A po e përdor me mençuri imagjinatën?
PESHON vetëm afro 1 kile e gjysmë, por është quajtur «gjëja më e ndërlikuar që kemi zbuluar deri tani në univers». Çfarë është? Truri i njeriut, që të lë vërtet pa fjalë. Sa më shumë të mësojmë për të, aq më tepër do të na thellohet çmueshmëria për veprat ‘e mrekullueshme’ të Jehovait. (Psal. 139:14) Le të shohim vetëm një nga aftësitë e shumta të trurit: imagjinatën. Ç’është imagjinata?
Një fjalor e përkufizon si «aftësia për të krijuar në mend përfytyrime a ide për gjëra të reja dhe interesante ose për gjëra që nuk i ke përjetuar». Kur mendon për këtë përkufizim, a nuk je dakord se e përdorim goxha shpesh imagjinatën? Për shembull, mbase ke lexuar a ke dëgjuar për një vend ku s’ke vajtur ndonjëherë. A të pengoi kjo ta përfytyroje?! Vërtet, sa herë që mendojmë për diçka që nuk mund ta shohim, ta dëgjojmë, ta shijojmë, ta prekim ose ta nuhatim, futet në punë imagjinata.
Bibla na ndihmon të kuptojmë se njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. (Zan. 1:26, 27) A nuk tregon kjo se, në njëfarë kuptimi, edhe Jehovai ka imagjinatë? Përderisa e ka parë të udhës të na krijojë me këtë aftësi, pret me të drejtë ta përdorim që të dallojmë cili është vullneti i tij. (Ekl. 3:11) Si mund ta përdorim me mençuri imagjinatën që ta bëjmë këtë? Cilat përdorime të pamenda të saj duhet të shmangim?
PËRDORIME TË PAMENDA TË IMAGJINATËS
(1) Kur ëndërron në momentin e gabuar ose për gjëra të gabuara.
Të ëndërrosh nuk ka ndonjë të keqe në vetvete. Në fakt, ka dëshmi që tregojnë se kjo mund të jetë e dobishme. Gjithsesi, Eklisiastiu 3:1 na ndihmon të kuptojmë se «për çdo gjë ka një kohë të caktuar», prandaj mund të ndodhë të merremi me diçka në momentin e gabuar. Për shembull, nëse lejojmë që mendja të na hallakatet gjatë mbledhjeve ose studimit personal të Biblës, a të bëhet pengesë imagjinata apo të ndihmon? Edhe Jezui dha një paralajmërim serioz se sa e rrezikshme është ta lejojmë mendjen të ushqejë ide të gabuara, siç janë fantazitë imorale. (Mat. 5:28) Disa nga gjërat që mund t’i lejojmë vetes të imagjinojë do ta fyenin rëndë Jehovain. Fantazitë imorale mund të jenë një hap drejt veprimeve imorale. Ji i vendosur të mos lejosh kurrë që imagjinata të të largojë nga Jehovai!
(2) Kur përfytyron sikur pasuritë të sjellin siguri të qëndrueshme.
Gjërat materiale janë të nevojshme dhe na hyjnë në punë. Ama, është e sigurt se do të mbetemi të zhgënjyer po të imagjinojmë se ato na sjellin siguri dhe lumturi të vërtetë. Solomoni i mençur shkroi: «Gjërat me vlerë janë si një qytet i fortë për të pasurin dhe në imagjinatën e tij ato janë si një mur mbrojtës.» (Prov. 18:11) Të mendojmë për shembull çfarë ndodhi në shtator 2009, kur mbi 80 për qind e sipërfaqes së Manilës në Filipine u përmbyt nga shirat e rrëmbyera. A shpëtuan ata që kishin shumë pasuri? Një i pasur që pësoi shumë humbje tha: «Përmbytja nuk bëri asnjë dallim. Ajo solli vështirësi e vuajtje si për të varfrit, edhe për të pasurit.» Mund të jetë e lehtë të imagjinojmë sikur gjërat materiale japin mbrojtje dhe siguri të vërtetë. Por në realitet nuk është aspak kështu.
(3) Kur shqetësohesh më kot për gjëra që mund të mos ndodhin kurrë.
Jezui na këshilloi të mos jemi «në ankth» së tepërmi. (Mat. 6:34) Kush shqetësohet pareshtur për çdo gjë e vë goxha në punë imagjinatën. Fare lehtë mund të harxhojmë shumë energji duke u shqetësuar për probleme imagjinare, domethënë për probleme që ende nuk janë shfaqur ose që mund të mos ndodhin kurrë. Shkrimet tregojnë se një ankth i tillë mund të sjellë shkurajim, e madje depresion. (Prov. 12:25) Sa e rëndësishme është t’ia vëmë veshin këshillës së Jezuit, pra të mos merakosemi tepër dhe t’u bëjmë ballë shqetësimeve të çdo dite kur t’i hasim vërtet.
PËRDORIME TË MENÇURA TË IMAGJINATËS
(1) Kur parashikon situatat e rrezikshme dhe i shmang.
Shkrimet na nxitin të jemi mendjehollë dhe largpamës. (Prov. 22:3) Duke përdorur imagjinatën, mund të peshojmë pasojat e mundshme të një vendimi para se ta marrim. Për shembull, nëse të kanë ftuar në një rast shoqëror, si mund të të ndihmojë imagjinata të marrësh një vendim të mençur nëse do të shkosh apo jo? Pasi të peshosh faktorë të tillë, si cilët janë ftuar, sa veta do të jenë dhe ku e kur do të zhvillohet aktiviteti, mendo: «Si mund të venë gjërat?» A ka arsye të imagjinosh se do të jetë një rast i bukur, në harmoni me parimet e Biblës? Falë këtij meditimi mund ta përfytyrosh atë rast shoqëror. Kur vë në punë imagjinatën për të marrë vendime të mençura, mund të shmangësh situatat që të dëmtojnë marrëdhënien me Jehovain.
(2) Kur bën prova me mend si t’i përballosh problemet e vështira.
Imagjinata përfshin edhe «aftësinë që të përballesh me një problem e t’i japësh rrugë». Ta zëmë se ke pasur një keqkuptim me dikë në kongregacion. Si do të flasësh me vëllanë a motrën që të përpiqesh të rivendosësh paqen? Ka një sërë faktorësh që duhen peshuar. Si komunikon zakonisht ai ose ajo? Kur është më e përshtatshme të flas për problemin? Çfarë fjalësh ose toni zëri është më mirë të përdor? Duke e vënë në punë imagjinatën, mund të provosh me mend disa mënyra si ta përballosh situatën. Pastaj mund të zgjedhësh mënyrën që të duket më e efektshme dhe që do të pritet më mirë. (Prov. 15:28) Kur mendon mirë si ta zgjidhësh një situatë të vështirë, do të nxitësh paqen në kongregacion. S’diskutohet që ky është një përdorim i mirë i imagjinatës.
(3) Kur pasuron leximin dhe studimin personal të Biblës.
Është jetësore ta lexojmë Biblën çdo ditë. Por nuk mjafton thjesht të lexojmë një numër faqesh. Duhet të dallojmë mësimet praktike që gjejmë në Bibël dhe të motivohemi t’i zbatojmë në jetën tonë. Leximi i Biblës duhet të na thellojë çmueshmërinë për udhët e Jehovait. Për këtë mund të na ndihmojë imagjinata. Si? Të marrim për shembull botimin Imitoni besimin e tyre. Tregimet e këtij libri mund të na ndezin imagjinatën, pasi na ndihmojnë të përfytyrojmë rrethanat dhe prejardhjen e personazheve të Biblës. Falë tyre shohim pamje, dëgjojmë tinguj, nuhatim aroma dhe dallojmë ndjenjat e personazheve. Si rrjedhojë nxjerrim mësime të bukura dhe mendime inkurajuese nga disa tregime biblike që ndoshta mendonim se i njihnim në majë të gishtave. Po ta përdorim imagjinatën në këtë mënyrë, do ta pasurojmë vërtet leximin dhe studimin personal të Biblës.
(4) Kur kultivojmë dhe shfaqim empati.
Empatia është një cilësi e bukur që përfshin të ndiejmë dhembjen e tjetrit në zemrën tonë. Meqë Jehovai dhe Jezui tregojnë empati, bëjmë mirë t’i imitojmë. (Dal. 3:7; Psal. 72:13) Si mund ta zhvillojmë këtë cilësi? Një nga mënyrat më të efektshme për të kultivuar empatinë është të përdorim imagjinatën. Mbase nuk e ke përjetuar kurrë atë që po kalon një vëlla a motër në kongregacion. Sidoqoftë, mund të pyesësh veten: «Si do të ndihesha po të isha në atë situatë? Për çfarë do të kisha nevojë?» Nëse vëmë në punë imagjinatën që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, mund të kemi më shumë empati ose dhembshuri. Vërtet, kur shfaqim empati, kjo do të ndikojë për mirë në çdo aspekt të jetës së krishterë, përfshirë shërbimin dhe marrëdhëniet me bashkëbesimtarët.
(5) Kur shohim me sytë e mendjes si do të jetojmë në botën e re.
Shkrimet janë plot me hollësi të gjalla që përshkruajnë jetën në botën e re që ka premtuar Perëndia. (Isa. 35:5-7; 65:21-25; Zbul. 21:3, 4) Botimet tona u bashkojnë këtyre përshkrimeve shumë piktura të bukura. Pse vallë? Se figurat na ushqejnë imagjinatën dhe na ndihmojnë ta shohim veten duke shijuar bekimet e premtuara. Jehovai, Krijuesi i imagjinatës, e di më mirë se kushdo sa e fuqishme është kjo aftësi. Kur e vëmë në punë që të bluajmë në mend premtimet e tij, kjo na mbush me besim se ato do të plotësohen dhe na ndihmon të qëndrojmë besnikë ndërsa hasim sfida në jetë.
Jehovai na ka dhuruar me dashuri aftësinë e mrekullueshme të imagjinatës. Ajo mund të jetë vërtet një ndihmë që t’i shërbejmë mirë dita-ditës. Le të tregojmë mirënjohje për Dhënësin e kësaj dhurate fantastike duke e përdorur me mençuri çdo ditë.