A je mirënjohës për syrin vigjilent të Jehovait?
«Sytë e Jehovait janë në çdo vend, duke vrojtuar të këqijtë dhe të mirët.»—PROV. 15:3.
1, 2. Si ndryshon syri vigjilent i Jehovait nga vrojtimi me kamera sigurie?
NË SHUMË vende po përdoren gjithnjë e më dendur kamerat e sigurisë, që të vrojtohet qarkullimi i automjeteve dhe të filmohen aksidentet. Nëse kamerat kapin një aksident ku shoferi shtyp dikë e ia mbath, autoritetet mund ta gjejnë dhe ta arrestojnë falë pamjeve të regjistruara. E pra, me këta sy elektronikë që ndodhen gjithkund, bëhet më e vështirë që dikush t’ia hedhë pa u lagur.
2 Por mund të pyesim: a ka diçka të përbashkët me Atin tonë të dashur, Jehovain, ky përdorim i gjerë i kamerave të sigurisë? Në fund të fundit, Bibla thotë se sytë e tij «janë në çdo vend». (Prov. 15:3) Por, a do të thotë kjo se ai heton orë e çast gjithçka që bëjmë? A vigjilon mbi ne Perëndia vetëm që të na kapë duke shkelur ndonjë ligj të tij, e pastaj të na ndëshkojë? (Jer. 16:17; Hebr. 4:13) Aspak! Mbi të gjitha, Jehovai na vrojton ngaqë e do secilin prej nesh dhe ka merak për mirëqenien tonë.—1 Pjet. 3:12.
3. Cilat janë pesë shprehje të kujdesit të dashur të Perëndisë që do të shqyrtojmë tani?
3 Çfarë do të na ndihmojë të kuptojmë se Jehovai vigjilon mbi ne nga dashuria? Le të shohim mënyrat si tregon kujdes të dashur. (1) Na paralajmëron kur shfaqim prirje të këqija. (2) Na ndreq kur hedhim hapa të gabuar. (3) Na prin me anë të parimeve që gjejmë në Fjalën e tij. (4) Na ndihmon kur hasim sprova nga më të ndryshmet. (5) Na shpërblen kur vëren diçka të mirë te ne.
PERËNDIA YNË VIGJILENT NA PARALAJMËRON
4. Çfarë donte Jehovai kur e paralajmëroi Kainin se ‘mëkati po e përgjonte te porta’?
4 Së pari, të shohim si na paralajmëron Perëndia kur fillojmë të shfaqim prirje të gabuara. (1 Kron. 28:9) Që ta kuptojmë këtë aspekt të kujdesit të dashur të Perëndisë, të mendojmë si veproi me Kainin, i cili «u nxeh» kur Jehovai nuk e pa me sy të mirë. (Lexo Zanafillën 4:3-7.) Jehovai e nxiti Kainin ‘të kthente rrugë dhe të vepronte mirë’. Përndryshe, siç e paralajmëroi, ‘mëkati po e përgjonte te porta’. Perëndia e pyeti: «Por ti, a do ta mposhtësh?» Ai donte që Kaini t’i vinte veshin paralajmërimit dhe ‘të kishte pëlqimin e tij’ sërish. Atëherë do të ruante marrëdhënien e mirë me Perëndinë.
5. Si na paralajmëron Jehovai për ndonjë prirje të dëmshme që mund të shfaqim?
5 Ç’të themi për ne sot? Sytë depërtues të Jehovait shohin thellë në zemrën tonë. S’kemi si t’ia fshehim prirjet dhe motivet e vërteta. Ati ynë i dashur do që të ecim në shtigjet e drejtësisë, por nuk na detyron të ndërrojmë udhë me zor. Me anë të Fjalës së tij, Biblës, na paralajmëron kur po futemi në rrugë të gabuar. Si e bën këtë? Gjatë leximit të përditshëm të Biblës, shpesh gjejmë fragmente që na ndihmojnë të mposhtim ndonjë prirje të gabuar e të dëmshme. Veç kësaj, botimet tona biblike mund të hedhin dritë mbi një problem me të cilin po luftojmë dhe na tregojnë si ta kapërcejmë. Gjithashtu, në mbledhjet e kongregacionit të gjithë marrim këshilla që vijnë tamam në kohën e duhur.
6, 7. (a) Pse mund të thuhet se materialet e përgatitura për miliona veta janë dëshmi e kujdesit të dashur të Perëndisë për ty? (b) Si mund të nxjerrësh dobi nga meraku që tregon Jehovai për ty?
6 Të gjitha këto paralajmërime tregojnë se sytë e dashur të Jehovait vigjilojnë mbi çdonjërin prej nesh. Dihet, fjalët e Biblës janë shkruar prej shekujsh, botimet nga organizata e Perëndisë përgatiten për miliona njerëz dhe këshillat në mbledhje janë për tërë kongregacionin. Prapëseprapë, në këto raste, Jehovai drejton vëmendjen tënde te Fjala e tij, për të rregulluar prirjet që ke. Prandaj mund të thuhet se kjo është dëshmi e kujdesit të dashur që tregon Jehovai posaçërisht për ty.
7 Që të nxjerrim dobi nga paralajmërimet e Perëndisë, së pari duhet të kemi parasysh se ai merakoset vërtet për ne. Pastaj duhet të reagojmë mirë ndaj Fjalës së tij, duke bërë çmos të çrrënjosim çdo mendim të papëlqyeshëm për të. (Lexo Isainë 55:6, 7.) Nëse ua vëmë veshin paralajmërimeve, do t’i kursejmë vetes shumë dhembje. Por, po sikur të na kenë mposhtur prirjet e gabuara? Si na ndihmon Ati ynë i dashur në këtë rast?
ATI YNË I DHEMBSHUR NA NDREQ
8, 9. Si tregojnë thellësinë e merakut të Jehovait këshillat që na jep nëpërmjet shërbëtorëve të tij? Ilustrojeni.
8 Kujdesin e Jehovait mund ta ndiejmë sidomos kur na ndreqin. (Lexo Hebrenjve 12:5, 6.) S’diskutohet, nuk na vjen mirë kur marrim këshilla a disiplinë. (Hebr. 12:11) Megjithatë, të mendojmë për atë që po na këshillon. Ai duhet të dallojë nëse ajo që po bëjmë, dëmton marrëdhënien tonë me Perëndinë Jehova dhe ndërkohë të marrë parasysh ndjenjat tona. Gjithashtu duhet të jetë i gatshëm të harxhojë mund e kohë për të na treguar nga Bibla si të bëjmë kthesë, që të kënaqim Perëndinë. Jo më pak i merakosur është Burimi i këshillës, Jehovai.
9 Le të shohim një shembull që tregon si mund të pasqyrojë merakun e Perëndisë dikush që jep këshillë. Para se të mësonte të vërtetën, një vëlla e kishte zakon të shihte pornografi, por e mposhti vesin. Prapëseprapë, prirja e vjetër flinte brenda tij si thëngjill ende i pashuar. Kur bleu një celular të ri, iu rindez epshi. (Jak. 1:14, 15) Me anë të celularit hynte në site pornografike në Internet. Një ditë, ndërsa po jepte dëshmi me telefon bashkë me një plak kongregacioni, ia dha celularin për pak çaste që të merrte ca të dhëna prej tij. Kur plaku e hapi, iu shfaqën site të papërshtatshme. Kjo doli për të mirën e vëllait që ishte në rrezik frymësisht. Ai mori këshilla në kohën e duhur, nxori dobi nga korrigjimi dhe pak nga pak i mposhti prirjet e këqija. Sa mirënjohës i jemi Atit tonë të dhembshur, i cili sheh edhe mëkatet tona të fshehta dhe na ndreq para se të kalojmë caqet!
ZBATIMI I PARIMEVE BIBLIKE NA BËN MIRË
10, 11. (a) Si mund të kërkosh drejtim nga Perëndia? (b) Si e provoi një familje sa e mençur është të ndjekësh drejtimin e Jehovait?
10 Psalmisti i këndoi Jehovait: «Me këshillën tënde do të më prish.» (Psal. 73:24) Sa herë të kemi nevojë për drejtim, t’i ‘kushtojmë vëmendje’ Jehovait duke u këshilluar me Fjalën e tij, që të zbulojmë ç’pikëpamje ka. Zbatimi i parimeve biblike jo vetëm na bën mirë frymësisht, por nganjëherë na ndihmon të plotësojmë edhe nevojat materiale.—Prov. 3:6.
11 Një shembull si na prin Jehovai vjen nga përvoja e një vëllai që ishte bujk. Jetonte në një fermë të marrë me qira në malësinë e Mazbatit, në Filipine. Ai dhe e shoqja shërbenin si pionierë të rregullt ndërsa rritnin një tufë kalamaj. Një ditë u tronditën kur pronari i tokës u çoi fjalë se do t’i dëbonte. Për ç’arsye? I kishin akuzuar padrejtësisht për pandershmëri. Edhe pse i merakosur se ku do ta çonte familjen, vëllai tha: «Jehovai do të na mbështetë. Çfarëdo që ka ndodhur, ai i ka plotësuar gjithmonë nevojat tona.» Siguria e tij nuk ishte pa baza. Sa u lehtësua familja ca ditë më vonë kur mori vesh se nuk kishte pse të iknin. Ç’kishte ndodhur? Pronarit i kishte rënë në sy se, me gjithë akuzat, familja e Dëshmitarëve kishte mbajtur qëndrim paqësor e të respektueshëm ngaqë drejtohej nga parimet biblike. Kjo i bëri kaq përshtypje, saqë jo vetëm i lejoi të rrinin, por u dha edhe toka të tjera për të punuar. (Lexo 1 Pjetrit 2:12.) Sigurisht, udhëheqja që na jep Jehovai nëpërmjet Fjalës së tij na ndihmon mes tallazeve të jetës.
MIK QË NA NDIHMON TË QËNDROJMË NË SPROVA
12, 13. Në cilat raste mund të vrasim mendjen nëse Perëndia i vëren vërtet vuajtjet tona?
12 Nganjëherë duket sikur një telash s’mbaron kurrë. Mbase po luftojmë me një sëmundje kronike, me kundërshtimin e stërzgjatur të familjarëve ose me përndjekje të pareshtura. Të mos flasim pastaj për fërkimet që na sjellin dhembje dhe që i përjetojmë herë pas here në kongregacion.
13 Ta zëmë se je lënduar nga ca fjalë që për ty ishin të rënda. Mbase thua: «Në organizatën e Perëndisë s’ka vend për fjalë të tilla!» Mirëpo, vëllai që tha ato fjalë gëzon privilegje në kongregacion dhe duket se të tjerët e kanë me sy të mirë. Vret mendjen: «Si është kjo punë kështu?! A nuk e sheh Jehovai këtë? A nuk do të bëjë diçka?»—Psal. 13:1, 2; Hab. 1:2, 3.
14. Cila mund të jetë një arsye pse Perëndia nuk ndërhyn që të zgjidhë problemet tona?
14 Mbase Jehovai ka arsye të forta për të mos ndërhyrë. Për shembull, edhe pse ty të duket se fajin më të madh e ka pala tjetër, Perëndia mund t’i shohë gjërat ndryshe. Nga këndvështrimi i tij, mbase ti ke më shumë faj nga ç’kujton. Faktikisht, komenti që e more aq ters, mund të ketë qenë një këshillë me vend që duhej ta peshoje. Në jetëshkrimin e tij, vëlla Karl Klajni, i cili shërbeu në Trupin Udhëheqës, tha se një herë vëlla Xh. F. Radhërfordi e qortoi pa doreza. Pak më vonë vëlla Radhërfordi e përshëndeti gjithë qejf: «Ç’kemi Karl?» Por, vëlla Klajni, të cilit i digjte akoma ai qortim, vetëm sa e përshëndeti nëpër dhëmbë. Vëlla Radhërfordi e nuhati se ai po ushqente mëri dhe e paralajmëroi të mos binte pre e Djallit. Më pas, vëlla Klajni shkroi: «Kur i mbajmë inat një vëllai, sidomos për diçka me vend që ia do puna të na e thotë, Djalli mund të na zërë në kurth kollaj.»a
15. Ç’mund të sjellësh ndër mend për të mos humbur durimin kur pret që Jehovai të të ndihmojë në një situatë të vështirë?
15 Sidoqoftë, mund ta humbim durimin kur një situatë e vështirë duket se zgjat pa fund. Si mund ta përballojmë? Ta zëmë se po nget makinën në autostradë dhe ngec në trafik. Nuk e di sa do të vonohesh. Po të acarohesh e të orvatesh të gjesh rrugë tjetër, mund të humbësh. Si përfundim, mund të harxhosh më shumë kohë për të arritur në destinacion sesa po të pritje me durim në rrugën ku ishe. Po njësoj, nëse nuk devijon nga shtigjet që tregon Fjala e Perëndisë, me kohë do të arrish atje ku duhet.
16. Cila është një arsye tjetër pse Jehovai mund të përmbahet e të mos ndërhyjë kur jemi nën sprovë?
16 Jehovai mund të përmbahet e të mos ndërhyjë në sprovat tona, nga dëshira që të marrim stërvitje jetësore. (Lexo 1 Pjetrit 5:6-10.) Kuptohet se Perëndia nuk është aspak shkaktari i sprovave. (Jak. 1:13) Shumicën e telasheve i shkakton ‘kundërshtari ynë, Djalli’. Gjithsesi, Perëndia mund ta përdorë një situatë të vështirë që të na ndihmojë të rritemi frymësisht. Ai i sheh vuajtjet tona dhe do të sigurohet që të zgjatin vetëm «për pak kohë», ngaqë «interesohet për» ne. A je mirënjohës për syrin vigjilent të Jehovait edhe nën sprova, pa dyshuar aspak se ai do të sigurojë rrugëdalje?—2 Kor. 4:7-9.
TË GËZOJMË BUZËQESHJEN MIRATUESE TË PERËNDISË
17. Cilët kërkon të gjejë Jehovai dhe pse?
17 Së fundi, Perëndia vigjilon mbi ne për një arsye që na ngroh zemrën. Me anë të parashikuesit Hanan, Ai i tha mbretit Asa: «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër.» (2 Kron. 16:9) Mjerisht, Perëndia pa se Asa nuk i ishte kushtuar me gjithë zemër, por në rastin tënd ‘do të tregojë forcën e tij’, nëse vazhdon të bësh atë që është e drejtë.
18. Ç’duhet të sjellësh ndër mend për Jehovain kur të duket sikur asnjeri nuk të vlerëson? (Shih figurën hapëse.)
18 Perëndia do që ‘ta kërkojmë të mirën’, ‘ta duam të mirën’ dhe ‘të bëjmë të mirën’, me qëllim që ‘të na japë hir’. (Amo. 5:14, 15; 1 Pjet. 3:11, 12) Jehovai i vëren të drejtët dhe i bekon. (Psal. 34:15) Për shembull, të mendojmë për mamitë hebreje Shifra dhe Puaha. Kur Izraeli vuante nën zgjedhën e skllavërisë në Egjipt, ato dy gra patën më shumë frikë nga Perëndia se nga faraoni, i cili i kishte urdhëruar të vritnin gjithë djemtë hebrenj sapo të lindnin. Me sa duket, ndërgjegjja e stërvitur nga Perëndia i nxiti t’i linin gjallë foshnjat. Jehovai më vonë i bëri me familje Shifrën dhe Puahën. (Dal. 1:15-17, 20, 21) Veprat e tyre të mira nuk i shpëtuan syve të tij që enden nëpër tokë. Nganjëherë mund të na duket sikur askujt nuk i bëhet vonë për të mirat që bëjmë. Por s’është kështu me Jehovain. Ai vëren çdo vepër të mirë që kemi bërë dhe do të na shpërblejë.—Mat. 6:4, 6; 1 Tim. 5:25; Hebr. 6:10.
19. Si e kuptoi një motër se veprat e mira nuk i shpëtojnë syrit të Jehovait?
19 Një motër në Austri kuptoi se puna e saj e palodhur nuk i kishte shpëtuar syrit të vëmendshëm të Perëndisë. Kur mori adresën e dikujt që fliste hungarisht, për t’i dhënë dëshmi, meqë ajo vetë kishte prejardhje hungareze, shkoi menjëherë, por në shtëpi s’gjeti njeri. Vajti kushedi sa herë të tjera. Nganjëherë i dukej se ishte dikush brenda, po s’e hapte derën. Linte literaturë, letra, numrin e telefonit, e kështu me radhë. Pas një viti e gjysmë vizitash të shpeshta, më në fund dera u hap. E përshëndeti një zonjë miqësore, që i tha: «Hajde brenda, të lutem! Lexova çdo gjë që ke sjellë dhe të kam pritur.» Problemi ishte që e zonja e shtëpisë kishte bërë kimioterapi dhe nuk kishte qenë në gjendje të takonte askënd. Me të u nis një studim biblik. E pra, Perëndia e shpërbleu atë motër për përpjekjet e zellshme.
20. Si ndihesh që syri vigjilent i Jehovait është mbi ty?
20 Jehovai sheh çdo gjë që bën dhe me kohë do të të shpërblejë. Kur ndien se syri i tij vigjilent është mbi ty, mos e merr sikur po të heton ndonjë kamerë sigurie e pajetë. Përkundrazi, ndihu gjithnjë e më i afërt me Perëndinë e dhembshur që merakoset vërtet për ty!
a Jetëshkrimi i vëlla Klajnit u botua në Kullën e Rojës të 1 tetorit 1984, anglisht.