Dobitë e një zemre të qetë
SHKENCA moderne mjekësore prej shumë kohësh ka pranuar se zemërimi i pakontrolluar ka një ndikim të dëmshëm mbi trupin njerëzor. Mbi njëqind vjet më parë, gazeta mjekësore JAMA (The Journal of the American Medical Association), thoshte: «Njeriu bie i vdekur gjatë një shpërthimi zemërimi dhe thuhet se ndoshta kishte një zemër të dobët, e cila nuk mundi ta përballonte tendosjen e imponuar nga gjendja e tij mendore. Duket se askush s’e mendon që vdekja e tij ishte shkaktuar nga arritja në kulm e një serie të gjatë të këtyre shpërthimeve të zemërimit, të cilat nga ana e tyre kanë shkaktuar një zemër të dobët.»
Fjalët e mësipërme nuk u tingëllojnë të çuditshme atyre që studiojnë Fjalën e Perëndisë, Biblën. Rreth 29 shekuj para se JAMA të shprehte rreziqet e një damari të keq, mbreti Solomon ishte frymëzuar që të shkruante: «Një zemër e qetë është jetë për organizmin mishor.» (Proverbat 14:30, BR) Këto fjalë qëndrojnë të vërteta akoma edhe sot.
Duke mbajtur një temperament të qetë, i kursejmë vetes shumë sëmundje që shpesh lidhen me stresin, si tensioni i lartë i gjakut, dhimbjet e kokës dhe problemet në rrugët e frymëmarrjes. Megjithatë, përveç përmirësimit të shëndetit, marrëdhënia jonë me të tjerët do të përmirësohet, ndërsa përpiqemi «të lëmë zemërimin dhe të braktisim tërbimin». (Psalmi 37:8, BR) Njerëzit tërhiqeshin natyrshëm drejt Jezuit, për shkak të temperamentit të tij të butë dhe kujdesit të përzemërt që ai kishte për ta. (Marku 6:31-34) Po ashtu, edhe ne do të jemi një burim freskimi për të tjerët, nëse kultivojmë një zemër të qetë.—Mateu 11:28-30.