«Shërim për kërthizën»
BESOHET se një numër i madh i sëmundjeve te njerëzit shkaktohet nga strese të tilla emocionale, si: frika, brenga, smira, mllefi, urrejtja dhe faji. Duke pasur parasysh këtë, sa ngushëlluese është deklarata e Biblës se ‘frika e Jehovait’ është «shërim për kërthizën dhe freskim për kockat»!—Proverbat [Fjalët e urta] 3:7, 8, BR.
Kockat janë struktura mbështetëse e trupit. Kështu, Bibla e përdor fjalën «kockat» në mënyrë metaforike, për të përfaqësuar qenien e një personi, veçanërisht kur ndikohet nga ndjenja dhe emocione të thella. Por, në ç’mënyrë frika e Jehovait është «shërim për kërthizën»?
Studiuesit biblikë kanë opinione të ndryshme për sa i përket përmendjes së ‘kërthizës’ në këtë fragment. Një komentues thotë se, meqë gjendet në «pjesën qendrore të trupit», ‘kërthiza’ mund të jetë përfaqësuese e të gjitha organeve jetësore. Një studiues tjetër sugjeron se fjala ‘kërthizë’ mund të nënkuptojë kordonin e kërthizës, siç është përdorur tek Ezekieli 16:4. Nëse është kështu, te Proverbat 3:8 mund të jetë duke u theksuar nevoja për të qenë plotësisht të varur nga Perëndia, ashtu si një fetus i pambrojtur është tërësisht i varur nga nëna e tij për ushqim. Një ide tjetër është se këtu ‘kërthiza’ mund t’u referohet muskujve dhe tendineve të trupit. Në kontekstin e këtij vargu, ndoshta këto pjesë vihen në kontrast me «kockat», të cilat janë pjesët më të forta të trupit.
Cilado qoftë domethënia specifike, një gjë është e sigurt: shfaqja e frikës përnderuese ndaj Jehovait është gjëja më e mençur. Përputhja me normat e Perëndisë mund t’i kontribuojë mirëqenies sonë fizike tani. Për më tepër, mund të sjellë mbi ne favorin e Jehovait, dhe kjo do të na çojë në jetën e pafundme me shëndet të përsosur fizik dhe emocional, në botën e tij të re që po vjen.—Isaia 33:24; Zbulesa 21:4; 22:2.
[Burimi i figurës në faqen 32]
Dr. G. Moscoso/SPL/Photo Researchers