«Ruaje zemrën»
JEHOVAI i tha profetit Samuel: «Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.» (1. Samuelit 16:7) Gjithashtu, duke e përqendruar vëmendjen në zemrën figurative, psalmisti David këndoi: «Ti [Jehova] e ke hetuar zemrën time, e ke vizituar natën; më ke vënë në provë dhe nuk ke gjetur asgjë.»—Psalmi 17:3.
Po, Jehovai heton zemrën për të përcaktuar se çfarë jemi në të vërtetë. (Fjalët e urta [Proverbat] 17:3) Me arsye të vlefshme, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë, këshillon: «Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës.» (Fjalët e urta 4:23) Si mund ta ruajmë zemrën tonë figurative? Kapitulli 4 i Fjalëve të urta na jep përgjigjen për këtë pyetje.
Dëgjoje disiplinën e një ati
Kapitulli i katërt i Fjalëve të urta fillon me fjalët: «Dëgjoni, o bij, mësimet [disiplinën, BR] e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni, sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.»—Fjalët e urta 4:1, 2.
Këshilla që u jepet të rinjve është të dëgjojnë udhëzimet e shëndetshme të prindërve të tyre të perëndishëm, veçanërisht ato të një ati. Sipas Biblës, ai ka përgjegjësinë për të siguruar për nevojat fizike dhe frymore të familjes së vet. (Ligji i përtërirë 6:6, 7; 1. Timoteut 5:8) Pa këtë udhëheqje, sa të vështirë e ka një i ri të arrijë pjekurinë! Pra, a nuk duhet që një fëmijë ta pranojë me respekt disiplinën e atit të tij?
Por, ç’të themi për një të ri që nuk ka baba, i cili mund ta udhëzojë? Xhezoni njëmbëdhjetëvjeçar, për shembull, mbeti pa baba në moshën 4-vjeçare.a Kur një plak i krishterë e pyeti cili ishte aspekti i jetës që e shqetësonte më shumë, Xhezoni u përgjigj menjëherë: «Më mungon babai. Disa herë kjo gjë më dëshpëron me të vërtetë.» Megjithatë, për të rinjtë që u mungon drejtimi prindëror ka në dispozicion këshilla ngushëlluese. Xhezoni e të tjerë si ai, mund të kërkojnë dhe të marrin këshilla atërore nga pleqtë dhe nga persona të tjerë të pjekur në kongregacionin e krishterë.—Jakobit 1:27.
Duke sjellë ndër mend arsimimin që mori ai vetë, Solomoni vazhdon: «Provova se isha një bir i vërtetë për babanë tim, i butë dhe i vetmi para nënës sime.» (Proverbat 4:3, BR) Me sa duket, mbreti e kujtonte me kënaqësi edukimin e tij në fëmijëri. Duke qenë «një bir i vërtetë» që i merrte për zemër këshillat atërore, i riu Solomon duhet të ketë pasur një marrëdhënie të ngushtë e të përzemërt me të atin, Davidin. Për më tepër, Solomoni ishte «i vetmi» ose shumë i dashur. Sa e rëndësishme është që një fëmijë të rritet në një shtëpi ku atmosfera është e përzemërt dhe ku linjat e komunikimit me prindërit janë të hapura!
Fito mençuri dhe kuptueshmëri
Duke kujtuar këshillat e dashura të të atit, Solomoni tregon: «Ai më mësonte dhe më thoshte: ‘Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh. Fito dituri, fito gjykim [kuptueshmëri, BR]; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre; mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë. Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.»—Fjalët e urta 4:4-7.
Përse dituria ose mençuria është «gjëja më e rëndësishme»? Mençuri do të thotë të vësh në punë njohurinë dhe kuptueshmërinë që ke, në një mënyrë që të sjellë rezultate të mira. Njohuria, domethënë, njohja ose familjariteti me faktet e fituara nga vëzhgimi e nga përvoja ose nga leximi e nga studimi, është themelore për mençurinë. Por, nëse nuk kemi aftësinë për ta vënë në përdorim siç duhet njohurinë, ajo do të kishte pak vlerë. Jo vetëm që duhet ta lexojmë rregullisht Biblën dhe botimet e bazuara në Bibël, të siguruara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur», por duhet edhe të përpiqemi ta zbatojmë atë që mësojmë prej tyre.—Mateu 24:45, BR.
Është, gjithashtu, thelbësore të fitojmë kuptueshmëri. Pa të, a do të mund ta kuptonim vërtet se si lidhen faktet me njëri-tjetrin dhe të merrnim kuadrin e plotë të një çështjeje që po shqyrtojmë? Nëse do të na mungonte kuptueshmëria, si do të mund t’i perceptonim përse-të dhe sepse-të e gjërave dhe të fitonim mendjehollësi e aftësi shquese? Po, që të jemi në gjendje të arsyetojmë nga faktet dhe të nxjerrim përfundimin e duhur, na duhet kuptueshmëria.—Danieli 9:22, 23.
Solomoni vazhdon të tregojë fjalët e atit të tij, duke thënë: «Përlëvdoje [mençurinë] dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvetëson. Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie.» (Fjalët e urta 4:8, 9) Mençuria hyjnore e mbron atë që e përvetëson. Për më tepër, i sjell nder dhe e zbukuron atë. Atëherë, le të fitojmë me çdo kusht mençurinë.
«Rroke mirë disiplinën»
Duke përsëritur udhëzimet e të atit, mbreti i Izraelit thotë më tej: «Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mira dhe vitet e jetës sate do të shumohen. Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë. Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh. Rroke mirë këtë mësim [disiplinën, BR], mos e lër që të shkojë kot; ruaje sepse ai është jeta jote.»—Fjalët e urta 4:10-13.
Si bir i vërtetë për të atin, Solomoni duhet ta ketë kuptuar vlerën e disiplinës së dashur që të mëson dhe të korrigjon. Pa disiplinë të ekuilibruar, si mund të presim të përparojmë në pjekurinë frymore ose të shpresojmë të përmirësojmë cilësinë e jetës sonë? Nëse nuk mësojmë nga gabimet tona ose nëse nuk korrigjojmë idetë e gabuara, përparimi ynë frymor do të jetë vërtet i papërfillshëm. Disiplina e arsyeshme çon në sjellje të perëndishme dhe na ndihmon, duke na «udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë».
Ka edhe një lloj tjetër disipline e cila sjell, gjithashtu, si rezultat që ‘vitet e jetës sonë të shumohen’. Si? E, pra, Jezu Krishti tha: «Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdhatë.» (Luka 16:10) Disiplinimi i vetvetes për gjërat e vogla, a nuk do të na e bëjë më të lehtë të bëjmë të njëjtën gjë për gjërat e mëdha, nga të cilat mund të varet vetë jeta jonë? Për shembull, duke e stërvitur syrin që të mos vazhdojë të ‘shikojë një grua për ta dëshiruar’, do të jetë e vështirë që të pengohemi në imoralitet. (Mateu 5:28) Natyrisht, ky parim zbatohet si për burrat, ashtu edhe për gratë. Nëse e disiplinojmë mendjen për të ‘nënshtruar çdo mendim’, rreziku që të kryejmë shkelje të rënda në fjalë ose në veprime është i vogël.—2. Korintasve 10:5.
Vërtet, zakonisht disiplina pranohet me vështirësi dhe mund të duket kufizuese. (Hebrenjve 12:11) Megjithatë, mbreti i mençur na siguron se nëse e rrokim mirë disiplinën, rruga që kemi zgjedhur do ta favorizojë përparimin tonë. Pikërisht ashtu si stërvitja e duhur i jep mundësi një vrapuesi të shkojë përpara me shpejtësi maksimale pa rënë ose pa u dëmtuar, kur e rrokim mirë disiplinën, do të lejohemi të vazhdojmë në rrugën e jetës me një ritëm të vazhdueshëm pa u penguar. Sigurisht, duhet të jemi të kujdesshëm për shtegun që zgjedhim.
Shmang «shtegun e të pabesëve»
Me një ndjenjë urgjence, Solomoni paralajmëron: «Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqinj; evitoje atë, mos kalo nëpër të; largohu prej saj dhe shko tutje. Sepse ata nuk mund të flenë, por të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë; ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.»—Fjalët e urta 4:14-17.
Të pabesët ose të ligjtë, udhët e të cilëve Solomoni dëshiron që ne t’i shmangim, e sigurojnë jetën me veprime të ulëta. Për ta, bërja e së keqes është si ushqimi dhe si pija. Nuk arrijnë të flenë nëse nuk marrin pjesë në akte dhune. Vetë personaliteti i tyre është i korruptuar. A do të mund t’i ruajmë në të vërtetë zemrat tona ndërkohë që mbajmë shoqëri me ta? Sa e pamend është të ‘ecim në rrugën e njerëzve të këqinj’, duke e ekspozuar veten ndaj dhunës që shfaqin shumë zbavitje të botës së sotme! Përpjekjet për të qenë të dhembshur e të butë thjesht nuk përputhen me marrjen e dozave mpirëse të skenave të ligësisë në ekranin e televizorit ose nëpër filma.
Qëndro në dritë
Duke përdorur përsëri analogjinë e një shtegu, Solomoni deklaron: «Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë derisa të bëhet ditë e plotë.» (Fjalët e urta 4:18) Të fillojmë një studim të Biblës dhe të përpiqemi të zbatojmë në jetën tonë atë që thotë ajo mund të krahasohet me nisjen e një udhëtimi në errësirë, kur është ende mëngjes herët. Ndërsa ngjyra e zezë e qiellit të natës shndërrohet në blu të errët, mezi shohim ndonjë gjë. Por, gradualisht, ndërsa bie agimi, dallojmë dalëngadalë gjithnjë e më shumë gjëra përreth. Përfundimisht, dielli ndriçon dhe shohim çdo gjë qartësisht e me hollësi. Po, e vërteta gradualisht na bëhet më e qartë, ndërsa këmbëngulim në studimin e Shkrimeve me durim e me zell. Është thelbësore ta furnizojmë zemrën me ushqim frymor, nëse duam ta ruajmë nga arsyetimet e rreme.
Domethënia ose kuptimi i profecive biblike zbulohet, po ashtu, në mënyrë progresive. Profecitë na bëhen të qarta, ndërsa fryma e shenjtë e Jehovait hedh dritë mbi to dhe ndërsa ato përmbushen nga ngjarjet botërore ose në përvojat e popullit të Perëndisë. Në vend që t’u drejtohemi hamendjeve rreth përmbushjes së tyre, duke qenë të paduruar, duhet të presim që ‘drita të bëhet gjithnjë e më e ndritshme’.
Ç’të themi për ata që hedhin poshtë udhëheqjen e Perëndisë, duke refuzuar të ecin në dritë? «Rruga e të pabesëve është si terri,—thotë Solomoni,—ata nuk shohin atë [gjë] që do t’i rrëzojë.» (Fjalët e urta 4:19) Të ligjtë janë si një njeri që pengohet në errësirë pa ditur se në çfarë gjëje është penguar. Edhe atëherë kur të paperëndishmit duket sikur po lulëzojnë për shkak të padrejtësisë së tyre, suksesi në dukje që kanë është vetëm i përkohshëm. Për këta persona, psalmisti këndoi: «Me siguri, ti [Jehova] i vë në vende të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.»—Psalmi 73:18.
Mbaj vigjilencën
Mbreti i Izraelit vazhdon të thotë: «Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia; mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate; sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre. Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës.»—Fjalët e urta 4:20-23.
Vetë shembulli i Solomonit është një dëshmi se sa e vlefshme është këshilla për të ruajtur zemrën. Vërtet, ai ‘provoi se ishte një bir i vërtetë’ për babanë e tij kur ishte i ri dhe i qëndroi besimplotë Jehovait për një pjesë të mirë të kohës kur ishte i rritur. Megjithatë, Bibla tregon: «Kur Solomoni u plak, bashkëshortet e tij [të huaja] ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë së tij ashtu si zemra e Davidit, atit të tij.» (1. Mbretërve 11:4) Pa vigjilencë të vazhdueshme, edhe zemra më e mirë mund të tundohet për të bërë të keqen. (Jeremia 17:9) Përkujtuesit e Fjalës së Perëndisë duhet t’i mbajmë afër zemrës, ‘në qendër të saj’. Kjo përfshin edhe udhëheqjen e siguruar në kapitullin e 4-t të Fjalëve të urta.
Shqyrto gjendjen e zemrës sate
A po e ruajmë me sukses zemrën tonë figurative? Si mund ta njohim gjendjen e personit të brendshëm që jemi? Jezu Krishti tha: «Ç’ka zemra qet goja.» (Mateu 12:34) Gjithashtu, ai pohoi: «Nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.» (Mateu 15:19, 20) Pikërisht, fjalët dhe veprimet tona flasin shumë, për të treguar se si jemi në zemër.
Në mënyrë të përshtatshme, Solomoni na këshillon: «Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura [dredharake, BR]. Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje. Sheshoje shtegun e këmbëve të tua dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë. Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.»—Fjalët e urta 4:24-27.
Duhet të shqyrtojmë të folurin dhe veprimet tona, duke mbajtur parasysh këshillën e Solomonit. Nëse duam ta ruajmë zemrën dhe t’i pëlqejmë Perëndisë, duhet të shmangim të folurin e shtrembër dhe dredhitë. (Fjalët e urta 3:32) Prandaj, duhet të meditojmë në lutje për atë që zbulojnë fjalët dhe veprat tona për ne. Pastaj, të kërkojmë ndihmën e Jehovait, me qëllim që të korrigjojmë ndonjë dobësi që diktojmë.—Psalmi 139:23, 24.
Mbi të gjitha, ‘sytë tanë pafshin drejt’! T’i mbajmë ata të fiksuar te synimi për t’i bërë shërbim me gjithë shpirt Atit tonë qiellor. (Kolosianëve 3:23) Ndërsa personalisht ndiqni një drejtim të tillë të drejtë, Jehovai ju dhëntë sukses në ‘të gjitha rrugët tuaja’ dhe ju bekoftë me bujari, sepse i keni vënë veshin këshillës së frymëzuar, ‘ruani zemrën tuaj’!
[Shënimi]
a Nuk është emri i tij i vërtetë.
[Diçitura në faqen 22]
A e shmangni zbavitjen që paraqet dhunë?
[Figura në faqen 21]
Nxirrni dobi nga këshillat e personave me përvojë
[Figura në faqen 23]
Disiplina nuk jua ngadalëson ritmin
[Figura në faqen 24]
Jini këmbëngulës në studimin e Biblës