Tërësia morale i udhëheq të drejtët
«NJERIU i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.» (Jobi 14:1) Dhembja dhe vuajtjet duket se janë të përbashkëta për ekzistencën njerëzore. Madje edhe jeta e përditshme mund të jetë plot ankthe dhe turbullira. Çfarë do të na udhëheqë me sukses në rrethanat sprovuese dhe do të na ndihmojë të mbajmë një qëndrim të drejtë para Perëndisë?
Shqyrtoni shembullin e një njeriu të pasur me emrin Job, i cili jetoi rreth 3.500 vjet më parë atje ku sot është Arabia. Çfarë gjëmash që solli Satanai mbi këtë njeri me frikë Perëndie! Humbi gjithë bagëtinë dhe i vdiqën fëmijët e dashur. Pak kohë më vonë, Satanai e goditi me një ulcerë të keqe nga koka te këmbët. (Jobi, kapitujt 1, 2) Jobi nuk e dinte përse po i ndodhnin gjëra të këqija. Megjithatë «Jobi nuk mëkatoi me buzët e tij». (Jobi 2:10) «Deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria [morali, BR] ime»,—tha ai. (Jobi 27:5) Po, morali e udhëhoqi Jobin gjatë sprovave.
Tërësia morale përfshin të jesh i paqortueshëm dhe i patëmetë në sytë e Perëndisë. Por nuk nënkupton përsosmëri në të folur e në veprim për njerëzit e papërsosur, të cilët e kanë të pamundur të jetojnë plotësisht në lartësinë e normave të Perëndisë. Në vend të kësaj, tërësia morale e njeriut tregon plotësi ose tërësi të përkushtimit të zemrës ndaj Jehovait dhe ndaj vullnetit e qëllimit të tij. Ky përkushtim hyjnor i drejton ose i udhëheq të drejtët në çfarëdo kushtesh e në çdo kohë. Pjesa e parë në kapitullin 11 të librit biblik të Fjalëve të urta tregon se si mund të na udhëheqë tërësia morale në fusha të ndryshme të jetës dhe se si mund të na sigurojë për bekimet që do të na vijnë. Atëherë, me shumë interes le të shohim se çfarë është dokumentuar aty.
Tërësia morale çon në ndershmëri në praktikat tregtare
Duke theksuar parimin e ndershmërisë e duke përdorur fjalë poetike në vend të termave ligjorë, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë thotë: «Peshorja e pasaktë është e neveritshme për Zotin, por peshimi i saktë i pëlqen.» (Fjalët e urta [Proverbat] 11:1) Kjo është hera e parë nga të katër herët që në librin e Fjalëve të urta peshoret dhe peshat përdoren për të treguar se Jehovai dëshiron që adhuruesit e tij të jenë të ndershëm në praktikat tregtare.—Fjalët e urta 16:11; 20:10, 23.
Begatia e atyre që përdorin peshore të pasakta ose që përdorin pandershmërinë mund të jetë joshëse. Por, a do të donim vërtet të braktisnim normat e Perëndisë për të mirën e të keqen duke përdorur praktika të pandershme tregtare? Jo nëse jemi të udhëhequr nga tërësia morale. E shmangim pandershmërinë sepse Jehovai kënaqet me gurët e plotë të peshës, një peshë e saktë që nënkupton ndershmërinë.
«Mençuria është me modestët»
Mbreti Solomon vazhdon: «Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por dituria është me njerëzit e thjeshtë [mençuria është me modestët, BR].» (Fjalët e urta 11:2) Kryelartësia, sido që të shfaqet: me krenarinë, me mosbindjen ose me smirën, sjell poshtërim. Nga ana tjetër, gjëja e mençur është të pranojmë me përulësi kufizimet tona. Sa mirë e ilustrojnë shembujt biblikë vërtetësinë e këtij proverbi!
Koreu, një levit smirëkeq, udhëhoqi një turmë në rebelim kundër autoritetit të Moisiut dhe Aaronit, shërbëtorëve të emëruar të Jehovait. Cili ishte përfundimi i atij veprimi kryelartë? ‘Toka hapi gojën dhe gëlltiti’ disa nga rebelët, kurse të tjerët bashkë me Koreun i përpiu zjarri. (Numrat 16:1-3, 16-35; 26:10; Ligji i përtërirë 11:6) Çfarë turpi! Mendoni edhe për Uzahun, i cili me kryelartësi zgjati dorën dhe kapi arkën e besëlidhjes që kjo të mos rrëzohej. Uzahu ra menjëherë i vdekur. (2 Samuelit 6:3-8) Sa jetësore është që ta shmangim kryelartësinë!
Një person i përulur e modest nuk turpërohet, madje edhe atëherë kur gabon. Jobi, ndonëse ishte shembullor në shumë drejtime, ishte i papërsosur. Sprovat që kaloi zbuluan një mangësi serioze në disa pikëpamje që kishte. Duke mbrojtur veten nga akuzuesit e tij, Jobi e humbi disi drejtpeshimin. Madje, la të nënkuptohej edhe se ishte më i drejtë se Perëndia. (Jobi 35:2, 3) Si e ndreqi Jehovai mënyrën e të menduarit të Jobit?
Duke i treguar tokën, detin, qiellin me yje, disa kafshë dhe mrekulli të tjera të krijimit, Jehovai i dha Jobit një mësim për sa i përket parëndësisë së njeriut në krahasim me madhështinë e Perëndisë. (Jobi, kapitujt 38-41) Në fjalimin e tij Jehovai nuk e tha asnjëherë se përse po vuante Jobi. S’kishte nevojë ta thoshte. Jobi ishte modest. E kuptonte me përulësi dallimin e madh që ekzistonte ndërmjet tij dhe Perëndisë, ndërmjet papërsosmërisë e dobësisë së tij dhe drejtësisë e fuqisë së Jehovait. «Ndiej neveri ndaj vetes,—tha ai,—dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin.» (Jobi 42:6) Tërësia e tij morale e bëri Jobin që ta pranonte menjëherë qortimin. Po ne? Të udhëhequr nga tërësia morale, a do ta pranojmë menjëherë qortimin ose ndreqjen kur të jetë e nevojshme?
Edhe Moisiu ishte modest dhe i përulur. Kur e pa se Moisiu po rraskapitej ngaqë kujdesej për problemet e të tjerëve, i vjehrri, Jetroi, i dha një zgjidhje praktike: ta ndante përgjegjësinë me burra të tjerë të kualifikuar. Duke i pranuar kufizimet e veta, me mençuri Moisiu e pranoi këshillën. (Eksodi [Dalja] 18:17-26; Numrat 12:3) Një njeri modest nuk ngurron t’u japë autoritet të tjerëve dhe as nuk ka frikë se mos në ndonjë mënyrë humbet kontrollin e gjërave duke ndarë përgjegjësi të përshtatshme me burra të tjerë të kualifikuar. (Numrat 11:16, 17, 26-29) Përkundrazi, është i gatshëm t’i ndihmojë që të përparojnë frymësisht. (1 Timoteut 4:15) A nuk duhet të jetë kështu edhe me ne?
‘Udha e të paqortueshmit është e drejtë’
Duke kuptuar se tërësia morale nuk e mbron gjithnjë të drejtin nga rreziku ose nga gjëmat, Solomoni thotë: «Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria [tërësia morale, BR], por ligësia e të pabesëve do t’i shkatërrojë këta.» (Fjalët e urta 11:3) Morali i udhëheq vërtet të drejtët që të bëjnë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë, edhe në rrethana të vështira, dhe sjell dobi me kalimin e kohës. Jobi nuk pranoi të hiqte dorë nga tërësia e tij morale dhe Jehovai «i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para». (Jobi 42:12) Ata që veprojnë me pabesi mund të mendojnë se po përfitojnë në kurriz të dikujt tjetër dhe mund të duket sikur begatohen për njëfarë kohe. Por herët a vonë mashtrimi i tyre do t’i shkatërrojë.
«Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit,—thotë mbreti i mençur,—por drejtësia të shpëton nga vdekja.» (Fjalët e urta 11:4) Sa e pamend është të skllavërohesh për përfitime materiale, e të mos lësh vend për studimin personal, për lutjen, për mbledhjet dhe për shërbimin në fushë—të vetmet aktivitete që na e thellojnë dashurinë për Perëndinë dhe na e forcojnë devocionin ndaj tij! Asnjë sasi parash nuk do të na sjellë çlirim në shtrëngimin e madh që po vjen. (Mateu 24:21) Vetëm drejtësia e të drejtëve do të sjellë çlirim. (Zbulesa 7:9, 14) Prandaj bëjmë mirë të marrim për zemër lutjen e Sofonisë: «Para se të vijë mbi ju dita e zemërimit të Zotit. Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut, që zbatoni ligjin e tij. Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë.» (Sofonia 2:2, 3) Ndërkohë le ta bëjmë synimin tonë që ‘të nderojmë Zotin me pasurinë tonë’.—Fjalët e urta 3:9.
Duke e theksuar më tej vlerën e ndjekjes së drejtësisë, Solomoni bën dallimin ndërmjet përfundimit të njerëzve të paqortueshëm dhe atij të të ligjve, duke thënë: «Drejtësia e njeriut të ndershëm [të paqortueshëm, BR] i hap rrugën, por i pabesi bie për shkak të paudhësisë së tij. Drejtësia e njerëzve të drejtë i çliron këta, por njerëzit e pabesë do të kapen nga vetë ligësia e tyre. Kur vdes një i pabesë, shpresa e tij humb dhe shpresa e njerëzve të padrejtë davaritet. I drejti çlirohet nga fatkeqësia, por i pabesi i zë vendin.» (Fjalët e urta 11:5-8) Njeriu i paqortueshëm nuk bie kurrë në rrugët e tij dhe as nuk ngec në grackë në praktikat e tij. Udha e tij është e drejtë. Në fund, të drejtët çlirohen nga gjëmat. Të ligjtë mund të duken të fuqishëm, por nuk i pret një shpëtim i tillë.
«Qyteti gëzohet»
Tërësia morale e të drejtëve dhe ligësia e të ligjve ndikojnë edhe te njerëzit e tjerë. «Me gojën e tij hipokriti shkatërron të afërmin e tij,—thotë mbreti i Izraelit,—por të drejtët çlirohen për shkak të dijes së tyre.» (Fjalët e urta 11:9) Kush mund të thotë se shpifjet, thashethemet e dëmshme, e folura e ndyrë dhe muhabetet e kota nuk i dëmtojnë të tjerët? E folura e një të drejti, nga ana tjetër, është e pastër, e menduar mirë dhe e kujdesshme. Atë e shpëton dija ose njohuria, sepse tërësia e tij morale i jep dëshmitë e nevojshme për të treguar se akuzuesit e tij gënjejnë.
«Kur të drejtët begatohen, qyteti gëzohet,—vazhdon mbreti,—por kur vdesin të pabesët, dëgjohen britma gëzimi.» (Fjalët e urta 11:10) Në përgjithësi njerëzit i duan të drejtët dhe fqinjët ndihen të gëzuar e të lumtur prej tyre. Askush nuk është me të vërtetë i përzemërt me «të pabesët». Kur të pabesët vdesin, zakonisht njerëzit në përgjithësi nuk vajtojnë për ta. Sigurisht që nuk do të ketë asnjë keqardhje kur Jehovai ‘t’i shfarosë të pabesët nga toka dhe të heqë shkelësit prej saj’. (Fjalët e urta 2:21, 22) Në vend të kësaj do të ketë gëzim, sepse do të jenë hequr nga faqja e dheut. Ç’të themi për ne? Bëjmë mirë të shqyrtojmë nëse mënyra se si sillemi u jep gëzim të tjerëve.
«Qyteti ngrihet»
Duke e krahasuar më tej ndikimin që kanë të drejtët dhe të ligjtë te njerëzit e tjerë, Solomoni thotë: «Nga bekimi i njerëzve të drejtë qyteti ngrihet, por goja e të pafeve [të ligjve, BR] e çon në shkatërrim.»—Fjalët e urta 11:11.
Në një qytet, banorët që sillen me drejtësi nxitin paqen e mirëqenien dhe i ndërtojnë të tjerët. Në këtë mënyrë një qytet ngrihet, pra begatohet. Ata që thonë gjëra shpifëse, të dëmshme e të gabuara shkaktojnë trazira, palumturi, përçarje dhe shqetësime. Ndodh veçanërisht kështu nëse këta individë janë njerëz me pozitë ose me pushtet. Një qytet i tillë pëson rrëmuja, korrupsion dhe degjenerim moral e ndoshta edhe ekonomik.
Parimi që gjejmë te Fjalët e urta 11:11 zbatohet me të njëjtën forcë për popullin e Jehovait, ndërsa shoqërohen me njëri-tjetrin në kongregacionet që mund të krahasohen me qytete. Një kongregacion tek i cili ndikojnë njerëz frymorë, domethënë njerëz të drejtë të udhëhequr nga integriteti i tyre, është një grup me njerëz të lumtur, aktivë dhe të dobishëm që i sjellin nderim Perëndisë. Jehovai e bekon kongregacionin dhe ky begatohet frymësisht. Aty-këtu mund të ketë disa që mund të jenë të zymtë e të pakënaqur, të cilët kritikojnë dhe flasin ashpër për mënyrën se si bëhen gjërat. Këta persona janë si një «rrënjë helmuese» që mund të përhapet e të helmojë të tjerë që në fillim nuk ishin të përfshirë. (Hebrenjve 12:15) Shpesh këta persona duan të kenë më shumë autoritet dhe të spikatin. Ata nxitin thashetheme se në kongregacion ose nga ana e pleqve ka padrejtësi, paragjykime etnike ose gjëra të ngjashme. Goja e tyre mund të shkaktojë vërtet përçarje në kongregacion. A nuk duhet ta bëjmë veshin të shurdhër ndaj fjalëve të tyre dhe të përpiqemi të jemi njerëz frymorë që ndihmojnë në paqen dhe unitetin e kongregacionit?
Duke vazhduar, Solomoni thotë: «Kush e përbuz të afërmin e tij nuk ka mend [i mungon zemra, BR], por njeriu i matur hesht. Kush shkon rreth e qark duke përfolur, nxjerr sekretet, por ai që ka një shpirt besnik i fsheh ato.»—Fjalët e urta 11:12, 13.
Sa dëm të madh shkaktojnë ata të cilëve u mungon gjykimi i shëndoshë ose të cilëve ‘u mungon zemra’! Këta persona vazhdojnë të flasin mbarë e prapë deri aty sa arrijnë të shpifin ose të shajnë. Pleqtë e emëruar duhet të jenë të shpejtë për t’i dhënë fund një ndikimi të tillë jo të shëndetshëm. Ndryshe nga ‘ai të cilit i mungon zemra’, një njeri i matur e di se kur duhet të heshtë. Në vend që të nxjerrë një të fshehtë, ai e mbulon çështjen. Duke e ditur se një gjuhë e pafrenuar mund të shkaktojë shumë dëme, një person me aftësi dalluese është me «shpirt besnik». Ai u qëndron besnik bashkëbesimtarëve dhe nuk përhap çështjet konfidenciale që mund t’i vënë në rrezik ata. Çfarë bekimi që janë për kongregacionin këta mbajtës të tërësisë morale!
Për të na ndihmuar që të ecim në udhën e njerëzve të paqortueshëm, Jehovai siguron furnizime të bollshme me ushqim frymor të përgatitur nën drejtimin e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45) Marrim edhe mjaft ndihmë personale nëpërmjet pleqve të krishterë në kongregacionet tona që mund të krahasohen me qytete. (Efesianëve 4:11-13) Jemi vërtet mirënjohës për këto, sepse «pa një udhëheqje të urtë populli bie, por gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve». (Fjalët e urta 11:14) Sido që të ndodhë, le të jemi fortësisht të vendosur që ‘të ecim në tërësinë tonë morale’!—Psalmi 26:1, BR.
[Diçitura në faqen 26]
Sa e pamend është të skllavërohemi për përfitime materiale, e të lëmë pas dore veprimtaritë teokratike!
[Figurat në faqen 24]
Jobin e udhëhoqi tërësia e tij morale dhe Jehovai e bekoi
[Figura në faqen 25]
Uzahu vdiq për shkak të kryelartësisë së tij