Të kultivojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain
«AFROHUNI te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve»,—shkroi dishepulli Jakov. (Jakobit 4:8) Gjithashtu, psalmisti David këndoi: «Marrëdhënia e ngushtë me Jehovain u përket atyre që i druhen atij.» (Psalmi 25:14, BR) Qartë, Perëndia Jehova dëshiron që ne të kemi një marrëdhënie të ngushtë me të. Por, jo çdokush që adhuron Perëndinë e që u bindet ligjeve të tij, ndihet medoemos afër tij.
Po ti? A ke një marrëdhënie të ngushtë personale me Perëndinë? Pa dyshim që dëshiron t’i afrohesh më shumë atij. Si mund të kultivojmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë? Çfarë do të nënkuptonte kjo për ne? Përgjigjet i gjejmë në kapitullin e tretë të librit biblik të Proverbave (Fjalët e urta).
Të shfaqim dashamirësi të dashur dhe vërtetësi
Mbreti Solomon i Izraelit të lashtë e fillon kapitullin e tretë të Proverbave me fjalët: «Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.» (Fjalët e urta 3:1, 2) Meqë Solomoni shkroi nën frymëzimin hyjnor, kjo këshillë atërore në të vërtetë vjen nga Perëndia Jehova dhe na drejtohet ne. Këtu na jepet këshilla për t’iu përmbajtur përkujtesave të Perëndisë—ligjit ose mësimit të tij dhe urdhërimeve të tij—të dokumentuara në Bibël. Nëse veprojmë kështu, «do të [na] shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje». Po, që tani ne mund të gëzojmë një jetë paqësore dhe mund të shmangim aktivitetet të cilat na vënë përballë rrezikut të vdekjes së parakohshme, që shpesh u kanoset keqbërësve. Për më tepër, mund të ushqejmë shpresën e jetës së përhershme në një botë të re paqësore.—Fjalët e urta 1:24-31; 2:21, 22.
Në vazhdim, Solomoni thotë: «Mirësia dhe e vërteta [dashamirësia e dashur dhe vërtetësia, BR] mos të lënçin kurrë! Lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate dhe do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve.»—Fjalët e urta 3:3, 4.
Në gjuhën origjinale, fjala për «dashamirësi të dashur» përkthehet ndryshe «dashuri besnike» dhe përfshin devocionin, solidaritetin e besnikërinë. A jemi të vendosur për të qëndruar të lidhur ngushtë me Jehovain, çfarëdo që të ndodhë? A shfaqim dashamirësi të dashur në marrëdhëniet tona me bashkëbesimtarët? A përpiqemi të qëndrojmë afër tyre? Në marrëdhëniet e përditshme me ta, a e mbajmë ‘ligjin e dashamirësisë së dashur mbi gjuhën tonë’ edhe kur gjendemi në situata sprovuese?—Proverbat 31:26, BR.
Duke pasur dashamirësi të dashur me bollëk, Jehovai është ‘i gatshëm të falë’. (Psalmi 86:5) Nëse jemi penduar për mëkatet e kaluara dhe po i bëjmë të drejta shtigjet për këmbët tona, jemi të siguruar se nga Jehovai do të vijnë mbi ne «kohët e flladit». (Veprat 3:19) A nuk duhet të imitojmë Perëndinë tonë, duke i falur të tjerët për shkeljet e tyre?—Mateu 6:14, 15.
Jehovai është «Perëndia i së vërtetës» dhe dëshiron «vërtetësi» nga ata që kërkojnë një marrëdhënie të ngushtë me të. (Psalmi 31:5) A mund të presim me të vërtetë që Jehovai të jetë Miku ynë, nëse bëjmë një jetë të dyfishtë, duke vepruar në njëfarë mënyre kur jemi me të krishterë të tjerë dhe në një mënyrë tjetër kur ata nuk na shohin, ashtu si ‘njerëzit gënjeshtarë’ që e fshehin se çfarë lloj personash janë? (Psalmi 26:4) Sa e pamend do të ishte kjo, duke ditur se «të gjitha [gjërat, BR] janë lakuriq dhe të zbuluara para syve» të Jehovait!—Hebrenjve 4:13.
Dashamirësia e dashur dhe vërtetësia duhen vlerësuar si një gjerdan i çmuar ‘i lidhur rreth qafës’, sepse na ndihmojnë të ‘gjejmë hir në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve’. Jo vetëm që duhet t’i shfaqim këto cilësi nga jashtë, por edhe t’i gdhendim ‘mbi tabelën e zemrës sonë’, duke i bërë pjesë të pandashme të personalitetit tonë.
Të kultivojmë besim të patundur te Jehovai
Mbreti i mençur vazhdon: «Ki besim te Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd. Pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.»—Fjalët e urta 3:5, 6.
Patjetër që Jehovai meriton besimin tonë të plotë. Duke qenë Krijuesi, ai është «energjik në fuqi» dhe Burimi i «energjisë dinamike». (Isaia 40:26, 29, BR) Ai është në gjendje të plotësojë gjithçka që ka vënë për qëllim. Në fakt, vetë emri i tij ka kuptimin «Ai shkakton të bëhet» dhe kjo gjë na e shton sigurinë te aftësia e tij për të përmbushur atë që ka premtuar. Fakti që «është e pamundur që Perëndia të gënjejë» e bën atë vetë personifikimin e së vërtetës. (Hebrenjve 6:18) Cilësia e tij mbizotëruese është dashuria. (1. Gjonit 4:8) Ai është «i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës [besnik, BR] në të gjitha veprat e tij». (Psalmi 145:17) Nëse nuk mund t’i besojmë Perëndisë, kujt mund t’i besojmë? Patjetër, për të kultivuar besimin tek ai, ne duhet të ‘provojmë dhe ta shohim sa i mirë është Zoti’, duke e praktikuar atë që mësojmë nga Bibla në jetën tonë personale dhe pastaj duke medituar për të mirën që sjell kjo.—Psalmi 34:8.
Si mund ta ‘pranojmë Zotin në të gjitha rrugët tona’? Psalmisti i frymëzuar thotë: «Do të mendohem thellë për veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua [mënyrën tënde të të vepruarit, BR].» (Psalmi 77:12) Meqë Perëndia është i padukshëm, meditimi për veprat e tij të mëdha dhe për mënyrën e të vepruarit me popullin e tij është jetësor për të kultivuar një marrëdhënie të ngushtë me të.
Lutja është, gjithashtu, një mënyrë e rëndësishme për ta pranuar Jehovain në rrugët tona. Mbreti David vazhdoi ta thërriste Jehovain «tërë ditën». (Psalmi 86:3) Shpesh Davidi lutej gjatë gjithë natës, si në rastin kur ishte një ikanak në shkretëtirë. (Psalmi 63:6, 7) «Vazhdoni të luteni në çdo rast në frymë»,—bëri thirrje apostulli Pavël. (Efesianëve 6:18, BR) Sa shpesh lutemi? A kënaqemi që kemi një komunikim të sinqertë personal me Perëndinë? Kur përballojmë situata sfiduese, a i lutemi atij për ndihmë? A kërkojmë në lutje udhëheqjen e tij para se të marrim vendime të rëndësishme? Lutjet tona të sinqerta që i drejtohen Jehovait na bëjnë më të dashur për të. Veç kësaj, kemi sigurinë se ai do ta dëgjojë lutjen tonë dhe ‘do t’i drejtojë shtigjet tona’.
Sa marrëzi është të ‘mbështetemi në gjykimin tonë’ ose në atë të njerëzve të shquar në botë, kur mund të vëmë besim të plotë te Jehovai! «Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu»,—thotë Solomoni. Përkundrazi, ai këshillon: «Ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja. Ky do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua.» (Fjalët e urta 3:7, 8) Druajtja e shëndetshme se mos i shkaktojmë pakënaqësi Perëndisë duhet të drejtojë të gjitha veprimet, mendimet dhe ndjenjat tona. Një druajtje e tillë përnderuese na bën që të përmbahemi për të mos bërë të keqen dhe është shëruese e freskuese frymësisht.
T’i japim më të mirën tonë Jehovait
Cila është një mënyrë tjetër për t’ju afruar Perëndisë? «Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke»,—udhëzon mbreti. (Fjalët e urta 3:9) Të nderosh Jehovain do të thotë të tregosh respekt të thellë për të dhe ta lartësosh publikisht duke mbështetur dhe duke marrë pjesë në shpalljen publike të emrit të tij. Pasuria me të cilën nderojmë Jehovain është koha jonë, talentet tona, forca jonë dhe gjërat materiale që kemi. Këto duhet të jenë prodhime të para, domethënë më e mira që kemi. Mënyra se si i përdorim burimet personale a nuk duhet të pasqyrojë vendosmërinë tonë për të vazhduar ‘së kërkuari para së gjithash mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’?—Mateu 6:33.
Nderimi i Jehovait me pasurinë tonë nuk mbetet i pashpërblyer. «Hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot,—siguron Solomoni,—dhe vozat e tua do të gufojnë me musht.» (Fjalët e urta 3:10) Ndonëse në vetvete begatia frymore nuk sjell begati materiale, përdorimi bujar i të ardhurave tona për të nderuar Jehovain sjell bekime të mëdha. Për Jezuin, bërja e vullnetit të Perëndisë ishte një ‘ushqim’ që e mbante. (Gjoni 4:34) Në mënyrë të ngjashme, pjesëmarrja në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve,—vepër që lavdëron Jehovain,—na ushqen. Nëse këmbëngulim në këtë vepër, hambarët tanë frymorë do të jenë të mbushur plot e përplot. Gëzimi ynë, i simbolizuar nga mushti, do të gufojë.
Por, gjithashtu, a nuk i drejtohemi dhe a nuk i lutemi Jehovait që të kemi ushqim të mjaftueshëm material çdo ditë? (Mateu 6:11) Çdo gjë që zotërojmë, në fakt vjen nga Ati ynë i dashur qiellor. Jehovai do të derdhë bekime të mëtejshme në varësi të masës që ne përdorim pasurinë tonë për lavdi të tij.—1. Korintasve 4:7.
Ta mirëpresim disiplinën e Jehovait
Duke vërejtur rëndësinë që ka disiplina për të fituar një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, mbreti i Izraelit na këshillon: «Disiplinën e Jehovait, o biri im, mos e hidh poshtë dhe mos e ki neveri qortimin e tij, sepse Jehovai qorton atë që do, ashtu si bën një atë me birin në të cilin gjen kënaqësi.»—Proverbat 3:11, 12, BR.
Gjithsesi, mund të mos e kemi të lehtë ta pranojmë disiplinën. «Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, por hidhërim,—shkroi apostulli Pavël,—por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të saj.» (Hebrenjve 12:11) Qortimi dhe disiplina janë pjesë e nevojshme e stërvitjes që na afron më shumë me Perëndinë. Korrigjimi që vjen nga Jehovai, qoftë që e marrim nga prindërit ose nëpërmjet kongregacionit të krishterë, qoftë që e marrim me anë të meditimit rreth Shkrimeve gjatë studimit tonë personal, është një shprehje e dashurisë që ka ai për ne. Është e mençur ta mirëpresim këtë korrigjim.
Të mbahemi fort pas mençurisë dhe aftësisë shquese
Më tej, Solomoni thekson rëndësinë që ka mençuria dhe aftësia shquese për të kultivuar një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Ai deklaron: «Lum njeriu që ka gjetur diturinë [mençurinë, BR] dhe njeriu që ka përfituar arsyen [aftësinë shquese, BR], sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar. . . . Është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.»—Fjalët e urta 3:13-18.
Duke na kujtuar se si është shfaqur mençuria dhe aftësia shquese e Jehovait në veprat e mrekullueshme të krijimit, mbreti thotë: «Me diturinë [mençuri, BR] Zoti krijoi tokën. Me zgjuarsinë [aftësi shquese, BR] i bëri të qëndrueshëm qiejtë. . . . Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë [mençurinë praktike, BR] dhe të menduarit dhe ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde.»—Fjalët e urta 3:19-22.
Mençuria dhe aftësia shquese janë cilësi hyjnore. Jo vetëm që duhet t’i kultivojmë ato, por edhe duhet të mbahemi fort pas tyre, duke mos e lënë kurrë pas dore studimin e zellshëm të Shkrimeve dhe zbatimin e asaj që mësojmë. «Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde,—vazhdon Solomoni,—dhe këmba jote nuk do të pengohet.» Ai shton: «Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël.»—Fjalët e urta 3:23, 24.
Tamam, ne mund të ecim të sigurt e të flemë me paqe mendore ndërsa presim afrimin e befasishëm të ditës së ‘shkatërrimit të papritur’ të botës së ligë të Satanait. (1. Thesalonikasve [1. Selanikasve] 5:2, 3, BR; 1. Gjonit 5:19) Madje edhe gjatë mjerimit të madh që po afron, ne mund të kemi këtë siguri: «Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë. Sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak.»—Fjalët e urta 3:25, 26; Mateu 24:21.
Të bëjmë atë që është e mirë
«Mos i refuzo të mirën atij që i takon,—këshillon Solomoni,—kur e ke në dorë ta bësh.» (Fjalët e urta 3:27) T’u bëjmë të mirën të tjerëve përfshin të përdorim bujarisht gjërat tona të vlefshme për dobinë e tyre dhe kjo ka shumë aspekte. Por, a ka ndonjë gjë më të mirë që mund të bëjmë për të tjerët gjatë kësaj ‘kohe të mbarimit’, sesa t’i ndihmojmë të fitojnë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë e vërtetë? (Danieli 12:4) Prandaj, këto janë ditë për të treguar zell në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve.—Mateu 28:19, 20.
Gjithashtu, mbreti i mençur radhit disa praktika që duhen shmangur, duke thënë: «Mos i thuaj të afërmit tënd: ‘Shko dhe kthehu, do të të jap nesër’, kur e ke me vete gjënë e nevojshme. Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty. Mos bëj padi kundër askujt pa shkak po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe. Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij.»—Fjalët e urta 3:28-31.
Duke përmbledhur arsyen se përse jep këtë këshillë, Solomoni thotë: «Sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij [marrëdhënia e ngushtë me të, BR] është për njerëzit e ndershëm. Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve. Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal [u tregon favor, BR] të përvuajturit. Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia [çnderimi, BR] do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.»—Fjalët e urta 3:32-35.
Nëse duam të gëzojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, nuk duhet të kurdisim plane mashtruese dhe të dëmshme. (Fjalët e urta 6:16-19) Vetëm nëse bëjmë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë, do të kemi favorin dhe bekimin e tij. Gjithashtu, mund të na jepet nderim aty ku nuk e presim, kur të tjerët të vërejnë se ne veprojmë në harmoni me mençurinë hyjnore. Pra, le t’i refuzojmë rrugët mashtruese të kësaj bote të ligë e të dhunshme! Në fakt, le të ndjekim një drejtim të ndershëm dhe të kultivojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain!
[Figurat në faqen 25]
‘Nderoje Jehovain me pasurinë tënde’