«Fjala» e Jehovait le të të ruajë!
NË VITIN 490 p.e.s., në betejën historike të Maratonës, 10 mijë deri në 20 mijë athinas u përballën me ushtrinë perse, që ishte shumë më e madhe në numër. Një faktor kyç i taktikave greke ishte falanga, një formacion ushtarësh që marshonin të kapur fort me njëri-tjetrin. Mburojat përbënin një mur mbrojtës të padepërtueshëm, mbi të cilin heshtat ngriheshin si kreshta. Falanga u dha athinasve një fitore të bujshme mbi forcat shumë më të mëdha të ushtrisë perse.
Të krishterët e vërtetë janë përfshirë në një luftë frymore. Ata përballen me armiq të fuqishëm, me sundimtarët e padukshëm të këtij sistemi të lig, të cilët në Bibël përshkruhen si ‘sundimtarët botërorë të kësaj errësire, forcat e liga frymore në vendet qiellore’. (Efesianëve 6:12; 1 Gjonit 5:19) Populli i Perëndisë vazhdon të jetë fitimtar në këtë betejë, por jo falë forcës së vet. E gjithë merita është e Jehovait, i cili e ruan dhe e mëson popullin e tij, siç thuhet te Psalmi 18:30: «Fjala e Zotit është pastruar me anë të zjarrit; ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai.»
Po, me anë të ‘fjalës’ së tij të rafinuar, që gjendet në Shkrimet e Shenjta, Jehovai i mbron shërbëtorët e tij besnikë që të mos dëmtohen frymësisht. (Psalmi 19:7-11; 119:93) Për mençurinë që gjendet në Fjalën e Perëndisë, Solomoni shkroi: «Mos e lër mençurinë, dhe ajo do të të ruajë. Duaje, dhe ajo do të të mbrojë.» (Fjalët e urta 4:6, BR; Predikuesi 7:12) Si na mbron mençuria hyjnore që të mos pësojmë dëme? Shembulli i mëposhtëm tregon se si u mbrojt populli i Izraelit të lashtë.
Një popull i mbrojtur me anë të mençurisë hyjnore
Ligji i Jehovait i mbronte dhe i udhëhiqte izraelitët në çdo fushë të jetës. Për shembull, udhëzimet për të ushqyerit, për higjienën dhe për karantinën, i mbronin ata nga shumë sëmundje që bënin kërdinë në vendet e tjera. Vetëm pas zbulimit të baktereve në shekullin e 19-të, shkenca filloi t’i afrohej nivelit të Ligjit të Perëndisë. Ligjet për pronësinë e tokave, për riblerjen, faljen e borxhit dhe për fajdet ishin të dobishme për Izraelin, duke krijuar kështu një shoqëri të qëndrueshme dhe një ekonomi të barabartë për të gjithë. (Ligji i përtërirë 7:12, 15; 15:4, 5) Ligji i Jehovait i ndihmonte izraelitët që t’i ruanin në gjendje të mirë arat. (Eksodi 23:10, 11) Urdhërimet kundër adhurimit të rremë e ruanin popullin nga ana frymore, duke e mbrojtur nga pushteti i demonëve, nga flijimi i fëmijëve dhe nga shumë gjëra të tjera të liga, përveç praktikës së turpshme të përkuljes para idhujve të pajetë.—Eksodi 20:3-5; Psalmi 115:4-8.
Është e qartë se «fjala» e Jehovait nuk ishte «fjalë pa vlerë» për Izraelin; përkundrazi, ajo nënkuptonte jetë dhe ditë të gjata për të gjithë ata që i bindeshin. (Ligji i përtërirë 32:47) Kjo vlen edhe sot për ata që i vënë veshin fjalëve të mençura të Jehovait, edhe pse të krishterët nuk janë më nën besëlidhjen e Ligjit. (Galatasve 3:24, 25; Hebrenjve 8:8) Në fakt, në vend të një kodi ligjesh, të krishterët kanë një sërë parimesh biblike që i drejtojnë dhe i mbrojnë.
Një popull që mbrohet me anë të parimeve
Ligjet mund të kenë zbatim të kufizuar dhe mund të jenë të përkohshme. Kurse parimet biblike, duke qenë të vërteta themelore, zakonisht kanë një zbatim të gjerë dhe për çdo kohë. Për shembull, le të shqyrtojmë parimin që gjendet te Jakovi 3:17, ku thuhet: «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore.» Si mund ta mbrojë kjo e vërtetë themelore popullin e Perëndisë sot?
Të jesh i dëlirë do të thotë të jesh i pastër moralisht. Prandaj, ata që e vlerësojnë dëlirësinë, përpiqen të ikin jo vetëm nga imoraliteti, por edhe nga gjërat që të çojnë drejt tij, përfshirë fantazitë seksuale dhe pornografinë. (Mateu 5:28) Po kështu, çiftet që janë në periudhë njohjeje dhe që duan t’i binden parimit te Jakovi 3:17, shmangin intimitetin që mund t’i bëjë të humbin vetëkontrollin. Të udhëhequr nga parimet, ata nuk i josh asgjë që i largon nga dëlirësia, e nuk mendojnë ndoshta se, për aq kohë sa nuk shkelin konkretisht ligjet e Jehovait, sjellja e tyre do të ketë miratimin e tij. E dinë se Jehovai «shikon zemrën» dhe gjykon sipas saj. (1 Samuelit 16:7; 2 Kronikave 16:9) Duke jetuar me mençuri sipas parimeve të Jehovait, ata jo vetëm mbrojnë veten nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme që sot janë mjaft të përhapura, por edhe ruajnë mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale.
Mençuria hyjnore është edhe «paqësore», thotë Jakovi 3:17. Ne e dimë se Satanai përpiqet të na largojë nga Jehovai, duke mbjellë frymën e dhunës në zemrën tonë, pjesërisht me anë të literaturës së diskutueshme, filmave, muzikës dhe lojërave kompjuterike, disa prej të cilave e shtyjnë lojtarin të veprojë shtazërisht dhe të bëjë masakra të paimagjinueshme, edhe pse vetëm në kompjuter. (Psalmi 11:5) Që Satanai po ia del mbanë, duket në rritjen e valës së krimeve të dhunshme. Në lidhje me këto lloj krimesh, disa vjet më parë, Robert Resleri, që shpiku termin «serial killer» ose vrasës në seri, në gazetën australiane The Sydney Morning Herald, thoshte se vrasësit që kishte intervistuar në vitet 70, merrnin zjarr nga materialet pornografike jo shumë të rënda, që «në krahasim me ato të sotmet, s’ishin gjë fare». Pra, Resleri shprehu «një pikëpamje të zymtë për të ardhmen, një shekull të ri kur vrasësit në seri shumohen.»
Dhe në të vërtetë, vetëm disa muaj pas daljes së atij artikulli, një kriminel vrau 16 fëmijë dhe edukatoren e tyre në një kopsht fëmijësh në Danblejn të Skocisë, dhe pastaj vrau veten. Një muaj më pas, një tjetër i çmendur i armatosur masakroi 32 veta në qytetin e qetë të Port-Arturit, në Tasmani, Australi. Vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara janë tronditur nga një numër masakrash në shkolla, gjë që i ka shtyrë amerikanët të pyesin: ‘Pse?’ Në qershor të vitit 2001, Japonia zinte faqet e para të gazetave botërore, të cilat flitnin për një të sëmurë mendor që hyri në një shkollë dhe vrau me thikë 8 nxënës të klasës së parë e të dytë, si dhe plagosi rëndë 15 njerëz të tjerë. Sigurisht që arsyeja pse ndodhin gjithë këto është mjaft e ndërlikuar, por dhuna që shfaqet në media, shihet gjithnjë e më shumë si një faktor ndikues. «Nëse një reklamë prej 60 sekondash në televizor ka fuqinë të rritë shitjet në mënyrë drastike,—shkroi gazetari australian Filip Adamsi,—imagjinoni se çfarë ndikimi ka te sjellja e njerëzve një film dyorësh për të cilin janë investuar miliona e miliona dollarë.» Është interesante se në shtëpinë e kriminelit të Port-Arturit, policia gjeti dhe konfiskoi 2.000 video të dhunshme e pornografike.
Ata që u përmbahen parimeve biblike, mbrojnë mendjen dhe zemrën nga format e argëtimit që ushqejnë dëshirën për të ushtruar dhunë. Kështu, ‘fryma e botës’ nuk gjen vend në mendimet dhe dëshirat e tyre, pasi janë ‘mësuar nga fryma [e Perëndisë]’ dhe përpiqen të rritin dëshirën për frytin e saj, ku përfshihet edhe paqja. (1 Korintasve 2:12, 13; Galatasve 5:22, 23) Këtë e arrijnë me anë të një studimi të rregullt të Biblës, me anë të lutjes dhe me anë të meditimit besimforcues. Gjithashtu, shmangin shoqërimin me njerëzit që kanë prirjen të jenë të dhunshëm, duke zgjedhur të rrinë me ata të cilët, po njësoj, presin me padurim botën e re paqësore të Jehovait. (Psalmi 1:1-3; Fjalët e urta 16:29) Po, mençuria hyjnore është vërtet një mbrojtje.
«Fjala» e Jehovait le të të ruajë zemrën!
Kur Satanai u orvat ta tundonte në shkretëtirë, Jezui ia ktheu duke cituar saktë Fjalën e Perëndisë. (Luka 4:1-13) Por ai nuk e bëri këtë për të treguar se kush ishte më i zgjuari. Duke përdorur Shkrimet si mbrojtje, Jezui foli nga zemra, dhe ja pse dështoi në rastin e tij strategjia e Djallit, që kishte pasur kaq sukses në kopshtin e Edenit. Taktikat e Satanait do të dështojnë edhe në rastin tonë, nëse e mbushim zemrën me fjalët e Jehovait. Asgjë nuk ka më shumë rëndësi se kjo, pasi «nga [zemra] dalin burimet jetës».—Fjalët e urta 4:23.
Për më tepër, ne duhet të vazhdojmë ta ruajmë zemrën, të mos dorëzohemi kurrë. Edhe pse kishte dështuar në shkretëtirë, Satanai nuk reshti së vëni në provë Jezuin. (Luka 4:13) Po kështu do të këmbëngulë edhe me ne, duke provuar një sërë strategjish, që të na thyejë integritetin. (Zbulesa 12:17) Prandaj, le të imitojmë Jezuin duke ushqyer një dashuri të thellë për Fjalën e Perëndisë, e në të njëjtën kohë duke u lutur pa pushim për frymën e shenjtë dhe për mençuri. (1 Selanikasve 5:17; Hebrenjve 5:7) Jehovai nga ana e tij, u premton të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai, se nuk do të pësojnë dëme frymore.—Psalmi 91:1-10; Fjalët e urta 1:33.
Fjala e Perëndisë mbron kongregacionin
Satanai nuk mund ta pengojë ‘shumicën e madhe’ që të shpëtojë gjatë shtrëngimit të madh, ashtu siç është parathënë. (Zbulesa 7:9, 14) Megjithatë, ai bën çmos t’i korruptojë të krishterët, në mënyrë që të paktën disa prej tyre, të humbin miratimin e Jehovait. Kjo strategji funksionoi në Izraelin e lashtë, kur 24.000 veta vdiqën në prag të Tokës së Premtuar. (Numrat 25:1-9) Sigurisht, të krishterët që gabojnë dhe tregojnë se janë penduar vërtet, marrin ndihmën e duhur në mënyrë që të rimëkëmben frymësisht. Por mëkatarët që nuk pendohen, si për shembull Zimri i kohëve biblike, vënë në rrezik mirëqenien morale dhe frymore të të tjerëve. (Numrat 25:14) Ashtu si ushtarët në një falangë që heqin mburojën e tyre, ata ekspozojnë ndaj rrezikut jo vetëm veten, por edhe të tjerët.
Prandaj Bibla na urdhëron: «Të mos përziheni më në shoqëri me këdo që quhet vëlla, i cili është kurvar, lakmitar, idhujtar, sharës, pijanec ose zhvatës, madje as të mos hani me një njeri të tillë. . . . Hiqeni të ligun nga mesi juaj.» (1 Korintasve 5:11, 13) A nuk jeni dakord që kjo «fjalë» e mençur ndihmon për të ruajtur pastërtinë morale dhe frymore të kongregacionit të krishterë?
Ndryshe nga të krishterët e vërtetë, shumë kisha të të ashtuquajturit krishterim, si edhe apostatët, i konsiderojnë si të vjetëruara ato pjesë të Biblës që bien në kundërshtim me pikëpamjen moderne dhe liberale për moralin. Prandaj, ata justifikojnë çdo lloj mëkati serioz, madje edhe kur kryhen nga klerikët. (2 Timoteut 4:3, 4) Por, nëse vini re, pas Fjalëve të urta 30:5, që flet për mbrojtjen e siguruar nga ‘fjala’ e Jehovait, Pr 30 vargu 6 vazhdon: «Mos u shto asgjë fjalëve të [Perëndisë] që të mos të të qortojë dhe të dalësh gënjeshtar.» Po, ata që shtrembërojnë Biblën, janë vërtet gënjeshtarë frymorë, gënjeshtarët më të këqij. (Mateu 15:6-9) Prandaj, le të jemi vërtet mirënjohës që bëjmë pjesë në një organizatë që e respekton thellë Fjalën e Perëndisë.
Të mbrojtur me anë të një ‘arome të këndshme’
Ngaqë i përmbahet Biblës dhe ua jep edhe të tjerëve mesazhin e saj ngushëllues, populli i Perëndisë shpërndan një ‘aromë të këndshme’ si të temjanit, që i pëlqen Jehovait. Ndërsa për të padrejtët, ata që përhapin këtë mesazh, çlirojnë «një aromë që del nga vdekja për në vdekje». Po, shqisa figurative e nuhatjes së të ligjve është shtrembëruar kaq shumë nga sistemi i Satanait, sa ndihen në siklet e madje armiqësorë në prani të atyre që çlirojnë ‘aromën e këndshme të Krishtit’. Nga ana tjetër, ata që përhapin me zell lajmin e mirë, bëhen «një aromë e këndshme e Krishtit ndër ata që po shpëtojnë». (2 Korintasve 2:14-16) Njerëzit me zemër të ndershme, shpesh ndiejnë neveri ndaj hipokrizisë dhe gënjeshtrave fetare që karakterizojnë fenë e rreme. Prandaj, kur hapim Fjalën e Perëndisë dhe u japim mesazhin e Mbretërisë, ata tërhiqen drejt Krishtit dhe duan të mësojnë më shumë.—Gjoni 6:44.
Prandaj, mos u shkurajoni kur disa nuk reagojnë mirë ndaj mesazhit të Mbretërisë. Përkundrazi, konsiderojeni ‘aromën e këndshme të Krishtit’ si një formë të mbrojtjes frymore që mban larg banesës frymore të popullit të Perëndisë shumë individë, të cilët mund të dëmtojnë të tjerët, dhe njëkohësisht tërheq ata me zemër të mirë.—Isaia 35:8, 9.
Vetëm se marshonin si një trup i vetëm dhe i shtrëngonin mburojat me gjithë fuqinë që kishin, ushtarët grekë arritën të fitonin në Maratonë, pavarësisht nga përparësitë e shumta të ushtrisë kundërshtare. Po kështu, Dëshmitarët besnikë të Jehovait janë të sigurt se do të korrin një fitore të plotë në luftën e tyre frymore, pasi kjo është «trashëgimia» e tyre. (Isaia 54:17) Prandaj, le të vazhdojmë të strehohemi te Jehovai «duke u mbajtur fort pas fjalës së jetës»!—Filipianëve 2:16.
[Figurat në faqen 31]
‘Mençuria nga lart është e dëlirë, pastaj paqësore’