«Ligji i të mençurit» është burim jete
«O THELLËSI e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pahulumtueshme janë udhët e tij!»—tha me entuziazëm apostulli Pavël. (Romakëve 11:33) Edhe patriarku besnik, Jobi, tha: «[Perëndia Jehova] është i mençur në zemër.» (Jobi 9:4, BR) Po, Krijuesi i qiellit dhe i tokës është i pashoq në mençuri. Çfarë mund të thuhet për ligjin ose Fjalën e shkruar të Krijuesit?
Psalmisti këndoi: «Ligji i Zotit [Jehovait, BR] është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë. Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë të pastra dhe ndriçojnë sytë.» (Psalmi 19:7, 8) Sa mirë duhet ta ketë kuptuar vërtetësinë e këtyre fjalëve mbreti i Izraelit të lashtë, Solomoni! Ai tha: «Ligji i të mençurit është burim jete, për ta larguar njeriun prej laqeve të vdekjes.» (Proverbat [Fjalët e urta] 13:14, BR) Në 13 vargjet e para të kapitullit 13 të Proverbave, Solomoni tregoi se si këshillat që gjenden te Fjala e Perëndisë mund të na ndihmojnë të përmirësojmë cilësinë e jetës dhe të mos e vëmë atë në rrezik.
Të pranojmë mësimin
«Një bir është i mençur kur ka disiplinën e të atit, por tallësi është ai që s’e ka dëgjuar qortimin»,—thuhet te Proverbat 13:1, BR. Disiplina e një ati mund të jetë e butë ose e ashpër. Në fillim ajo mund të jepet në formën e një stërvitjeje dhe nëse kjo nuk pranohet, së fundi jepet si një ndëshkim. Një bir është i mençur kur pranon disiplinën e të atit.
Bibla thotë: «Atë që e do, Jehovai e disiplinon; në fakt, ai fshikullon këdo që pranon si bir.» (Hebrenjve 12:6) Një mënyrë nëpërmjet së cilës na disiplinon Ati ynë qiellor është me anë të Fjalës së tij të shkruar, Biblës. Kur e lexojmë Biblën me një ndjenjë respekti dhe zbatojmë atë që mësojmë aty, Fjala e tij në të vërtetë na disiplinon. Kjo është për të mirën tonë, sepse çdo gjë që thotë Jehovai na sjell dobi.—Isaia 48:17.
Disiplina mund të na jepet edhe kur një bashkëbesimtar që interesohet për mirëqenien tonë frymore na ndreq. Çdo këshillë e dobishme që është në harmoni me Fjalën e Perëndisë duhet parë, jo sikur vjen nga vetë individi, por sikur vjen nga Burimi i madh i së vërtetës. Tregohemi të mençur po ta pranojmë atë si diçka që vjen nga Jehovai. Kur e bëjmë këtë dhe e lejojmë të ndikojë në mënyrën tonë të të menduarit, të na përmirësojë kuptueshmërinë për Shkrimet dhe të na ndreqë udhët, po nxjerrim dobi nga disiplina. E njëjta gjë është e vërtetë për këshillat që marrim në mbledhjet e krishtere dhe në botimet e bazuara në Bibël. Zbatimi i asaj që mësojmë nga këto fjalë të shkruara ose të thëna është një formë e shkëlqyer vetëdisiplinimi.
Nga ana tjetër, tallësi nuk reagon ndaj disiplinës. Një vepër referimi thotë: «Meqenëse mendon se e di çfarë është më e mirë, ai nuk e pranon mësimin.» Madje ai nuk reagon as ndaj qortimit, një formë më e fortë disipline. Por, a mund të tregojë ndonjëherë ai se disiplina e Atit është e gabuar? Jehovai nuk ka gabuar kurrë dhe ai kurrë nuk do të gabojë. Tallësi, duke e hedhur poshtë disiplinën vetëm sa e vë veten në lojë. Sa bukur e tregon Solomoni vlerën e pranimit të mësimit, dhe këtë e bën vetëm me pak fjalë të zgjedhura mirë!
T’i vëmë fre gjuhës!
Për të treguar sa e rëndësishme është të na drejtojë Fjala e Perëndisë kur flasim, mbreti i Izraelit e krahason gojën me një pemë që jep fryt. Ai thotë: «Njeriu do të hajë të mira nga fryti i gojës së tij, por vetë shpirti [«dëshira e thellë», shënimi BR] i atyre që veprojnë pabesisht është dhunë.» (Proverbat 13:2, BR) Fryti i gojës janë fjalët që thuhen. Dhe një njeri korr atë që ka mbjellë me fjalët e tij. Një studiues thotë: «Në rast se fjalët e tij janë me qëllime dashamirëse dhe thuhen për vendosjen e marrëdhënieve miqësore me të afërmit, ai do të hajë të mira, do të gëzojë një jetë të lumtur dhe paqësore.» Është ndryshe me të pabesin. Ai do që të kryejë dhunë dhe të dëmtojë të tjerët. Thur plane për dhunë dhe dhunë pëson. Laqet e vdekjes janë në pragun e derës së tij.
Solomoni vazhdon: «Kush mban gojën, ruan shpirtin e vet. Kush i hap shumë buzët, do të ketë rrënim.» (Proverbat 13:3, BR) Të gjitha pasojat që mund të vijnë nga fjalët e marra e të pamenduara janë: prishja e emrit të mirë, ndjenja të lënduara, marrëdhënie të ndera dhe madje dëmtime fizike. Buzët e hapura shumë mund të çojnë edhe në mosmiratimin e Perëndisë, sepse Perëndia e quan cilindo përgjegjës për fjalët e tij. (Mateu 12:36, 37) Po, kur i vëmë fre gojës, shpëtojmë veten nga rrënimi. Por, si mund të mësojmë ta mbajmë gojën?
Një mënyrë e thjeshtë për ta bërë këtë është të mos flasim tepër. Bibla thotë: «Në fjalët e shumta faji nuk mungon.» (Fjalët e urta 10:19) Një mënyrë tjetër është të mendojmë përpara se të flasim. Shkrimtari i frymëzuar thotë: «Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate.» (Proverbat 12:18, BR) Kur ai që flet nuk mendon para se të flasë, edhe ai, edhe ata që e dëgjojnë mund të lëndohen. Prandaj Bibla na jep këtë këshillë praktike: «Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet.»—Fjalët e urta 15:28.
Të jemi ngulmues
«Përtaci tregon se dëshiron»,—thotë Solomoni,—por shpirti i tij s’ka asgjë. Megjithatë, vetë shpirti i atyre që ngulmojnë do të majmet.» (Proverbat 13:4, BR) Një vepër referimi thotë: «Thelbi [i këtij proverbi] është se vetëm dëshira nuk mjafton aspak, por vlerë të vërtetë ka papërtueshmëria. Përtacët janë viktima të dëshirave . . . që i shkatërrojnë dhe ata nuk kanë asgjë të bërë vetë për t’ua treguar të tjerëve.» Por shpirti i atyre që ngulmojnë majmet dhe dëshira e tyre plotësohet.
Çfarë mund të thuhet për ata që ngurrojnë t’i kushtohen Jehovait ngaqë duan të shmangin përgjegjësitë? Ata mund të dëshirojnë të jetojnë në botën e re të Perëndisë, por a janë të gatshëm të bëjnë diçka për të? Një kërkesë për ata që «vijnë nga shtrëngimi i madh» është që të ushtrojnë besim në flijimin shpërblerës të Jezuit, t’i kushtohen Jehovait dhe ta simbolizojnë kushtimin e tyre me pagëzimin në ujë.—Zbulesa 7:14, 15.
Të shqyrtojmë edhe se çfarë përfshin të synojmë për një detyrë mbikëqyrjeje në kongregacion. Dëshira për të synuar për këtë punë të shkëlqyer patjetër që është për t’u lavdëruar dhe Shkrimet e nxitin atë. (1 Timoteut 3:1) Megjithatë nuk mjafton vetëm të tregojmë se kemi dëshirë. Për t’u kualifikuar për një detyrë kërkohet kultivimi i cilësive dhe i aftësive të duhura. Kjo kërkon përpjekje personale të zellshme.
Drejtësia është një mbrojtje
Një njeri i drejtë kultivon cilësi të perëndishme dhe thotë të vërtetën. Ai e di se gënjeshtra është kundër ligjit të Jehovait. (Fjalët e urta 6:16-19; Kolosianëve 3:9) Lidhur me këtë Solomoni thotë: «I drejti e urren fjalën e rreme, kurse të ligjtë veprojnë në mënyrë të paturpshme dhe çnderojnë vetveten.» (Proverbat 13:5, BR) I drejti jo vetëm që nuk thotë gënjeshtra, por në të vërtetë ai i urren ato. E di se sado të pafajshme që të duken, gënjeshtrat janë shkatërrimtare për marrëdhëniet e mira mes njerëzve. Për më tepër, ai që gënjen nuk është më i besueshëm. I ligu vepron në mënyrë të paturpshme, ose duke gënjyer, ose në ndonjë mënyrë tjetër, dhe kështu e çnderon veten.
Për të treguar që kemi dobi kur bëjmë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë, mbreti i mençur thotë: «Vetë drejtësia e ruan njeriun që nuk bën keq në udhën e tij, por ligësia e rrëzon mëkatarin.» (Proverbat 13:6 BR) Ashtu si një fortesë, drejtësia e mbron një njeri, kurse ligësia e rrënon atë.
Të mos hiqemi siç nuk jemi
Mbreti i Izraelit, duke treguar kuptueshmërinë e tij për natyrën njerëzore, thotë: «Ka nga ata që hiqen si të pasur, por s’kanë gjë fare; ka nga ata që hiqen si të vobektë, e megjithatë kanë shumë gjëra me vlerë.» (Proverbat 13:7, BR) Një njeri mund të mos jetë ashtu siç duket. Disa të varfër mund të hiqen si të pasur, ndoshta kapardisen për t’u dukur, për të dhënë përshtypjen se kanë sukses ose thjesht për të ruajtur një nam të mirë për veten. Një i pasur mund të hiqet si i varfër thjesht për të fshehur pasurinë e tij.
As kapardisja e rreme dhe as fshehja e asaj që është në të vërtetë dikush nuk është diçka e mirë. Kur të ardhurat tona janë të pakta dhe shpenzojmë paratë për gjëra luksoze, me qëllim që të dukemi si të pasur, kjo mund të na lërë ne dhe familjet tona pa mjetet e nevojshme të jetesës. Kurse kur një njeri hiqet si i varfër, edhe pse ka pasuri, kjo mund ta bëjë atë koprrac, duke ia ulur dinjitetin dhe duke ia hequr lumturinë që vjen kur dikush është bujar. (Veprat 20:35) Po të jetojmë me ndershmëri bëjmë një jetë më të mirë.
Të dëshirojmë gjëra të thjeshta
«Shpërblesa për shpirtin e një njeriu janë pasuritë e tij,—thotë Solomoni,—por kush është i vobektë s’ka dëgjuar qortim.» (Proverbat 13:8, BR) Cili mësim përçohet në këtë thënie të mençur?
Ka disa përfitime të jesh i pasur, por pasuritë nuk janë një bekim i jashtëzakonshëm. Në kohët me telashe në të cilat jetojmë, shpesh të pasurit dhe familjet e tyre gjenden në rrezik se mund t’i rrëmbejnë dhe t’i mbajnë peng për të kërkuar një shpërblesë. Ndonjëherë një i pasur mund të paguajë një shpërblesë për të shpëtuar jetën e tij ose të një pjesëtari të familjes. Por shpesh të rrëmbyerin e vrasin. Një kërcënim i tillë është gjithnjë i pranishëm për të pasurit.
I vobekti nuk e ka këtë shqetësim. Ndonëse mund të mos ketë rehatitë dhe gjërat e shumta materiale që gëzon i pasuri, ai ka më pak të ngjarë të bëhet shënjestër e rrëmbyesve. Kjo është njëra dobi kur dëshirojmë gjëra të thjeshta dhe nuk e harxhojmë kohën dhe energjinë për të shkuar pas pasurisë.—2 Timoteut 2:4.
Të gëzojmë në ‘dritën’
Solomoni vazhdon të tregojë se kur i bëjmë gjërat sipas mënyrës së Jehovait, kjo na sjell shumë dobi. «Drita e të drejtëve do të gëzojë; por llamba e të ligjve do të shuhet.»—Proverbat 13:9, BR.
Llamba simbolizon atë që na ndriçon udhën tonë në jetë. ‘Fjala e Perëndisë është një llambë në këmbën e të drejtit dhe një dritë në shtegun e tij.’ (Psalmi 119:105) Ajo përmban njohurinë dhe mençurinë e pashtershme të Krijuesit. Sa më shumë përmirësojmë kuptueshmërinë për vullnetin dhe qëllimin e Perëndisë, aq më e ndritshme bëhet drita frymore që na drejton. Ç’burim gëzimi që është kjo! Pse duhet të na shpërqendrojë mençuria e botës ose ajo që «në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’»?—1 Timoteut 6:20; 1 Korintasve 1:20; Kolosianëve 2:8.
Sa për të ligun, pavarësisht se sa fort mund të duket se shkëlqen llamba e tij dhe sa i begatë mund të duket, llamba e tij do të shuhet. Ai do të përfundojë në errësirë, ku këmba e tij do të pengohet. Për më tepër «nuk do të ketë të ardhme» për të.—Fjalët e urta 24:20.
Por, çfarë duhet të bëjmë kur nuk jemi të sigurt se si duhet të veprojmë në një rrethanë të veçantë? Po sikur të mos jemi fare të sigurt nëse kemi autoritetin për të vepruar? Te Proverbat 13:10 (BR) jepet ky paralajmërim: «Kur është tepër i sigurt te vetja, njeriu shkakton vetëm konflikt.» Të veprojmë pa njohuri ose pa pasur autoritetin do të thotë të jemi tepër të sigurt te vetja dhe të shkaktojmë fërkime me të tjerët. A nuk do të ishte më mirë të këshilloheshim me të tjerët që kanë njohuri dhe aftësi dalluese? «Mençuria është me ata që këshillohen së bashku»,—thotë mbreti i mençur.
Të ruhemi nga pritjet e rreme
Paraja mund të shërbejë për një qëllim të dobishëm. Të kemi të ardhura të mjaftueshme është më mirë se të jetojmë me të ardhura të pakta ose në varfëri. (Predikuesi 7:11, 12) Megjithatë dobitë që ndoshta mendojmë se vijnë nga një pasuri e fituar në mënyrë të paligjshme mund të jenë mashtruese. Solomoni paralajmëron: «Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t’i shtohet ajo.»—Fjalët e urta 13:11.
Të shqyrtojmë për shembull, tërheqjen e njerëzve ndaj bixhozit. Një bixhozçi mund t’i harxhojë paratë e fituara me punë të rëndë, duke shpresuar të fitojë një shumë të madhe. Por sa shpesh kjo gjë bëhet në kurriz të familjes së tij! Çfarë ndodh në rast se bixhozçiu fiton? Meqë i ka fituar me lehtësi paratë, ai mund t’i vlerësojë pak ato. Për më tepër ai thjesht mund të mos jetë i aftë ta administrojë këtë shumë të sapofituar. A nuk ka të ngjarë që pasuritë e tij të zhduken aq shpejt sa edhe i fitoi? Përkundrazi pasuria e mbledhur gradualisht, pra pak nga pak, duke bërë një punë të ndershme, rritet dalëngadalë dhe mund të përdoret në mënyrë të dobishme.
Solomoni thotë: «Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru [pemë, BR] i jetës.» (Fjalët e urta 13:12) Pritjet e parealizuara çojnë në zhgënjime që e sëmurin zemrën. Kjo ndodh në jetën e përditshme. Megjithatë kjo nuk është e vërtetë për pritjet që bazohen plotësisht në Fjalën e Perëndisë. Mund të kemi siguri të plotë se ato do të realizohen. Madje edhe ato që mund të duken si vonesa ka më pak të ngjarë të jenë zhgënjyese.
Për shembull, e dimë se bota e re e Perëndisë është shumë afër. (2 Pjetrit 3:13) Me padurim presim me gëzim plotësimin e premtimeve të Perëndisë. Çfarë ndodh kur e përdorim kohën e pritjes për t’u angazhuar «në veprën e Zotërisë», për të inkurajuar bashkëbesimtarët dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të ngushtë me Jehovain? Në vend që ‘të na ligështohet zemra’, mbushemi me gëzim. (1 Korintasve 15:58; Hebrenjve 10:24, 25; Jakovit 4:8) Kur një dëshirë e pritur prej një kohe të gjatë plotësohet, ajo është një pemë jete, vërtet fuqizuese dhe freskuese.
Ligji i Perëndisë është burim jete
Duke ilustruar nevojën që t’i bindemi Perëndisë, Proverbat 13:13 (BR) thotë: «Atij që e ka përbuzur fjalën do t’i merret pengu që ka dhënë si borxhli; por kush i frikësohet urdhërimit do të shpërblehet.» Në qoftë se një borxhli e përbuz fjalën e dhënë, duke mos e paguar huanë, ai do të humbasë atë që ka dhënë si peng. Në mënyrë të ngjashme, po të mos u bindemi urdhërimeve të Perëndisë, do të humbasim diçka të vlefshme. Çfarë?
«Ligji i të mençurit është burim jete, për ta larguar njeriun prej laqeve të vdekjes.» (Proverbat 13:14, BR) Të jetojmë pa ligjin e Perëndisë tejet të mençur, Jehovait, do të thotë të mos kemi udhëheqjen për një jetë më të mirë e më të gjatë. Ç’humbje jashtëzakonisht e madhe që do të ishte kjo! Prandaj është gjë e mençur t’i kushtojmë vëmendje të madhe Fjalës së Perëndisë dhe ta lejojmë atë të ndikojë te mendimet, fjalët dhe veprimet tona.—2 Korintasve 10:5; Kolosianëve 1:10.
[Figurat në faqen 23]
Zbatimi i këshillave biblike është një formë e shkëlqyer vetëdisiplinimi
[Figurat në faqet 24, 25]
«Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet»
[Figurat në faqet 24, 25]
Angazhimi «në veprën e Zotërisë» na mbush me gëzim