Lumturia: E vështirë për t’u kapur
ZEMËRIMI, ankthi dhe depresioni kanë qenë prej shumë kohësh subjekt i hetimeve shkencore. Por vitet e fundit, shkencëtarët më në zë e kanë përqendruar kërkimin e tyre tek një përjetim pozitiv dhe i dëshirueshëm njerëzor: lumturia.
Ç’gjë mund t’i bëjë njerëzit më të lumtur? Të qenët më i ri, më i pasur, më i shëndetshëm, më shtatlartë apo më elegant? Cili është çelësi drejt lumturisë së vërtetë? Shumica e njerëzve e kanë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Duke marrë në shqyrtim dështimin e përhapur gjerësisht në gjetjen e lumturisë, ndoshta për disa do të jetë shumë më e lehtë të përgjigjen se çfarë nuk është çelës drejt lumturisë.
Për një kohë të gjatë, psikologët më në zë rekomanduan si çelësin drejt lumturisë, një filozofi të orientuar nga vetja. Ata i inkurajuan njerëzit e palumtur që të përqendroheshin në mënyrë të posaçme tek përmbushja e nevojave të tyre individuale. Fraza të bujshme, të tilla si «shiko vetëm veten tënde», «njih vetveten» dhe «zbulo vetveten», u përdorën në psikoterapi. Por megjithatë, disa prej atyre ekspertëve që nxitën këtë mentalitet, tani janë dakord se një qëndrim i tillë individualist nuk sjell lumturi të qëndrueshme. Egoizmi do të sjellë në mënyrë të pashmangshme dhimbje dhe palumturi. Egoizmi nuk është çelësi drejt lumturisë.
Çelësi drejt palumturisë
Ata që kërkojnë ta gjejnë lumturinë në ndjekjen e kënaqësive, po kërkojnë në vendin e gabuar. Shqyrto shembullin e mbretit të mençur Solomon të Izraelit të lashtë. Në librin biblik të Predikuesit, ai shpjegon: «Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë.» (Predikuesi 2:10) Solomoni ndërtoi për veten shtëpi, mbolli vreshta dhe bëri kopshte, parqe dhe pishina uji. (Predikuesi 2:4-6, BR) Njëherë pyeti: «Kush ha dhe pi më mirë se unë?» (Predikuesi 2:25, BR) Ai zbavitej nga këngëtarët dhe muzikantët më të mirë dhe gëzoi shoqërinë e grave më të bukura të vendit.—Predikuesi 2:8.
Kjo do të thotë se Solomoni nuk u frenua, kur ishte fjala për aktivitete të këndshme. Në çfarë përfundimi arriti ai, pasi pati kënaqësi të bollshme në jetë? Ai tha: «Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t’i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell.»—Predikuesi 2:11.
Ajo që zbuloi mbreti i mençur, mbetet e saktë deri në kohët e sotme. Merr për shembull një vend të pasur si Shtetet e Bashkuara. Gjatë 30 vjetëve të fundit, faktikisht amerikanët e kanë dyfishuar numrin e zotërimeve të tyre materiale, të tilla si makinat dhe televizorët. Megjithatë, sipas ekspertëve të shëndetit mendor, amerikanët nuk janë aspak më të lumtur. Sipas një reviste, «gjatë së njëjtës periudhë, treguesit e depresionit kanë shkuar në qiell. Vetëvrasjet mes adoleshentëve janë trefishuar. Treguesi i divorceve është dyfishuar». Kohët e fundit, pas një studimi mbi lidhjen ndërmjet parave dhe lumturisë, të bërë mes popullsisë së pothuajse 50 shteteve të ndryshme, kërkuesit kanë arritur përfundime të ngjashme. Të thëna thjesht: lumturinë nuk mund ta blesh.
Përkundrazi, rendja pas pasurive, mund të quhet në mënyrë të përshtatshme çelësi drejt palumturisë. Apostulli Pavël paralajmëroi: «Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe në shkatërrim. Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje.»—1. Timoteut 6:9, 10.
As pasuritë, shëndeti, rinia, bukuria, pushteti dhe as ndonjë kombinim i tyre, nuk mund të garantojnë lumturi të qëndrueshme. Pse jo? Sepse ne nuk e kemi fuqinë për t’i penguar gjërat e këqija të ndodhin. Mbreti Solomon vërejti me vend: «Njeriu nuk e njeh orën e tij; ashtu si peshqit që kapen në një rrjetë mizore dhe si zogjtë që kapen në një kurth, kështu bijtë e njerëzve kapen në kurth në kohën e fatkeqësisë, kur ajo bie papritur mbi ta.»—Predikuesi 9:12.
Një synim i vështirë për t’u kapur
Asnjë sasi e kërkimit shkencor nuk mund të nxjerrë një formulë apo strategji të bërë nga njeriu, për lumturinë. Solomoni tha, gjithashtu: «Pashë nën diell që vrapimi nuk fitohet nga ai që është i shpejtë, as beteja nga të fortët; as buka nuk u shkon të urtëve, as pasuritë njerëzve të zgjuar, as favori atyre që janë të shkathët, por të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastësisë.»—Predikuesi 9:11.
Shumë prej atyre që janë dakord me fjalët e mësipërme, kanë arritur në përfundimin se të presësh një jetë vërtet të lumtur, nuk është realiste. Një arsimtar i njohur tha se «lumturia është një gjendje imagjinare». Të tjerë mendojnë se çelësi drejt lumturisë është një sekret misterioz dhe se aftësia për ta zbuluar sekretin mund të jetë e kufizuar për një pakicë personash mistikë, të talentuar për sa i përket intelektit.
Megjithatë, në kërkimin e tyre për lumturinë, njerëzit vazhdojnë të bëjnë eksperimente me stile të ndryshme jetese. Megjithë dështimin e pararendësve të tyre, sot shumë veta janë ende në ndjekje të pasurive, pushtetit, shëndetit apo kënaqësive, si mjekim për palumturinë e tyre. Kërkimi vazhdon, sepse thellë brenda vetes, shumica e njerëzve besojnë se lumturia e qëndrueshme nuk është thjesht një gjendje imagjinare. Ata shpresojnë se lumturia nuk është një ëndërr e pakapshme. Atëherë, mund të pyesësh: ‘Si mund ta gjej atë?’