Pikëpamja e Biblës
Mizoria ndaj kafshëve: A është e gabuar?
NË NJË arenë sportive në Amerikën Qendrore, të gjithë sytë janë mbërthyer mbi dy gjela, një të kuq dhe një tjetër të bardhë. Turma ulëret ndërsa gjeli i kuq, me një brisk rroje të mprehur të lidhur në këmbën e tij, godet të bardhin. Një arbitër ngre nga toka dy shpendët. I bardhi është tani i lëshuar, i ngordhur dhe duke kulluar gjak. Ndeshja e gjelave ka mbaruar.
Në jug të Filipineve, dy hamshorë po ndeshen me njëri-tjetrin. Spektatorët shohin spektaklin e lemerishëm, ndërsa kuajt pësojnë kafshime në veshë, qafë, hundë dhe pjesë të tjera të trupit. Megjithëse që të dy mund të dalin të gjallë nga ringu, të paktën njëri prej tyre mund të sakatohet ose të verbohet, ose të pësojë dëmtime që përfundimisht do të shkaktojnë ngordhjen.
Dy qen në Rusi po sulmojnë njëri-tjetrin. Brenda një kohe të shkurtër, sytë dalin vrik dhe veshët shqyen, ata po lëvizin përreth me këmbët e sakatuara, gjaku kullon nga mishi i çarë.
Për shekuj njerëzit kanë vënë të ndeshen kafshët kundër kafshëve në emër të sportit, shpesh me bixhozin si forcë nxitëse. Kësaj liste i shtohen ndeshje demash, gjueti dhelprash, madje dhe ndeshje merimangash. Veç kësaj, shumë kafshë provojnë vuajtje në emër të shkencës. Për më tepër, kafshë të panumërta vuajnë nga lënia pas dore e pronarëve të tyre, qoftë e qëllimshme ose jo.
Në disa vende, ka ligje që rregullojnë trajtimin e kafshëve dhe ndalojnë aktet mizore. Vite më parë, në vitin 1641, Kolonia e Gjirit të Masaçusets formuloi «Dokumentin e Lirive», i cili pohonte: «Asnjeri nuk do të ushtrojë asnjë lloj tiranie ose mizorie ndaj asnjë krijese shtazore, që mbahet zakonisht për përdorim nga njeriu.» Që nga ajo kohë, legjislacioni ka kaluar pa u kundërshtuar dhe janë formuar shoqëri për të ruajtur kafshët nga mizoria.
Prapëseprapë, shumë veta që nxitin ndeshjet e sportit të përmendura më sipër, nuk e konsiderojnë veten si autorë të mizorive ndaj kafshëve. Disa pohojnë se i duan kafshët, të cilave në mënyrë brutale u shkaktojnë vuajtje dhe ngordhje. Dashuruesit e ndeshjeve të gjelave pohojnë se shpendët e tyre jetojnë më gjatë se mesatarja e pulave të paracaktuara për të përfunduar në tavë: ç’ngushëllim i madh vërtet!
Pse është e gabuar mizoria?
Perëndia na lejon që të përfitojmë nga kafshët. Parimet biblike na lejojnë që t’i vrasim kafshët për të siguruar ushqim dhe veshje ose për t’u mbrojtur nga dëmtimi. (Zanafilla 3:21; 9:3; Eksodi 21:28) Gjithsesi, për Perëndinë jeta është e shenjtë. Sundimi ynë mbi kafshët duhet të ushtrohet në një mënyrë të drejtpeshuar që tregon respekt për jetën. Bibla flet negativisht për një burrë të quajtur Nimrod, i cili me sa duket vriste kafshë dhe ndoshta edhe njerëz thjesht për emocion.—Zanafilla 10:9.
Jezui foli për interesimin e Perëndisë për kafshët me këto fjalë: «A nuk shiten vallë pesë harabela për dy pare? E megjithatë as edhe një prej tyre nuk harrohet para Perëndisë.» (Luka 12:6) Gjithashtu, kur Perëndia ndryshoi mendjen për të shkatërruar një qytet plot me praktikues të ligësisë që ishin penduar, ai vetë tha: «Dhe mua nuk duhet të më vijë keq për Niniven, qytetin e madh, në të cilin ka njëqind e njëzet veta . . . dhe një sasi të madhe kafshësh?» (Jona 4:11) Është e qartë, ai nuk i konsideron kafshët thjesht si sende të disponueshme, për t’u hedhur kur të na teket.
Kur Perëndia u dha ligjet izraelitëve, u mësoi atyre kujdesin e duhur për kafshët. Ai u kërkonte atyre që të kthenin një kafshë të humbur te pronari i tij dhe të ndihmonin kafshët në rrezik. (Eksodi 23:4, 5) Kafshët duhet të përfitonin nga pushimi i sabatit njëlloj si dhe njerëzit. (Eksodi 23:12) Kishte ligje që drejtonin trajtimin e duhur të kafshëve të fermës. (Ligji i përtërirë 22:10; 25:4) Është e dukshme, kafshët ishin për t’u kujdesur dhe mbrojtur, jo për t’u shfrytëzuar.
Proverbat (Fjalët e urta) 12:10 shpreh qartë pikëpamjen e Perëndisë: «I drejti kujdeset për shpirtin e kafshës shtëpiake të tij, por mëshirat e të ligjve janë mizore.» (BR). Në një koment biblik ky varg përkthehet si vijon: «Dashamirësia e një njeriu të drejtë shtrihet edhe te kafshët e pagoja, por një njeri i lig është mizor, edhe kur mendon se po tregohet shumë i butë.»—Believer’s Bible Commentary, nga Uilliam MekDonald.
Njeriu i drejtë i trajton kafshët me dashamirësi dhe kërkon të njohë nevojat e tyre. Një person i lig me gojë mund të shprehë dashuri për kafshët, por «mëshirat» e tij, shumë-shumë, janë faktikisht mizore. Veprimet e tij tregojnë arsyen egoiste që ai ka në mendje. Sa e vërtetë është kjo për ata që vënë të ndeshen një kafshë me një tjetër, me shpresë për të fituar para!
Lehtësim për kafshët
Vërtetë, qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që njeriu të ‘kishte nën sundim peshqit e detit, krijesat fluturuese dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz mbi tokë’. (Zanafilla 1:28, BR) Në këtë qëllim nuk ka vend mizoria ndaj kafshëve. Trajtimi çnjerëzor i kafshëve nuk do të vazhdojë përgjithmonë. Ne kemi arsye për të besuar se Perëndia do t’i japë fund të gjitha vuajtjeve të panevojshme. Por si?
Ai premton t’u japë fund njerëzve të ligj dhe mizorë. (Fjalët e urta 2:22) Në lidhje me kafshët, Osea 2:18 thotë: «Atë ditë do të bëj një besëlidhje me kafshët e fushave, me shpendët e qiellit dhe me rrëshqanorët e tokës . . . dhe do të bëj të prehen të qetë.» Sa e mrekullueshme do të jetë që të jetojmë gjatë kësaj kohe, kur do të kenë dobi jo vetëm njerëzit e drejtë, por edhe kafshët!
[Figura në faqen 26]
«Ndeshje demash në një fshat» nga Françesko Goja