Frika nga Perëndia—«Disiplinë drejt mençurisë»
MENÇURIA e vërtetë ka organizuar një festë të madhe. Ajo «ka dërguar shërbëtoret dhe thërret në majë të lartësive të qytetit: ‘Kushdo që është pa përvojë le të kthehet këtu.’ Kujtdo që ka një zemër pa gjykim të mirë, ajo i ka thënë: ‘Ejani, ushqehuni me bukën time dhe pini nga vera që kam përzier. Lërini të papërvojët dhe jetoni, ecni drejt në udhën e kuptueshmërisë.’»—Proverbat 9:1-6.
Të festosh në tryezën e mençurisë nuk të lë kurrë të bësh diçka të keqe apo që mund të të dëmtojë. Kur i vë veshin mençurisë së Perëndisë që gjendet në proverbat e frymëzuara dhe e pranon disiplinën e tij, nuk del kurrë keq. Për këtë flasin edhe thëniet e mençura te Proverbat 15:16-33.a Bindja ndaj këshillave që na japin këto thënie të përmbledhura, do të na ndihmojë të kënaqemi me pak, të bëjmë përpara dhe të gjejmë gëzim në jetën që bëjmë. Kjo mund të na ndihmojë të marrim vendime të mençura dhe të qëndrojmë në udhën drejt jetës.
Kur pak është më mirë
«Më mirë pak me frikë nga Jehovai, se një rezervë e bollshme bashkë me pështjellim»,—thotë mbreti Solomon i Izraelit të lashtë. (Proverbat 15:16) Të shpërfillësh Krijuesin dhe ta bësh pasurinë materiale qëllimin kryesor në jetë, nuk është e mençur. Një jetë e tillë është e mbushur me përpjekje të lodhshme dhe një mal me ankth. Sa keq është kur dikush në moshë të thyer kupton që e gjithë jeta e tij ka qenë bosh dhe pa kuptim! Të grumbullosh shumë gjëra materiale, e bashkë me to edhe «pështjellim», sigurisht që nuk është e mençur. Është shumë më mirë të mësosh sekretin e kënaqësisë dhe të jetosh sipas tij. Kënaqësia e vërtetë gjendet në frikën e Jehovait—në marrëdhënien tonë me të—dhe jo në pasuritë materiale.—1 Timoteut 6:6-8.
Duke theksuar se marrëdhënia e mirë me të tjerët ka më shumë vlerë sesa bollëku, Solomoni tha: «Më mirë një pjatë me perime aty ku ka dashuri, se një dem i majmur bashkë me urrejtje.» (Proverbat 15:17) Po, atmosfera e ngrohtë në një familje është më e dëshirueshme sesa bollëku i ushqimeve të zgjedhura. Në familjet me një prind të vetëm, të ardhurat mund të jenë të kufizuara. Në disa vende, mund të sigurohen vetëm ushqimet më të domosdoshme. Megjithatë, jeta e një familjeje begatohet kur ka dashuri dhe ngrohtësi.
Edhe në familjet ku në përgjithësi atmosfera është e ngrohtë, mund të ketë edhe situata të vështira. Dikush mund të thotë ose mund të bëjë diçka që ofendon një pjesëtar tjetër të familjes. Si duhet të reagojë ai që ofendohet? Te Proverbat 15:18 thuhet: «Një njeri i tërbuar ndez grindje, ndërsa kush nuk zemërohet shpejt, shuan sherrin.» Përgjigjja e butë, pa nervozizëm, i kontribuon paqes dhe qetësisë. Këshilla e kësaj fjale të urtë vlen po njësoj edhe në fusha të tjera të jetës, duke përfshirë veprimtaritë në kongregacion dhe shërbimin.
Kur ‘udha sheshohet’
Proverbi tjetër nxjerr në pah ndryshimin midis atij që i bindet zërit të mençurisë dhe atij që nuk i bindet. «Udha e përtacit është si një gardh me driza,—thotë mbreti i mençur,—kurse shtegu i të drejtëve është udhë e sheshuar.»—Proverbat 15:19.
Gardhi me driza është një ledh me gjembaçë, një pengesë. Ai që është përtac imagjinon gjithë llojet e pengesave dhe i përdor si justifikim për të mos marrë përsipër një punë. Kurse të drejtët nuk tremben nga pengesat që mund t’u dalin para. Ata punojnë me zell dhe i kushtojnë vëmendje punës që kanë në dorë. Kështu shmangin shumë probleme që mund t’u dilnin si pengesë, nëse do të ishin përtacë. Rruga e tyre ‘sheshohet’, domethënë hapet. Puna ecën dhe ata gëzojnë frytet e saj.
Le të shqyrtojmë si shembull marrjen e njohurisë për Perëndinë dhe arritjen në pjekuri. Kërkohen përpjekje. Dikush mund të justifikohet fare kollaj me arsimimin e kufizuar, mangësitë në të lexuar ose kujtesën e dobët, që të mos i nënshtrohet me zell një studimi personal të Biblës. Sa mirë do të ishte të mos i mendonte fare këto gjëra si pengesa në rrugën e njohurisë! Edhe pse me arsimim të kufizuar, mund të bëjmë përpjekje që të bëhemi më të zotë për të lexuar dhe për të kuptuar atë që lexojmë, ndoshta duke përdorur një fjalor nëse është e nevojshme. Qëndrimi pozitiv na ndihmon të fitojmë njohuri dhe të përparojmë nga ana frymore.
Kur ‘gëzon atin’
«Bir i mençur është ai që e gëzon të atin,—thotë mbreti i Izraelit,—por njeriu budalla e përbuz nënën e tij.» (Proverbat 15:20) A nuk gëzohen prindërit kur fëmijët e tyre veprojnë me mençuri? Sigurisht që nevojitet stërvitja dhe disiplina prindërore për të arritur rezultate kaq të mira. (Proverbat 22:6) Ç’burim gëzimi është për prindërit një djalë i mençur! Ndërsa i marri u shkakton vuajtje pa fund.
Duke përdorur fjalën «gëzim» në një rrethanë tjetër, mbreti i mençur tha: «Marrëzia është gëzim për atë që ka një zemër pa gjykim të mirë, por njeriu me aftësi dalluese shkon drejt përpara.» (Proverbat 15:21) Ata që nuk kanë një zemër me gjykim të mirë gëzohen në të qeshura dhe argëtime të marra, të cilat nuk sjellin kënaqësi apo lumturi të vërtetë. Ndërsa njeriu me aftësi dalluese e kupton që është marrëzi të jesh «kënaqësidashës në vend se perëndidashës». (2 Timoteut 3:1, 4) Parimet biblike e ndihmojnë të qëndrojë i drejtë dhe të ecë në rrugë të drejtë.
Kur planet «përmbushen»
Të jetosh sipas parimeve të Perëndisë sjell dobi edhe në drejtime të tjera. Te Proverbat 15:22 thuhet: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim, por përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë.»
Të flasësh në mirëbesim do të thotë të komunikosh privatisht dhe me sinqeritet me dikë. Shprehja hebraike që përkthehet «flitet në mirëbesim», te Psalmi 89:7 është përkthyer «të lidhur ngushtë». Kjo do të thotë një komunikim i ngushtë. Të folurit në mirëbesim nuk është një bisedë sipërfaqësore, por shkëmbim i sinqertë mendimesh dhe ndjenjash. Kur burrat e gratë, si edhe prindërit e fëmijët, komunikojnë lirshëm me njëri-tjetrin në këtë mënyrë, ndërmjet tyre ka paqe dhe unitet. Por mungesa e një komunikimi në mirëbesim çon në zhgënjime dhe probleme në familje.
Kur marrim vendime të rëndësishme, është e mençur t’ia vëmë veshin kësaj këshille: «Planet përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë.» Për shembull, a nuk është e mençur të marrim mendimin e një personi të dytë a të tretë, kur zgjedhim një trajtim mjekësor, sidomos kur çështja është serioze?
Rëndësia e këshilltarëve të shumtë nuk është asnjëherë e tepërt kur bëhet fjalë për çështjet frymore. Kur pleqtë këshillohen me njëri-tjetrin dhe përfitojnë nga mençuria e përbashkët, atëherë planet «përmbushen». Përveç kësaj, mbikëqyrësit që janë emëruar nga pak kohë nuk duhet të ngurrojnë të kërkojnë këshilla nga pleqtë e moshuar dhe me përvojë, sidomos nëse bëhet fjalë për një çështje të vështirë.
Kur njeriun ‘e gëzon përgjigjja e gojës së tij’
Ç’e mirë vjen nga të folurit me gjykim të thellë? Mbreti i Izraelit thotë: «Njeriun e gëzon përgjigjja e gojës së tij, dhe një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është!» (Proverbat 15:23) A nuk gëzohemi kur na e dëgjojnë fjalën dhe këshillat, e si rrjedhim rezultatet janë të mira? Por, që këshillat tona të jenë sa më të efektshme, duhet të plotësojnë dy kushte.
Së pari, këshilla duhet të bazohet te Fjala e Perëndisë, Bibla. (Psalmi 119:105; 2 Timoteut 3:16, 17) Pastaj duhet të jepet në kohën e duhur. Edhe pse mund të jenë më se të vërteta, fjalët e thëna në çastin e gabuar mund të jenë të dëmshme. Për shembull, të japësh një këshillë pa e dëgjuar tjetrin deri në fund, nuk është as e mençur dhe as e dobishme. Sa e rëndësishme është që ‘të jemi të shpejtë në të dëgjuar e të mos nxitohemi në të folur’!—Jakovi 1:19.
«Shtegu i jetës shkon lart»
Te Proverbat 15:24 thuhet: «Shtegu i jetës shkon lart për atë që vepron me gjykim të thellë, dhe e mbron atë që të mos shkojë poshtë, në Sheol.» Ai që vepron me gjykim të thellë është në shtegun që të çon larg Sheolit, varrit të përbashkët të njerëzimit. Ai u qëndron larg praktikave të tilla, si marrëdhënieve seksuale me partnerë të ndryshëm, abuzimit me drogën dhe teprimit me alkoolin, dhe kështu nuk rrezikon vdekjen e parakohshme. Rruga që ndjek e çon drejt jetës.
Kurse, vini re si thuhet për atë që nuk ka gjykim të thellë: «Jehovai do ta shembë shtëpinë e atyre që lartësojnë veten, por do të caktojë kufijtë e pronës së një vejushe. Planet e njeriut të keq janë të pështira për Jehovain, por fjalët e këndshme janë të pastra. Kush nxjerr përfitim të padrejtë, fut në telashe shtëpinë e vet, por kush i urren ryshfetet, do të jetojë.»—Proverbat 15:25-27.
Duke na treguar se si të shmangim një grackë të zakonshme, mbreti i Izraelit thotë: «Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet, ndërsa goja e të ligjve dërdëllit gjëra të këqija.» (Proverbat 15:28) Sa e dobishme kjo këshillë! Përgjigjet pa kuptim që dalin nga goja pa u menduar, zor se sjellin ndonjë të mirë. Nëse marrim parasysh faktorë të ndryshëm që mund të kenë lidhje me një çështje të caktuar, përfshirë edhe rrethanat e ndjenjat e të tjerëve, ka më pak mundësi të themi diçka për të cilën mund të pendohemi më vonë.
Po, çfarë dobie kemi nëse i frikësohemi Perëndisë dhe e pranojmë disiplinën e tij? Njeriu i mençur përgjigjet: «Jehovai është larg të ligjve, por dëgjon lutjen e të drejtëve.» (Proverbat 15:29) Perëndia i vërtetë nuk i qëndron afër të ligut. Bibla thotë: «E pështirë është lutja e atij që e largon veshin për të mos dëgjuar ligjin.» (Proverbat 28:9) Ata që i frikësohen Perëndisë dhe përpiqen të bëjnë atë që është e drejtë në sytë e tij, mund t’i afrohen atij lirshëm, të sigurt se do t’i dëgjojë.
Çfarë na e «gëzon zemrën»?
Duke bërë një krahasim që të vë në mendime, Solomoni thotë: «Shndritja e syve e gëzon zemrën; një lajm i mirë i majm kockat.» (Proverbat 15:30) Kockat ‘majmen’ kur mbushen me palcë. Kjo përtërin gjithë trupin dhe gëzon zemrën. Dhe gëzimi i zemrës pasqyrohet në shndritjen e syve. I tillë është efekti i lajmit të mirë.
A nuk na jep zemër kjo përhapje mbarëbotërore e adhurimit të Jehovait?! Kur dëgjojmë për gjithë këtë zgjerim të veprës së predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve, nxitemi vërtet të japim më shumë në shërbim. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Përvojat e atyre që e bëjnë Jehovain Perëndinë e tyre dhe pranojnë adhurimin e pastër, na e mbushin zemrën me gëzim. Duke qenë se «lajmi i mirë nga një vend i largët» ka një ndikim të fuqishëm, është mjaft e rëndësishme të jemi të saktë dhe të ndërgjegjshëm kur raportojmë për shërbimin që bëjmë.—Proverbat 25:25.
«Para lavdisë është përulësia»
Duke theksuar vlerën e pranimit të disiplinës që vjen në forma të ndryshme, mbreti i mençur thotë: «Veshi që e dëgjon qortimin jetëdhënës, gjen strehë pikërisht mes të mençurve. Kush i shmanget disiplinës, përçmon shpirtin e vet, por kush e dëgjon qortimin, fiton një zemër me kuptueshmëri.» (Proverbat 15:31, 32) Qortimi ose disiplina arrin në zemër dhe e korrigjon atë, duke i dhënë individit kuptueshmëri. S’është çudi që është pikërisht «shkopi i disiplinës» ai që largon ‘marrëzinë e lidhur me zemrën e një djali’. (Proverbat 22:15) Ai që ia vë veshin disiplinës fiton gjithashtu edhe zemër, domethënë, motivin e duhur. Nga ana tjetër, të shmangësh disiplinën do të thotë t’i thuash jo jetës.
Nxjerrim vërtet dobi nëse e mirëpresim disiplinën e mençurisë dhe e pranojmë me përulësi. Kjo na çon jo vetëm drejt kënaqësisë, përparimit, gëzimit dhe arritjes, por edhe drejt lavdisë e jetës. Proverbat 15:33 përfundojnë me fjalët: «Frika nga Jehovai është disiplinë drejt mençurisë, dhe para lavdisë është përulësia.»
[Shënimi]
a Për një shqyrtim të hollësishëm të Proverbave 15:1-15, shih Kullën e Rojës të 1 korrikut 2006, faqet 13-16.
[Figura në faqen 17]
Atmosfera e ngrohtë në një familje është më e dëshirueshme sesa bollëku i ushqimeve të zgjedhura
[Figura në faqen 18]
Edhe pse mund të kemi kufizime, qëndrimi pozitiv na ndihmon të fitojmë njohuri
[Figura në faqen 19]
Të folurit në mirëbesim është një shkëmbim i sinqertë mendimesh dhe ndjenjash
[Figura në faqen 20]
A e dini në ç’kuptim «një lajm i mirë i majm kockat»?