«Për çdo gjë ka një kohë të caktuar»
«Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, madje një kohë për çdo punë nën qiej.»—EKLISIASTIU 3:1, BR.
1. Çfarë vështirësie kanë njerëzit e papërsosur dhe ku ka çuar kjo vështirësi në disa raste?
SHPESH njerëzit thonë: «Duhej ta kisha bërë më parë këtë gjë.» Ose ndoshta, pasi kanë bërë diçka, duke u menduar thonë: «Duhej të kisha pritur.» Këto reagime tregojnë se sa të vështirë e kanë njerëzit e papërsosur të përcaktojnë kohën e duhur për të bërë disa gjëra. Ky kufizim ka bërë që të prishen marrëdhënie të ndryshme. Ka shkaktuar zhgënjim dhe dëshpërim. Dhe mbi të gjitha, ka dobësuar besimin e disa njerëzve në Jehovain dhe në organizatën e tij.
2, 3. (a) Pse rruga më e mençur është të pranojmë përcaktimin që i ka bërë Jehovai kohëve të caktuara? (b) Cilën pikëpamje të ekuilibruar duhet të kemi për sa i përket përmbushjes së profecive biblike?
2 Duke pasur mençurinë dhe mendjehollësinë që u mungon njerëzve, Jehovai është në gjendje të parashikojë rezultatin e çdo veprimi, nëse dëshiron. Ai mund ta dijë «fundin që në fillim». (Isaia 46:10) Kështu, ai mund të zgjedhë në mënyrë të pagabueshme kohën më të volitshme për të bërë çdo gjë që dëshiron të bëjë. Prandaj, në vend që t’i besojmë ndjenjës sonë të pasaktë për kohën e bërjes së gjërave, është e mençur të pranojmë përcaktimin që i ka bërë Jehovai kohëve të caktuara.
3 Për shembull, të krishterët e pjekur presin me besnikëri kohën e caktuar të Jehovait për përmbushjen e disa profecive biblike. Ata qëndrojnë të zënë në shërbimin e tij, ndërkohë që mbajnë vazhdimisht të qartë në mendje parimin e Vajtimeve 3:26: «Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.» (Krahaso Habakukun 3:16.) Në të njëjtën kohë ata janë të bindur se ekzekutimi i shpallur i gjykimit të Jehovait edhe «nëse vonon, . . . me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë».—Habakuku 2:3.
4. Si duhet të na ndihmojnë shkrimet në Amosin 3:7 dhe Mateun 24:45 për të pritur me durim Jehovain?
4 Nga ana tjetër, a kemi arsye për t’u bërë të paduruar, nëse nuk arrijmë të kuptojmë plotësisht disa shkrime biblike ose shpjegime në botimet e Watch Tower-it? Rruga më e mençur është të presim kohën e caktuar të Jehovait për t’i qartësuar gjërat. «Sepse Zoti nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin [çështjen e tij konfidenciale, BR] shërbëtorëve të tij, profetëve.» (Amosi 3:7) Sa premtim i mrekullueshëm! Gjithsesi, duhet të kuptojmë se Jehovai i zbulon çështjet e tij konfidenciale në kohën që ai e gjykon të volitshme. Për këtë qëllim, Perëndia ka autorizuar një ‘skllav të besueshëm e të matur’, për t’i siguruar popullit të tij «ushqim [frymor] në kohën e duhur». (Mateu 24:45, BR) Prandaj, nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar së tepërmi, nëse disa gjëra nuk janë shpjeguar plotësisht. Përkundrazi, mund të jemi të sigurt se po të presim me durim Jehovain, ai do të sigurojë, nëpërmjet skllavit të besueshëm, atë që nevojitet «në kohën e duhur».
5. Çfarë dobie ka shqyrtimi i vargjeve në Predikuesin 3:1-8?
5 Mbreti i mençur Solomon foli për 28 gjëra të ndryshme, ku secila prej tyre ka ‘kohën e vet të caktuar’. (Eklisiastiu [Predikuesi] 3:1-8, BR) Duke kuptuar domethënien dhe se çfarë përfshijnë ato që tha Solomoni, do të ndihmohemi të përcaktojmë se çfarë konsideron Perëndia si kohën e duhur dhe kohën e gabuar për disa veprime. (Hebrenjve 5:14) Kjo, nga ana e vet, do të na lejojë ta modelojmë jetën tonë në përputhje me të.
«Një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur»
6, 7. (a) Çfarë i bën «për të qarë» sot njerëzit e ndërgjegjshëm? (b) Si përpiqet ta minimizojë bota situatën e rëndë në të cilën gjendet?
6 Ndonëse ka «një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur», kush është ai që nuk preferon këtë të fundit më shumë se të parën? (Predikuesi 3:4) Mjerisht, jetojmë në një botë që kryesisht na jep arsye për të qarë. Në mjetet e informacionit mbizotërojnë lajme dëshpëruese. Tmerrohemi kur dëgjojmë për të rinj që u qëllojnë me armë studentëve të tjerë në shkollë, për prindër që abuzojnë me fëmijët e tyre, për terroristë që vrasin ose gjymtojnë viktima të pafajshme dhe për të ashtuquajturat shkatërrime natyrore, që bëjnë kërdinë në jetë njerëzore dhe në prona. Fëmijë të uritur, me sy të futur dhe refugjatë të shpërngulur në ikje e sipër, konkurrojnë në ekranin e televizorit për të na tërhequr vëmendjen. Terma që më parë ishin të panjohur, si: spastrimi etnik, SIDA, lufta biologjike dhe fenomeni natyror El Ninjo, tani na krijojnë ankth në mendje e në zemër, secili në mënyrën e vet.
7 S’ka asnjë dyshim, bota e sotme është e mbushur me tragjedi dhe pikëllim. Megjithatë, si për të minimizuar seriozitetin e situatës, industria e zbavitjes paraqet rregullisht oferta të sipërfaqshme, pa shije dhe shpesh imorale e të dhunshme, të projektuara për të na mashtruar, që të mos i vëmë re vuajtjet që po përjetojnë të tjerët. Por fryma e papërgjegjshme e shakave të pamenda dhe e qeshura e kotë që shkakton kjo zbavitje nuk duhen ngatërruar me gëzimin e vërtetë. Gëzimi që është fryt i frymës së Perëndisë është diçka që bota e Satanait thjesht nuk mund ta sigurojë.—Galatasve 5:22, 23; Efesianëve 5:3, 4.
8. Të krishterët e sotëm duhet t’i japin përparësi të qarit apo të qeshurës? Shpjego.
8 Duke njohur gjendjen e mjerueshme të botës, mund ta kuptojmë se sot, vështirë që të jetë koha për t’i dhënë përparësi së qeshurës. Nuk është koha që të jetojmë vetëm për çlodhje e zbavitje ose të lejojmë «zbavitjen» që të marrë përparësinë mbi kërkimin e gjërave frymore. (Krahaso Predikuesin 7:2-4.) Apostulli Pavël tha se «ata që përdorin nga kjo botë» duhet të jenë «si ata që nuk e përdorin plotësisht». Përse? Sepse «skena e kësaj bote po ndryshon». (1. Korintasve 7:31, BR) Të krishterët e vërtetë jetojnë çdo ditë me një dijeni të plotë të seriozitetit të kohëve në të cilat jetojmë.—Filipianëve 4:8.
Ndonëse qajnë, vërtet të lumtur!
9. Cila situatë e vajtueshme ekzistonte në ditët para Përmbytjes dhe çfarë domethënieje ka kjo gjë për ne sot?
9 Njerëzit që jetuan në kohën e Përmbytjes globale nuk kishin një pikëpamje serioze për jetën. Ata vazhduan me rutinën e tyre të përditshme dhe nuk qanë për ‘ligësinë e njerëzve [që] ishte e madhe mbi tokë’, duke vështruar me indiferencë, ndërsa «toka ishte [mbushej, BR] plot e përplot me dhunë». (Zanafilla 6:5, 11) Jezui iu referua asaj gjendjeje të vajtueshme dhe paratha një qëndrim të ngjashëm të njerëzve në ditët tona. Ai paralajmëroi: «Ashtu si në ditët para përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë dhe nuk kuptuan asgjë [nuk ia vunë veshin, BR] derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë: kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut.»—Mateu 24:38, 39.
10. Si treguan izraelitët që jetonin në ditët e Hageut se u mungonte çmueshmëria për kohën e caktuar të Jehovait?
10 Rreth 1.850 vjet pas Përmbytjes, në ditët e Hageut, shumë izraelitë shfaqën një mungesë të ngjashme interesi serioz për gjërat frymore. Duke qenë të zënë me interesat e tyre personale, ata nuk arritën të dallojnë se koha e tyre ishte një kohë për t’u dhënë përparësi interesave të Jehovait. Lexojmë: «Ky popull thotë: ‘Nuk ka ardhur ende koha, koha kur duhet të rindërtohet shtëpia e Zotit.’ Atëherë fjala e Zotit iu drejtua atyre me anë të profetit Hagai, duke thënë: ‘A është vallë për ju koha për të banuar në shtëpitë tuaja të mbuluara mirë, ndërsa ky tempull është ende i rrënuar?’ Prandaj, Zoti i ushtrive thotë tani: ‘Mendohuni mirë për sjelljen tuaj [Vendosni zemrën në rrugët tuaja, BR].’»—Hagai (Hageu) 1:1-5.
11. Çfarë pyetjesh mund t’i bëjmë vetes në mënyrë të përshtatshme?
11 Edhe ne që sot jemi Dëshmitarë të Jehovait, me përgjegjësi dhe privilegje para Jehovait, ashtu si izraelitët e kohës së Hageut, bëjmë mirë të vendosim zemrën në rrugët tona, duke e bërë këtë me gjithë seriozitetin. A ‘qajmë’ për kushtet botërore dhe për sharjen që sjellin këto kushte mbi emrin e Perëndisë? A ndiejmë dhimbje kur njerëzit e mohojnë ekzistencën e Perëndisë ose kur shpërfillin me arrogancë parimet e tij të drejta? A reagojmë si ata individë të shënuar që pa Ezekieli në një vizion, 2.500 vjet më parë? Për ta, lexojmë: «Zoti i tha [njeriut me kallamarin prej briri të sekretarit]: ‘Kalo në mes të qytetit, në mes të Jerusalemit dhe bëj një shenjë mbi ballin e njerëzve që psherëtijnë dhe vajtojnë për të gjitha gjërat që kryhen në mes të tij.’»—Ezekieli 9:4.
12. Çfarë domethënie ka për njerëzit sot Ezekieli 9:5, 6?
12 Për ne sot, domethënia e këtij tregimi bëhet e dukshme kur lexojmë udhëzimet që iu dhanë gjashtë burrave me armë për shfarosjen: «Kaloni nëpër qytet pas tij dhe goditni. Syrit tuaj të mos i vijë keq dhe mos kini mëshirë aspak. Vritni deri në shfarosje pleq, të rinj, virgjëresha, fëmijë dhe gra, por mos iu afroni asnjërit mbi të cilin është shenja, filloni nga shenjtërorja ime.» (Ezekieli 9:5, 6) Mbijetesa jonë në mjerimin e madh që po afrohet me të shpejtë varet nga fakti nëse e kuptojmë apo jo që sot është kryesisht një kohë për të qarë.
13, 14. (a) Cilët lloj njerëzish shpalli të lumtur Jezui? (b) Shpjego përse mendon që ky përshkrim u përshtatet mirë Dëshmitarëve të Jehovait.
13 Sigurisht, fakti që shërbëtorët e Jehovait ‘qajnë’ për gjendjen e vajtueshme të çështjeve të botës, nuk e pengon lumturinë e tyre. Përkundrazi! Faktikisht, si grup ata janë njerëzit më të lumtur në tokë. Jezui dha parimin themelor për lumturinë, kur tha: «Lum skamësit në frymë, . . . ata që vajtojnë, . . . ata që janë zemërbutë, . . . ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, . . . ata që janë të mëshirshëm, . . . ata që janë të pastër në zemër, . . . ata që përpiqen për paqen, . . . ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë.» (Mateu 5:3-10) Ekzistojnë dëshmi të bollshme për të treguar se ky përshkrim u përshtatet më mirë Dëshmitarëve të Jehovait kolektivisht, sesa çdo organizate tjetër fetare.
14 Veçanërisht që nga rivendosja e adhurimit të vërtetë në vitin 1919, populli i lumtur i Jehovait ka arsye «për të qeshur». Nga ana frymore, ata përjetuan përvojën ngazëlluese të atyre që u kthyen nga Babilonia në shekullin e gjashtë p.e.s., të cilët thanë: «Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr. Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi. . . . Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne dhe jemi tërë gëzim.» (Psalmi 126:1-3) Megjithatë, edhe mes qeshjes frymore, Dëshmitarët e Jehovait me mençuri e mbajnë parasysh seriozitetin e kohëve. Pasi bota e re të jetë bërë realitet dhe banorët e tokës të jenë ‘kapur fort pas jetës së vërtetë’, atëherë do të jetë koha kur e qeshura do të zëvendësojë të qarën për gjithë përjetësinë.—1. Timoteut 6:19, BR; Zbulesa 21:3, 4.
«Një kohë për të përqafuar dhe një kohë për t’u përmbajtur nga përqafimet»
15. Pse të krishterët janë seleksionues kur zgjedhin miqtë e tyre?
15 Të krishterët janë seleksionues ndaj atyre që përfshijnë në miqësi. Ata mbajnë parasysh paralajmërimin e Pavlit: «Mos u gënjeni. Shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.» (1. Korintasve 15:33) Po ashtu, mbreti i mençur Solomon vërejti: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.»—Fjalët e urta (Proverbat) 13:20.
16, 17. Si e konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait miqësinë, shoqërimin me seksin e kundërt dhe martesën dhe përse?
16 Shërbëtorët e Jehovait zgjedhin si miq individë që kanë po të njëjtën dashuri për Jehovain dhe për drejtësinë e tij. Edhe pse e çmojnë dhe kënaqen nga shoqëria e miqve të tyre, me mençuri ata e shmangin pikëpamjen tolerante dhe tepër liberale që mbizotëron në disa vende sot për shoqërimin me seksin e kundërt. Në vend që të jepen pas shoqërimit me seksin e kundërt, duke e konsideruar si zbavitje të padëmshme, ata e konsiderojnë këtë gjë si një hap serioz drejt martesës, hap që duhet bërë vetëm kur një person është fizikisht, mendërisht dhe frymësisht gati, si edhe i lirë nga ana biblike, për të filluar një marrëdhënie të qëndrueshme.—1. Korintasve 7:36.
17 Disa mund të mendojnë se pasja e kësaj pikëpamjeje për shoqërimin me seksin e kundërt dhe për martesën është e dalë mode. Por Dëshmitarët e Jehovait nuk lejojnë që presioni i bashkëmoshatarëve të ndikojë në zgjedhjen e miqve ose në vendimet që kanë të bëjnë me shoqërimin me seksin e kundërt dhe martesën. Ata e dinë se «mençuria është provuar e drejtë nga veprat e saj». (Mateu 11:19, BR) Jehovai di gjithnjë ç’është më e mirë, prandaj ata e marrin seriozisht këshillën e tij për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1. Korintasve 7:39, BR; 2. Korintasve 6:14) Ata nuk e nisin me ngut një martesë, me mendimin e gabuar se divorci ose ndarja janë alternativa të pranueshme, nëse martesa dështon. Ata marrin kohën që duhet për të gjetur një partner të përshtatshëm, duke kuptuar se pasi bëhet betimi i martesës, zbatohet ky ligj i Jehovait: «Kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.»—Mateu 19:6; Marku 10:9.
18. Çfarë mund të shërbejë si një fillim për një martesë të lumtur?
18 Martesa është një angazhim për gjithë jetën, që meriton planifikim të kujdesshëm. Në mënyrë logjike, një burrë do të pyesë veten: ‘A është ajo me të vërtetë personi i duhur për mua?’ Por të njëjtën rëndësi ka edhe pyetja që duhet t’i bëjë vetes: ‘A jam unë me të vërtetë personi i duhur për të? A jam një i krishterë i pjekur i cili mund të kujdeset për nevojat e saj frymore?’ Që të dy partnerët e mundshëm kanë një detyrim para Jehovait për të qenë të fortë frymësisht, të zotë për të krijuar një lidhje të fortë martesore që meriton miratimin hyjnor. Mijëra çifte të krishtere mund të dëshmojnë se shërbimi i plotkohor, duke qenë se e vë theksin më shumë në dhënien sesa në marrjen, është një fillim i shkëlqyer për një martesë të lumtur.
19. Përse disa të krishterë qëndrojnë beqarë?
19 Disa të krishterë vendosin të ‘përmbahen nga përqafimet’, duke zgjedhur të mbeten beqarë për hir të lajmit të mirë. (Predikuesi 3:5, BR) Të tjerë e shtyjnë martesën derisa të ndihen se janë të kualifikuar frymësisht me cilësi që tërheqin një partner të përshtatshëm. Por le të mos i harrojmë edhe ata të krishterë beqarë që e dëshirojnë intimitetin dhe dobitë e martesës, por nuk arrijnë të gjejnë një partner. Mund të jemi të sigurt se Jehovai kënaqet kur sheh se ata refuzojnë të bëjnë kompromis me parimet hyjnore, ndërsa kërkojnë një partner të përshtatshëm. Bëjmë mirë, gjithashtu, të çmojmë besnikërinë e tyre dhe t’u ofrojmë inkurajimin e përshtatshëm që meritojnë.
20. Përse edhe bashkëshortët në disa raste zgjedhin ‘të përmbahen nga përqafimet’?
20 Mos vallë edhe çiftet e martuara në disa raste duhet të zgjedhin ‘të përmbahen nga përqafimet’? Në disa aspekte duket se po, pasi Pavli vërejti: «Po ju them këtë, o vëllezër, se koha tanimë është shkurtuar. Kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë.» (1. Korintasve 7:29) Në përputhje me këtë, disa herë gëzimet dhe bekimet e martesës duhet të zënë vend të dytë, pas përgjegjësive teokratike. Pasja e një pikëpamjeje të ekuilibruar për këtë çështje nuk do ta dobësojë, por do ta forcojë martesën, sepse ndihmon për t’u kujtuar të dy bashkëshortëve se Jehovai duhet të jetë gjithnjë figura qendrore stabilizuese në marrëdhënien e tyre.—Predikuesi 4:12.
21. Përse nuk duhet t’i gjykojmë çiftet e martuara për sa i përket pasjes së fëmijëve?
21 Përveç kësaj, disa çifte të martuara kanë vendosur të mos kenë fëmijë, me qëllim që të jenë më të lirë për të kryer shërbimin ndaj Perëndisë. Kjo ka nënkuptuar sakrifica nga ana e tyre dhe Jehovai do t’i shpërblejë në përputhje me to. Gjithsesi, ndërkohë që Bibla e inkurajon beqarinë për hir të lajmit të mirë, ajo nuk bën ndonjë koment të drejtpërdrejtë për të mbetur pa fëmijë për të njëjtën arsye. (Mateu 19:10-12; 1. Korintasve 7:38; krahaso Mateun 24:19 dhe Lukën 23:28-30.) Prandaj, çiftet e martuara duhet të marrin një vendim në bazë të rrethanave personale dhe të ndjenjave që u dikton ndërgjegjja e tyre. Cilido që të jetë ky vendim, çiftet e martuara nuk duhen kritikuar.
22. Çfarë është e rëndësishme që të përcaktojmë?
22 Po, «për çdo gjë ka një kohë të caktuar, madje një kohë për çdo punë nën qiej». (BR) Madje, ka edhe «një kohë për luftën dhe një kohë për paqen». (Predikuesi 3:1, 8) Artikulli vijues do të shpjegojë përse është e rëndësishme që të përcaktojmë se për cilat nga këto dy gjëra është koha tani.
A mund të shpjegosh?
◻ Përse është jetësore të dimë që «për çdo gjë ka një kohë të caktuar»?
◻ Përse sot është kryesisht «një kohë për të qarë»?
◻ Përse të krishterët, edhe pse ‘qajnë’, janë prapëseprapë me të vërtetë të lumtur?
◻ Si e tregojnë disa të krishterë se kohën e tanishme e konsiderojnë «një kohë për t’u përmbajtur nga përqafimet’?
[Figurat në faqet 6, 7]
Ndonëse të krishterët ‘qajnë’ për shkak të kushteve të botës . . .
. . . faktikisht ata janë populli më i lumtur në botë
[Figura në faqen 8]
Shërbimi i plotkohor është një bazë e shkëlqyer për një martesë të lumtur