‘Kush është i mirë merr miratimin e Perëndisë’
PERËNDIA Jehova është burimi i çdo forme jete. (Psalmi 36:9) Po, «prej tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë». (Veprat 17:28) A nuk na gufon zemra nga mirënjohja kur mendojmë për shpërblimin që u jep ai atyre që kanë marrëdhënie të ngushtë me të? Po, «dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme». (Romakëve 6:23) Sa jetësore është të kërkojmë miratimin e Jehovait!
Psalmisti na siguron se ‘Zoti jep hir’. (Psalmi 84:11) Por, kujt ia jep? Shpesh njerëzit sot u japin hir të tjerëve në bazë të arsimimit, pasurisë, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes etnike dhe gjërave të ngjashme si këto. Kujt ia jep miratimin Perëndia? Solomoni, mbret në Izraelin e lashtë, përgjigjet: «Kush është i mirë merr miratimin nga Jehovai, por njeriun me ide të liga ai e shpall të lig.»—Fjalët e urta 12:2 [Proverbat], BR.
Është e qartë pra se Jehovai kënaqet me atë që është i mirë, me personin e virtytshëm. Virtytet e një njeriu të mirë përfshijnë cilësi të tilla, si: vetëdisiplina, paanësia, përulësia, dhembshuria dhe maturia. Mendimet e tij janë të drejta, fjalët inkurajuese, veprimet të drejta dhe të dobishme. Pjesa e parë e kapitullit të 12-të të librit biblik të Proverbave na tregon se në ç’mënyrë duhet të ndikojë mirësia në jetën tonë të përditshme dhe nxjerr në pah dobitë që vijnë kur shfaqim këtë cilësi. Shqyrtimi i asaj që thuhet aty do të na japë «gjykim të thellë për të bërë të mirën». (Psalmi 36:3, BR) Zbatimi i këshillave të mençura të saj do të na ndihmojë të fitojmë miratimin e Perëndisë.
Disiplina është jetësore
Solomoni thotë: «Kush e do disiplinën do njohurinë, por kush e urren qortimin është i paarsyeshëm.» (Fjalët e urta 12:1, BR) Meqenëse është i gatshëm për t’u përmirësuar personalisht, njeriu i mirë e dëshiron fort disiplinën. Është i shpejtë për të zbatuar këshillat që merr në mbledhjet e krishtere ose në bisedat personale. Fjalët e Shkrimeve dhe të botimeve të bazuara në Bibël janë si hostenë që e nxitin të ndjekë një udhë të drejtë. Ai kërkon njohuri dhe e përdor atë për të drejtuar shtigjet e tij. Po, ai që e do disiplinën, e do edhe njohurinë.
Sa e nevojshme është disiplina për adhuruesit e vërtetë, dhe sidomos vetëdisiplina! Mund të dëshirojmë të kemi njohuri më të thellë për Fjalën e Perëndisë. Mund të duam të jemi më të efektshëm në shërbimin e krishterë dhe të jemi mësues më të mirë të Fjalës së Perëndisë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Por për t’i bërë realitet këto dëshira kërkohet vetëdisiplinë. Vetëdisiplina nevojitet edhe në fusha të tjera të jetës. Për shembull, sot ka me bollëk materiale që janë përgatitur për të ngjallur dëshira të pamoralshme. A nuk kërkohet vetëdisiplinë për të mos i lejuar sytë që të përqendrohen mbi pamje të papërshtatshme? Për më tepër, meqë «prirja e zemrës së njeriut është e keqe që nga rinia e tij», në skutat e mendjes mund të lindë vërtet një mendim imoral. (Zanafilla 8:21, BR) Që të mos përqendrohemi në këtë mendim është e nevojshme vetëdisiplina.
Nga ana tjetër, ai që e urren qortimin, nuk do as disiplinën dhe as njohurinë. Ngaqë i hap rrugën prirjes mëkatare njerëzore për të mos e pranuar qortimin, ai e bën veten ngjashëm një kafshe që nuk arsyeton, të një shtaze, duke mos pasur vlera morale. Duhet t’i rezistojmë me vendosmëri kësaj prirjeje.
‘Rrënjë që nuk do të lëkunden’
Sigurisht që njeriu i mirë nuk mund të jetë i padrejtë. Prandaj për të fituar miratimin e Jehovait është e nevojshme edhe drejtësia. Mbreti David këndoi: «Ti, o Zot, do të bekosh të drejtin; do ta rrethosh me hirin tënd si me mburojë.» (Psalmi 5:12) Solomoni vë në kontrast gjendjen e të drejtit me atë të të ligut dhe thotë: «Asnjë njeri nuk do të vendoset patundshmërisht me anë të ligësisë, por sa për rrënjën e të drejtëve, ajo nuk do të lëkundet.»—Fjalët e urta 12:3, BR.
Të ligjtë mund të duken sikur po u shkon mbarë. Le të shqyrtojmë përvojën e psalmistit Asaf. Ai thotë: «Sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.» Përse? Asafi përgjigjet: «Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.» (Psalmi 73:2, 3) Por, kur shkoi në shenjtëroren e tempullit të Perëndisë, arriti të kuptonte se Jehovai i ka vënë ata në vende të rrëshqitshme. (Psalmi 73:17, 18) Çdo sukses që mund të duket se arrijnë të ligjtë është i përkohshëm. Pse duhet t’i kemi zili ata?
Në dallim me këtë, ai që ka miratimin e Jehovait është i qëndrueshëm. Solomoni përdor metaforën e rrënjëve të forta të një peme dhe thotë: ‘Rrënja e të drejtëve nuk do të lëkundet.’ (Fjalët e urta 12:3, BR) Rrënjët e fshehura të një peme gjigante të tillë, si sekuoja e Kalifornisë, mund të mbulojnë një sipërfaqe prej më tepër se 1,5 hektarësh dhe e lidhin fort pemën me tokën duke i bërë ballë vërshimeve dhe erërave të fuqishme. Një sekuojë gjigante mund t’i rezistojë madje edhe një tërmeti të fuqishëm.
Ashtu si këto rrënjë hyjnë thellë në një tokë ushqyese, mendja dhe zemra jonë duhet të kërkojnë me kujdes në Fjalën e Perëndisë dhe të thithin prej saj ujërat jetëdhënëse. Në këtë mënyrë, besimi ynë bëhet thellësisht i rrënjosur e i fortë dhe shpresa jonë e sigurt dhe e patundur. (Hebrenjve 6:19) Nuk ‘do të çohemi andej-këtej nga çdo erë mësimi [të rremë]’. (Efesianëve 4:14) Natyrisht që do të ndiejmë pasojat e sprovave të stuhishme dhe madje mund të dridhemi përballë vështirësive. Por ‘rrënja jonë nuk do të lëkundet’.
«Një grua e zonja është kurorë për zotërinë e saj»
Shumë veta e dinë thënien: «Pas çdo burri të madh qëndron një grua.» Pasi vë në dukje rëndësinë e një gruaje që të mbështet, Solomoni thotë: «Një grua e zonja është kurorë për zotërinë e saj, por si kalbësira në kockat e tij është ajo që vepron në mënyrë të turpshme.» (Fjalët e urta 12:4, BR) Fjala «e zonja» përmbledh shumë elemente të mirësisë. Siç përshkruhet edhe me hollësi në kapitullin 31 të Fjalëve të urta, virtytet e një gruaje të mirë përfshijnë papërtueshmërinë, besnikërinë dhe mençurinë. Gruaja që i ka këto cilësi është një kurorë për burrin, sepse sjellja e saj e mirë i sjell nder të shoqit dhe e rrit vlerësimin e të tjerëve për të. Ajo kurrë nuk përpiqet ose nuk konkurron me të me ambicie që të drejtojë vëmendjen e të tjerëve ndaj vetes. Përkundrazi është një ndihmëse plotësuese për burrin.
Në ç’mënyrë mund të veprojë në mënyrë të turpshme një grua dhe me çfarë pasojash? Kjo sjellje e turpshme mund të shkojë nga fryma e grindjes e deri në kurorëshkelje. (Fjalët e urta 7:10-23; 19:13) Veprime të tilla nga ana e një gruaje vetëm sa e poshtërojnë të shoqin. Ajo është si «kalbësira në kockat e tij» në kuptimin që, siç thotë një vepër referimi, «e shkatërron atë, ashtu si një sëmundje e dobëson skeletin e trupit». Një tjetër vepër referimi thotë: «Sot, një shprehje e barazvlefshme me të mund të jetë ‘kanceri’, një sëmundje e rrezikshme që pak nga pak ia shteron fuqitë dikujt.» Qofshin gratë e krishtere persona që përpiqen të fitojnë miratimin e Perëndisë duke pasqyruar virtytet e një gruaje të zonja!
Mendimet çojnë në veprime dhe veprimet në pasoja
Mendimet çojnë në veprime dhe veprimet në pasoja. Më tej, Solomoni përshkruan kalimin e mendimeve në veprime, duke i krahasuar të drejtët me të ligjtë. Ai thotë: «Mendimet e të drejtëve janë gjykim; të drejtohesh nga të ligjtë është mashtrim. Pusi e ngritur për gjak janë fjalët e të ligjve, por të drejtët do t’i çlirojë goja e tyre.»—Fjalët e urta 12:5, 6, BR.
Mendimet e njerëzve të mirë janë moralisht të shëndosha dhe drejtohen tek ajo që është e paanshme dhe e drejtë. Meqenëse të drejtët motivohen nga dashuria për Perëndinë dhe për njerëzit, qëllimet e tyre janë të mira. Nga ana tjetër, të ligjtë motivohen nga egoizmi. Si rrjedhim, planet, pra metodat që përdorin për të arritur qëllimet, janë mashtruese. Veprimet e tyre janë të pabesa. Ata nuk ngurrojnë të vënë një grackë për të pafajshmin, ndoshta në gjyq, me anë të akuzave të rreme. Fjalët e tyre janë «pusi e ngritur për gjak», sepse duan t’u bëjnë keq viktimave të pafajshme. Të drejtët, duke pasur njohuri për komplotet e të ligjve dhe mençurinë e nevojshme për të qenë të kujdesshëm, janë në gjendje ta shmangin këtë rrezik. Madje mund të jenë në gjendje t’i paralajmërojnë individët që s’janë vigjilentë dhe t’i çlirojnë nga planet mashtruese të të ligjve.
Çfarë do t’u ndodhë të drejtëve dhe të ligjve? Solomoni përgjigjet: «Të ligjtë mposhten dhe nuk janë më, por shtëpia e të drejtëve do të vazhdojë të qëndrojë.» (Fjalët e urta 12:7, BR) Një vepër referimi thotë se fjala «shtëpi» «këtu ka kuptimin njerëzit e shtëpisë dhe gjithçka që është e çmuar për individin, e cila i jep mundësinë që të jetojë vërtet». Madje ajo mund ta ketë fjalën për familjen dhe për pasardhësit e të drejtëve. Sido që të jetë, thelbi i proverbit është i qartë: të drejtët do të qëndrojnë të patundur përballë vështirësive.
I përuluri është më mirë
Mbreti i Izraelit thekson vlerën e aftësisë dalluese dhe thotë: «Njeriu do të lëvdohet për maturinë e gojës së tij, por kush është i shtrembër në zemër do të bëhet për përçmim.» (Fjalët e urta 12:8, BR) Një njeri me aftësi dalluese nuk lejon që t’i dalin me nxitim fjalët nga goja. Ai mendon para se të flasë dhe gëzon marrëdhënie paqësore me të tjerët, sepse ‘maturia e gojës’ bën që t’i zgjedhë fjalët me kujdes. Kur gjendet përballë diskutimeve të kota ose spekuluese, njeriu me aftësi dalluese është në gjendje ‘t’i frenojë fjalët e veta’. (Fjalët e urta 17:27, BR) Një njeri i tillë merr lavdi dhe i sjell kënaqësi Jehovait. Sa i ndryshëm është ai nga njeriu me mendime të shtrembëra që rrjedhin nga ‘një zemër e shtrembër’!
Po, njeriu i matur merr lavdi, por proverbi vijues na mëson vlerën e përulësisë. Ai thotë: «Më mirë ai që vlerësohet pak, por që ka një shërbëtor, se ai që i jep lavdi vetes, por i mungon buka.» (Fjalët e urta 12:9, BR) Solomoni duket se po thotë që është më mirë të jesh i përulur e me pak pasuri, duke pasur vetëm një shërbëtor, sesa të harxhosh atë që të nevojitet për të jetuar vetëm e vetëm për të mbajtur një pozitë të lartë në shoqëri. Ç’këshillë e shëndoshë është kjo për ne: të jetojmë me aq sa kemi mundësi!
Jeta bujqësore na jep mësime për mirësinë
Solomoni na jep dy mësime për mirësinë të nxjerra nga jeta bujqësore. «I drejti kujdeset për shpirtin e kafshës së tij shtëpiake, por mizore janë mëshirat e të ligjve.» (Fjalët e urta 12:10, BR) Njeriu i drejtë i trajton me dashamirësi kafshët e tij. I njeh nevojat dhe shqetësohet për mirëqenien e tyre. Njeriu i lig mund të thotë se shqetësohet për kafshët, por ai nuk merakoset për nevojat e tyre. Motivet e tij janë egoiste dhe mënyra se si i trajton kafshët bazohet te përfitimi që mund të nxjerrë. Ajo që një person i tillë mendon se është kujdes i mjaftueshëm për kafshët, në të vërtetë mund të jetë trajtim mizor.
Parimi për t’i trajtuar kafshët me dashamirësi zbatohet edhe për kafshët shtëpiake. Sa mizore do të ishte të mbanim kafshë të tilla dhe pastaj t’u shkaktonim vuajtje të panevojshme duke i lënë pas dore ose duke i keqtrajtuar! Në rast se një kafshë po vuan shumë nga një sëmundje ose plagë e rëndë, dashamirësia mund të kërkojë që t’i japim fund jetës së saj.
Solomoni nxjerr një mësim nga një aspekt tjetër i jetës bujqësore, siç është lërimi i tokës dhe thotë: «Kush kultivon tokën e tij, ai vetë do të ngopet me bukë.» Vërtet, një punë e palodhur dhe domethënëse sjell bekime. «Por atij që ndjek gjëra pa vlerë, i mungon zemra.» (Fjalët e urta 12:11, BR) Meqë i mungon gjykimi ose kuptueshmëria, ai të cilit «i mungon zemra» futet në aventura biznesi që janë të padobishme, spekuluese dhe pa vlerë. Mësimet në këto dy vargje janë të qarta: të jemi të mëshirshëm e të papërtueshëm.
I drejti jep fryt
«I ligu ka dëshiruar prenë e zënë në rrjetë prej të këqinjve»,—thotë mbreti i mençur. (Fjalët e urta 12:12a, BR) Në ç’mënyrë e bën këtë i ligu? Në fakt, duke dëshiruar plaçkën e fituar me mjete të liga.
Ç’të themi për atë që është i mirë? Një person i tillë e do disiplinën dhe është i rrënjosur thellë në besim. Ai është i drejtë, i matur e i përulur, i dhembshur e i zellshëm. «Por sa për rrënjën e të drejtëve, ajo jep fryt»,—thotë Solomoni. (Fjalët e urta 12:12b, BR) «Rrënja e të drejtit do të mbesë përgjithmonë»,—thuhet në versionin An American Translation. Një person i tillë është i qëndrueshëm dhe i sigurt. Vërtet, ‘kush është i mirë merr miratimin e Perëndisë’. Atëherë, ‘le të kemi besim te Jehovai dhe të bëjmë të mirën’.—Psalmi 37:3, BR.
[Figurat në faqen 31]
Ashtu si një pemë e shëndetshme, besimi i të drejtit është i rrënjosur thellë