Si i jep këshillat?
A të kanë kërkuar ndonjëherë këshilla? Për shembull, a të ka ndodhur të të bëjnë pyetje të tilla, si: «Ç’duhet të bëj? A të shkoj në këtë festë? A të ndjek këtë karrierë? A të shoqërohem me filanin me synimin për t’u martuar?»
Njerëz të sinqertë mund të të kërkojnë ndihmë kur marrin vendime—vendime që mund të ndikojnë në marrëdhëniet e tyre me miqtë, me familjarët ose edhe me Jehovain. Ku do ta bazosh përgjigjen? Si vepron zakonisht kur jep këshilla? Pavarësisht nëse çështja duket e papërfillshme ose me peshë, «zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet», thuhet te Proverbat 15:28. Mendo si mund të të ndihmojnë pesë parimet e mëposhtme biblike kur jep këshilla.
1 Dallo situatën reale.
«Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.»—PROV. 18:13.
Që të japim këshilla të mira, duhet të kuptojmë rrethanat dhe pikëpamjen e atij që po kërkon ndihmë. Ja ta ilustrojmë: ta zëmë se dikush të merr në telefon dhe të pyet cila është rruga më e mirë për të ardhur në shtëpinë tënde. Ç’duhet të dish që ta ndihmosh? A mund t’i sugjerosh cila është rruga më e mirë pa ditur së pari se ku ndodhet ai? S’do mend që jo! Po ashtu, para se të japësh drejtimin e duhur, duhet të dish «vendndodhjen»—rrethanat dhe pikëpamjen—e atij që të pyet. Mos vallë ka rrethana shfajësuese që mund të ndikojnë në përgjigjen tënde? Po nuk u fute në brendësi të situatës, mund të japësh këshilla që do ta pështjellojnë edhe më keq tjetrin.—Luka 6:39.
Kupto sa kërkime ka bërë. Mund të jetë e mençur t’i bësh pyetje të tilla atij që të kërkon këshilla: «Si mendon, cilat parime biblike zbatohen?» «Ç’të mira e të këqija sheh te mundësitë që ke?» «Çfarë kërkimesh ke bërë?» «Si të kanë ndihmuar deri tani të tjerët, si pleqtë e kongregacionit, prindërit ose lajmëtari që të drejton studimin biblik?»
Nga përgjigjet mund të kuptojmë sa përpjekje ka bërë për të gjetur një përgjigje. Veç kësaj, kur t’i japim këshillën do të mbajmë parasysh ç’mund të kenë thënë të tjerët. Gjithashtu, mund të dallojmë nëse, tekefundit, po kërkon thjesht që dikush ‘t’i gudulisë veshët’ me këshillën që ka qejf të dëgjojë.—2 Tim. 4:3.
2 Kujdes të mos përgjigjesh nxitimthi.
«Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur.»—JAK. 1:19.
Nisur nga qëllime të mira, mund të përgjigjemi shpejt e shpejt. Por, në përgjithësi, a do të ishte e mençur kjo, sidomos nëse po flasim për një çështje që nuk e kemi shqyrtuar me hollësi? Te Proverbat 29:20 thuhet: «A ke parë ndonjë njeri të nxituar në fjalë? Ka më shumë shpresë për budallanë se për të.»
Gjej kohë që të sigurohesh se mënyra si po e trajton ti çështjen është plotësisht në harmoni me mençurinë e Perëndisë. Pyet veten: «Mos kanë depërtuar në mentalitetin tim mentaliteti dhe ‘fryma e botës’?» (1 Kor. 2:12, 13) Mos harro se qëllimet e mira nuk mjaftojnë. Kur apostulli Pjetër mori vesh caktimin e vështirë të Jezuit, e këshilloi: «Ji i mirë me veten, Zotëri. Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.» Ç’mund të mësojmë nga reagimi i Pjetrit? Që, po të mos ketë kujdes, edhe një njeri i sinqertë mund t’i nxitë të tjerët ‘të mos mendojnë si mendon Perëndia, por si njerëzit’. (Mat. 16:21-23) Sa e rëndësishme është të mendojmë para se të flasim! Në fund të fundit, a nuk është përvoja jonë tmerrësisht e cunguar në krahasim me mençurinë e Perëndisë?!—Jobi 38:1-4; Prov. 11:2.
3 Zbato me përulësi Fjalën e Perëndisë.
«Nuk bëj asgjë me nismën time, por i them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati.»—GJONI 8:28.
A do të thoshe: «Po të isha në vendin tënd, unë do të . . . » Edhe sikur të duket e qartë ç’përgjigje duhet të japësh, bën mirë të mësosh nga shembulli i përulësisë dhe modestisë së Jezuit. Mençuria dhe përvoja e tij ishin ku e ku më të mëdha se e çdo njeriu; prapëseprapë, ai tha: «Nuk fola nga vetja, por vetë Ati . . . më urdhëroi se çfarë të them e çfarë të flas.» (Gjoni 12:49, 50) Jezui i bazonte gjithnjë mësimet dhe këshillat e tij te vullneti i Atit.
Për shembull, Luka 22:49 tregon se, pak para arrestimit të Jezuit, dishepujt e tij e pyetën nëse duhej të luftonin, e madje njëri prej tyre përdori shpatën. Vër re nga tregimi paralel i Mateut 26:52-54 se edhe në ato rrethana, Jezui gjeti kohë të arsyetonte me dishepullin rreth vullnetit të Jehovait. Meqë i njihte mirë parimet që gjenden te Zanafilla 9:6 dhe profecitë e Psalmit 22 e të Isaisë 53, Jezui u dha drejtim të mençur që, pa dyshim, shpëtoi jetë njerëzish dhe i pëlqeu Jehovait.
4 Përdor bibliotekën teokratike.
«Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur?»—MAT. 24:45.
Jezui ka emëruar një skllav të besuar që siguron ushqim frymor jetik. A lë kohë për të bërë kërkime të kujdesshme në botimet biblike kur jep këshilla e drejtim për çështje të rëndësishme?
Treguesi i Botimeve Watch Tower dhe Biblioteka Watchtowera na vënë në duar informacione të bollshme e të qarta. Sa gabim do të ishte ta shpërfillnim këtë gurrë të pasur informacionesh! Në to gjen mijëra tema dhe plot artikuj që të ndihmojnë të gjesh këshilla. Sa i zoti je t’i ndihmosh të tjerët të hulumtojnë parimet biblike dhe të arsyetojnë rreth Fjalës së Perëndisë? Ashtu si një hartë mund ta ndihmojë dikë të përcaktojë ku ndodhet dhe ta udhëheqë drejt vendmbërritjes, edhe mjetet e kërkimit mund ta ndihmojnë të kuptojë në ç’rrugë ndodhet dhe si të qëndrojë në shtegun e jetës.
Shumë pleq kongregacioni i kanë stërvitur lajmëtarët të bëjnë kërkime në artikujt e Treguesit ose në Bibliotekën Watchtower, e kështu i kanë ndihmuar vëllezërit e motrat t’i marrin vendimet nën dritën e Shkrimeve. Falë kësaj ndihme, lajmëtarët jo vetëm mësojnë t’u japin rrugë çështjeve të ngutshme, por edhe u bëhet shprehi të bëjnë kërkime dhe të mbështeten te masat frymore të Jehovait. Në këtë mënyrë, «i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën».—Hebr. 5:14.
5 Kujdes të mos marrësh vendime për të tjerët.
«Secili do të mbajë ngarkesën e vet.»—GAL. 6:5.
Në fund, gjithsecili duhet të zgjedhë vetë cilën këshillë do të ndjekë. Jehovai na lë të lirë të gjithëve të vendosim nëse do të udhëhiqemi nga parimet e tij apo jo. (Ligj. 30:19, 20) Disa situata përfshijnë një sërë parimesh biblike dhe, në fund të fundit, ai që kërkon këshillën duhet ta marrë vetë vendimin. Në varësi të çështjes ose të moshës së atij që na kërkon këshillë, mund të jetë e nevojshme të pyesim veten: «A kam vërtet autoritet të merrem me këtë çështje?» Në disa raste, më e mira është ta drejtosh te pleqtë e kongregacionit ose, nëse është në moshë të vogël, te prindërit.
[Shënimi]
a Biblioteka Watchtower në CD-ROM është në dispozicion në 39 gjuhë. Treguesi i Botimeve Watch Tower tani është në dispozicion në 45 gjuhë.
[Kutia dhe figura në faqen 8]
Projekt për adhurimin familjar
Si një projekt studimi, pse të mos bësh kërkime për pyetje që mund të të kenë bërë kohët e fundit? Çfarë artikujsh dhe parimesh biblike mund të gjesh për të ndihmuar ata që bëjnë pyetje të tilla? Për shembull, ta zëmë se një vëlla a një motër të pyet rreth lidhjes me dikë me synimin për t’u martuar. Kur përdor Treguesin ose Bibliotekën Watchtower, gjej së pari temën që lidhet më drejtpërdrejt me çështjen. Për shembull, te Treguesi mund të gjesh temat «Lidhjet romantike» dhe «Martesa». Pastaj hidhu një sy nëntemave për të gjetur artikuj që vlejnë për atë rast. Kur je te një titull, vëre nëse poshtë tij ka ndonjë «Shih edhe» që mund të të drejtojë te një titull që lidhet më drejtpërdrejt me kërkimin që po bën.
[Kutia në faqen 9]
Falë masave që merr Jehovai nëpërmjet organizatës së tij, mund të japim e të marrim këshilla të shkëlqyera. Tek Eklisiastiu 12:11 thuhet: «Fjalët e të mençurve janë si hostenë qesh dhe si gozhdë të ngulura janë ata që jepen pas mbledhjes së thënieve të urta; ato janë dhënë nga një bari i vetëm.» Tamam si ‘hostenët e qeve’—shkopinj me majë që përdoren për të ngarë kafshët e parmendës—këshillat e dashura e të shëndosha i ngasin ose i shtyjnë njerëzit e sinqertë për në drejtimin e duhur. ‘Gozhdët e ngulura’ e bëjnë të qëndrueshme një ndërtesë. Po ashtu, këshillat e mira mund të sjellin rezultate të qëndrueshme. Të mençurit «jepen pas», pra gjejnë kënaqësi të pamasë teksa shqyrtojnë ‘thëniet e urta’ që pasqyrojnë mençurinë e ‘bariut të tyre të vetëm’, Jehovait.
Kur të japim këshilla, le t’i bëjmë jehonë urtësisë së Bariut. Çfarë privilegji është t’i dëgjojmë me vëmendje të tjerët dhe t’u japim këshilla të dobishme sa herë që kemi mundësi! Kur bazohen vërtet te parimet biblike, këshillat tona do të jenë të shëndosha dhe mund të ndikojnë në të mirën e përhershme të atij që na dëgjon.