Pikëpamja e Biblës
A ia vlen të jesh paqebërës?
NË PREDIKIMIN e tij më të famshëm, Jezu Krishti tha: «Lum paqebërësit!» Po ashtu tha: «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!» (Mateu 5:5, 9) Të jesh paqebërës përfshin më tepër sesa të jesh në paqe me të tjerët ose i qetë. Një njeri paqebërës merr iniciativën të jetë miqësor dhe bën çmos që të nxitë paqen.
A janë praktike për ditët tona fjalët e Jezuit të cituara më sipër? Disa mendojnë se që të kesh sukses sot, duhet t’i bësh të tjerët të ndihen më të ulët, të jesh agresiv dhe madje i dhunshëm. A është e mençur t’ia kthesh tjetrit me të njëjtën monedhë; dhunës me dhunë? Apo më mirë të jesh paqebërës? Le të shohim tri arsye pse duhet t’u kushtojmë vëmendje fjalëve që tha Jezui: «Lum paqebërësit!»
◼ NJË ZEMËR TË QETË «Zemra e qetë është jetë për trupin»,—thotë Proverbat 14:30. Shumë raporte mjekësore tregojnë se zemërimi dhe armiqësia mund të shkaktojnë apopleksi dhe infarkte në zemër. Kohët e fundit, një revistë mjekësore, e cila fliste për njerëzit që vuanin nga zemra, e krahasonte zemërimin e pakontrolluar me helmin. Gjithashtu revista pohonte se «të inatosesh do të thotë të sëmuresh rëndë». Kurse ata që ndjekin paqen, mund të kenë ‘një zemër të qetë’ e të nxjerrin dobi.
Shembull i kësaj është Xhimi, një burrë 61-vjeçar, që tani është mësues i Biblës në komunitetin vietnamez në Shtetet e Bashkuara. Ai shpjegon: «Pas gjashtë vjetësh në ushtri dhe tri misioneve luftarake në Vietnam, e dija nga përvoja se ç’ishte dhuna, zemërimi dhe inati. E kaluara më bënte të vuaja, dhe për shkak të saj kisha probleme me gjumin. Shpejt stresi, si edhe stomaku e çrregullimet nervore ma keqësuan shëndetin.» Si gjeti lehtësim? Ai përgjigjet: «Studimi i Biblës me Dëshmitarët e Jehovait më shpëtoi jetën. Gjeta qetësi në zemër kur mësova qëllimin e Perëndisë për një botë të re paqësore dhe si të vishja ‘personalitetin e ri’. Si rezultat, shëndeti më është përmirësuar ndjeshëm.» (Efesianëve 4:22-24; Isaia 65:17; Mikea 4:1-4) Shumë të tjerë, nga përvoja e tyre, kanë dalë në përfundimin se, të jesh paqebërës mund të përmirësojë shëndetin emocional, fizik dhe ndikon në marrëdhënien me Perëndinë.—Proverbat 15:13.
◼ MARRËDHËNIE MË TË MIRA Marrëdhëniet me të tjerët përmirësohen kur jemi paqebërës. Bibla thotë se ‘zemërimi, furia, të bërtiturat dhe sharjet’ duhet ‘të hiqen . . . , bashkë me çdo të keqe’. (Efesianëve 4:31) Ata që janë agresivë, shpesh i largojnë të tjerët nga vetja, mbeten fillikat, dhe nuk kanë asnjë shok ku të mbështeten. Proverbat 15:18 pohon: «Një njeri i tërbuar ndez grindje, ndërsa kush nuk zemërohet shpejt, shuan sherrin.»
Andi 42-vjeçar, mbikëqyrës kongregacioni në qytetin e Nju-Jorkut, u rrit në një ambient të dhunshëm. Ai shpjegon: «Që kur isha tetë vjeç më ngjitën në ring dhe më stërvitën të bëja boks. Në ring nuk i shihja kundërshtarët si njerëz. Në vend të kësaj mendoja: ‘Nëse nuk e godas, do të më godasë.’ Shpejt u pleksa me një grup gangsterësh. Merrnim pjesë në zënka dhe përleshje që bëheshin rrugëve. Kushedi sa herë më kanë drejtuar në kokë armën dhe më kanë kërcënuar me thika. Shumë shoqëri që kisha ishin të paqëndrueshme dhe bazoheshin te frika.»
Çfarë e shtyu Andin të bëhej një njeri paqebërës? Ai thotë: «Një ditë shkova në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait, në Sallën e Mbretërisë, dhe menjëherë e ndjeva dashurinë që mbizotëronte mes atyre njerëzve. Që atëherë, shoqërimi me këta njerëz që e duan paqen më ka ndihmuar të kem një zemër të qetë, dhe më në fund më çrrënjosi mënyrën e vjetër të të menduarit. Kam zënë plot miqësi të qëndrueshme.»
◼ SHPRESË PËR TË ARDHMEN Arsyeja më e rëndësishme për të qenë paqebërës është kjo: tregojmë nderim dhe respekt për vullnetin e Krijuesit tonë, qëllim që ai na e ka bërë të njohur. Vetë Fjala e Perëndisë na nxit: «Kërko paqen dhe ndiqe.» (Psalmi 34:14) Duke pranuar ekzistencën e Perëndisë, dhe pastaj duke mësuar e duke zbatuar mësimet e tij jetëdhënëse, kemi mundësinë për të pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë me të. Kur kemi një marrëdhënie të tillë, atëherë fitojmë ‘paqen e Perëndisë’. Kjo është një paqe e pashoqe, e cila reziston pavarësisht nga vështirësitë që mund të sjellë jeta.—Filipianëve 4:6, 7.
Akoma, duke qenë paqebërës i tregojmë Jehovait se çfarë njerëzish duam të jemi. Mund t’i tregojmë Jehovait tani se do të përshtatemi me botën e re paqësore që na ka premtuar. Kur të heqë ligësinë dhe të bëjë të mundur, siç tha Jezui, që ata me natyrë të butë «të trashëgojnë tokën», ne do të jemi atje për ta parë me sytë tanë. Çfarë bekimi i mrekullueshëm!—Psalmi 37:10, 11; Proverbat 2:20-22.
Po, dobitë e fjalëve të Jezuit, «lum paqebërësit», janë të dukshme. Mund të kemi një zemër të qetë, marrëdhënie të mira dhe një shpresë të fortë për të ardhmen. Këto bekime mund të jenë tonat vetëm nëse bëjmë çmos ‘për të qenë paqësorë me të gjithë’.—Romakëve 12:18.
[Figurat në faqen 28]
«Shëndeti më është përmirësuar ndjeshëm.»—Xhimi
[Figurat në faqen 29]
«Kam zënë plot miqësi të qëndrueshme.»—Andi