A i çmoni vërtet bekimet?
PASI u liruan në mënyrë të mrekullueshme nga skllavëria në Egjipt, bijtë e Izraelit në fillim ishin të kënaqur që mund ta adhuronin Jehovain lirisht. (Dal. 14:29–15:1, 20, 21) Megjithatë s’kaloi shumë dhe ndryshuan mendim. Ata filluan të ankoheshin për situatën në të cilën ndodheshin. Pse? Sepse filluan të mendonin më shumë për vështirësitë e jetës në shkretëtirë sesa për atë që kishte bërë Jehovai për ta. Ata i thanë Moisiut: «Pse na keni nxjerrë nga Egjipti? Që të vdesim në shkretëtirë? Këtu nuk ka as bukë, as ujë dhe na u neverit ajo bukë [manë] e shpifur.»—Num. 21:5.
Shekuj më vonë, mbreti David i Izraelit të lashtë këndoi: «Unë kam besim te dashamirësia jote. Zemra ime le të gëzojë në shpëtimin që më sjell ti! Unë do t’i këndoj Jehovait, se më ka shpërblyer gjithnjë.» (Psal. 13:5, 6) Davidi nuk i harroi veprat dashamirëse që kishte bërë Jehovai në të mirë të tij. Përkundrazi kalonte rregullisht kohë duke menduar për to. (Psal. 103:2) Jehovai na ka shpërblyer edhe ne, ndaj do të tregoheshim të mençur nëse nuk i marrim si të zakonshme veprat e tij dashamirëse. Kështu, le të shohim disa bekime të Perëndisë që gëzojmë sot.
‘Miqësia e ngushtë me Jehovain’
Psalmisti këndoi: «Ata që i frikësohen Jehovait, gëzojnë një miqësi të ngushtë me të.» (Psal. 25:14) Ç’privilegj i madh është për njerëzit e papërsosur të kenë personalisht një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain! Megjithatë, ç’do të ndodhte nëse do të shqetësoheshim kaq shumë për gjërat e jetës së përditshme sa të kalonim më pak kohë duke u lutur? Si do të ishte marrëdhënia jonë me Jehovain? Si Miku ynë, Jehovai pret që t’i besojmë dhe t’ia zbrazim zemrën në lutje, duke i shprehur frikën, dëshirat dhe ankthet tona. (Prov. 3:5, 6; Filip. 4:6, 7) Pra, a s’duhet t’i kushtojmë vëmendje cilësisë së lutjeve tona?
Kur mendoi për lutjet e tij, një Dëshmitar në moshë të re me emrin Pol kuptoi se ishte e nevojshme t’i përmirësonte.a Ai tha: «E kisha bërë zakon të përdorja të njëjtat shprehje vazhdimisht kur i lutesha Jehovait.» Pasi bëri kërkime për lutjen në Treguesin e botimeve Watch Tower, mësoi se në Bibël ka rreth 180 lutje. Me anë të tyre, shërbëtorët e Jehovait në të shkuarën kishin shprehur ndjenjat më të thella. Poli tha: «Duke medituar për këta shembuj biblikë, mësova të bëj lutje specifike. Kjo më ka ndihmuar t’i hap zemrën Jehovait. Tani është kënaqësi t’i afrohem në lutje.»
«Ushqim në kohën e duhur»
Një bekim tjetër që na ka dhënë Jehovai është e vërteta që kemi mësuar nga Shkrimet. Ndërsa kënaqemi me bollëkun e ushqimit të pasur frymor, kemi arsye ‘të lëshojmë britma gëzimi për gjendjen e mirë të zemrës’. (Isa. 65:13, 14) Megjithatë, duhet të kemi kujdes që ndikimet e dëmshme të mos na bëjnë të humbasim entuziazmin për të vërtetën. Për shembull, nëse i kushtojmë vëmendje propagandës së apostatëve, mendja jonë mund të mjegullohet e mund të mos dallojmë vlerën e ‘ushqimit frymor në kohën e duhur’ që na siguron Jehovai me anë të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’.—Mat. 24:45-47.
Andrean që i kishte shërbyer Jehovait për shumë vite e çuan në rrugë të shtrembër mendimet apostate, dhe kjo i kushtoi shtrenjtë. Ai mendonte se t’i hidhte thjesht një sy një faqeje interneti të apostatëve nuk kishte kurrfarë rreziku. Ai kujton: «Fillimisht më tërhiqnin ‘gjoja’ të vërtetat për të cilat flisnin apostatët. Sa më shumë i shqyrtoja ato që thoshin, aq më shumë mendoja se isha i justifikuar të lija organizatën e Jehovait. Por më vonë, bëra kërkime për argumentet e apostatëve kundër Dëshmitarëve të Jehovait dhe kuptova sa dinakë ishin mësuesit e rremë. ‘Provat e forta’ që kishin kundër nesh, ishin informacionet e shkëputura nga konteksti. Kështu, vendosa të lexoja përsëri botimet tona dhe të shkoja në mbledhje. Shpejt e kuptova se sa shumë kisha humbur.» Lumturisht, Andrea u kthye në kongregacion.
‘Gjithë vëllazëria’
Vëllazëria jonë e dashur dhe e bashkuar është një bekim nga Jehovai. (Psal. 133:1) Apostulli Pjetër me të drejtë shkroi: «Kini dashuri për gjithë vëllazërinë.» (1 Pjet. 2:17) Si pjesë e një vëllazërie të krishterë, ne gëzojmë ngrohtësinë dhe mbështetjen e atyre që për ne janë si baballarë, nëna, vëllezër e motra në të vërtetën.—Mar. 10:29, 30.
Megjithatë, disa rrethana ndonjëherë mund të shkaktojnë tension në marrëdhënien tonë me vëllezërit dhe motrat. Për shembull, është kollaj të na bezdisin papërsosmëritë e dikujt dhe të bëhemi kritikë ndaj tij. Nëse ndodh kjo, a nuk do ta kishim më të lehtë po të kujtonim se Jehovai i do shërbëtorët e tij megjithëse kanë papërsosmëri? Veç kësaj, «nëse themi: ‘Nuk kemi asnjë mëkat’, mashtrojmë veten dhe e vërteta nuk është brenda nesh». (1 Gjon. 1:8) A nuk duhet të përpiqemi ‘të vazhdojmë të durojmë njëri-tjetrin dhe ta falim bujarisht njëri-tjetrin’?—Kolos. 3:13.
Një e re me emrin Ana e mësoi vlerën e shoqërisë së krishterë nga përvoja e hidhur. Duke vepruar pak a shumë si djali plëngprishës në ilustrimin e Jezuit, ajo u largua nga kongregacioni i krishterë. Më vonë, erdhi në vete dhe u kthye në të vërtetën. (Luka 15:11-24) Çfarë mësoi Ana nga kjo? Ajo tregon: «Tani që jam kthyer në organizatën e Jehovait, i çmoj të gjithë vëllezërit dhe motrat, pavarësisht nga papërsosmëritë. Në të kaluarën, kisha qëndrim kritikues. Kurse tani jam e vendosur të mos lejoj asgjë të më privojë nga bekimet që gëzoj mes bashkëbesimtarëve. Kurrgjë në botë nuk ka aq vlerë sa të braktisim parajsën tonë frymore.»
Jini gjithmonë mirënjohës për bekimet
Shpresa jonë se Mbretëria e Perëndisë do të zgjidhë të gjitha problemet e njerëzimit është një thesar i paçmuar. Kur e mësuam për herë të parë këtë shpresë, na u mbush zemra me mirënjohje. U ndiem tamam si tregtari në shëmbëlltyrën e Jezuit që «shiti menjëherë gjithçka që pati» për të blerë «një margaritar me vlerë të madhe». (Mat. 13:45, 46) Jezui nuk tha se tregtari me kalimin e kohës e humbi vlerësimin për margaritarin. Po ashtu, edhe ne, le të mos e humbim kurrë vlerësimin për shpresën tonë të mrekullueshme.—1 Sel. 5:8; Hebr. 6:19.
Le të shohim shembullin e Xhinit që i ka shërbyer Jehovait për më shumë se 60 vjet. Ajo thotë: «E kam më të lehtë të mbaj në mendje Mbretërinë e Perëndisë kur u flas të tjerëve. Tek shoh sytë e tyre që ndrijnë ndërsa mësojnë se çfarë është Mbretëria, më bën mirë edhe mua. Ndryshimet që sjell e vërteta për Mbretërinë në jetën e një studenti biblik më bëjnë të mendoj: ‘Sa të mrekullueshme janë të vërtetat që u jap të tjerëve!’»
Kemi arsye të vlefshme të jemi mirënjohës për bekimet e shumta frymore që gëzojmë. Megjithëse mund të durojmë sprova, si kundërshtimi, sëmundja, mosha e shkuar, depresioni, vdekja e një të afërmi dhe vështirësitë ekonomike, e dimë se këto janë të përkohshme. Kur të vijë Mbretëria e Perëndisë, do të kemi edhe bekime të tjera përveç bekimeve frymore që tashmë gëzojmë. Çdo vuajtje që heqim tani, do të zhduket në sistemin e ri.—Zbul. 21:4.
Ndërkohë le të jemi mirënjohës për bekimet frymore që kemi dhe të tregojmë të njëjtën çmueshmëri si psalmisti që këndoi: «Ti ke bërë shumë gjëra. O Jehova, Perëndia im, ti ke bërë gjithë ato vepra të mrekullueshme dhe ke menduar shumë për ne. Asnjë s’krahasohet me ty. Të doja t’i tregoja e të flisja për to, janë ku e ku më tepër nga sa mund të numëroj.»—Psal. 40:5.
[Shënimi]
a Emrat janë ndryshuar.
[Figura në faqen 18]
Jemi të bekuar me mbështetje frymore në kohë sprove