Krijimi shpalos mençurinë e Jehovait
«Cilësitë e tij të padukshme . . . dallohen nga gjërat e bëra.»—ROM. 1:20.
1. Si ndikon te shumë njerëz mençuria e botës së sotme?
BOTA në përgjithësi konsideron të mençur ata që kanë njohuri me bollëk. Por a janë vërtet të mençur? Jo, sepse ata që konsiderohen intelektualë nuk japin drejtim të besueshëm për të gjetur kuptimin e vërtetë të jetës. Përkundrazi, ata që lejojnë të ndikohen nga këta, përfundojnë «të lëkundur nga dallgët e të çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi».—Efes. 4:14.
2, 3. (a) Pse Jehovai është ‘i vetmi i mençur’? (b) Si ndryshon mençuria e Perëndisë nga ajo e botës?
2 Sa ndryshe është me ata që fitojnë mençuri të vërtetë, Burimi i së cilës është Perëndia Jehova! Bibla na tregon se ‘i vetmi i mençur’ është Jehovai. (Rom. 16:27) Ai di gjithçka për universin, përfshirë edhe si është bërë dhe historinë e tij. Ligjet fizike të natyrës—në të cilat njerëzit bazohen për kërkimet e tyre—janë vendosur të gjitha nga Jehovai. Pra, atij nuk i bëjnë përshtypje shpikjet e njeriut dhe nuk gënjehet nga filozofia njerëzore, që shpesh konsiderohet si shumë e thellë. «Mençuria e kësaj bote është marrëzi në sytë e Perëndisë.»—1 Kor. 3:19.
3 Bibla na tregon se Jehovai ‘u jep mençuri’ shërbëtorëve të tij. (Prov. 2:6) Ndryshe nga filozofitë njerëzore, mençuria që vjen nga Perëndia nuk është e paqartë. Përkundrazi, ajo i jep rëndësi gjykimit të shëndoshë dhe bazohet në njohuri dhe kuptueshmëri të saktë. (Lexo Jakovin 3:17.) Apostulli Pavël mahnitej nga mençuria e Jehovait. Ai shkroi: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!» (Rom. 11:33) Jehovai është tejet i mençur, prandaj kemi besim se ligjet e tij do të na çojnë drejt mënyrës më të mirë të jetesës. Në fund të fundit, Jehovai e di më mirë se kushdo tjetër se për çfarë kemi nevojë që të jemi të lumtur.—Prov. 3:5, 6.
Jezui—«Një Kryemjeshtër»
4. Cila është një mënyrë se si mund të shohim mençurinë e Jehovait?
4 Mençuria e Jehovait, bashkë me cilësitë e tij të tjera të pashoqe, mund të shihen në gjërat që ka bërë. (Lexo Romakëve 1:20.) Që nga gjëja më e madhe e deri te ajo më e vogla, veprat e Jehovait zbulojnë veçori të personalitetit të tij. Kudo që t’i hedhim sytë—në qiejt sipër nesh ose në tokën poshtë këmbëve tona—gjejmë prova të bollshme që dëshmojnë për një Krijues tejet të mençur e të dashur. Mund të mësojmë shumë për të duke parë me kujdes gjërat që ka bërë.—Psal. 19:1; Isa. 40:26.
5, 6. (a) Përveç Jehovait, kush tjetër u përfshi në krijim? (b) Çfarë do të shqyrtojmë dhe pse?
5 Jehovai nuk ishte vetëm kur «krijoi qiejt dhe tokën». (Zan. 1:1) Bibla tregon që, kohë para se të fillonte krijimin fizik, ai krijoi një person frymor me anë të të cilit krijoi «gjithçka tjetër». Kjo krijesë frymore ishte Biri i vetëmlindur i Perëndisë—«i parëlinduri i gjithë krijimit»—i cili më vonë jetoi në tokë si njeri dhe u njoh me emrin Jezu. (Kolos. 1:15-17) Ashtu si Jehovai, edhe Jezui kishte mençuri. Në fakt, te kapitulli 8 i Proverbave, ai paraqitet si mençuria e personifikuar. Në këtë kapitull të Biblës, Jezui quhet edhe ‘kryemjeshtri’ i Perëndisë.—Prov. 8:12, 22-31.
6 Pra, krijimi fizik zbulon mençurinë e Jehovait dhe të Kryemjeshtrit të tij, Jezuit. Prej tij nxjerrim mësime me vlerë. Le të shqyrtojmë katër shembuj të gjërave të krijuara që te Proverbat 30:24-28 përshkruhen si «instinktivisht të mençura».a
Një mësim për papërtueshmërinë
7, 8. Çfarë të mahnit te milingona?
7 Mund të mësojmë shumë kur shqyrtojmë ndërtimin dhe veprimtarinë e gjërave të krijuara, madje edhe të krijesave që mund të quhen «më të voglat e tokës». Për shembull, mendo pak për mençurinë instinktive të milingonës.—Lexo Proverbat 30:24, 25.
8 Disa studiues besojnë se numri i milingonave është 200.000 herë më i madh se ai i njerëzve; të gjitha punojnë me zell mbi dhe nën sipërfaqen e tokës. Milingonat organizohen në koloni dhe në shumicën e kolonive ka tri lloje milingonash: mbretëreshat, meshkujt dhe punëtoret. Çdo grup ndihmon në mënyrën e tij për t’u kujdesur për nevojat e kolonisë. Një milingonë e veçantë, milingona gjetheprerëse e Amerikës së Jugut, mund të quhet një kopshtare e zonja. Kjo kandërr e vogël bën pjellor, kultivon dhe krasit kopshtin e saj me kërpudha që të marrë sa më shumë prodhim. Studiuesit kanë zbuluar se përpjekjet e kësaj «kopshtareje» të mirë janë në varësi të sasisë së ushqimit që nevojitet për koloninë.b
9, 10. Si mund ta imitojmë papërtueshmërinë e milingonës?
9 Çfarë mësojmë nga milingonat? Mësojmë se nevojiten përpjekje të zellshme nëse duam të kemi rezultate të mira. Bibla na tregon: «Shko te milingona, o përtac; shihi udhët e saj dhe bëhu i mençur. Edhe pse nuk ka komandant, të parë a sundimtar, ajo e përgatit ushqimin e vet gjatë verës, i ka mbledhur zahiretë e veta gjatë të korrave.» (Prov. 6:6-8) Edhe Jehovai, edhe Kryemjeshtri i tij, Jezui, janë punëtorë. «Ati im vazhdon të punojë deri më tani,—tha Jezui,—prandaj dhe unë vazhdoj të punoj.»—Gjoni 5:17.
10 Si imitues të Perëndisë dhe të Krishtit, edhe ne duhet të jemi të papërtuar. Pavarësisht nga caktimi që kemi në organizatën e Perëndisë, të gjithë ‘duhet të kemi gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë’. (1 Kor. 15:58) Prandaj bëjmë mirë të ndjekim këshillën që Pavli u dha të krishterëve në Romë: «Jini të papërtuar në punët tuaja. Jini të zjarrtë në frymë. Shërbejini Jehovait si skllevër.» (Rom. 12:11) Përpjekjet tona për të bërë vullnetin e Jehovait nuk janë të kota, pasi Bibla na siguron: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.»—Hebr. 6:10.
Mbrojtje nga rreziqet frymore
11. Përmend disa veçori të lepurit të shkëmbinjve.
11 Lepuri i shkëmbinjve është një krijesë tjetër relativisht e vogël, nga i cili nxjerrim mësime të rëndësishme. (Lexo Proverbat 30:26.) Ai ka veshë të shkurtër e të rrumbullakët dhe këmbë të shkurtra. Kjo kafshë e vogël jeton në zona shkëmbore. Shikimi i mprehtë i shërben këtij lepuri si mbrojtje, kurse të çarat dhe zgavrat në habitatin e thepisur i sigurojnë një strehë të sigurt nga grabitqarët. Lepuri i shkëmbinjve është krijuar që të rritet mbarë në një bashkësi të lidhur ngushtë, dhe kjo i siguron mbrojtje dhe e ndihmon të rrijë ngrohtë në dimër.c
12, 13. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga lepuri i shkëmbinjve?
12 Po nga lepuri i shkëmbinjve çfarë mësojmë? Së pari, vër re që kjo kafshë nuk qëndron pa u mbrojtur nga sulmet. Përkundrazi, përfiton nga shikimi i mprehtë për të dalluar grabitqarët që nga larg dhe qëndron afër të çarave dhe zgavrave që i sigurojnë një strehë jetëshpëtuese. Po kështu, edhe ne duhet të kemi shikim të mprehtë frymor që të dallojmë rreziqet që na kanosen në botën e Satanait. Apostulli Pjetër i këshilloi të krishterët: «Ruani gjykimin, jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.» (1 Pjet. 5:8) Kur ishte në tokë, Jezui qëndroi syçelë, vigjilentë ndaj të gjitha përpjekjeve të Satanait për të thyer integritetin e tij. (Mat. 4:1-11) Jezui la vërtet një shembull të mirë për dishepujt e tij.
13 Një mënyrë se si mund të jemi vigjilentë është duke përfituar nga mbrojtja frymore që na siguron Jehovai. Studimi i Fjalës së Perëndisë dhe ndjekja e mbledhjeve të krishtere nuk duhen lënë pas dore. (Luka 4:4; Hebr. 10:24, 25) Për më tepër, ashtu si lepuri i shkëmbinjve rritet mbarë në një bashkësi të lidhur ngushtë, edhe ne duhet të qëndrojmë të lidhur ngushtë me të bashkëkrishterët «që të inkurajojmë njëri-tjetrin». (Rom. 1:12) Duke përfituar nga mbrojtja që na siguron Jehovai, tregojmë se jemi në të njëjtin mendim me psalmistin David, i cili shkroi: «Jehovai është shkrepi im, kalaja ime dhe Ai që më sjell shpëtim. Perëndia është shkëmbi im. Tek ai do të strehohem.»—Psal. 18:2.
Ngulmim pavarësisht nga kundërshtimi
14. Ç’mund të thuhet për një mori karkalecash, edhe pse një karkalec i vetëm mund të mos bëjë përshtypje?
14 Edhe nga karkaleci mund të mësojmë shumë. Një karkalec i vetëm, që është i gjatë jo më shumë se pesë centimetra, mund të mos bëjë përshtypje, por një mori karkalecash sigurisht që po. (Lexo Proverbat 30:27.) Të njohur për oreksin e tyre të pangopur, një mori e këtyre kandrrave të pamëshirshme mund të zhveshë sa hap e mbyll sytë një fushë të tërë gati për korrje. Bibla e krahason zhurmën që bën një mori kandrrash kur afrohet, përfshirë edhe ajo e karkalecave, me zhurmën e karrocave dhe kërcitjen e flakëve që gllabërojnë kashtën. (Joe. 2:3, 5) Njerëzit kanë provuar të ndezin zjarre në përpjekje për të sprapsur një mori karkalecash, por zakonisht nuk kanë sukses. Pse? Trupat e karkalecave që ngordhin, bien mbi zjarr dhe e fikin, kurse pjesa tjetër e karkalecave vazhdojnë pa u dorëzuar. Edhe pse pa mbret ose udhëheqës, një mori karkalecash vepron si një ushtri e organizuar mirë, duke kapërcyer pothuajse çdo pengesë.d—Joe. 2:25.
15, 16. Në ç’kuptim lajmëtarët e Mbretërisë janë si një mori karkalecash?
15 Profeti Joel e krahasoi veprimtarinë e shërbëtorëve të Jehovait me veprimet e karkalecave. Ai shkroi: «Ata vrapojnë si burra të fuqishëm. I ngjiten murit si luftëtarë. Shkojnë secili në udhët e veta dhe nuk i ndërrojnë shtigjet e tyre. Nuk shtyhen me njëri-tjetrin. Vazhdojnë të shkojnë si një burrë në udhën e vet. Edhe sikur ndonjëri të bjerë nga shigjetat, të tjerët nuk e ndalin marshimin.»—Joe. 2:7, 8.
16 Sa mirë i përshkruan kjo profeci lajmëtarët e sotëm të Mbretërisë së Perëndisë! Asnjë ‘mur’ kundërshtimi nuk ka arritur të ndalë predikimin e tyre. Përkundrazi, ata imitojnë Jezuin, i cili ngulmonte të bënte vullnetin e Perëndisë edhe pse shumë e përbuznin. (Isa. 53:3) Është e vërtetë, disa të krishterë ‘kanë rënë nga shigjetat’ duke u vrarë si martirë për besimin e tyre. Prapëseprapë, vepra e predikimit ka vazhduar dhe numri i lajmëtarëve të Mbretërisë është rritur gjithnjë e më shumë. Në fakt, përndjekjet kanë shërbyer shpesh për ta çuar lajmin e mirë deri te ata që përndryshe nuk do ta kishin dëgjuar mesazhin e Mbretërisë. (Vep. 8:1, 4) A ke treguar në shërbimin tënd ngulmim si ai i karkalecave—edhe përballë indiferentizmin dhe kundërshtimit?—Hebr. 10:39.
«Kapuni fort pas asaj që është e mirë»
17. Si ngjitin këmbët e hardhjes së mureve mbi një sipërfaqe të lëmuar?
17 Hardhja e vockël e mureve duket sikur sfidon forcën e rëndesës. (Lexo Proverbat 30:28.) Në fakt, shkencëtarët janë mahnitur nga aftësia e kësaj krijese të vockël për t’u ngjitur me të shpejtë në mure ose për të rendur përmes tavanit të lëmuar pa u rrëzuar. Si e arrin këtë? Nuk e arrin falë ndonjë aftësie thithëse apo me ndonjë lloj ngjitësi. Por, çdo gisht i saj ka një shtresë me maja që përmbajnë mijëra zgjatime si qime. Çdo zgjatim ka qindra fijeza që në fund kanë formën e pjatave të filxhanëve. Forca ndërmolekulare që krijohet nga të gjitha këto fijeza, mjafton për të mbajtur një peshë më të madhe se pesha e trupit të hardhjes, madje edhe kur lëvrin kokëposhtë në sipërfaqen e një xhami. Të mahnitur nga aftësia e hardhjes, studiuesit thonë se, nëse do të bëheshin materiale sintetike në imitim të këmbës së saj, do të mund të përdoreshin si një ngjitës i fuqishëm.e
18. Si mund të sigurohemi që gjithmonë ‘të kapemi fort pas asaj që është e mirë’?
18 Ç’mësim mund të nxjerrim nga hardhja e mureve? Bibla na këshillon: «Urreni thellësisht atë që është e ligë, kapuni fort pas asaj që është e mirë.» (Rom. 12:9) Ndikimet e këqija që mbizotërojnë në botën e Satanait, mund të na bëjnë të shkasim e të mos u përmbahemi parimeve biblike. Për shembull, shoqërimi me ata që nuk kapen fort pas ligjeve të Perëndisë—në shkollë, në punë ose nëpërmjet zbavitjeve të paperëndishme—mund të ndikojnë në vendosmërinë tonë për të bërë atë që është e drejtë. Mos lejo që të të ndodhë diçka e tillë! Fjala e Perëndisë paralajmëron: «Të mos të duket vetja i mençur.» (Prov. 3:7) Por, vëri veshin këshillës së mençur që Moisiu i dha popullit të Perëndisë në lashtësi: «Jehovait, Perëndisë tuaj, duhet t’i frikësoheni. Atij duhet t’i shërbeni dhe me të duhet të qëndroni të lidhur.» (Ligj. 10:20) Duke qëndruar të lidhur ngushtë me Jehovain, do të imitojmë Jezuin, për të cilin u tha: «Ti e deshe drejtësinë dhe e urreve paligjshmërinë.»—Hebr. 1:9.
Mësime nga krijimi
19. (a) Cilat cilësi të Jehovait dallon ti te krijimi? (b) Si mund të na sjellë dobi mençuria e Perëndisë?
19 Siç kemi parë, cilësitë e Jehovait dallohen qartë në gjërat që ka bërë. Gjithashtu, nga krijimi nxjerrim mësime me vlerë. Sa më shumë gjëra të zbulojmë rreth veprave të Jehovait, aq më shumë mahnitemi nga mençuria e tij. Nëse vazhdojmë t’i kushtojmë vëmendje mençurisë së Perëndisë, kjo do të na bëjë më të lumtur tani dhe do të na mbrojë në të ardhmen. (Ekl. 7:12) Po, do të provojmë në jetën tonë sa e vërtetë është siguria që na jepet te Proverbat 3:13, 18, ku thuhet: «Lum njeriu që ka gjetur mençuri dhe ai që fiton aftësi dalluese, Ajo është një pemë jete për ata që e rrokin dhe të lumtur kanë për t’u quajtur ata që e mbajnë fort.»
[Shënimet]
a Fëmijëve në mënyrë të veçantë mund t’u pëlqejë të shohin artikujt e përmendur në shënimet vijuese dhe pastaj të komentojnë për kërkimet që kanë bërë kur ky artikull të diskutohet gjatë Studimit të Kullës së Rojës.
b Për më shumë informacion për milingonën gjetheprerëse, shih revistën Zgjohuni! të 22 marsit 1997, faqja 31, anglisht, dhe të 22 majit 2002, faqja 31, anglisht.
c Për më shumë informacion për lepurin e shkëmbinjve, shih revistën Zgjohuni! të 8 shtatorit 1990, faqet 15-16, anglisht.
d Për më shumë informacion për karkalecat, shih revistën Kulla e Rojës të 15 korrikut 1996, faqja 23 dhe Zgjohuni! të 22 tetorit 1976, faqja 11, anglisht.
e Për më shumë informacion për hardhjen e mureve, shih revistën Zgjohuni! të prillit 2008, faqja 26.
A të kujtohet?
Ç’mësime praktike nxjerrim nga:
• milingona?
• lepuri i shkëmbinjve?
• karkaleci?
• hardhja e mureve?
[Figura në faqen 16]
A je i papërtueshëm si milingona gjetheprerëse?
[Figurat në faqen 17]
Lepuri i shkëmbinjve gjen mbrojtje në një bashkësi të lidhur ngushtë. A vepron edhe ti kështu?
[Figurat në faqen 18]
Shërbëtorët e krishterë ngulmojnë njësoj si karkalecat
[Figura në faqen 18]
Ashtu si hardhja kapet fort pas sipërfaqes, edhe të krishterët kapen fort pas asaj që është e mirë
[Burimi]
Stockbyte/Getty Images