KAPITULLI GJASHTË
Ndihmojini adoleshentët të rriten të mbarë
1, 2. Çfarë sfidash dhe gëzimesh mund të sjellin vitet e adoleshencës?
TË KESH në shtëpi një adoleshent është krejt ndryshe se të kesh një pesë apo dhjetëvjeçar. Vitet e adoleshencës sjellin sfidat dhe problemet e tyre, por ato mund të sjellin edhe gëzime dhe shpërblime. Shembuj të tillë, si Jozefi, Davidi, Josia dhe Timoteu, tregojnë se të rinjtë mund të veprojnë me përgjegjësi dhe të kenë një marrëdhënie të shkëlqyer me Jehovain. (Zanafilla 37:2-11; 1. Samuelit 16:11-13; 2. Mbretërve 22:3-7; Veprat 16:1, 2) Shumë adoleshentë sot provojnë të njëjtën gjë. Ka të ngjarë që ju të njihni disa prej tyre.
2 Megjithatë, për disa, vitet e adoleshencës janë të trazuara. Adoleshentët provojnë të përpjeta dhe të tatëpjeta emocionale. Djemtë dhe vajzat adoleshente dëshirojnë mbase të jenë më të pavarur dhe ndoshta mund të ndihen të mërzitur prej kufizimeve që u kanë vënë prindërit. Por këta të rinj janë ende pa përvojë dhe kanë nevojë për ndihmën e dashur e të durueshme të prindërve të tyre. Po, vitet e adoleshencës mund të jenë të vrullshme, por mund të jenë edhe të rrëmujshme, si për prindërit dhe për adoleshentët. Si mund të ndihmohen të rinjtë gjatë këtyre viteve?
3. Në ç’mënyrë prindërit mund t’u japin pasardhësve të tyre adoleshentë një mundësi të shkëlqyer në jetë?
3 Prindërit që ndjekin këshillat e Biblës u japin pasardhësve të tyre adoleshentë rastin më të mirë të mundshëm për të shkuar përpara me sukses përmes këtyre sprovave, derisa të bëhen të rritur me përgjegjësi. Në çdo vend dhe gjatë cilësdo periudhë kohore, prindërit dhe adoleshentët që kanë zbatuar parimet biblike kanë qenë të bekuar me sukses.—Psalmi 119:1.
KOMUNIKIM I NDERSHËM DHE I HAPUR
4. Përse të folurit me mirëbesim është veçanërisht i rëndësishëm gjatë viteve të adoleshencës?
4 Bibla thotë: «Planet prishen aty ku nuk ka të folur me mirëbesim.» (Proverbat 15:22, BR) Nëse të folurit me mirëbesim ishte i nevojshëm kur fëmijët ishin më të vegjël, ai është veçanërisht jetësor gjatë viteve të adoleshencës, kur ka shumë të ngjarë që të rinjtë të kalojnë më pak kohë në shtëpi dhe më shumë me shokët e shkollës apo me bashkëmoshatarë të tjerë. Nëse nuk ka të folur me mirëbesim, nëse nuk ka komunikim të ndershëm e të hapur ndërmjet fëmijëve dhe prindërve, adoleshentët mund të bëhen të huaj në shtëpi. Prandaj, si mund të mbahen të hapura rrugët e komunikimit?
5. Si janë të inkurajuar adoleshentët që të konsiderojnë çështjen e komunikimit me prindërit e tyre?
5 Si adoleshentët dhe prindërit duhet të luajnë rolet e tyre. Vërtet, gjatë kësaj periudhe adoleshentët mund ta kenë më të vështirë të flasin me prindërit, se më parë kur ishin më të vegjël. Megjithatë, mos harroni se «pa një udhëheqje të urtë populli bie, por gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve». (Proverbat 11:14) Këto fjalë vlejnë për të gjithë, për të rinjtë dhe për të vjetrit. Adoleshentët që e kanë të qartë këtë, do ta kuptojnë se ata ende kanë nevojë për drejtim të aftë, pasi po përballojnë probleme shumë të ndërlikuara se më parë. Ata duhet të pranojnë se prindërit e tyre besimtarë kanë aftësi të mira si këshilltarë, sepse janë me më shumë përvojë në jetë dhe e kanë provuar kujdesin e tyre të dashur në rrjedhën e shumë viteve. Prandaj, në këtë moment të jetës së tyre, adoleshentët e mençur nuk do të largohen prej prindërve të tyre.
6. Çfarë qëndrimi do të kenë prindërit e mençur e të dashur në lidhje me komunikimin me fëmijët e tyre adoleshentë?
6 Komunikimi i hapur do të thotë që prindi duhet të përpiqet shumë për të qenë i gatshëm kur adoleshenti të ndiejë nevojën për të folur. Nëse je një prind, ki kujdes që komunikimi të jetë i hapur të paktën nga ana jote. Kjo mund të mos jetë e lehtë. Bibla thotë se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». (Eklisiastiu 3:7) Kur adoleshenti mendon se është koha për të folur, ndoshta kjo mund të jetë koha që ti të heshtësh. Ndoshta ti mund ta kesh rezervuar atë kohë për studimin personal, për t’u çlodhur apo për të bërë ca punë shtëpie. Gjithsesi, nëse adoleshenti dëshiron të flasë me ty, përpiqu t’i rregullosh planet e ta dëgjosh. Përndryshe, ai mund të mos e marrë më mundimin. Mos harro shembullin e Jezuit. Në një rast, ai kishte programuar ca kohë për të pushuar. Por, kur njerëzit u grumbulluan përreth për ta dëgjuar, ai e la pushimin e nisi t’i mësonte. (Marku 6:30-34) Shumica e adoleshentëve e dinë që prindërit e tyre bëjnë një jetë të ngarkuar, por ata kanë nevojë për sigurinë se prindërit do të jenë atje nëse do të lindë nevoja. Prandaj, tregohuni të gatshëm e të kuptueshëm.
7. Çfarë duhet të shmangin prindërit?
7 Përpiquni të mos harroni se si ndiheshit ju kur ishit adoleshentë dhe mos humbisni ndjenjën e humorit! Prindërit duhet të ndihen të kënaqur kur janë me fëmijët e tyre. Kur kanë kohë të lirë në dispozicion, si e kalojnë prindërit atë? Nëse gjithmonë ata dëshirojnë ta përdorin kohën e tyre të lirë për të bërë gjëra që s’kanë të bëjnë me familjen, adoleshentët do ta vërejnë këtë me shpejtësi. Nëse adoleshentët arrijnë në përfundimin se shokët e shkollës mendojnë për ta më shumë se prindërit, është e sigurt se do të kenë probleme.
PËR ÇFARË TË KOMUNIKONI?
8. Si mund të nguliten te fëmijët çmueshmëria për ndershmërinë dhe për punën e vështirë?
8 Nëse prindërit nuk kanë ngulitur akoma te fëmijët e tyre çmueshmërinë për ndershmërinë dhe punën e vështirë, duhet ta bëjnë këtë me çdo kusht gjatë viteve të adoleshencës. (1. Selanikasve 4:11; 2. Selanikasve 3:10) Gjithashtu, ata duhet të sigurohen që fëmijët e tyre besojnë me gjithë zemër se sa e rëndësishme është të bëjnë një jetë të moralshme e të pastër. (Proverbat 20:11) Prindi komunikon shumë në këto aspekte me anë të shembullit. Ashtu si burrat jobesimtarë mund «të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre», kështu edhe adoleshentët mund të mësojnë parime të drejta nga sjellja e prindërve të tyre. (1. Pjetrit 3:1) Megjithatë, vetëm shembulli në vetvete nuk është kurrë i mjaftueshëm, pasi fëmijët gjenden edhe përballë shumë shembujve të këqinj dhe vërshimit të një propagande joshëse jashtë shtëpisë. Në këtë mënyrë, prindërit e kujdesshëm duhet të njohin pikëpamjet e adoleshentëve për ato që ata shohin e dëgjojnë dhe kjo kërkon biseda domethënëse.—Proverbat 20:5.
9, 10. Përse prindërit duhet të sigurohen që t’i mësojnë fëmijët në lidhje me çështjet seksuale dhe si mund ta bëjnë këtë?
9 Kjo gjë është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për çështje seksuale. Prindër, a ndiheni në siklet për të biseduar mbi seksin me fëmijët tuaj? Edhe nëse po, përpiquni ta bëni këtë, pasi të rinjtë tuaj patjetër do të mësojnë për këtë temë nga dikush. Nëse nuk mësojnë prej jush, kush e di se ç’informata të shtrembëra mund të marrin? Në Bibël, Jehovait nuk i ka ardhur turp të flasë për çështje me natyrë seksuale, kështu që as prindërit s’duhet të kenë.—Proverbat 4:1-4; 5:1-21.
10 Lumturisht, Bibla përmban drejtime të qarta në fushën e sjelljes seksuale dhe Shoqata Watch Tower ka botuar shumë informata të dobishme, të cilat tregojnë se këto informata gjejnë ende zbatim në botën moderne. Përse të mos e përdorni këtë ndihmë? Për shembull, përse të mos rishikoni me djalin apo vajzën tuaj kapituj të përshtatshëm në vëllimet 1 dhe 2 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike? Rezultatet e kënaqshme mund t’ju habisin.
11. Cila është një nga mënyrat më frytdhënëse për prindërit, që të mësojnë fëmijët e tyre se si t’i shërbejnë Jehovait?
11 Cila është tema më e rëndësishme për të cilën duhet të flasin prindërit dhe fëmijët? Apostulli Pavël e kishte fjalën për të, kur shkroi: «Vazhdoni të rrisni [fëmijët tuaj] në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait.» (Efesianëve 6:4, BR) Fëmijët kanë nevojë që të vazhdojnë të mësojnë për Jehovain. Veçanërisht, ata duhet të mësojnë ta duan atë dhe të kenë dëshirë t’i shërbejnë atij. Edhe në këtë rast, shembulli është një mësues i mirë. Nëse adoleshentët shohin se prindërit e tyre e duan Perëndinë ‘me gjithë zemrën e tyre, me gjithë shpirtin e tyre dhe me gjithë mendjen e tyre’ dhe se kjo gjë prodhon fryte të mira në jetën e prindërve, atëherë ata mund të ndikohen për mirë që të bëjnë po njësoj. (Mateu 22:37) Në mënyrë të ngjashme, nëse të rinjtë shohin se prindërit e tyre kanë një pikëpamje të arsyeshme për gjërat materiale, duke vënë në vend të parë Mbretërinë e Perëndisë, ata do të jenë të ndihmuar të zhvillojnë të njëjtin qëndrim mendor.—Eklisiastiu 7:12; Mateu 6:31-33.
12, 13. Cilat pika duhen mbajtur parasysh, nëse duam të kemi një studim familjar të suksesshëm?
12 Një studim familjar javor i Biblës është një ndihmë shumë e madhe për t’u komunikuar vlera frymore të rinjve. (Psalmi 119:33, 34; Proverbat 4:20-23) Rregullsia e një studimi të tillë është jetësore. (Psalmi 1:1-3) Prindërit dhe fëmijët duhet ta kuptojnë se gjërat e tjera duhet të programohen në bazë të studimit familjar e jo të ndodhë e kundërta. Për më tepër, për të pasur një studim familjar frytdhënës, është i rëndësishëm një qëndrim i duhur. Një baba tha: «Çelësi qëndron në atë se drejtuesi duhet të ushqejë një qëndrim të rehatshëm e megjithatë të respektueshëm kundrejt studimit familjar joformal, por serioz. Ekuilibri i duhur mund të mos jetë gjithmonë i lehtë për t’u arritur dhe vazhdimisht të rinjtë kanë nevojë të ndreqin qëndrimet. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë një apo dy herë, ngulmo dhe mendohu mirë për herën tjetër.» Po ky baba, tha se në lutjet e tij përpara çdo studimi, ai kërkonte në mënyrë specifike ndihmë prej Jehovait për qëndrimin e duhur nga ana e të gjithë pjesëtarëve.—Psalmi 119:66.
13 Drejtimi i studimit familjar është përgjegjësi e prindërve besimtarë. Vërtet, disa prindër mund të mos e kenë dhuntinë e mësuesit dhe për ta ndoshta është e vështirë të gjejnë mënyra për ta bërë studimin familjar interesant. Megjithatë, nësi i doni adoleshentët tuaj «me vepra dhe në të vërtetë», do të keni dëshirë t’i ndihmoni me përulësi dhe ndershmëri që të përparojnë frymësisht. (1. Gjonit 3:18) Ata mund të ankohen herë pas here, por ka të ngjarë që do të ndiejnë edhe interesin tuaj të thellë për mirëqenien e tyre.
14. Si mund të zbatohet Ligji i përtërirë 11:18, 19 kur t’u komunikojmë gjëra frymore adoleshentëve?
14 Studimi familjar nuk është rasti i vetëm për të komunikuar çështje të rëndësishme frymore. A ju kujtohet urdhri që Jehovai u dha prindërve? Ai tha: «Do t’i shtini këto fjalë në zemrën dhe në mendjen tuaj, do t’i lidhni si një shenjë në dorë dhe do të jenë si ballore midis syve; do t’ua mësoni bijve tuaj, duke u folur për to kur rrini ulur në shtëpinë tuaj, kur ecni rrugës, kur rrini shtrirë dhe kur çoheni.» (Ligji i përtërirë 11:18, 19; shiko edhe Ligji i përtërirë 6:6, 7.) Kjo s’do të thotë se prindërit duhet t’u predikojnë vazhdimisht fëmijëve të tyre. Por, një kryefamiljar i dashur duhet të jetë gjithmonë i gatshëm për të gjetur raste që ndërtojnë perspektivën frymore të familjes së tij.
DISIPLINË DHE RESPEKT
15, 16. (a) Ç’është disiplina? (b) Kush është përgjegjës për administrimin e disiplinës dhe kush e ka përgjegjësinë që të sigurohet nëse disiplinës do t’i vihet veshi?
15 Disiplina është stërvitje që korrigjon dhe përfshin komunikimin. Disiplina përmban më tepër idenë e korrigjimit sesa të ndëshkimit, edhe pse ndëshkimi mund të jetë i nevojshëm. Fëmijët tuaj kanë pasur nevojë për disiplinë kur ishin më të vegjël dhe tani që janë adoleshentë kanë ende nevojë për të në disa forma, ndoshta edhe më shumë. Adoleshentët e mençur e dinë se kjo është e vërtetë.
16 Bibla thotë: «Budallai e përçmon korrigjimin e atit të tij, por ai që e çmon kritikën vepron me zgjuarsi.» (Proverbat 15:5) Mësojmë shumë nga ky shkrim. Ai nënkupton dhënien e disiplinës. Një adoleshent s’mund ‘ta çmojë kritikën’ nëse ajo nuk i është dhënë. Jehovai ua jep prindërve përgjegjësinë për të disiplinuar, sidomos babait. Megjithatë, përgjegjësia për të dëgjuar atë disiplinë i takon adoleshentit. Ai do të mësojë më shumë e do të bëjë më pak gabime, nëse i vë veshin disiplinës së babait dhe të nënës. (Proverbat 1:8) Bibla thotë: «Mjerimi dhe turpi do të vijnë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet.»—Proverbat 13:18.
17. Çfarë ekuilibri duhet të kenë prindërit kur japin disiplinë?
17 Prindërit duhet të jenë të ekuilibruar, kur të disiplinojnë adoleshentët. Ata nuk duhet të jenë aq strikt, sa t’i mërzisin pasardhësit e tyre, ndoshta duke dëmtuar edhe besimin e tyre te vetja. (Kolosianëve 3:21) Gjithashtu, prindërit nuk duhet të jenë aq tolerantë, sa të rinjve t’u mungojë stërvitja për jetën. Një tolerancë e tillë mund të jetë shkatërrimtare. Proverbat 29:17 thotë: «Qortoje djalin tënd e do të jesh i qetë dhe do të kënaqet shpirti me gëzim.» Megjithatë, vargu 21 thotë: «Kush e rrit skllavin me të butë qysh në fëmijëri, më në fund do t’i bëhet i padëgjueshëm.» (DSF) Edhe pse ky varg e ka fjalën për një skllav, mund të përshtatet me të njëjtën masë për çdo të ri në shtëpi.
18. Për çfarë dëshmon disiplina dhe çfarë shmanget kur prindërit japin një disiplinë të pandryshueshme?
18 Në të vërtetë, disiplina e duhur është provë e dashurisë së prindërve për fëmijën. (Hebrenjve 12:6, 11) Nëse je një prind, ti e di se është e vështirë të mbash një disiplinë të pandryshueshme dhe të arsyeshme. Për hir të paqes, mund të të duket më e lehtë që ta lësh një adoleshent kokëfortë të bëjë çfarë të dojë. Por në fund, një prind që ndjek këtë mënyrë, do ta paguajë me një shtëpi të dalë jashtë kontrollit.—Proverbat 29:15; Galatasve 6:9.
PUNA DHE LOJRAT
19, 20. Si mund të veprojnë me mençuri prindërit në çështjet e pushimit për adoleshentët?
19 Në kohët më të hershme, nga fëmijët pritej zakonisht që të ndihmonin në punët e shtëpisë apo në fushë. Sot, shumë adoleshentë kanë mjaft kohë të lirë pa mbikëqyrje. Për të mbushur këtë kohë, bota tregtare siguron një bollëk të stërmadh me materiale zbavitjeje. Po t’i shtojmë kësaj edhe faktin që bota i jep shumë pak vlerë normave të Biblës mbi moralin, ja ku e kemi formulën për shkatërrimin e mundshëm.
20 Prandaj, një prind që gjykon, ruan të drejtën për të marrë vendimet përfundimtare në lidhje me periudhën e pushimit. Por, mos harroni se adoleshenti është duke u rritur. Çdo vit, ai apo ajo ka të ngjarë se do të shpresojë që të trajtohet më shumë si një i rritur. Pra, do të ishte e mençur nga ana e një prindi të linte më shumë hapësirë në zgjedhjen e pushimit, ndërkohë që adoleshenti rritet; derisa këto zgjedhje pasqyrojnë përparim drejt pjekurisë frymore. Nganjëherë, adoleshenti mund të bëjë zgjedhje jo të mençura në muzikë, në shoqëri, etj. Kur kjo të ndodhë, duhet diskutuar me adoleshentin, në mënyrë që në të ardhmen të bëjë zgjedhje më të mira.
21. Si do ta mbrojë një adoleshent arsyetueshmëria në lidhje me kohën e harxhuar për pushim?
21 Sa kohë duhet lënë për pushim? Në disa vende, adoleshentët janë shtyrë të besojnë se kanë të drejtë për zbavitje të vazhdueshme. Prandaj, një adoleshent mund ta planifikojë programin e tij, në atë mënyrë që të shkojë nga njëri «rast i gëzuar» në tjetrin. U përket prindërve të japin mësimin se koha duhet kaluar edhe me gjëra të tjera, si familja, studimi personal, shoqërimi me persona të pjekur frymorë, mbledhjet e krishtere dhe me punët e shtëpisë. Kjo nuk do të lejojë që «kënaqësitë e kësaj jete» t’i zënë frymën Fjalës së Perëndisë.—Luka 8:11-15.
22. Me çfarë duhet ekuilibruar periudha e pushimit në jetën e një adoleshenti?
22 Mbreti Solomon tha: «Kështu kuptova që nuk ka gjë më të mirë se sa të gëzohesh dhe të bësh të mirë sa je gjallë; dhe që çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqenie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.» (Eklisiastiu 3:12, 13) Po, të gëzosh e të shohësh të mira janë pjesë të një jete të ekuilibruar. Po kështu është edhe puna e vështirë. Sot, shumë adoleshentë nuk mësojnë mbi gëzimin që vjen nga puna e vështirë apo mbi ndjenjën e respektit për veten që vjen nga përballimi i një problemi dhe nga zgjidhja e tij. Disa nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë ndonjë aftësi apo zanat, me të cilin të mund të mbështesin veten në jetë. Kjo është një sfidë e vërtetë për prindin. A do të sigurohesh që fëmijët e tu të kenë mundësi të tilla? Nëse arrin të kesh sukses, duke i mësuar adoleshentit që të vlerësojë dhe madje të kënaqet me punën e vështirë, ai apo ajo do të zhvillojë një pikëpamje të shëndoshë, e cila do t’i sjellë një jetë plot me dobi.
NGA ADOLESHENT NË NJË TË RRITUR
23. Si mund t’i inkurajojnë prindërit fëmijët e tyre adoleshentë?
23 Edhe kur të keni probleme me adoleshentët, mbetet i vërtetë ky shkrim: «Dashuria nuk dështon kurrë.» (1. Korintasve 13:8, BR) Asnjëherë mos pusho së shfaquri dashurinë që pa dyshim ndien. Pyet veten: «A e lavdëroj çdo fëmijë për sukseset e tij në trajtimin e problemeve apo në kapërcimin e pengesave? A i shfrytëzoj mundësitë për të shprehur dashurinë dhe vlerësimin për secilin nga fëmijët, përpara se këto mundësi të më shpëtojnë?» Edhe pse ndonjëherë mund të lindin keqkuptime, nëse adoleshentët ndihen të sigurt për dashurinë tuaj ndaj tyre, ka më shumë të ngjarë që ata t’ua kthejnë këtë dashuri.
24. Cili parim i Shkrimeve mbetet i vërtetë si një rregull e përgjithshme në rritjen e fëmijëve, por ç’duhet mbajtur ndër mend?
24 Natyrisht, ndërsa rriten drejt moshës madhore, fëmijët më në fund do të marrin vendime shumë të vështira për veten. Në disa raste, prindërve mund të mos u pëlqejnë ato vendime. Ç’të themi nëse fëmija vendos të mos i shërbejë më Perëndisë Jehova? Mund të ndodhë. Edhe disa nga vetë bijtë frymorë të Jehovait i shpërfillën këshillat e tij dhe dolën reblë. (Zanafilla 6:2; Judës 6) Fëmijët nuk janë kompjuterë, të cilët mund të programohen për të vepruar ashtu siç dëshirojmë ne. Ata janë krijesa me vullnet të lirë, përgjegjës përpara Jehovait për vendimet që marrin. Megjithatë, Proverbat 22:6 mbetet e vërtetë si rregull e përgjithshme: «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.»
25. Cila është mënyra më e mirë për prindërit që t’i shfaqin Jehovait mirënjohjen për një privilegj të tillë?
25 Kështu, pra, tregojuni fëmijëve shumë dashuri. Jepni më të mirën tuaj në ndjekjen e parimeve të Biblës për rritjen e tyre. Lini një shembull të shkëlqyer në sjelljen e devotshme. Kështu, do t’u jepni fëmijëve tuaj mundësinë më të mirë që të rriten me përgjegjësi e me frikë Perëndie. Për prindërit kjo është mënyra më e shkëlqyer për t’i shprehur Jehovait mirënjohjen për këtë privilegj.