Pikëpamja hyjnore për pastërtinë morale
«Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson t’i sjellësh dobi vetes, Ai që të bën të shkelësh në rrugën në të cilën duhet të ecësh.»—ISAIA 48:17, BR.
1, 2. (a) Si e konsiderojnë njerëzit në përgjithësi moralin seksual? (b) Çfarë pikëpamjeje kanë të krishterët për moralin seksual?
SOT, në shumë pjesë të tokës, sjellja morale ka arritur të konsiderohet një çështje personale. Njerëzit i shohin marrëdhëniet seksuale si shprehje të natyrshme përzemërsie, të cilat mund t’i kryejnë kur të dëshirojnë, jo si diçka që duhet kufizuar vetëm brenda martesës. Mendojnë se, nëse nuk dëmtohet asnjëri, nuk ka asgjë të gabuar që të vendosin vetë si të sillen. Sipas pikëpamjes së tyre, njerëzit nuk duhen gjykuar në çështjet e moralit e, në veçanti, për sa u përket marrëdhënieve seksuale.
2 Ata që kanë arritur të njohin Jehovain, kanë një pikëpamje të ndryshme. I ndjekin me gëzim udhëzimet biblike sepse e duan Jehovain dhe dëshirojnë t’i pëlqejnë atij. E kuptojnë se Jehovai i do dhe u jep drejtimin që është për të mirën e tyre, një drejtim që do t’u sjellë vërtet dobi dhe do t’i bëjë të lumtur. (Isaia 48:17) Meqë Perëndia është Burimi i jetës, është e arsyeshme që ata t’i drejtohen për udhëheqje se si t’i përdorin trupat e tyre, veçanërisht në këtë çështje që lidhet kaq ngushtësisht me transmetimin e jetës.
Dhuratë nga një Krijues i dashur
3. Çfarë u është mësuar shumë vetave në të ashtuquajturin krishterim për marrëdhëniet seksuale dhe si është ky mësim në krahasim me atë që mëson Bibla?
3 Në kontrast me botën e sotme shekullare, disa në të ashtuquajturin krishterim u kanë mësuar njerëzve se marrëdhëniet seksuale janë të turpshme, mëkatare, dhe se «mëkati i parë» në kopshtin e Edenit ishte joshja seksuale e Adamit nga Eva. Kjo pikëpamje është në kundërshtim me atë që thonë Shkrimet e frymëzuara. Dokumentimi biblik i referohet çiftit të parë njerëzor si «burri e gruaja e tij». (Zanafilla 2:25) Perëndia u tha të kishin fëmijë, me fjalët: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën.» (Zanafilla 1:28) Nuk do të kishte kuptim që Perëndia ta urdhëronte Adamin dhe Evën të kishin fëmijë e pastaj t’i ndëshkonte ngaqë kishin zbatuar këto udhëzime.—Psalmi 19:8.
4. Përse Perëndia u dha njerëzve aftësi seksuale?
4 Në këtë urdhër që iu dha prindërve tanë të parë e që iu përsërit Noes dhe bijve të tij, shohim qëllimin kryesor të marrëdhënieve seksuale: për të bërë fëmijë. (Zanafilla 9:1) Megjithatë, Fjala e Perëndisë tregon se shërbëtorët e tij të martuar nuk janë të detyruar t’i kufizojnë marrëdhëniet seksuale vetëm kur duan të bëjnë fëmijë. Këto marrëdhënie mund të mbushin në mënyrë të përshtatshme nevoja emocionale e fizike dhe mund të jenë burim kënaqësie për një çift të martuar. Është një mënyrë në të cilën ata shprehin përzemërsinë e thellë për njëri-tjetrin.—Zanafilla 26:8, 9; Fjalët e urta (Proverbat) 5:18, 19; 1 Korintasve 7:3-5.
Kufizime hyjnore
5. Çfarë ndalimesh ka vënë Perëndia mbi aktivitetin seksual të njerëzve?
5 Ndonëse aftësia seksuale është një dhuratë nga Perëndia, ajo nuk duhet shprehur pa kufizime. Ky parim zbatohet edhe brenda rregullimit martesor. (Efesianëve 5:28-30; 1 Pjetrit 3:1, 7) Jashtë martesës, marrëdhëniet seksuale janë të ndaluara. Bibla është shumë specifike në këtë aspekt. Në Ligjin që Perëndia i dha kombit të Izraelit, thuhej: «Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.» (Eksodi [Dalja] 20:14) Më vonë, Jezui i përfshiu ‘kurvëritë’ dhe ‘kurorëshkeljet’ me ‘arsyetimet e dëmshme’ që dalin nga zemra dhe e ndotin një person. (Marku 7:21, 22) Apostulli Pavël u frymëzua t’i këshillonte të krishterët në Korint: «Ikni nga kurvëria.» (1 Korintasve 6:18) Gjithashtu, në letrën drejtuar hebrenjve, Pavli shkroi: «Martesa le të jetë e nderuar ndër të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.»—Hebrenjve 13:4.
6. Në Bibël, çfarë përfshin fjala «kurvëri»?
6 Çfarë do të thotë fjala ‘kurvëri’? Vjen nga fjala greke pornei΄a, e cila disa herë përdoret për marrëdhëniet seksuale midis njerëzve të pamartuar. (1 Korintasve 6:9) Në shkrime të tjera, si te Mateu 5:32 dhe te Mateu 19:9, termi ka domethënie më të gjerë dhe i referohet më tej kurorëshkeljes, incestit dhe marrëdhënieve seksuale me kafshët. Ka edhe praktika të tjera seksuale ndërmjet individëve të pamartuar me njëri-tjetrin që mund të përkufizohen si pornei΄a, siç janë seksi oral dhe anal, si edhe manipulimi seksual i organeve gjenitale të një personi tjetër. Në Fjalën e Perëndisë, që të gjitha këto praktika janë të dënuara, qoftë në mënyrë të hapur, qoftë në mënyrë të tërthortë.—Levitiku 20:10, 13, 15, 16; Romakëve 1:24, 26, 27, 32.a
Të nxjerrim dobi nga ligjet morale të Perëndisë
7. Si nxjerrim dobi duke qëndruar të pastër moralisht?
7 Bindja ndaj drejtimit të Jehovait në lidhje me sjelljen seksuale mund të jetë një sfidë për njerëzit e papërsosur. Majmonidi, filozofi i famshëm jude i shekullit të 12-të, shkroi: «Asnjë ndalim në të gjithë Torën [Ligjin e Moisiut] nuk është aq i vështirë për t’u mbajtur sa ai i lidhjeve të ndaluara dhe i marrëdhënieve të paligjshme seksuale.» Megjithatë, nëse i bindemi drejtimit të Perëndisë, nxjerrim shumë dobi. (Isaia 48:18) Për shembull, bindja në këtë çështje na ndihmon, duke na mbrojtur nga sëmundjet e transmetuara me rrugë seksuale, disa prej të cilave nuk kanë asnjë kurim dhe mund të shkaktojnë vdekjen.b Mbrohemi nga shtatzënitë jashtë martesës. Gjithashtu, zbatimi i mençurisë hyjnore i kontribuon një ndërgjegjeje të pastër. Kjo nxit respektin për veten dhe bën që të fitojmë respektin e të tjerëve, duke përfshirë të afërmit tanë, bashkëshortët, fëmijët dhe vëllezërit e krishterë dhe motrat e krishtere. Në mënyrë të ngjashme, na ndihmon të kemi një qëndrim të shëndoshë e pozitiv ndaj marrëdhënieve seksuale, qëndrim që do t’i kontribuojë lumturisë në martesë. Një e krishterë shkroi: «E vërteta e Fjalës së Perëndisë është mbrojtja më e mirë që ekziston. Jam ende në pritje të martesës dhe kur kjo të ndodhë, do të jem krenare t’i them burrit të krishterë me të cilin do të martohem se kam qëndruar e dëlirë.»
8. Në cilat mënyra sjellja jonë e dëlirë mund të përkrahë adhurimin e pastër?
8 Duke mbajtur një sjellje të dëlirë, mund të bëjmë shumë edhe për të eliminuar idetë e gabuara rreth adhurimit të vërtetë dhe t’i tërheqim njerëzit drejt Perëndisë që adhurojmë. Apostulli Pjetër shkroi: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes kombeve, me qëllim që, për atë që thonë kundër jush si keqbërës, ata t’i japin lavdi Perëndisë ditën e hetimit prej tij, si rrjedhojë e veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë.» (1 Pjetrit 2:12) Edhe sikur ata që nuk i shërbejnë Jehovait të mos arrijnë ta kuptojnë ose ta miratojnë sjelljen tonë të dëlirë, mund të jemi të sigurt se Ati ynë qiellor e sheh, e miraton dhe, madje, gëzohet nga përpjekjet që bëjmë për të ndjekur drejtimin e tij.—Fjalët e urta 27:11; Hebrenjve 4:13.
9. Përse duhet të kemi besim në drejtimin e Perëndisë, ndonëse mund të mos i kuptojmë plotësisht arsyet e tij? Ilustroni.
9 Besimi te Perëndia përfshin sigurinë se ai e di çfarë është më e mira për ne, edhe nëse nuk i kuptojmë plotësisht të gjitha arsyet përse na drejton në njëfarë mënyre. Shqyrtoni një shembull nga Ligji i Moisiut. Një rregullim në lidhje me fushimet ushtarake kërkonte që jashtëqitjet të groposeshin jashtë kampit. (Ligji i përtërirë 23:13, 14) Ndoshta izraelitët pyetnin veten për arsyen e këtij drejtimi e, mbase, disa mund të kenë menduar se ishte i panevojshëm. Megjithatë, me kalimin e kohës shkenca mjekësore ka arritur të kuptojë se ky ligj ndihmonte për t’i ruajtur burimet e ujit nga ndotjet dhe siguronte mbrojtje nga shumë sëmundje të mbartura prej insekteve. Në mënyrë të ngjashme, ekzistojnë arsye frymore, shoqërore, emocionale, fizike dhe psikologjike përse Perëndia i ka kufizuar marrëdhëniet seksuale vetëm për shtratin martesor. Le të shqyrtojmë, tani, disa shembuj biblikë të atyre që mbajtën pastërti morale.
Jozefi: I bekuar për sjelljen morale
10. Kush u përpoq ta joshte Jozefin dhe si u përgjigj ai?
10 Ndoshta e njihni shembullin biblik të Jozefit, birit të Jakobit. Në moshën 17-vjeçare, ai gjendej si skllav që i përkiste Potifarit, kreut të truprojës së faraonit të Egjiptit. Jehovai e bekoi Jozefin dhe, me kalimin e kohës, atë e caktuan mbi të gjithë shtëpinë e Potifarit. Në kohën kur arriti të 20-tat, Jozefi ishte bërë «i bukur nga forma dhe kishte një pamje tërheqëse». Ai i ra në sy gruas së Potifarit, e cila u përpoq ta joshte. Jozefi ia bëri të qartë pozicionin e tij, duke i shpjeguar se po të pranonte, kjo jo vetëm që do të thoshte tradhti ndaj zotërisë së tij, por edhe «një mëkat kundër Perëndisë». Përse arsyetoi kështu Jozefi?—Zanafilla 39:1-9.
11, 12. Ndonëse nuk kishte ndonjë ligj hyjnor me shkrim që të ndalonte kurvërinë dhe kurorëshkeljen, përse Jozefi duhet të ketë arsyetuar në atë mënyrë?
11 Me sa duket, vendimi i Jozefit nuk bazohej në frikën se do ta zbulonin njerëzit. Familja e tij jetonte shumë larg dhe i ati e mendonte të vdekur. Nëse Jozefi do të kryente imoralitet seksual, familja e tij nuk do ta merrte vesh kurrë. Një mëkat i tillë, nga sa duket, mund të mbetej i fshehur edhe ndaj Potifarit e ndaj shërbëtorëve të tij, sepse kishte periudha kur këta nuk ishin në shtëpi. (Zanafilla 39:11) Megjithatë, Jozefi e dinte se një sjellje e tillë nuk mund t’i fshihej Perëndisë.
12 Jozefi duhet të ketë arsyetuar rreth asaj që dinte për Jehovain. Pa dyshim, ai e dinte atë që kishte shpallur Jehovai në Eden: «Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe do të jenë një mish i vetëm.» (Zanafilla 2:24) Për më tepër, ndoshta Jozefi ishte në dijeni të asaj që i kishte thënë Jehovai një mbreti filiste që donte të joshte stërgjyshen e Jozefit, Sarën. Jehovai i tha atij mbreti: «Ja, ti je duke vdekur, për shkak të gruas që ke marrë, sepse ajo është e martuar. . . . Por, unë . . . të ndalova të kryesh një mëkat kundër meje; ndaj nuk të lejova ta prekësh.» (Zanafilla 20:3, 6) Prandaj, ndonëse Jehovai nuk kishte dhënë ende një ligj të shkruar, ndjenjat e tij për martesën ishin të qarta. Ndjenja morale e Jozefit, së bashku me dëshirën për t’i pëlqyer Jehovait, e bënë ta refuzonte imoralitetin.
13. Përse ndoshta Jozefi nuk i shmangej dot gruas së Potifarit?
13 Megjithatë, gruaja e Potifarit ishte këmbëngulëse, duke iu lutur «çdo ditë» që të binte në shtrat me të. Përse Jozefi thjesht nuk iu shmang? Mirë, si skllav që ishte, ai kishte disa detyra për të kryer dhe nuk mund të bënte gjë për të ndryshuar situatën e tij. Dëshmitë arkeologjike tregojnë se projektimi i shtëpive egjiptase e bënte të nevojshme të kaloje përmes pjesës kryesore të shtëpisë për të shkuar në depo. Prandaj, për Jozefin mund të ketë qenë e pamundur t’i shmangej gruas së Potifarit.—Zanafilla 39:10.
14. (a) Çfarë i ndodhi Jozefit pasi i iku nga duart gruas së Potifarit? (b) Si e bekoi Jehovai Jozefin për besnikërinë e tij?
14 Erdhi dita kur ata u gjendën vetëm në shtëpi. Gruaja e Potifarit e kapi Jozefin dhe i tha: «Eja të shtrihesh me mua.» Ai i iku nga duart. E lënduar nga refuzimi, ajo e akuzoi se ishte përpjekur ta përdhunonte. Cilat qenë pasojat? A e shpërbleu menjëherë Jehovai Jozefin për integritetin e tij? Jo. Jozefin e hodhën në burg dhe e lidhën me hekura. (Zanafilla 39:12-20; Psalmi 105:18) Jehovai e pa padrejtësinë dhe me kohë e lartësoi Jozefin, duke e çuar nga burgu në një pallat. Ai u bë njeriu i dytë më i fuqishëm në Egjipt dhe u bekua me një grua dhe me fëmijë. (Zanafilla 41:14, 15, 39-45, 50-52) Për më tepër, tregimi për integritetin e Jozefit u dokumentua 3.500 vjet më parë, me qëllim që shërbëtorët e Perëndisë që nga ajo kohë e më tej ta merrnin në konsideratë. Sa bekime të mrekullueshme i erdhën ngaqë iu përmbajt ligjeve të drejta të Perëndisë! Në mënyrë të ngjashme, sot mund të mos i shohim gjithnjë dobitë e menjëhershme të mbajtjes së integritetit moral, por mund të jemi të sigurt se Jehovai shikon dhe do të na bekojë në kohën e duhur.—2 Kronikave 16:9.
‘Besëlidhja që kishte bërë me sytë e tij’ Jobi
15. Cila ishte ‘besëlidhja që kishte bërë me sytë e tij’ Jobi?
15 Një njeri tjetër që e mbajti integritetin ishte Jobi. Gjatë sprovave që i solli Djalli, Jobi rikujtoi jetën e tij dhe e shpalli veten të gatshëm të pësonte ndëshkim të ashpër nëse kishte shkelur, ndër të tjera, parimin e Jehovait për moralin seksual. Jobi tha: «Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë?» (Jobi 31:1) Me këtë, Jobi donte të thoshte se në vendosmërinë për të mbajtur integritetin ndaj Perëndisë, ai kishte vendosur që as të mos ia ngulte sytë me epsh ndonjë gruaje. Sigurisht, ai do të shihte gra në jetën e përditshme e ndoshta do t’i ndihmonte po të kishin nevojë për ndihmë. Por as që bëhej fjalë t’u tregonte vëmendje atyre, në kuptimin për të ndjekur synime romantike. Para se të fillonin sprovat, ai kishte qenë një njeri me shumë pasuri, «më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes». (Jobi 1:3) Gjithsesi, nuk e përdorte pushtetin e pasurisë për të bërë për vete shumë gra. Qartë, ai nuk luajti kurrë me mundësinë për të kryer marrëdhënie të paligjshme seksuale me gra më të reja.
16. (a) Përse Jobi është një shembull i shkëlqyer për të krishterët e martuar? (b) Në ç’mënyrë sjellja e burrave në ditët e Malakisë ishte shumë e ndryshme nga ajo e Jobit dhe ç’të themi për sot?
16 Kështu, Jobi tregoi integritet moral si në kohë të vështira, edhe në kohë të mira. Jehovai e vuri re këtë dhe e bekoi në mënyrë të pasur. (Jobi 1:10; 42:12) Sa shembull i shkëlqyer është Jobi për të krishterët e martuar, burra e gra! S’ka dyshim përse Jehovai e donte kaq shumë. Në kontrast, sjellja e shumë vetave sot i ngjan më tepër asaj që ndodhi në ditët e Malakisë. Ai profet dënoi mënyrën se si shumë burra i kishin braktisur gratë e tyre, shpesh për t’u martuar me vajza më të reja. Altari i Jehovait ishte i mbuluar me lotët e grave të braktisura dhe Perëndia i dënoi ata që ‘silleshin me pabesi’ me bashkëshortet e tyre.—Malakia 2:13-16.
Një e re e dëlirë
17. Në ç’kuptim ishte shulamitja si «një kopsht i mbyllur»?
17 Një person i tretë që mbajti integritetin ishte një vajzë shulamite. E re dhe e bukur, ajo bëri për vete jo vetëm një bari, por edhe mbretin e pasur të Izraelit, Solomonin. Në të gjithë historinë e bukur të treguar në Këngën e Solomonit, shulamitja mbeti e dëlirë, duke fituar, kështu, respektin e atyre që e rrethonin. Ndonëse ajo e refuzoi Solomonin, ky u frymëzua nga Perëndia ta dokumentonte historinë e saj. Edhe bariu që ajo donte, e respektoi sjelljen e saj të dëlirë. Në një pikë, ai e mendoi shulamiten si «një kopsht i mbyllur». (Kantiku i Kantikëve [Kënga e Solomonit] 4:12) Në Izraelin e lashtë, kopshtet e bukura kishin një shumëllojshmëri të kënaqshme bimësh, lulesh erëmira dhe pemësh hijerënda. Zakonisht, këto kopshte mbylleshin me një gardh ose mur dhe në to mund të hyhej vetëm nëpërmjet një porte, e cila mbahej e kyçur. (Isaia 5:5) Për bariun, pastërtia dhe bukuria morale e shulamites ishin si një kopsht i tillë me bukuri të rrallë. Ajo ishte tërësisht e dëlirë. Dashuria e saj do t’i drejtohej vetëm burrit të saj të ardhshëm.
18. Për çfarë na kujtojnë tregimet e Jozefit, të Jobit dhe të shulamites?
18 Për sa i përket integritetit moral, shulamitja lë një shembull të shkëlqyer për gratë e krishtere sot. Jehovai e pa dhe e vlerësoi virtytin e vajzës shulamite dhe e bekoi siç kishte bekuar Jozefin dhe Jobin. Dokumentimi për aktet e tyre të integritetit gjendet në Fjalën e Perëndisë për të na udhëhequr. Ndonëse përpjekjet që bëjmë sot për të mbajtur integritetin nuk janë të dokumentuara në Bibël, Jehovai ka një «libër kujtimi» për ata që përpiqen të bëjnë vullnetin e tij. Të mos harrojmë kurrë se Jehovai po ‘kushton vëmendje’ dhe gëzon, ndërsa ne me besnikëri përpiqemi të qëndrojmë të pastër moralisht.—Malakia 3:16, BR.
19. (a) Si duhet ta konsiderojmë pastërtinë morale? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
19 Ndonëse ata që nuk besojnë mund të na tallin, ne kënaqemi kur i bindemi Krijuesit tonë të dashur. Kemi një moral më të lartë, një moral hyjnor. Është diçka për të qenë krenarë, diçka për ta çmuar pa masë. Duke mbajtur një qëndrim të pastër moral, mund të kënaqemi me bekimin e Perëndisë dhe mund të mbajmë një shpresë të ndritshme për bekime të pafundme të ardhme. Por, në kuptimin praktik, çfarë mund të bëjmë për të qëndruar të pastër moralisht? Artikulli vijues do të trajtojë këtë pyetje të rëndësishme.
[Shënimet]
a Shih Kullën e Rojës, 15 mars 1983, faqet 29-31, anglisht.
b Mjerisht, ka situata ku një i krishterë i pafajshëm merr një sëmundje të transmetuar me rrugë seksuale nga bashkëshorti jobesimtar, i cili nuk ka ndjekur drejtimin e Perëndisë.
A mund ta shpjegoni?
• Çfarë mëson Bibla për marrëdhëniet seksuale?
• Çfarë përfshin fjala «kurvëri» në Bibël?
• Si nxjerrim dobi duke qëndruar të pastër moralisht?
• Përse Jozefi, Jobi dhe vajza shulamite janë shembuj të shkëlqyer për të krishterët sot?
[Figura në faqen 9]
Jozefi iku nga imoraliteti
[Figura në faqen 10]
Vajza shulamite ishte si «një kopsht i mbyllur»
[Figura në faqen 11]
Jobi kishte bërë ‘një besëlidhje me sytë e tij’