Kapitulli 31
Si mund të di nëse është dashuri e vërtetë?
DASHURIA për ëndërrimtarët romantikë është një gjë e pakuptueshme, misterioze, që të mbërthen e të çon në dalldisje, që provohet vetëm një herë në jetë. Ata mendojnë se dashuria është rreptësisht një çështje zemre, diçka që nuk mund të kuptohet, por vetëm përjetohet. Dashuria triumfon mbi gjithçka dhe zgjat përgjithmonë . . .
Kështu fillojnë banalitetet romantike. Nuk ka dyshim, rënia në dashuri mund të jetë një përvojë e bukur dhe e papërsëritshme. Por thjesht, çfarë është dashuria e vërtetë?
Dashuri me shikim të parë?
Danieli e njohu për herë të parë Enkelën në një mbrëmje argëtimi. Ai menjëherë u magjeps nga trupi i saj i bukur dhe nga mënyra se si i binin flokët mbi sy kur qeshte. Enkelën e bënë për vete sytë e tij të kaftë e të thellë dhe biseda e tij e zgjuar. Dukej si një dashuri reciproke me shikim të parë!
Gjatë tri javëve të mëvonshme, Danieli dhe Enkela ishin të pandashëm. Më pas, një mbrëmje, Enkela mori nga një ish i dashur një thirrje telefonike që e shqetësoi shumë. Për t’u qetësuar, ajo i telefonoi Danielit. Por Danieli, duke u ndier i hutuar dhe i kërcënuar, iu përgjigj ftohtë. Dashuria që ata mendonin se do të zgjaste përgjithmonë, u shua që atë natë.
Filmat, librat dhe programet televizive të shtyjnë ndoshta të besosh se dashuria me shikim të parë zgjat përgjithmonë. Duhet pranuar se zakonisht bukuria fizike është gjëja e parë që dy persona vërejnë tek njëri-tjetri. Një i ri u shpreh kështu: «Është e vështirë të ‘shikosh’ personalitetin e dikujt.» Por, çfarë është ajo që dikush «dashuron», kur një marrëdhënie nuk ka vetëm disa orë apo vetëm disa ditë që ka filluar? A nuk është vallë paraqitja e tij? Vërtet, ti nuk di shumë për mendimet, shpresën, frikën, planet, zakonet, talentin apo aftësitë e këtij personi. Ke njohur vetëm kopertinën dhe nuk ke njohur atë që quhet «njeriu i fshehur i zemrës». (1. Pjetrit 3:4) Sa mund të zgjasë një dashuri e tillë?
Bukuria është mashtruese
Përveç kësaj, pamja e jashtme mund të jetë mashtruese. Bibla thotë: «Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë.» Mbështjellja e shkëlqyeshme e një dhurate, nuk tregon asgjë për atë që ka brenda. Në fakt, mbështjellësja më e bukur mund të mbulojë një dhuratë të pavlefshme.—Proverbat 31:30.
Libri i Proverbave thotë: «Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend.» (Proverbat 11:22) Në kohët biblike, unazat në hundë ishin një stoli në modë. Ato ishin punuar me finesë dhe shpesh me ar të ngurtë. Natyrisht, një unazë e tillë ishte stolia e parë që dallohej tek një grua.
Në mënyrë të përshtatshme, proverbi e krahason një grua në dukje të bukur, por që nuk ka «mend», me një «unazë ari në feçkën e një derri». Thjesht, bukuria nuk i ka hije një gruaje të marrë; është një zbukurim i kotë në të. Me kalimin e kohës, kjo nuk e bën më tërheqëse sesa e bën derrin një unazë e mrekullueshme në hundë! Kështu, pra, ç’gabim është të «dashurohesh» me paraqitjen e jashtme të dikujt dhe të mos përfillësh se si është personi nga brenda.
«Më mashtruesja nga të gjitha»
Megjithatë, disa mendojnë se zemra e njeriut nuk gabon kurrë kur bëhet fjalë për ndjenjat e dashurisë. «Vetëm dëgjo zërin e zemrës,—thonë ata,—dhe do të dish nëse është dashuri e vërtetë.» Mjerisht, faktet e kundërshtojnë këtë nocion. 1.079 të rinj (nga mosha 18 deri në 24 vjeç) që u pyetën në një anketë, raportuan se deri në atë kohë, kishin përjetuar mesatarisht deri në shtatë përvoja lidhur me ndjenjat e dashurisë. Pjesa më e madhe pranuan se historitë e kaluara të dashurisë, kishin qenë thjesht një tërheqje e verbër, një ndjenjë kalimtare që shuhet shpejt. Megjithatë, këta të rinj «në mënyrë të qëndrueshme e përshkruanin përvojën e tyre të fundit si dashuri»! Por, ndoshta pjesa më e madhe e tyre, ngjashëm, një ditë do ta shikojnë këtë përvojë aktuale ashtu si të parat: thjesht dashuriçkë.
Tragjedia është se mijëra çifte martohen çdo vit me mendimin se janë «dashuruar», vetëm për të kuptuar pak më vonë se kanë gabuar rëndë. Tërheqja e verbër «i çon burrat dhe gratë naive në martesa fatkeqe, ashtu si cjapi te kasapi»,—thotë Rej Short në një libër të tij.—Sex, Love, or Infatuation.
«Kush i beson zemrës së tij është budalla.» (Proverbat 28:26) Shumë shpesh, gjykimi i zemrës sonë është i gabuar ose jo i drejtë. Në fakt, Bibla thotë: «Zemra është më mashtruesja nga të gjitha.» (Jeremia 17:9, BR) Megjithatë, proverbi i përmendur më lart, vazhdon: «Por ai që ecën në mençuri, është ai që do të shpëtojë.» (BR) Edhe ti mund t’u shpëtosh rreziqeve dhe zhgënjimeve që të rinj të tjerë kanë pësuar, nëse mëson ndryshimin ndërmjet dashuriçkave dhe dashurisë së përshkruar në Bibël, dashurisë që kurrë nuk dështon.
Dashuria në ndryshim nga dashuriçkat
«Dashuriçkat janë të verbra dhe kështu dëshirojnë të mbeten. Nuk duan ta shohin realitetin në sy»,—pranon Kastrioti 24-vjeçar. Një vajzë 16-vjeçare, e quajtur Klodiana, shton: «Kur tërhiqesh verbërisht ndaj një personi, mendon se çdo gjë që ai bën është e përsosur.»
Dashuriçkat janë dashuri e falsifikuar. Ato janë jorealiste dhe egocentrike. Personat e tërhequr verbërisht kanë prirjen për të thënë: «Kur jam me të, ndihem vërtet i [e] rëndësishëm. Nuk më zë gjumi. Është aq fantastike, sa më duket se nuk është e vërtetë.» Ose: «Me të ndihem vërtet shumë mirë.» A e ke vënë re se sa rëndësi i jepet «unit»? Një marrëdhënie e bazuar në egoizëm është e destinuar të dështojë! Megjithatë, vëre se si e përshkruan Bibla dashurinë e vërtetë: «Dashuria është e durueshme, plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq.»—1. Korintasve 13:4, 5.
Meqenëse ajo «nuk kërkon të sajat», dashuria e bazuar në parimet biblike nuk është as egoiste dhe as egocentrike. Vërtet, një çift mund të ketë ndjenja të forta dashurie dhe tërheqje reciproke, por këto ndjenja barazohen me arsyen dhe respektin e thellë për personin tjetër. Kur vërtet je dashuruar, duhet të kujdesesh për mirëqenien dhe lumturinë e personit tjetër, siç do të kujdeseshe për tënden. Nuk lejon që ndjenjat e fuqishme të shkatërrojnë gjykimin e drejtë.
Një shembull i dashurisë së vërtetë
Tregimi biblik mbi Jakobin dhe Rahilën është një shembull i gjallë i dashurisë së vërtetë. Jakobi e njohu Rahilën pranë një pusi, ku ajo kishte ardhur për t’u dhënë ujë deleve të të atit. Jakobi u josh menjëherë pas saj, jo vetëm sepse ishte «e hijshme dhe e pashme», por edhe sepse ajo ishte një adhuruese e Jehovait.—Zanafilla 29:1-12, 17.
Pasi kaloi një muaj të tërë në shtëpinë e familjes së Rahilës, Jakobi tregoi se ishte dashuruar pas Rahilës dhe dëshironte të martohej me të. A bëhej fjalë thjesht për një dashuriçkë? Jo, aspak! Gjatë atij muaji, ai e kishte parë Rahilën në ambientin e saj familjar, se si i trajtonte prindërit e saj dhe të tjerët, si e kryente detyrën e saj si bareshë dhe me sa seriozitet e merrte adhurimin e Jehovait. Pa dyshim, pa tek ajo «të mirat» dhe «të këqijat». Prandaj, dashuria e tij për të nuk ishte një ndjenjë e shfrenuar, por një dashuri altruiste e bazuar tek arsyeja dhe respekti i thellë.
Duke qenë kështu, Jakobi deklaroi se ishte gati të punonte shtatë vjet për të atin e saj, që të mund ta merrte për grua. Sigurisht, një dashuriçkë nuk do të kishte zgjatur kaq shumë! Vetëm dashuria e sinqertë dhe interesi altruist për tjetrin duhet të ketë bërë, që ato vite t’i dukeshin si «pak ditë». Ngaqë dashuria e tyre ishte e sinqertë, ata e mbajtën dëlirësinë e tyre gjatë gjithë asaj kohe.—Zanafilla 29:20, 21.
Duhet kohë
Dashuria e vërtetë, pra, nuk zbehet nga koha. Në fakt, shpesh mënyra më e mirë për të kontrolluar ndjenjat e tua ndaj dikujt, është që të lejosh të kalojë njëfarë kohe. Përveç kësaj, një vajzë e re që quhet Suela, vërejti: «Një person nuk ta zbulon personalitetin e tij thjesht duke thënë: ‘Ja, se si jam. Tani di gjithçka për mua.’ » Jo, duhet kohë për ta njohur mirë personin që të pëlqen.
Gjithashtu, koha të jep mundësi të shqyrtosh ndjenjat e tua nën dritën e Biblës. Mos harro, dashuria «nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat». A është i gatshëm shoku yt [shoqja jote] për plotësimin e planeve të tua apo shqetësohet vetëm për të tijat ose të sajat? A tregon respekt ai apo ajo për pikëpamjet dhe ndjenjat e tua? A të shtyn për të bërë gjëra që në të vërtetë janë «të pahijshme», në mënyrë që të kënaqë pasionet e tij egoiste? A ka prirje të të ulë apo të të nderojë përpara të tjerëve? Duke i drejtuar vetes pyetje si këto, mund të jesh i ndihmuar për t’i vlerësuar ndjenjat e tua në mënyrë më objektive.
Një histori dashurie e përshpejtuar, çon në katastrofë. «U dashurova shpejt dhe shumë»,—shpjegon Juliana 20-vjeçare. Pas dy muajsh dashurie të apasionuar, erdhi martesa. Por të metat që më parë ishin mbajtur fshehur, filluan të shfaqeshin. Juliana filloi të shfaqte pak nga pak pasigurinë dhe egocentrizmin e saj. I shoqi, Rolandi, e humbi tërheqjen romantike ndaj saj dhe u bë egoist. Pas afro 2 vjetësh martesë, Juliana i tha një ditë duke bërtitur me të madhe se ishte «i neveritshëm», se ishte «përtac» dhe si burrë ishte «i dështuar». Rolandi iu përgjigj duke e qëlluar me grusht në fytyrë. Me lot në sy, Juliana u sul me vrap për të dalë nga shtëpia dhe . . . lamtumirë martesë!
Ndjekja e këshillave biblike, pa dyshim që do t’i kishte ndihmuar ata ta mbronin martesën e tyre. (Efesianëve 5:22-33) Sa ndryshe do të kishin qenë gjërat, nëse do të njiheshin më mirë me njëri-tjetrin përpara martesës! Nuk do të dashuroheshin pas «paraqitjes», por pas një personaliteti real, personalitet që ka pika të dobëta dhe të forta. Pretendimet e tyre do të kishin qenë më realiste.
Dashuria e vërtetë nuk lind në një ditë. Njeriu që për ty do të ishte një bashkëshort i mirë, nuk është patjetër ai i cili të duket tepër i pashëm. Irida, për shembull, njohu një djalë për të cilin ajo e pranon se në fillim nuk kishte simpati të veçantë. «Por, duke e njohur më mirë,—kujton Irida,—gjërat ndryshuan. Shikoja kujdesin e Gertit për të tjerët dhe se si ai i vinte interesat e të tjerëve përpara të vetave. E dija, këto ishin cilësi që do ta bënin një bashkëshort të mirë. Ndieja tërheqje ndaj tij dhe fillova ta dashuroja.» Si rezultat, martesa e tyre është e qëndrueshme.
Atëherë, si mund ta njohësh dashurinë e vërtetë? Zemra do të thotë fjalën e vet, megjithatë besoji mendjes së stërvitur nga Bibla! Përpiqu të njohësh më tepër se «paraqitjen» e jashtme të personit! Jepi kësaj marrëdhënieje kohë për t’u zhvilluar! Mos harro, dashuriçkat e arrijnë zjarrminë e tyre brenda një kohe shumë të shkurtër, por pastaj veniten. Me kalimin e kohës, dashuria e sinqertë fiton forcë dhe bëhet «një hallkë e përsosur lidhjeje».—Kolosianëve 3:14, BR.
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Ku qëndron rreziku, kur bie në dashuri me paraqitjen e jashtme të një personi?
◻ A mund t’i besosh zemrës për të njohur dashurinë e vërtetë?
◻ Cilat janë disa ndryshime ndërmjet dashurisë dhe dashuriçkës?
◻ Përse ndodh shpesh që çiftet që shoqërohen për t’u njohur ndahen? A është gjithmonë e gabuar një gjë e tillë?
◻ Si mund ta përballosh ndjenjën e braktisjes, nëse një dashuri merr fund?
◻ Përse është e rëndësishme të lësh kohë për t’u njohur me njëri-tjetrin?
[Diçitura në faqen 242]
Je dashuruar pas personit apo pas një «ideali»?
[Diçitura në faqen 247]
«Dashuriçkat janë të verbra dhe kështu dëshirojnë të mbeten. Nuk duan ta shohin realitetin në sy.»—Një djalë 24-vjeçar
[Diçitura në faqen 250]
«Tani, nuk mund të shkoj më tepër se një ‘Ç’kemi, si je’? Nuk lejoj askënd të më afrohet»
[Kutia dhe figura në faqet 248, 249]
Si mund ta përballoj një thyerje zemre?
Ti di vetëm se ky është njeriu me të cilin do të martohesh. Doni të jeni bashkë, keni interesa të përbashkëta dhe ndieni një tërheqje reciproke. Më pas, papritur marrëdhënia mbaron me një shpërthim zemërimi, ose në një det lotësh.
Në një libër të tij, (The Chemistry of Love), dr. Majkëll Liebovitz e krahason shpërthimin e dashurisë me marrjen e një droge të fuqishme. Por, ngjashëm drogës, një dashuri e tillë mund të shkaktojë «sindromat e tmerrshme të zvjerdhjes», nëse vjen një moment kur vdes. Pak ndryshim ka nëse dashuria është thjesht një dashuriçkë kalimtare apo një «gjë reale». Të dyja bashkë mund të krijojnë një ngazëllim marramendës dhe nëse marrëdhënia përfundon, një agoni të trishtuar.
Ndjenjat e braktisjes, plagosjes dhe ndoshta të fyerjes që mund të vijnë si rezultat i gjurmëve të ndarjes, mund ta turbullojnë pikëpamjen tënde mbi të ardhmen. Një vajzë thotë se ndihej «e lënduar», pasi e kishte lënë i dashuri. «Tani [me dikë të seksit tjetër], nuk mund të shkoj më tepër se një ‘Ç’kemi, si je?’—thotë ajo.—Nuk lejoj askënd të më afrohet.» Sa më me pasion të merret marrëdhënia, aq më e madhe është dhimbja që mund të shkaktojë ndarja.
Po, në fakt, liria për t’u shoqëruar me këdo që të pëlqen, kushton shtrenjtë: mundësia reale e braktisjes. Nuk ka absolutisht asnjë garanci se do të zhvillohet një dashuri e vërtetë. Prandaj, nëse dikush fillon të të shoqërojë me mendime të ndershme, por më vonë e kupton se martesa nuk do të ishte e mençur, s’do të thotë se të ka trajtuar medoemos në mënyrë të padrejtë.
Problemi është se edhe kur ndarja bëhet me taktin dhe mirësinë më të madhe, përsëri do të ndihesh i lënduar dhe i braktisur. Megjithatë, kjo nuk është arsye për të humbur respektin për veten. Fakti se nuk ishe «i [e] përshtatshëm» në sytë e këtij personi, nuk do të thotë se nuk do të jesh i [e] përshtatshëm në sytë e dikujt tjetër!
Mundohu ta shikosh me objektivitet marrëdhënien që tashmë ka përfunduar. Ndarja, fare mirë mund të ketë nxjerrë në dritë gjëra shqetësuese në lidhje me personin ndaj të cilit ishe i [e] interesuar—papjekuri emocionale, pavendosmëri, papërkulshmëri, intolerancë apo mungesë konsiderate për ndjenjat e tua. Gjëra të tilla vështirë të jenë cilësi të dëshirueshme tek një bashkëshort.
Ç’mund të themi nëse ndarja është tërësisht me iniciativën e njërës palë dhe ti je i [e] bindur se martesa do t’ia dilte mbanë? Sigurisht, është e drejta jote që t’i bësh të ditur personit tjetër se ç’ndien. Ndoshta, ka pasur thjesht disa keqkuptime. Britmat dhe zemërimi nuk bëjnë punë. Nëse ai apo ajo këmbëngul për t’u ndarë, nuk është nevoja të poshtërosh veten duke u lutur i [e] përlotur për ngrohtësinë e dikujt, i cili duket mjaft qartë se nuk ndien asgjë për ty. Solomoni tha se ka «një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur».—Eklisiastiu 3:6.
Ç’mund të themi nëse ke arsye të forta për të besuar se thjesht je shfrytëzuar nga dikush, i cili që në fillim nuk ka menduar kurrë sinqerisht për martesë? Nuk është nevoja që të hakmerresh. Ji i sigurt se pandershmëria e tij apo e saj nuk kalon pa u vënë re nga Perëndia! Fjala e tij thotë: «Njeriu mizor mundon mishin e tij.»—Proverbat 11:17; krahaso Proverbat 6:12-15.
Herë pas here akoma mund të torturohesh nga vetmia ose kujtimet romantike. Në një rast të tillë, nuk është keq t’ia plasësh të qarit. Gjithashtu, është e dobishme që të merresh ndoshta me ndonjë aktivitet fizik ose me shërbimin e krishterë. (Proverbat 18:1) Mbaj në mendje gjërat që janë të gëzueshme dhe ndërtuese! (Filipianëve 4:8) Ki besim tek ndonjë mik i afërt! (Proverbat 18:24) Tek prindërit mund të gjesh një ngushëllim të madh, edhe pse mund të mendosh se je aq i madh, sa për të qenë i pavarur. (Proverbat 23:22) Para së gjithash, hapi zemrën Jehovait!
Ndoshta tani shikon nevojën për të përmirësuar disa aspekte të personalitetit tënd. Vizioni yt mbi atë se çfarë do tek një bashkëshort, mund të jetë më i qartë se kurrë më parë. Pasi ke dashuruar dhe je zhgënjyer, pa dyshim do të jesh më i/e matur, nëse një situatë e tillë paraqitet përsëri me një person që të pëlqen, mundësi e cila mund të jetë më e madhe nga ç’mendon.
[Tabela në faqen 245]
Është dashuri apo dashuriçkë?
DASHURI DASHURIÇKË
1. Një kujdes vetëmohues 1. Është egoiste dhe kufizuese.
për interesat e tjetrit Mendon: «Çfarë përfitoj?»
2. Shpesh, 2. Ndjenjat lindin shpejt,
ndjenjat lindin ngadalë, ndoshta brenda disa
ndoshta për muaj ose për vite orëve ose ditëve
3. Je i tërhequr 3. Je thellësisht i tërhequr
nga personaliteti ose i interesuar në
në tërësi i personit paraqitjen fizike të personit
tjetër dhe nga tjetër. («Ai ka sy ëndërrues.»
cilësitë e tij frymore «Ajo ka një trup fantastik.»)
4. Ndikimi tek ty është se 4. Ka një ndikim
të bën një person më të mirë shkatërrues, shthurës
5. E shikon tjetrin me realizëm, 5. Nuk është realiste. Personi
duke parë të metat e tij ose e tjetër të duket i përsosur.
saj, por e dashuron pavarësisht Nuk përfill çdo dyshim ngacmues
nga të gjitha këto për të metat serioze të
personalitetit
6. Keni mosmarrëveshje, por 6. Mosmarrëveshjet
zbulon se duke folur mbi to janë të shpeshta.
mund t’i zgjidhni Nuk ia del në krye
për asgjë. Shumë prej tyre
«zgjidhen» me një të puthur
7. Dëshiron t’i japësh dhe të 7. Mendon mbi të gjitha
ndash gjithçka me personin të marrësh ose të përfitosh,
veçanërisht nga ana seksuale
[Figura në faqen 244]
Një grua apo burrë tërheqës, por që nuk ka mend, është «si një unazë ari në feçkën e një derri»
[Figura në faqen 246]
Një person që vazhdimisht të poshtëron në sy të të tjerëve, vështirë se ushqen dashuri të sinqertë për ty