urdhërimet e qarta që jepen në Fjalën e Perëndisë, do të humbasë mundësinë që të jetojë përgjithmonë. Sa gjë e pamend!)
2 Kor. 11:14, 15: «Vetë Satanai vazhdon të shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, ndonjë gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij vazhdojnë të shndërrohen në shërbëtorë drejtësie.» (Prandaj, të mos gënjehemi nëse disa gjëra që bëhen me anë të spiritizmit a të okultizmit, duket sikur sjellin dobi për njëfarë kohe.)
Shih edhe faqet 371-375, te tema «Shërimet».
A është e mençur të përdoret spiritizmi a okultizmi për të zbuluar të ardhmen ose për të qenë të sigurt se do t’ia dalim mbanë në diçka?
Isa. 8:19: «Në rast se ju thonë: ‘Drejtojuni mediumeve ose atyre që bëjnë parashikime, të cilët pëshpëritin dhe flasin me zë të ulët’, a nuk duhet që çdo njeri t’i drejtohet Perëndisë së vet?»
Lev. 19:31: «Mos iu drejtoni mediumeve dhe mos u këshilloni me ndonjë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve, që të mos ndoteni prej tyre. Unë jam Jehovai, Perëndia juaj.»
2 Mbret. 21:6: «[Mbreti Manase] u mor me magji, kërkoi ogure, vendosi mediume dhe njerëz që kishin si zanat parathënien e ngjarjeve. Ai bëri në një masë të madhe atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, për ta fyer atë.» (Këto praktika spiritiste dhe okulte nënkuptonin t’i drejtoheshe për ndihmë Satanait dhe demonëve të tij. Natyrisht, kjo gjë ishte «e keqe në sytë e Jehovait», dhe ai e ndëshkoi rëndë Manaseun për këtë. Megjithatë, kur Manaseu u pendua dhe hoqi dorë nga këto praktika të këqija, Jehovai e bekoi.)
Ç’të keqe ka të bësh lojëra që përfshijnë ndonjë lloj falli ose të kërkosh të dish domethënien e diçkaje që ngjan si ogur i mirë?
Ligj. 18:10-12: «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata . . . që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët, që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit. Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.» (Falli është një përpjekje për të zbuluar të vërteta të fshehura ose për të parathënë ngjarjet, jo nëpërmjet kërkimeve, por nëpërmjet interpretimit të ogureve a me ndihmën e forcave të mbinatyrshme. Jehovai ua ndaloi shërbëtorëve të tij këto praktika. Përse? Sepse janë të gjitha një ftesë për të komunikuar me frymërat e ndyra, me demonët, ose për t’u vënë nën kontrollin e tyre. Përfshirja në këto gjëra është jobesnikëri e rëndë ndaj Jehovait.)
Vep. 16:16-18: «Na doli para një shërbëtore që kishte një frymë, një demon falli. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj me zanatin e parashikimit.» (Është e qartë se asnjë njeri që e do drejtësinë, nuk do të këshillohej me një burim të tillë informacioni, qoftë seriozisht, qoftë sa për qejf. Ngaqë ajo shërbëtore thërriste pas tyre, Pavli u lodh dhe e urdhëroi frymën të dilte prej saj.)
A janë në gjendje frymërat e liga të marrin pamje njerëzore?
Në ditët e Noesë, engjëjt e pabindur morën vërtet pamje njerëzore. Ata u martuan dhe patën fëmijë. (Zan. 6:1-4) Megjithatë, kur ndodhi Përmbytja, këta engjëj u detyruan të ktheheshin në sferën frymore. Për ta, te Juda 6 thuhet: «Engjëjt që nuk e mbajtën vendin e tyre fillestar, por e braktisën vendbanimin e tyre të duhur, ai i ka ruajtur me vargonj të përjetshëm në errësirën e dendur për gjykimin e ditës së madhe.» Perëndia Jehova ua hoqi privilegjet që kishin pasur në qiell dhe i la në errësirë të dendur për sa u përket qëllimeve të tij. Veç kësaj, fakti që flitet për vargonj, tregon se Perëndia i pengon të bëjnë diçka. Çfarë? Siç duket, nuk i lejon të marrin trupa fizikë e të kenë kështu marrëdhënie me gratë, siç bënë para Përmbytjes. Bibla tregon se, deri në shekullin e parë të e.s., engjëjt besnikë, si lajmëtarë të Perëndisë, merrnin trupa fizikë për të kryer detyrat që kishin. Kurse engjëjt që i keqpërdorën aftësitë e tyre, pas Përmbytjes, nuk kishin më mundësi të merrnin formë njeriu.
Mirëpo, është interesante që demonët, me sa duket, arrijnë t’i bëjnë njerëzit të shohin vegime, dhe ajo që këta të dytët shohin, mund t’u ngjajë si reale. Është e qartë se kur tundoi Jezuin, Djalli përdori mjete të tilla për t’i treguar Jezuit «të gjitha mbretëritë e botës e lavdinë e tyre».—Mat. 4:8.
Si mund të çlirohet dikush nga ndikimi i spiritizmit dhe i okultizmit?
Prov. 18:10: «Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Tek ai vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.» (Kjo nuk do të thotë se përdorimi i emrit të Perëndisë shërben si ndonjë hajmali për të larguar të keqen. «Emri» i Jehovait paraqet Atë vetë. Gjejmë mbrojtje kur njohim Perëndinë dhe kemi besim të plotë tek ai, gjë që e tregojmë duke iu nënshtruar autoritetit të tij dhe duke iu bindur urdhërimeve të tij. Atëherë, kur ta thërrasim në emër për ndihmë, ai do të na mbrojë, siç premton në Fjalën e vet.)
Mat. 6:9-13: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘ . . . Mos na ço në tundim, por na çliro nga i ligu.’» Duhet edhe ‘të ngulmojmë në lutje’. (Rom. 12:12) (Perëndia i dëgjon këto lutje, kur ia drejton dikush që dëshiron sinqerisht ta njohë të vërtetën dhe ta adhurojë Perëndinë në atë mënyrë që i pëlqen Atij.)
1 Kor. 10:21: «Ju nuk merrni dot pjesë edhe në ‘tryezën e Jehovait’, edhe në tryezën e demonëve.» (Ata që duan miqësinë dhe mbrojtjen e Jehovait, nuk duhet të marrin më pjesë kurrsesi në seanca spiritizmi. Gjithashtu, në përputhje me shembullin e dokumentuar te Veprat 19:19, është e rëndësishme që, nëse dikush zotëron objekte që lidhen me spiritizmin ose okultizmin, t’i shkatërrojë a t’i heqë në mënyrën e duhur.)
Jak. 4:7: «Ndaj nënshtrojuni Perëndisë dhe kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.» (Për ta bërë këtë, duhet të mësojmë me zell cili është vullneti i Perëndisë dhe ta zbatojmë. Dashuria për Perëndinë na forcon që t’i bëjmë ballë frikës nga njeriu. Ndaj, të jemi të vendosur të mos marrim pjesë në çfarëdo zakoni që lidhet me spiritizmin dhe të mos ndjekim rregullat e vëna nga ndonjë spiritist.)
Të veshim «armaturën e plotë të Perëndisë», që përshkruhet tek Efesianëve 6:10-18 dhe, me zell, ta mbajmë çdo pjesë të saj në gjendje të shkëlqyer.